Mexhid YVEJSI, Gjakovë



Në përkujtim të 30 vjetorit të demonstratave në Gjakovë me 2 prill 1981



Studentët e Gjakovës – Frymëzim i Pranverës Studentore të Kosovës!







Qëndresa e vazhdueshme e shqiptarëve kundër pushtuesit serb nuk ishte ndalur asnjëherë që nga viti 1912, viti kur Shqipëria kishte shpallur Pavarësinë e saj me 28 Nëntor 1912, por kishin mbetur jashtë Kosova e Çamëria…gjysma e trojeve shqiptare, të cilat u pushtuan nga Sërbia, Mali i Zi dhe Greqia…

Viti 1981 është vit i kthesës historike. Protestat studentore të 11 dhe 26 Marsit 1981 në Prishtinë dhe pastaj demonstratat gjithëpopullore të 1 dhe 2 Prillit të vitit 1981 në mbarë Kosovën, ishin fillimi i fundit të Jugosllavisë. Paknaqësia e studentëve me gjendjen e rëndë ekonomike e shoqërore, të pasuar edhe nga shtresat tjera kulmoi pastaj me kërkesa politike, ndër të cilat më kryesorja ishte Kosova Republikë!



Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, shënojnë fillimin e ndarjes përfundimtare të forcave liridashëse shqiptare nga procesi i jugosllavizimit, i cili po manifestohej me politikën e ashtuquajtur të bashkim-vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë. Për më tepër, qysh nga ajo kohë filloi edhe procesi i gjatë, historik, për krijimin e Republikës së Kosovës, fillimisht si republikë e barabartë në Federatën jugosllave, me synim që në këtë republikë të përfaqësoheshin shqiptarët e të gjitha viseve tona etnike, të cilat i mbante nën okupim RSFJ.

Më 1 prill e në veçanti me 2 prill të vitit 1981, demonstratat e rinisë shqiptare, e cila nuk kërkonte asgjë më shumë se liri e barazi, kishin marrë përmasa të një revolte të përgjithshme popullore, jo vetëm në Prishtinë, ku ishte bërthama e qëndresës dhe e të gjitha zhvillimeve, por edhe në të gjitha qytetet e Kosovës…

Gjakova, është një nga qytetet e Kosovës, ku me 2 Prill 1981 shpërthyen demonstratat…Gjakova, e cila ndër shekuj, edhe pse e pushtuar, nuk iu nënshtrue pushtuesve të huaj, në veçanti pushtuesve serbo-malazez që nga tetori i vitit 1912…

Por, edhe para vitit 1912, burrat e Gjakovës, si burra të mendjes, pendës e pushkës, shquheshin jo vetëm në Kosovë apo në trojet shqiptare, por edhe ndër perandoritë e kohës…

Ngjarjet në kohën e “Lidhjes së Prizrenit” (1878-1881), si vrasja e Mehmet Ali Pashës në Gjakovë, u bënë burim frymëzimi për kryengritjet ndër brezat që do të vinin…

Emrat e burrave të asaj kohe, si Kadiu i Gjakovës, Ahmet efendi Korenica, luftëtari Sulejman Agë Vokshi, myftiu i Gjakovës, Ismail efendi Yvejsi, dijetari Hasan efendi Shllaku, etj., përmendeshin me admirim kudo në trojet shqiptare…

Rrugën e tyre e vazhduen qindra e mijëra të tjerë atdhetarë, dijetarë,... në periudha të ndryshme, por këtu jemi ndalur në Demonstratat e vitit 1981…

Në përkujtim të ngjarjeve madhore të së kaluarës, në 30-vjetorin e Pranverës Studentore të vitit 1981 do të përkujtojmë, shpalosim e nderojmë demonstratat e 2 Prillit 1981 në Gjakovë, ku shumica e pjesëmarrësve ishin nxënës të shkollave të mesme e studentë të Shkollës së Lartë Pedagogjike “Bajram Curri”…



Demonstratat e Gjakovës filluan në qendër të qytetit, ku kërkesa kryesore ishte: Kosova Republikë…! Policia menjëherë u vërsul me dhunë ndaj demonstruesve, të cilët duke u shpërnda tentonin të vazhdonin në pjesët tjera të qytetit, por ishte e pamundur, sepse policia vërsulej vazhdimisht me egërsi me të gjitha mjetet…



Kush janë të dënuarit për „ vepra penale për cënim kundërrevolucionar“?

Si u kualifikuan demonstratat nga zyrtarët e regjimit të kohës ?



Të dënuarit për pjesëmarrje, nxitje, organizim në demonstratat e Gjakovës janë me dhjetëra, por në aktakuzen nga Prokuroria Publike e Qarkut PP-nr.116/82 janë të shënuar emrat e 16 të rinjëve që më pastaj janë gjykuar dhe dënuar për vepër penale të cënimit kundërrevolucionar të rregullimit shoqëror sipas Nenit 114 të Ligjit Penal të Jugoslavisë. Këta janë:



Bajram Shehu, i lindur më 31 mars 1960, në Greme, Ferizaj, student, grupi biologji-kimi, pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjakovë, i dënuar me 36 muaj burg;
Ali Thaçi, i lindur më 7 Mars 1958 në Nashec, Prizren, apsolvent i degës histori-gjeografi pranë SHLP në Gjakovë, i dënuar me 36 muaj burg;
Salih Lukaj, i lindur më 7 Shkurt 1959 në Pejë, student, grupi i gjuhës shqipe, pranë SHLP në Gjakovë i denuar me 36 muaj burg;
Sylejman Jakupi, i lindur më 9 Qershor 1960 në fshatin Ribari i Madh, Lipjan, student, grupi biologji-kimi, SHLP në Gjakovë, i dënuar me 18 muaj burg;
Zenel Rexhaj, i lindur më 16 Dhjetor 1959 në Cercë të Istogut. (Burimit), student, dega biologji-kimi, pranë SHLP në Gjakovë , i dënuar me 12 muaj burg;
Hamëz Ibrahimi, i lindur më 3 Korrik 1958 në Jabllanicë, Gjakovë, student, dega gjuhë dhe letërsi shqipe, pranë SHLP në Gjakovë , i dënuar me 12muaj burg;
Bahri Ukajt, i lindur më 12 Shtator 1957 në Livoç të Ulët, Gjilan, student, grupi histori-gjeografi, pranë SHLP në Gjakovë, i dënuar me 18 muaj burg;
Xhavit Beqiri, i lindur më 4 Shtator 1957 në Doshec, Skenderaj, student, dega gjuhë dhe letërsi shqipe pranë SHLP në Gjakovë, i dënuar me 12muaj burg;
Muhamer Topalli, i lindur më 29 Gusht 1959 në Zllatar, Ferizaj, student, grupi kimi-biologji, pranë pranë SHLP në Gjakovë, i dënuar me 18 muaj burg;
10. Milaim Elezi, i lindur më 27 Shkurt 1961 në Livoç të Ulët, Gilan, student, grupi histori-gjeografi, pranë SHLP në Gjakovë, i dënuar me 12muaj burg;

11. Shaban Troshupaj, i lindur më 31 Maj 1959 në Ribari i Madh, Lipjan, student, grupi histori-gjeografi, pranë SHLP në Gjakovë, i dënuar me 12 muaj burg;

12. Nezir Fejza, i lindur më 3 Maj 1957 në Radavc, Pejë, student, grupi histori-gjeografi, pranë SHLP në Gjakovë, i dënuar me 36 muaj burg;

13. Salih Rexhepi, i lindur më 7 Shkurt 1957 në Muçibabë, Gjilan, student, grupi histori-gjeografi, pranë SHLP në Gjakovë, i dënuar me 20 muaj burg;

14. Besim Ejupi, i lindur më 1 Janar 1956 në Gadimë, Lipjan, student, grupi biologji-kimi, pranë SHLP në Gjakovë,i denuar më 12 muaj burg;

15. Fejzi Idrizi, i lindur më 15 tetor 1958 në Shurdhan, Gjilan, student, grupi biologji-kimi, pranë SHLP në Gjakovë, i dënuar me 20 muaj burg;

16. Ruzhdi Sefa, i lindur më 1 Nëntor 1952 në Gjakovë, magjistër i shkencave elektroteknike, ligjërues në Fakultetit Teknik në Prishtinë i dënuar me 24 muaj burg;



Të njëjtit duke marrë pjesë në takimet e fshefta të mbajtura në dhomat dhe banjot e konviktit të studentëve e nxënsëve “Sadik Stavileci “ në Gjakovë, qëllimi kryesor i të cilëve është organizimi , përgatitja dhe mbajtja e demostratave në Gjakovë, në vazhdën e atyre në vendet tjera të Kosovës, cilido nga këta studentë solidarizohen për mbajtjen e demostratave me 1.4.1981 në ora 21. Mirëpo duke kontaktuar me të ardhurin nga Prishtina, Mr.Ruzhdi I.Sefa, i cili u ka dhënë këshilla, udhëzime instrukcione e njohuri të tjera drejte përgatitjes të demostratave me 2.4.1981 në orën 14 udhëzime e instruksione këto të cilat njeri nga të pandehurit e përcjellë në mesin e studentëve e nxënësëve të këtij konvikti dhe kështu studentët dhe nxënësit që banojnë këtu organizohen në grupe-grupe të cilët dalin në qendrën e qytetit të Gjakovë bashkë me të tjerët që të fillojnë me demostratat. Në këtë drejtim, po atë ditë, me 2.04.1981 rreth orës 19.00 kanë vazhduar me demonstratat në shetitoren e qytetit e sidomos para panos të reklamave të kinemas “Hysni Zajmi “ në Gjakovë, kur janë dëgjuar e brohoritur parrullat “Rroftë Kosova Republikë “, “Unitet”, “Trepça punon e Beogradi ndërtohet” etj e pastaj masa e njerëzve qytetarë të Gjakovës, në ballë të demonstratave kanë qëndruar studentët dhe nxënsit duke defiluar në të dy anët e qendrës të qytetit të Gjakovës e që pas një kohe të shkurtë janë shpërnda në drejtime të ndyshme duke shkuar në afërsi të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjakovë.

Njëri nga të dënuarit për demonstratat në Gjakovë ishte Prof.Ruzhdi I.Sefa, doktor i shkencave elektroteknike, në atë kohë ligjërues në Fakultetin Teknik në Prishtinë, i cili tregon se:

“Një pjesë e mirë e popullit në Gjakovë shikonte me admirim demonstartat e rinisë dhe kjo vërehej sidomos kur kishte përplasje me policinë. Populli hapte dyert dhe i strehonte pjesëmarrësit sikur të ishin anëtarë të familjeve të tyre”.

Sipas Aktakuzës në fjalë Dr. Ruzhdi I.Sefa, ishte një nga promotorët e demonstratave në Gjakovë, i cili erdhi nga Prishtina në Gjakovë dhe i tha rinisë se, në kohën kur në Prishtinë policia po vret e po shkel me tanke rininë tonë, studentët në Gjakovë nuk duhet heshtur...Këto fjalë të prof. Ruzhdiut ndezën mllefin, zgjuan vetëdijën, frymëzuan të rinjtë të cilët me të shpejt shtuan rradhët e demostruesve...

Demonstratat e Gjakovës, si edhe protestat e demonstratat nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës dëshmuan hapur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm pozitën e rëndë shoqërore, politike, kulturore, ekonomike të Kosovës në ish Jugosllavi dhe sidomos dëshmuan mbi padrejtësitë e mëdha historike që u ishin bërë shqiptarëve nga fuqitë e mëdha, duke i ndarë e coptuar trojet shqiptare sipas orekseve të shteteve fqinje.

Vlera dhe rëndësia kryesore e këtyre ngjarjeve është se u bë një kthesë e madhe dhe një këndellje politike e kombëtare të shqiptarëve në hapsirat e ish Jusosllavisë, ndërkohë që politika e mashtrimit që thirrej në emër të “bashkim vëllazërimit” dhe “barazisë nacionale “, përpiqej me çdo kusht të zhbënte çështjen kombëtare shqiptare…



Mexhid YVEJSI, Gjakovë