Autogol i prokurorisë: Mashtroi Parlamentin, pranon se ka hetuar Ilir Metën pa pasur prova

24-03-2011 / Gazeta 55


Tjetër skandal në Prokurorinë e Përgjithshme. Organi qendror i akuzës pranon se ka hetuar Ilir Metën pa pasur prova dhe se ka manipuluar parlamentin kur ka kërkuar heqjen e imunitetit të tij. Në një letër drejtuar avokatëve të zotit Meta, prokuroria thotë se cilësia e dëgjimit të videos së ofruar nga Dritan Prifti nuk është në nivelin e duhur dhe se nuk të jep mundësinë për të bërë transkriptimin të plotë dhe të saktë të materialit dhe se hetimet nuk po kryhen mbi materialin autentik

Prokuroria e Përgjithshme pranon zyrtarisht se ka nisur hetimet ndaj Ilir Metës pa pasur fakte ndaj akuzave që ka ngritur ndaj tij për korrupsionin aktiv. Skandali del në dritë nga një letër që organi qendror i akuzës u ka drejtuar avokatëve të zotit Meta për t’i njoftuar për një riekzaminim të videos të ofruar nga Dritan Prifti. Në paragrafin e dytë të kësaj letre thuhet shprehimisht se nga ekzaminimi i bërë kësaj video rezulton se përsëri cilësia e dëgjimit nuk është në nivelin e duhur për të ofruar një transkriptim të plotë dhe të duhur të këtij materiali.

Në këtë mënyrë prokuroria e Përgjithshme pranon se ajo i ka kërkuar Parlamentit të Republikës së Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ilir Metës pa provuar më parë nëse në bisedën mes tij dhe ish- ministrit të ekonomisë Dritan Prifti kishte elementë të veprës penale të korrupsionit. Thënë më shkoqur prokuroria e Përgjithshme ka mashtruar parlamentin kur i kërkoi heqjen e imunitetit të zotit Meta duke argumentuar se kishte prova të mjaftueshme për ta hetuar penalisht.

Por siç duket nga kjo letër materiali audio që mund të ishte prova e vetme nuk është i kuptueshëm pavarësisht se prokuroria e ka ekzaminuar disa herë atë. Siç e pranon teksa thotë se cilësia nuk është ende në nivelin jo të duhur.
Gjithashtu prokuroria provon përmes kësaj letre një tjetër skandal në hetimin e zotit e Meta. Sipas saj hetimi po kryet mbi materialin audio-viziv të dërguar nga Dritan Prifti së bashku me laptopin e tij por jo mbi materialin autentik. Zoti Meta ka deklaruar se material i shfaqur në Media është i manipuluar dhe nga ana tjetër ka kërkuar hetim sa më të shpejtë të çështjes.

Menjëherë pas akuzave të Ilir Metës, ndaj Prokurorisë, organi i akuzës, nxitoi të shpërndajë lajmin, sipas të cilit, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të thërrasë një tjetër ekspert të huaj, një shtetas anglez, për të hetuar mbi videon Meta-Prifti.
Eksperti anglez do të hetojë çështjen e zërit, megjithëse edhe eksperti amerikan që hetoi fillimisht videon, përcaktoi si jo autentike pamjet.
Vendimi i prokurorisë së Përgjithshme për të riekzaminuar videon me ekspertë të tjerë kësaj herë edhe nga Britania e Madhe e vonon edhe më shumë hetimin. Ky vendim vjen në një kohë kur zoti Meta ka shfaqur shqetësime për zvarritjen e këtij procesi