Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë një telegram urimi nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hilary Clinton, me rastin e rizgjedhjes si kryeministër i Republikës së Kosovës. Clinton pohon se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për të realizuar të drejtat dhe përgjegjësitë e saj si anëtare sovrane dhe e pavarur e bashkësisë ndërkombëtare.
Në telegramin e urimit të sekretares Clinton thuhet “Ju uroj për rizgjedhjen tuaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Kujtoj me kënaqësi udhëtimin tim në Kosovë në tetorin e vitit të kaluar dhe diskutimet tona të frytshme mbi rrugën që duhej ndjekur”.
“Ju inkurajoj juve dhe kabinetin tuaj të ri që të shtyni përpara dhe në mënyrë të shpejtë avancimin e një agjende të qëndrueshme dhe efektive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, integrimin e pakicave në Kosovës dhe ndjekjen e reformave të cilat do ta shpijnë vendin tuaj drejt përmbushjes së aspiratave euro-atlantike”, thuhet në urim.
Clinton më tej shprehet “Angazhimi juaj konstruktiv në dialogun e ndihmuar nga BE-ja do të jetë i rëndësishëm në këtë drejtim. Përshëndes progresin që Kosova ka shënuar në tre vjetët e parë të pavarësisë dhe mirëpres partneritetin përherë e më të ngushtë dhe më të thellë në vitet e ardhshme”.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton pohon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për të realizuar të drejtat dhe përgjegjësitë e saj si anëtare sovrane dhe e pavarur e bashkësisë ndërkombëtare. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt