Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,415
    Postimet në Bllog
    17

    Gjirokastër, kapen 200 kg kokainë kolumbiane. Tretej në vaj palme

    Gjirokastër,kapen 200 kg kokainë.Tretej në vaj palme

    Një maune e mbushur me vaj palme, në të cilën dyshohet se janë fshehur 200 kilogramë kokainë, u bllokua dje nga policia e Gjirokastrës, ndërsa gjatë aksionit u arrestuan pesë persona.Aksioni ndërkombëtar antidrogë ka përfshirë Shqipërinë, Spanjën dhe Belgjikën, ndërsa ngarkesa e dyshuar me lëndë narkotike ka kaluar në të paktën pesë shtete. “Në bazë të informacioneve të marra, ekzistonin të dhëna për transportimin në territorin shqiptar të një sasie lënde narkotike e llojit kokainë, e nisur nga Kolumbia”, deklaroi mbrëmë Prokuroria e Përgjithshme. Sipas saj, itinerari që ka ndjekur kjo dërgesë ka qenë Kolumbi-Spanjë-Belgjikë-Austri-Slloveni-Kroaci-Serbi-Maqedoni-Shqipëri. Kokaina dyshohet se është fshehur me anë të tretjes në vaj palmash, një lëndë që përdoret për prodhimin e kruasantëve, e cila nuk bashkëpunon kimikisht me drogën duke qëndruar e veçuar. Personi i parë i arrestuar nga policia e Gjirokastrës ka qenë shoferi i maunes që ka hyrë në Shqipëri nga Maqedonia dhe po bëhej gati për shkarkim në fabrikën e kruasantëve të kompanisë “Merentino”. Prokuroria e Përgjithshme tha mbrëmë në një deklaratë të shkurtër se është bërë e mundur të bllokohet në qytetin e Gjirokastrës një kamion me targa maqedonase (KU 190 CF dhe KU 590 CE), në kontejnerin e të cilit ka qenë e ngarkuar një sasi vaji palmash ku dyshohet se është tretur një sasi lënde narkotike e llojit kokainë. “Sipas informacioneve paraprake, sasia e kokainës së tretur llogaritet të jetë 200 kilogramë”, tha Prokuroria. Organi i akuzës njoftoi se në këtë aksion u ndaluan dy shtetas maqedonas, shoferi i maunes, një femër që ndodhej në mjet si dhe shtetasi shqiptar me iniciale Dh. H.

    Arrestimet
    Prokuroria dhe policia kanë qenë dje thuajse “të trembura” nga sasia e madhe e drogës së bllokuar (që dyshohet se është 200 kilogramë kokainë). Prokuroria e Përgjithshme bëri një deklaratë ku dha vetëm inicialet e një personi, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë informacion me argumentin se çështja ishte në hetim dhe aksioni po vazhdonte. Nga burime të gazetës “Panorama” u mësua dje se veç shtetasit maqedonas që drejtonte maunen dhe një gruaje që e shoqëronte atë, ka rënë në pranga shtetasi Kiço Kotro, 47 vjeç, pronar i fabrikës së kruasantëve “Merentino”. Bashkë me të është arrestuar edhe Dhori Thimo, administrator i kompanisë në fjalë. Burimet nga hetimi i çështjes kanë pohuar mbrëmë se me siguri aksioni nuk ka mbaruar, pasi numri i personave të implikuar është i madh. Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda e regjistroi këtë çështje vetëm tri ditë më parë, më 19 mars, pas informacioneve të plota të ardhura nga jashtë vendit. Madje edhe doganat ku ka kaluar droga janë porositur të mos e pengojnë atë derisa të mbërrinte në Shqipëri, ku është organizuar arrestimi i pritësve të lëndës narkotike.

    Trafiku i drogës
    Shqipëria nuk ka qenë pika fundore e ngarkesës me kokainë. Droga, sipas hetimeve, është nisur nga Kolumbia dhe ka mbërritur në Spanjë. Më pas, përzierja e saj me vajin e palmës është bërë në Belgjikë. Trafikantët kanë zgjedhur lëvizjen në vendet ballkanike me sa duket nga regjimi i kontrollit kufitar më “liberal” krahasuar me vendet e BE-së. Pasi mbërrinte në fabrikën e kompanisë “Merentino” në Gjirokastër, vaji, brenda të cilit ishte tretur kokaina, përpunohej dhe në mënyrë kimike bëhej ndarja e drogës nga lënda, e cila më pas përdorej për prodhimin e kruasantëve. Policia e Gjirokastrës, sipas prokurorisë, ka arrestuar pronarin dhe administratorin e fabrikës në fjalë ku mësohet se janë gjetur edhe pajisjet që përdoreshin për ndarjen e kokainës nga vaji i palmës. Sasia e vajit të palmës ishte blerë në ishullin spanjoll Tenerife e më pas është transportuar për në Belgjikë, ku është bërë tretja e drogës. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se pasi të kryhej veçimi i vajit nga lënda narkotike, destinacioni përfundimtar i pjesës më të madhe të sasisë së drogës ka qenë trafikimi në tregun europian.

    Arrestuar

    . Kiço Kotro, 47 vjeç, pronar i fabrikës
    “Merentino”
    . Dhori Thimo, administrator i kompanisë
    “Merentino”
    . 1 shtetas maqedonas (drejtues i maunes)
    . 1 shtetase maqedonase (shoqëruese
    e shoferit)
    Sekuestruar
    . Kokë maune, me targa KU 190 CF
    . Karroceri maune me targa KU 590 CE
    . Rreth 200 fuçi me vaj palme


    Panorama
    PIRO NASE/ ETLEVA DELIA

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,415
    Postimet në Bllog
    17
    Zbulohet kurthi i “200 kg kokainë”

    Zbardhet skema e përdorur nga biznesmeni i arrestuar për mbërritjen në Shqipëri të ngarkesës së vajit të palmës, në të cilën dyshohet se është tretur një sasi e madhe kokaine.Ditën e djeshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar lirimin e të arrestuarve, Kiço Kotro, pronari dhe Dhori Thimo, menaxheri i kompanisë “Merentino” në Gjirokastër. Organi i akuzës ka urdhëruar edhe lirimin e shoferit të maunes me targa maqedonase dhe të një femre që e shoqëronte atë në momentin e arrestimit tri ditë më parë. Lirimi i katër personave është urdhëruar nga prokuroria për shkak se ata kanë dalë pa dijeni dhe të paimplikuar në skemën e trafikut të dyshuar të kokainës. I dyshuari i vetëm që provohet se ka organizuar lëvizjen e ngarkesës me vaj palme, ku dyshohet se është tretur droga, është shtetasi Dh. H (siç mësohet Dhimitris Holtis). Sipas dëshmive të katër të arrestuarve që u lanë të lirë në Gjirokastër, Holtis ishte porositësi i vërtetë i mallit dhe njeriu që kishte kontaktuar me personat e huaj nga ku ishte marrë vaji i palmave. Ky mësohet se ka qenë personi që i ka propozuar shitjen e mallit rreth dy javë më parë pronarit të fabrikës së kruasantëve “Merentinos” në Gjirokastër. Kiço Kotro, biznesmeni që merrej me prodhimin e kruasantëve, mësohet se prej vitesh e kishte blerë në Greqi vajin e palmave, lëndë e nevojshme për prodhimin e brumit dhe çokokremit të kruasantëve. Por, shtetasi Dhimitris Holtis i ka propozuar biznesmenit një çmim më të lirë se ai i zakonshmi, duke i thënë se kishte porositur jashtë vendit një sasi vaji palmash, e cila do të mbërrinte në Shqipëri. Ai madje i ka thënë biznesmenit nga Gjirokastra të pranonte regjistrimin e emrit të tij si pritës i vajit dhe pas mbërritjes së lëndës në Shqipëri, nëse nuk do ta blinte, ta kthente mbrapsht atë. Shtetasi i vetëm i arrestuar deri tani në Shqipëri i ka kërkuar pronarit të fabrikës në Gjirokastër që ngarkesa të shënohej në emrin e tij si pritës dhe porositës i mallit.

    Kokaina blof?
    Ditën e djeshme, burimet nga policia dhe prokuroria nuk janë shprehur të sigurt nëse bëhet fjalë vërtet për bllokimin e një sasie prej 200 kilogramësh kokainë, siç u deklarua të martën. Hetuesit kanë thënë dje se informacioni i ardhur nga jashtë shtetit (Spanjë dhe Belgjikë) në datën 19 mars, ka qenë se ngarkesa prej 200 kilogramësh kokainë do të mbërrinte në Shqipëri me kamionin me targa maqedonase KU 190 CF. Duke e marrë seriozisht këtë informacion të ardhur nga jashtë, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, autorizoi përgjimin dhe vëzhgimin e shtetasve të dyshuar. Gjithnjë duke besuar se në vajin e palmave ishte tretur vërtet kokainë, policia e bllokoi maunen sapo ajo mbërriti pranë fabrikës së biznesmenit Kiço Kotro në Gjirokastër, por më pas rezultoi se porositësi i vërtetë i “mallit” ishte shtetasi Dhimitris Holtis, që do t’ia shiste vajin e palmës biznesmenit të kruasantëve. Dyshimet janë se skema ka qenë një kurth, megjithatë, një fakt është provuar në gjithë këtë histori. Ngarkesa e maunes me targa maqedonase, e cila ishte nisur nga Spanja, është shkarkuar në Belgjikë dhe aty nuk dihet çfarë ka ndodhur. Dyshimet janë se kokaina mund të jetë filtruar aty dhe më pas vaji ka mbërritur i pastër në Shqipëri. Kjo për shkak se Prokuroria dhe Policia shqiptare nuk ishin në gjendje të konfirmonin dje nëse vërtet në enët 200-litërshe prej druri të bllokuara në maune në Gjirokastër, është gjetur kokainë. Itinerari që ka përshkruar maunia ka qenë: Kolumbi-Spanjë-Belgjikë, Austri-Slloveni-Kroaci-Serbi-Maqedoni-Shqipëri. “Dyshohet se ka lëndë narkotike të tregut në vaj palmash. Informacioni për këtë është dhënë, por nuk është arritur të nxirret drogë dhe nuk janë bërë analiza për këtë”, kanë thënë dje burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, aksioni është duke vazhduar në Belgjikë e në Spanjë dhe finalizimi i tij me kapjen e gjithë të implikuarve mund të ndodhë ditën e premte.

    Trazhgim Sokolaj


    Pronari i “Merentinos”: Si më morën me pranga në mes të fabrikës

    GJIROKASTER – Lirohen pas 22 orësh pronari i firmës së kruasantëve, Kiço Kotro dhe administratori Theodhori Simo. Ndonëse dolën me pranga nga ambientet e firmës ditën e martë, në një aksion pompoz, disa orë më vonë ata janë lënë të lirë, duke rinisur aktivitetin normal. Pronari i firmës “Merentino”, Kiço Kotro, është shprehur disa orë pas lirimit të tij për gazetën “Panorama” se është ndjerë krejtësisht i ofenduar për mënyrën si është trajtuar ky problem nga organet e drejtësisë e aq më tepër implikimin e pamerituar të tij, në këtë aferë, sipas tij, që bëri bujë në shtyp. Për gazetën “Panorama”, pronari i fabrikës së kruasantëve, thotë se është prangosur pa as më të voglin shpjegim nga uniformat blu, pasditen e së hënës, para punonjësve të tij në fabrikën e prodhimit të ushqimeve të ëmbla në zonën industriale të Gjirokastrës. “Në momentin kur ka mbërritur policia, unë kam qenë duke ngrënë drekë në mensën e fabrikës së bashku me punonjësit e tjerë. Ka qenë kuzhinierja ajo që më lajmëroi se disa persona me maska dhe me furgonë të policisë, kanë hyrë përmes portës së jashtme të fabrikës. Në këtë moment, unë kam dalë dhe i çuditur i kam kërkuar shpjegime për hyrjen e tyre dhe objektin e kontrollit”, pohon Kotro, duke shtuar se sjellja e policëve karshi tij ka qenë tepër korrekte dhe profesionale. “Sapo më janë vendosur prangat, jam dërguar për në Tiranë dhe aty jam marrë në pyetje nga përfaqësuesit e policisë dhe Prokurorisë për ekzistencën e kokainës në bidonët plastikë të mbushura me vaj palme, të cilat unë i blej me porosi nga jashtë. Policia ka gjetur dhe ka bllokuar vetëm 1 kontejner me 52 fuçi me vaj palme ku secila përmban 200 kg. Vlera e kësaj sasie të zhdoganuar sipas rregullave, ka qenë diku tek 768.000 lekë”, shprehet Kotro për gazetën “Panorama”. “Personave që më kanë marrë në pyetje në Tiranë, u jam drejtuar se jam i gatshëm të penalizohem vetëm nëse kam probleme me mallin që porosis nga jashtë, i cili shërben si lëndë e parë për prodhimet e firmës sime, ndërsa për tjetër mall, nuk kam fare dijeni, duke nënkuptuar kështu ekzistencën imagjinare të kokainës tek ato fuçi që unë kam marrë në dorëzim”. E gjithë çfarë ka ndodhur, sipas Kotros ka qenë e paprovuar, çka u dëshmua dhe me lirimin pas 24 orësh të tij dhe administratorit të fabrikës, Theodhori Simos. Ky i fundit, për gazetën “Panorama”, shpreh indinjatë edhe për mënyrën se si është trajtuar kontrolli policor në banesën e tij. “Policia ka kryer një kontroll në ambientet e familjes sime, duke ngjallur panik e pasiguri tek pjesëtarët e familjes”, është shprehur Simo, duke e quajtur veten dhe bashkëpunëtorin e tij, Kiço Kotro, të pafajshëm dhe jashtë kësaj historie të bërë mediatike nga ana e policisë dhe organeve të tjera të drejtësisë vendase. Në mënyrë kategorike, si Kotro dhe Simo, kanë mbrojtur idenë e mosimplikimit të tyre në një trafik të mundshëm kokaine, pasi biznesi i tyre është legal dhe fitimprurës, çka nuk krijon premisa për marrjen e tyre në një biznes të paligjshëm dhe të ndaluar. Kotro dhe bashkëpunëtori i tij në biznes, administratori Theodhori Simo, janë lënë të lirë në orët e mëngjesit të së mërkurës dhe janë nisur direkt në drejtim të Gjirokastrës. Me mbërritjen e tyre, ka rinisur prodhimi në fabrikën e kruasantëve “Merentino”, dy ditë pas pushimit për shkaqet e mësipërme. Në fabrikën “Merentino” punojnë rreth 240 punëtorë dhe kjo firmë mjaft e njohur në vend, eksporton sot produktet e saj në Maqedoni, Kosovë, Greqi dhe në mjaft vende të rajonit, duke qenë e suksesshme. Janë rreth 400 produkte që dalin përditë nga kjo punishte e vetme në llojin e vet në Shqipëri. Kërkesat e larta në treg për prodhimet e saj, kanë bërë që në javë, të importohen nga 10-22 tonë vaj palme që shërbejnë si lëndë e parë.

    Magazinieri: Policëve u dhashë nga një kruasant

    Prezenca e Policisë së Shtetit në momentin e mbërritjes pasditen e së hënës, nuk ka kaluar pa u komentuar gjatë edhe nga punonjësit e punishtes, të cilët kanë përjetuar një tmerr të vërtetë nën kërcënimin e armëve dhe presioneve nga forcat speciale me maska. Bujar Derxho, magazineri i ushqimeve të ëmbla të prodhuara tek “Merentino”, shpjegon për gazetën mënyrën se si i ka trajtuar policia punonjësit e gjendur në atë moment. Sipas tij, ka qenë ora 15:45 minuta, kur policia me disa automjete, mësynë në fabrikë. “Fillimisht, ata kanë kërkuar t’u hapej porta e jashtme me shpejtësi dhe madje, automjetet kanë hyrë shumë shpejt, sapo u krijua hapësira e nevojshme në ambientet e dukshme të punishtes”, shprehet Derxho. “Sapo kanë dalë nga automjetet, personat me maska të veshur me uniforma policie, hynë në brendësi tek prodhimi dhe aty me armë zjarri në duar, kërkuan që të gjithë punonjësit burra e gra, të binin përtokë dhe të qëndronin me të dy duart pas koke. Kjo situatë zgjati afro 30 minuta, derisa u krye një kontroll i përgjithshëm në të gjithë ndërtesën”. Sipas tij, dhunë nuk është ushtruar, por mësymja e policisë ka krijuar panik. “Policët kanë shprehur interes, se ku rafinohej vaji i palmës dhe tek kjo pikë i kanë mëshuar më shumë idesë së tyre. Para se të iknin, unë i kam qerasur policët me nga 1 kruasant me çokollatë, që mund ta konsumonin pa frikë se kanë lidhje me kokainën”, tregon Derxho. p.n

    Panorama
    Piro Nase

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,415
    Postimet në Bllog
    17
    Kokaina, dy shoferët u infiltruan

    Përhapja e lajmit se sasia prej 200 kilogramësh e kokainës mbërriti në destinacionin e paramenduar në Gjirokastër, duket se është vlerësuar si “letra më e fortë në tavolinë” nga autoritetet e Interpolit.Ndërsa lënda narkotike është “lënë rrugës”, për publikun u pohua bllokimi i saj në pikën e mbërritjes. Në këtë mënyrë, mbase do të shfrytëzohej befasia për vënien në pranga të të gjithë të përfshirëve në linjën e trafikut.
    Rrugëtimi i drogës është dokumentuar dhe provuar nga përgjimet dhe hetimet e Prokurorisë shqiptare, asaj spanjolle dhe belge, përmes metodës “dorëzim i kontrolluar”. Por, mbetet ende mister linja që do të përshkonte ngarkesa e drogës e përzier me vaj palme dhe përse autoritetet shqiptare nxituan të bëjnë publik operacionin pa u kontrolluar ende ngarkesa. Ndërsa të nesërmen, pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi për bllokimin e një sasie prej 200 kilogramësh kokainë në Gjirokastër, duke përmendur edhe linjën se nga kishte kaluar ngarkesa, Policia e Shtetit nuk pati asnjë deklaratë publike. Interpoli “përdori” në këtë rast autoritetet shqiptare, në mënyrë që të kapeshin personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar të një sasie kaq të madhe droge. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se është në dorën e hetuesve spanjollë dhe belgë zbulimi dhe arrestimi i personave të tjerë që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë. Ndërsa i vetmi që aktualisht rezulton në pranga është Dhimitris Holtis, i cili u arrestua në Gjirokastër. Burime të sigurta nga Policia e Shtetit thanë se në Shqipëri ka mbërritur ngarkesa vetëm me vaj, i cili ende nuk është ekzaminuar se çfarë lloji është. Ndërsa autoritetet belge kanë njoftuar se droga e tretur në vajin e palmës është bllokuar në Anversë të Belgjikës. Hetuesit e huaj që morën pjesë në “dorëzimin e kontrolluar” të lëndës narkotike e argumentuan ndalesën e drogës në Belgjikë me frikën se mund të dekonspiroheshin, apo edhe të ndonjë përplasjeje të mundshme për shkak të rrugës së gjatë që do të ndiqte kamioni.

    INFILTRIMI

    Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit rezulton se shoferët e kamionit që do të sillte ngarkesën me drogë nga Spanja në Gjirokastër, duke kaluar më parë edhe në shtatë shtete të tjera, kanë qenë në dijeni për ndërrimin e bidonëve të vajit në Belgjikë. Ata kanë bërë një marrëveshje me autoritetet belge për të heshtur, në mënyrë që askush të mos rrezikonte me sasinë e madhe të drogës që po transportohej e, nga ana tjetër, të përfundonin në pranga të gjithë personat e përfshirë në trafik. Sipas burimeve nga Policia shqiptare, sasia prej 200 kilogramësh kokainë ka mbërritur nga Kolumbia në një ishull të Spanjës. Aty është tretur në vajin e palmës, për t’u nisur menjëherë drejt Belgjikës. Ndalesa e radhës së kamionit ka qenë në Amvers dhe aty, me ndihmën e shoferëve, është ndërruar ngarkesa. Mësohet se Policia dhe Prokuroria belge kanë bllokuar bidonët me vaj palme ku ishte tretur kokaina, duke ngarkuar në kamion bidonë të tjerë vetëm me vaj, që ende nuk është ekzaminuar se e çfarë lloji është.

    Vaji i bllokuar

    Nga të dhënat e policisë rezulton se kamioni që ka përshkuar Austrinë, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë dhe Maqedoninë, ka mbërritur në Shqipëri në fabrikën “Merentino” në Gjirokastër, vetëm me një sasi prej pak gramësh kokainë dhe sasinë e vajit, që në fakt nuk është ai që pritej. Kamioni me bidonët e vajit është sekuestruar nga policia dhe tashmë ndodhet në Tiranë, në pritje të analizave kimike. Ndërsa ngarkesa e vërtetë që ishte porositur nga shtetasi Dhimitris Holtis, bidonët me vaj palme ku ishte tretur kokaina, është sekuestruar në Anversë dhe ndodhet në Belgjikë. Në Laboratorin e Kriminalistikës është dërguar një sasi vaji, për të verifikuar përbërjen e tij.

    Si përpunohet vaji i palmës me kokainë

    Lënda narkotike e llojit kokainë, në momentin që tretet në vajin e palmës, ndodhet në gjendje të lëngshme. Lëngu përftohet nga shtypja e gjetheve të kokës, nga ku del elementi narkotik në gjendje të lëngshme që hidhet në vajin e palmës. Por, para se të tretet në këtë lloj vaji, kokaina e lëngshme përzihet me amoniak, i cili ndihmon në procesin e ndarjes së vajit nga droga, pasi amoniaku ndihmon kokainën që të mpikset dhe të kthehet në gjendje të ngurtë. Trafikantët e drogës së fortë zgjedhin pikërisht vajin e palmës, pasi vetëm me këtë përzierje qentë e antidrogës nuk mund ta nuhasin lëndën narkotike. Në këtë mënyrë, një kontroll i zakonshëm policie nuk mund ta zbulojë në asnjë rast ngarkesën e drogës.

    Panorama
    ETLEVA DELIA

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,415
    Postimet në Bllog
    17
    Trafiku i drogës, dosja e porositësit në gjykatë

    Klodiana Lala

    Dhimitros (Vullnet) Harizaj, i vetmi i arrestuar si i dyshuar për trafikun e një sasie prej 200 kilogramësh kokainë nga Kolumbia drejt Shqipërisë, sasi e tretur në vaj palme, do të njihet këtë të shtunë me akuzat dhe masën e sigurisë. Sipas prokurorisë, biznesmeni Harizaj rezulton të jetë porositësi i “mallit”, pra vajit të palmës, ku ishte tretur sasia e madhe e kokainës, pavarësisht se para hetuesve nuk ka pranuar të ketë lidhje me ndonjë rrjet të trafikut të drogës. Ndërkaq, dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka mbërritur dosja penale ndaj Dhimitros Harizajt, për të cilin do të kërkohet masa e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Operacioni që u cilësua si më i suksesshmi ndër vite, për shkak se Prokuroria e Përgjithshme informoi zyrtarisht se ishte bllokuar një kontenier i ngarkuar me vaj palme, brenda të cilit ishte tretur një sasi prej 200 kg kokainë, duket se ishte vetëm një “test” për policinë shqiptare. Nga të gjitha burimet rezulton se sasia e kokainës e nisur nga Kolumbia për në Spanjë e prej andej drejt Shqipërisë, është ndaluar nga autoritetet e shtetit të Belgjikës. Drejt vendit tonë është nisur kamioni me targa maqedonase, (KU 190 CF dhe KU 590 CE), brenda të cilit nuk ndodhej më sasia e madhe e vajit të palmës ku ishte tretur kokaina. Pavarësisht hijeve të dyshimit hedhur mbi faktin nëse sasia e madhe e kokainës mbërriti ose jo në vendin tonë, asnjë nga institucionet e ngarkuara nga ligji nuk është prononcuar zyrtarisht.

    “Porositësi”
    Dhimitros Harizaj, i cili më herët ka pasur emrin Vullnet, por e ka ndryshuar më vonë gjatë emigrimit në Greqi, është i vetmi i vënë në pranga si i dyshuar për trafikun e kokainës. Tri ditë më parë, policia ndërhyri në Gjirokastër duke bllokuar një maune me targa maqedonase e cila vinte nga Belgjika, dhe duke arrestuar biznesmenin Harizaj. Ndërkaq u shoqëruan për disa orë pronari i kompanisë “Merentino” Kristaq Kotro dhe ortaku i tij, Dhori Simo, të cilët më pas u liruan me urdhër të prokurorisë pasi rezultoi se nuk kishin lidhje me vendin e trafikut. Por, ndërsa biznesmeni Harizaj pritet të mbërrijë paraditen e së shtunës në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë, ende nuk është zbardhur fakti nëse sasia prej 200 kg kokainë që u deklarua nga prokuroria si e bllokuar, ka mbërritur ose jo në vendin tonë.
    Biznesmeni Dhimitros Harizaj nga Mallakastra, që rezulton të jetë dhe porositësi i vajit të palmës dhe sipas prokurorisë kishte dijeni se brenda në vaj ishte tretur sasia e madhe e kokainës, ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat duke deklaruar se nuk kishte lidhje me ndonjë rrjet trafiku. Në një njoftim të Prokurorisë së Përgjithshme të datës 22 mars 2001, thuhet se “zhvillimi i operacionit për bllokimin e lëndës narkotike është bërë në bazë të autorizimit të prokurorit të Përgjithshëm për lejimin e metodave të posaçme të dorëzimit të kontrolluar, bazuar dhe në kërkesën e institucioneve të tjera të huaja homologe. Në bazë të informacioneve të marra ekzistonin të dhëna për transportimin në territorin shqiptar të një sasie lënde narkotike e llojit kokainë, e nisur nga Kolumbia. Itinerari që ka ndjekur kjo dërgesë ka qenë Kolumbi-Spanjë-Belgjikë-Austri-Slloveni-Kroaci-Serbi- Maqedoni-Shqipëri”.

    GSH

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,415
    Postimet në Bllog
    17
    Burg biznesmenit të “200 kg kokainë”

    Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Dhimitër Harisis, i arrestuar në lidhje me ngarkesën e dyshuar, 200 kilogramë kokainë, të kapur në Gjirokastër.Sipërmarrësi që njihet edhe me emrin Vullnet Harizi, sipas Prokurorisë është i dyshuar si porositësi i ngarkesës së vajit të palmës në Spanjë brenda të cilit ishte tretur 200 kilogramë kokainë kolumbiane, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykata për Krimet e Rënda caktoi dje ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për akuzën e “trafikut ndërkombëtar të narkotikëve”. Para Gjykatës, Harisis pohoi se kishte porositur vetëm vajin, që do të përdorej në fabrikën e kroasantëve në Gjirokastër dhe se nuk kishte dijeni mbi drogën apo linjën e trafikut. Biznesmeni Harisis u arrestua pas bllokimit të një konteineri me ngarkesë vaj palme e ardhur nga Kolumbia, brenda të cilit dyshohej se ishte tretur super sasia e kokainës. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme në 22 mars. Rrugëtimi i maunes ka qenë: Kolumbi-Spanjë-Belgjikë, Austri-Slloveni-Kroaci-Serbi-Maqedoni-Shqipëri. Më pas, rezultoi se bidonët e vajit janë ndërruar në Amversë të Belgjikës, duke e lënë aty edhe sasinë e drogës, por itenerari i maunes nuk është “prishur”.

    SEANCA
    Pak minuta pasi Dhimitër (Vullnet) Harisis u shfaq dje në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit, i shoqëruar nga dy punonjës policie, kryesuesi i seancës, gjyqtari Fran Prendi kërkoi boshatisjen e sallës nga publiku. Prokuroria kishte kërkuar seancë me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor të çështjes. Gjatë konfirmimit të gjeneraliteteve, Harisisit iu tërhoq vëmendja që duhet të qëndronte në këmbë kur të komunikonte me Gjykatën. “Më falni, por nuk kam qenë ndonjëherë në gjykatë”, u shpreh biznesmeni. Vendimi i ndërmjetëm për seancë me dyer të mbyllura u mor pas kërkesës së prokurorit, Adnand Xholi. Prokurori Xholi pretendoi se publikimi i seancës do të dëmtonte rëndë vijimësinë e hetimeve. Burime pranë seancës bënë të ditur se prokurori lexoi para palëve akt-akuzën, sipas së cilës i arrestuari Harisis dyshohet të ketë porositur lëndën narkotike. Në përfundim, prokurori ka kërkuar caktimin e masës “arrest me burg” pa afat për të pandehurin Harisis, duke argumentuar se ekzistonin prova që faktonin përfshirjen e tij në trafikun e drogës. Ndërkohë, mbrojtësi i biznesmenit, avokati Ardian Leka, ka pretenduar dje se klienti i tij nuk kishte lidhje dhe as dijeni për praninë e lëndës narkotike në kamionin e bllokuar. Pretendimet e avokatit janë mbështetur më pas edhe nga vetë i dyshuari Harisis. “Kam porositur vaj, dhe jo kokainë. Nuk kam lidhje me asnjë rrjet trafiku dhe nuk di gjë për drogën”, mësohet të jetë shprehur i pandehuri para Gjykatës. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjyqtari Fran Prendi ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Dhimitër (Vullnet) Harisisit.

    Biznesi

    Sipas të dhënave zyrtare nga QKR-ja, i pandehuri Harisis rezulton të jetë pronar i një shoqërie të quajtur “HARISIS” sh.p.k. Po sipas të dhënave, si datë e themelimit të saj është 3.05.2001, ndërsa statusi i saj aktual
    është ai “aktiv”.

    Ngarkesa me kokainë u zëvendësua në Belgjikë

    TIRANË – Itinerari që ka përshkruar maunia me targa maqedonase, në të cilën u deklarua se ishte bllokuar ngarkesa me 200 kg kokainë, ka qenë mjaft i ndërlikuar. Mjeti i transportit ka kaluar në shtatë shtete, duke mbërritur së fundi në Shqipëri. Informacioni për lëndën narkotike nuk ka qenë rezultat i punës së Prokurorisë apo policisë shqiptare. Në datën 18 mars mësohet se është vënë në dijeni Zyra e Prokurores së Përgjithshme të Shqipërisë. Informacionet kanë mbërritur nga Spanja dhe Belgjika dhe ato sugjeronin se gjatë javës, në maunen me targa maqedonase, pritej të mbërrinte në Shqipëri ngarkesa prej 200 kilogramë kokainë. Prokuroria shqiptare e ka marrë çështjen me seriozitet. Aktet i kaluan menjëherë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme autorizoi përdorimin e metodave speciale të hetimit. Kokaina si zakonisht ka pasur për vend burimi Kolumbinë, ndërkohë, vaji i palmës që ishte porositur të vinte në Shqipëri, është blerë në një lokalitet të Spanjës. Nuk dihet për çfarë arsyesh maunia gjatë rrugëtimit për në Shqipëri ka ndaluar për disa orë në Belgjikë. Është pikërisht Anverpi, qytet i Belgjikës, ku dyshohet se është kryer ndërrimi i ngarkesës së lëndës narkotike. Prokuroria dhe policia shqiptare ende nuk kanë realizuar një ekspertizë që të provojë se ka kokainë të tretur në fuçitë prej druri, që janë bllokuar në karrocerinë e maunes me targa maqedonase në Gjirokastër. Falë një skeme të ndërlikuar të trafikantëve apo një dekonspirimi, dyshohet se enët ku ndodhej vaji i palmës me kokainën e tretur janë ndërruar në Belgjikë. Droga dyshohet se ka mbetur atje, ndërsa drejt Shqipërisë ka udhëtuar ngarkesa e zëvendësuar me vaj palmash të pastër. Sipas hetuesve, këtë skenar pritet ta verifikojë vetëm ekspertiza mbi lëndën e sekuestruar në Gjirokastër.


    Panorama
    ARMAND BAJRAMI

  6. #6
    Mendoj se ktu ka vend ajo shprehja:

    Gjirokastra,Kolumbia e vogel Evropjane..!
    ”Ti, Shqipëri, Më Jep Nder, Më Jep Emrin Shqiptar”

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •