Kjo nuk turpëron Pacollin, pasi ai nuk ka shkelur vetë Kushtetutën. Ai ka detyruar politikën e Kosovës të shkelë Kushtetutën për të dhe politikën zyrtare të Shqipërisë ta noterizojë këtë shkelje
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur njëzëri të shpallë se “Vendimi i Kuvendit të Kosovës, nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës më 22 shkurt, 2011, është jokushtetues”. Sipas vendimit të gjykatës, “zgjedhja është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”. E thënë shqip, Bexhet Pacolli nuk është më president i Kosovës. Gafat në zgjedhjen e tij janë në dukje procedurale, por në thelb janë politike. Presidenti është zgjedhur duke injoruar Kushtetutën e miratuar në vitin 2008, dhe është tentuar të imitohet zgjedhja përmes Kornizës Kushtetuese, e cila nuk kërkon një kuorum me dy të tretat e Kuvendit. Kjo ka qenë e vetëdijshme. E vetëdijshme ka qenë po ashtu kalimi tri herë në votim i procedurës së zgjedhjes, ndërkohë që Pacolli ishte kandidat i vetëm. I përmenda këto jo aq për të komentuar vendimin e Gjykatës, sesa për të shprehur shqetësimin për nxitimin e Tiranës zyrtare për të legjitimuar një president antikushtetues. Fryma politike që dominon Prishtinën, është dukshëm një epidemi e çuar aty nga Tirana. Sjelljet politike janë thuajse njësoj, dhe tentimi për të dhunuar Kushtetutën është po njësoj. Ndryshimi qëndron te gjyqësori. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rrëzuar dy presidentë në gjashtë muaj, dhe askush nuk ka vënë në dyshim vendimet e saj. Sali Berisha ka hedhur në kosh të plehrave plot 28 vendime të Gjykatës Kushtetuese qysh kur ka ardhur në pushtet. Por rasti më flagrant ishte mënyra sesi u sollën me ligjshmërinë e presidentit të Kosovës. Ndërkohë që opozita më bllok e çoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese, Pacolli nisi emisarët e tij në Tiranë për të legjitimuar zgjedhjen e diskutueshme. Edhe pse ai u prit formalisht sipas protokollit nga presidenti Topi, kryeministri Berisha dhe kryebashkiaku Rama, detyrimin për të realizuar vizitën e ka protokolli i shtetit, që varet nga qeveria. Në këtë rast ky institucion është përdorur politikisht në funksion të mbulimit të një shkeljeje të rëndë kushtetuese. Tirana zyrtare u përdor si gjethe fiku për të mbuluar lakuriqësinë antikushtetuese të zgjedhjes së tij. Një tufë biznesmenësh dhe argatësh të Pacollit u lëshuan në Tiranë për të zbukuruar vizitën e tij, ndërsa të gjithë nxitonin të theksonin se presidenti u zgjodh nga populli i Kosovës. Ky ishte një turp. Ishte përveç turpit dhe një përpjekje e ulët për të eksportuar në Kosovë mungesën e respektit që ne kemi për Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin në përgjithësi. Por ajo që është bërë me sukses duke eksportuar këtë virus te klasa politike në Kosovë, për fat nuk ka ndodhur me gjyqësorin. E pata theksuar në ditët që Pacolli po tentonte të përdorte Shqipërinë para se të zgjidhej, se në Kosovë nuk duhet të na e marrin për ters që Meidani apo ndonjë këshilltar i tij flasin në emër të Shqipërisë për të legjitimuar Pacollin si njeri që vlen për president. Por ajo që bëri Meidani dhe ndihmësit e tij, nuk ishte asgjë jolegjitime. Ishte thjesht lobizëm që presidentët në pension e bëjnë dhe për ndonjë çek. Ajo që bëri Tirana zyrtare më pas ishte e turpshme, pasi ajo injoroi një çështje që ishte në Gjykatë Kushtetuese dhe i shtruan qilimin e kuq një njeriu që sot është shkarkuar me turp. Kjo nuk turpëron Pacollin, pasi ai nuk ka shkelur vetë Kushtetutën. Ai ka detyruar politikën e Kosovës të shkelë Kushtetutën për të, dhe politikën zyrtare të Shqipërisë ta noterizojë këtë shkelje. Falë Gjykatës Kushtuese të Kosovës ne kemi sot një rikthim në normalitet demokratik dhe një shije të hidhur nga përpjekjet e Tiranës zyrtare për të forcuar paternalizmin si mënyrë për të noterizuar paligjshmërinë në shtetin e ri.
http://www.koha.net/index.php?cid=1,12,54001
Krijoni Kontakt