Rrihen nga militantë të PS, dy vëllezër përfundojnë me fraktura në spital

Tv Klan

Një incident i rëndë elektoral ka ndodhur në Kashar të Tiranës, ku dy vëllezër kanë përfunduar të rrahur rëndë dhe me fraktura në spital.

Dhe kjo, vetëm sepse nuk lejuan vendosjen e flamujve të Partisë Socialiste pranë lokalit të tyre.

Flamujt e partive politike shkaktojnë sërish tension duke shënuar incidentin e radhës gjatës fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 8 Majit.

Ngjarja më e fundit ndodhi në mesditën e sotme në Kashar ku militante të Partisë Socialiste dhunuan dy vëllezërit Genci dhe Fatjon Kamberi, pronarë të një lokali, për shkak të vendosjes së një flamuri.

Policia tha se ka identifikuar tre personat që kanë ushtruar dhunë ndaj dy vëllezërve që mbetën të plagosur sot në Kashar si pasojë e incidenteve për flamujt partiakë, PD dhe PS.

Burime zyrtare nga policia thanë se autorët e dyshuar të ngjarjes, janë shtetasit Shkëlqim Lleshi, Fredi Sula dhe Zani Sula.

Njëri prej tyre mësohet se është ndaluar nga policia ndërsa grupi i militanteve të PS, përbëhej nga rreth dhjete persona.

Ata akuzohen se në konflikt fizik kanë plagosur dy vëllezërit, Genci dhe Fatjon Kamberi, nga Kashari.

Dy të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e shpejtë, pasi kanë pësuar fraktura të shumta në trup dhe kryesisht në kokë.