Winston Churchilli pa dyshim është kryeministri më i famshëm që ka pasur Britania e Madhe. Ai mbetet në histori edhe si prijës që fitoi luftën dhe menjëherë pas saj humbi zgjedhjet. Kur një këshilltar i kishte thënë se ”nuk mund të besoj se si kemi lejuar t’i humbim zgjedhjet“ Churchill i është përgjigjur shumë thjesht: “Edhe Stalini ma ka thënë të njëjtën gjë!“. Stalini nuk ka qenë aq „naiv“ sa Churchilli dhe Stalini kurrë në historinë e tij nuk i ka humbur zgjedhjet. As Enver Hoxha, as Josip Broz Tito asnjëherë nuk i kanë humbur zgjedhjet. Sot në demokracitë parlamentare ka rregulla. Qëllimi i daljes në zgjedhje është të fitohet në to, nëse jo tërë pushteti atëherë një pjesë sa më e madhe e tyre. Pra, fitorja në zgjedhje është qëllim legjitim. Por fitorja me çdo kusht nuk është qëllim legjitim, nëse nuk ngurrohet as nga manipulimet zgjedhore, përdorimi i mjeteve të palejueshme, shitblerja e posteve dhe e mandateve, frikësimi dhe trysnia. Fitorja në zgjedhje, do të mund të thuhet, është qëllim çfarë ka pasur Churchilli, por nuk e ka arritur në Britaninë e varfëruar nga Lufta e Dytë Botërore. Fitorja me çdo kusht është qëllim i tipit të Stalinit dhe Enver Hoxhës.
Prandaj sot, ata që thonë ”ose unë ose askush“ duhet të mendohen mirë, sepse dikush mund t’i akuzojë për shkelje të normave themelore të demokracisë përfaqësuese. Kjo vlen edhe për Hashim Thaçin dhe për kandidatin e tij për president të Kosovës, Behgjet Pacolli. Është krejt legjitime që ata të kenë ambicie. Madje politikanët pa ambicie nuk janë politikanë të mirëfilltë. Është legjitime që ata të insistojnë të jenë njëri kryeministër e tjetri president, me kusht që të kenë numrat e mjaftueshëm dhe të realizojnë qëllimet e tyre pa shkelur ligjet dhe pa shkelur normat e mirësjelljes politike. Por nuk është legjitime të insistojnë se s’ka kurrfarë zgjidhje tjetër, sepse asnjë shtet, e as Kosova, nuk guxon të pranojë se ka njerëz të pazëvendësueshëm. Vetëm kur Hashim Thaçi të pranojë këtë filozofi, ai do të ketë të drejtë t’i drejtohet opozitës me kërkesën që të lërë interesat e ngushta partiake dhe personale dhe të shikojnë interesin e Kosovës. Në të kundërtën, fjalët e Thaçit do të kuptohen si “Kosova para se gjithash = Kosova jemi unë dhe Pacolli“.
Opozita në Kosovë ka bojkotuar seancën e zgjedhjes së presidentit. Në këtë mënyrë kanë ndihmuar që në Kosovë të instalohet gjithnjë e më shumë një kulturë politike çfarë tash e sa vite mbretëron në Shqipërinë amë (apo Shqipërinë fqinje). Por e ka bërë këtë për të hetuar akuzat se disa deputetë të tyre ”janë shitur“ dhe do të votojnë për Pacollin si president. Opsioni që kishte zgjedhur opozita gjatë seancës së votimit në Kuvend nuk ishte opsion i mirë, por, siç thonë ata që ndërmorën atë hap ”nuk kishte zgjidhje tjetër“. E këtu sot qëndron problemi kryesor me Kosovën ku janë renditur tash e disa muaj zgjidhjet e gabuara në mungesë të alternativave.
“E çfarë tjetër ka qenë e mundur“, është përgjigjja e vetme që dëgjohet në Kosovë, por edhe në Bruksel kur jepen vërejtje për zgjidhje të gabuara. Hashim Thaçi insiston që ta bëjë president Behgjet Pacollin dhe veten kryeministër. Këtë opozita e konsideron si shantazh. Opozita s’ka rrugëdalje tjetër për të parandaluar planet e Thaçit, pos bojkotit. Me këtë opozita i bën shantazh Kuvendit. Bashkësia ndërkombëtare nuk do zgjedhje, do dialog të pakusht me Beogradin, do që Thaçi të jetë kryeministër me çdo kusht dhe nuk i intereson as demokracia e as zgjedhjet sipas standardeve evropiane. Me këtë bashkësia ndërkombëtare i bën shantazh krejt shoqërisë kosovare. Por të gjithë thonë se nuk kanë rrugëdalje tjetër për t’i realizuar qëllimet e tyre. Prandaj, sot Kosova është gjetur në një situatë pa pasur asnjë zgjidhje të mirë për asnjë problem.
Dhe kur të nisë vargu i gabimeve, ai pasohet me gabime të reja. Presidenti i parë i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shkeli Kushtetutën. Gabimi i tij ishte se nuk ka menduar për këtë si profesor universitar dhe si jurist por e ka pyetur kryeministrin Thaçi: „Hasim-A jam duke e shkelur Kushtetutën apo jo?“ dhe Thaçi i është përgjigjur se “Ndërkombëtarët po thonë se Jo“. Kështu presidenti i parë i republikës mbetet në histori si shkelësi i parë i Kushtetutës së parë të Republikës. Pas këtij gabimi pasuan gabimet e tjera. LDK-ja, e çorientuar, u largua pothuajse pa gjurmë nga Qeveria me të cilën kishte qeverisur disa vite. Me mashtrim të opinionit AKR-ja në opozitë me PDK-në në pushtet kurdisen shkarkimin e qeverisë. Nuk di ku ka në botë qeveri që voton rrëzimin e vetvetes. Pasuan manipulimet dhe mashtrimet zgjedhore dhe votimi jokushtetues i Pacollit për president. Thaçi dhe Pacolli për vetëm disa ditë krijuan disa „vende të reja pune“ por vetëm për argatët e tyre në kabinetet dhe institucionet e tyre. Nuk mbeti kush nga AKR-ja pa u punësuar dhe Kosova theu rekordin evropian me numrin e zëvendëskryeministrave duke i pasur pesë.
Bashkësia ndërkombëtare, BE-ja dhe SHBA-ja, prapë në mungesë të alternativave, këto gabime i panë si zgjidhje të vetme dhe brohoritën. BE-ja sidomos iu gëzua pa masë krijimit të institucioneve të reja, sepse duhej nisur dialogu me Beogradin. Serbia e BE-ja i kishin bërë planët qëmoti por mungonte edhe aktori i tretë; Kosova. Dhe vetëm disa ditë pas krijimit të institucioneve nisi dialogu. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pasur gjithnjë e më shumë punë nëpër pjesë të tjera të botës, i kanë lënë një autonomi të madhe ambasadorit Christppher Dell që të mikro-menaxhojë situatën në Kosovë. Në mungesë të alternativave Dell luajti një rol në zgjedhjen e Pacollit për president të Kosovës edhe pse disa diplomatë të lartë evropianë thoshin se “janë vetë amerikanët ata që vazhdimisht na thoshin se nuk mund të bëhet Pacolli president“.
Tash kur Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetues procesin e zgjedhjes së Pacollit vetë ata që ”përshëndeten“ zgjedhjen e Pacollit përshëndeten edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe thanë se do ta respektojnë. E tash ushtrues detyre i presidentit është Jakup Krasniqi, përgjegjësi kryesor i shkeljes së Kushtetutës gjatë procesit të votimit. Thënia e tij „Kështu jeni tu e shkel Kushtetutën“ nuk e amniston nga përgjegjësia. Shkelës i Kushtetutës është edhe Thaçi, i cili doli nga salla pa lejen e kryetarit të Kuvendit, Krasniqi. E shkelës të mirësjelljes politike janë edhe deputetët e opozitës. E shkelës janë edhe organizatat ndërkombëtare dhe miqtë e Kosovës që përshëndetën këtë procedurë, duke e ditur se ka pasur një varg shkeljesh. Prapë hasim në argumentin “E çfarë të bëjmë tjetër!?“
Gabimet pasuan edhe pas kësaj. Tash udhëheqja e PDK-së dhe ajo e AKR-së, e si duket edhe Mirko-menaxhuesit ndërkombëtarë të Kosovës Chris Dell dhe Peter Feith, bëjnë përpjekje që Pacollin ta bëjnë nga një president jokushtetues në president kushtetues. Si hap i parë është trysnia ndaj opozitës që të qëndrojë në seancë të Kuvendit gjatë votimit. Me këtë do të sigurohej pjesëmarrja e dy të tretave dhe votimi do të quhej kushtetues. Për pjesën tjetër, që të ketë dy kandidatë, rolin e mori AKR-ja duke paralajmëruar se vetëm kjo parti, e cila mund të ketë fituar diku mes 3 deri 4 % votash (Koalicioni rreth AKR-së fitoj 7 e jo AKR-ja) do të kandidojë dy anëtarë të saj për president për t’i siguruar Pacollit një kundërkandidat. Por kjo është mashtrim, madje do të duhej të ishte edhe vepër e dënueshme penale. Edhe sportistët dënohen nëse kurdisin rezultatin e lojës dhe nëse hyn në garë me qëllim që të humbin. AKR-ja përdor, apo më mirë të thuhet keqpërdor, emrin e zonjës Novobërdaliu për ta mashtruar sistemin dhe për ta respektuar formën. Por as ajo vetë nuk do të guxojë të votojë për vetveten, gjë që i bën Kuvendin e Kosovës dhe skenën politike të këtij vendi edhe më qesharakë.
Kosova sot është para një dileme: a të pranojnë të gjithë se s’ka zgjidhje tjetër pos zgjidhjeve të këqija apo t’i kthehen arsyes dhe të mundohen të ndërtojnë një konsensus minimal për ta ndalur këtë proces aq negativ që po zhvillohet në Kosovë tash e gjashtë muaj. Lajm jo i mirë për kosovarët është ai se nuk mund të presin shumë nga bashkësia ndërkombëtare, sepse edhe atyre po u mungojnë zgjidhjet e mira dhe do të pranojë gjithçka që nuk i prish planet e tyre momentale, e para së gjithash ato për dialog me Serbinë. Kur ata ambasadorë dhe përfaqësues që janë sot do të shkojnë në një post tjetër të karrierës së tyre, Kosova do të mbetet t’i vuajë pasojat. S’kanë faj, sepse pse ta marrë dikush Kosovën seriozisht nëse vetë kosovarët nuk e marrin seriozisht shtetin e tyre.

http://www.koha.net/index.php?cid=1,12,54611