Kompania “Bechtel & Enka” nis sot shtrimin e asfaltit të parë në autostradën Vërmicë – Merdarë. Pas disa muajsh të punimeve, “Bechtel & Enka”, ka arritur që të përgatitet për të shtruar pjesën e parë me asfalt të autostradës së parë në Kosovë. Drejtues të ndërtimit të këtij projekti kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomisti se dinamika e punëve është duke ecur sikur bazuar në planifikimet e bëra.
Punimet në ndërtimin e autostradës , kanë nisur me 25 prill 2010. Kjo rrugë, mundëson lidhjen e Kosovës me Shqipërinë, por edhe bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian, patën vlerësuar zyrtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë, ditën kur filluan punimet në ndërtimin e saj.
“Duke e shtrirë autostradën përmes Kosovës, ne do t’u japim mundësi qytetarëve të vendit tonë, por edhe të gjitha vendeve të tjera të rajonit, që më lehtë të prekin bregdetin e bukur të Adriatikut dhe të Jonit shqiptar. Anasjelltas, kjo udhë do t’ua bëjë edhe më të afërt fizikisht qytetarëve të Shqipërisë, Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Therandën, Ferizajn, Prishtinën, Podujevën dhe gjithë Kosovën”, kishte thënë në atë kohë ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pati theksuar se pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, kjo ngjarje është një ndër momentet shumë të rëndësishme historike.
“Prandaj, 25 prilli i vitit 2010 do të jetë data e shënuar në historinë e Kosovës dhe Qeverisë së parë të pavarësisë së saj”, pati thënë Krasniqi.
Ndryshe sot në ceremoninë e shtrimit të asfaltit të parë në autostradën Vërmicë – Merdarë, zyrtarisht është konfirmuar pjesëmarrja e kryeministrit aktual Hashim Thaçi, i cili në kohën e fillimit të ndërtimit të saj, pati shpreh bindjen se përfitimet ekonomike të Kosovës do të jenë të mëdha pas përfundimit të projektit të ndërtimit të autostradës.
“Po e hapim kapitullin e historisë së re të Kosovës - epokën e fuqizimit të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Sot, historia dhe e ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve të Kosovës bëhen një”, kishte thënë Thaçi.
Ndërsa ish ministri i Transportit dhe Postëtelekomunikacionit Fatmir Limaj, pati thënë se kjo rrugë do të ketë impakt të posaçëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Me ndërtimin e kësaj autostrade, Kosova do të bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj, do të na ofrohet dalja në det, nga do të qarkullojnë mallrat dhe njerëzit nga Kosova në Evropë dhe nga Evropa në Kosovë”, pati thënë ish ministri Limaj.
Ndërtimi i autostradës pritet të bëhet brenda tre vjetëve dhe vlerësohet se do të kushtojë mbi 700 milionë euro. Dyzet për qind të punimeve të drejtpërdrejta në trasenë e rrugës, është paraparë se do të kryhen nga kompanitë vendore. Gjatë kësaj periudhe kohore, sipas autoriteteve në Kosovë, do të punësohen rreth katër mijë punëtorë vendës në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare.
Krijoni Kontakt