Përfaqësuesi i OKB: Konsumatorët, ankesat tani on line

Konsumatorët shqiptarë do të kenë faqen e tyre të internetit për të animuar çdo padrejtësi që u bëhet.Hachemi Bahloul, drejtues i Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për Qeverisjen Ekonomike, Reformën Rregullatore dhe Zhvillimin pro të Varfërve, në një intervistë për “Panorama” tregon përpjekjet që pop bëhen në përmirësimin e legjislacionit, por dhe sensibilizimin e qytetarëve për të kontrolluar kadencat dhe etiketat e mallrave që blejnë.

Sot është 15 marsi, Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve. Çfarë përfaqëson kjo ditë?
Mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë në thelb me ruajtjen e shëndetit, sigurisë së konsumatorëve dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive e tregtarëve. Bëhet fjalë për të garantuar që të mos shiten në dyqane produkte me datë përdorimi të skaduar, të cilat mund të dëmtojnë konsumatorët. Ose për të siguruar gjithashtu që lodrat të kenë etiketa ku tregohet se përdorimi i tyre nën një moshë të caktuar është i rrezikshëm. Ajo ka gjithashtu për qëllim të mbrojë konsumatorët nga mashtrimet e tregtarëve që ata të mos paguajnë më shumë nga sa duhet për mallrat dhe shërbimet që ata blejnë. Mbrojtja e konsumatorit bazohet në premisën që konsumatorët kanë të drejta dhe se këto të drejta duhet të mbrohen nga ligjet, të cilat zbatohen nga institucionet shtetërore. Më 15 mars 1962, Presidenti amerikan Xhon F. Kenedi, miratoi “Ligjin për të drejtat e konsumatorëve”. Ligji përfshinte të drejtën e informimit, të drejtën e sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe të drejtën për t’u dëgjuar. Që nga ajo kohë, 15 marsi është Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve. Në vitin 1985, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njohu universalitetin e të drejtave të konsumatorëve, kohë kur ajo miratoi direktivat për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe katër të drejta të tjera: të drejtën e përmbushjes së nevojave bazë, të drejtën e zhdëmtimit, të drejtat për edukimin e konsumatorëve dhe të drejtën për një mjedis të shëndetshëm. Këto janë 8 të drejtat universale themelore të konsumatorëve.

Mbështetja nga Kombet e Bashkuara të mbrojtjes së konsumatorëve në Shqipëri, tregon se kemi një nivel të ulët të saj?
Shëndeti, siguria dhe mirëqenia ekonomike e qytetarëve në mbarë botën natyrisht janë një shqetësim kryesor i Kombeve të Bashkuara. Në fund të fundit, të drejtat e konsumatorëve tani janë universale falë Rezolutës A/RES/39/248 të 16 prillit 1985 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Është krejt e natyrshme që Kombet e Bashkuara të mbështesin zbatimin e këtyre të drejtave në të gjithë globin, përfshirë edhe Shqipërinë, ku ka akoma shumë punë për të bërë në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve.
Shqipëria aspiron që të bëhet pjesë e BE-së. Vitet e fundit është miratuar një numër i madh direktivash të BE-së, që kanë për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve europianë dhe këto direktiva janë një pjesë e rëndësishme e korpusit të legjislacionit të BE-së (ajo që njihet si acquis communautaire). Autoritetet shqiptare janë angazhuar për miratimin gradual të legjislacionit të BE-së, për mbrojtjen e konsumatorëve dhe për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme administrative për zbatimin e këtij legjislacioni. Komisioni Europian ka dhënë një mbështetje të konsiderueshme për transpozimin e këtij legjislacioni. Kombet e Bashkuara, përmes programit për Qeverisjen Ekonomike, Reformën Rregullatore dhe Zhvillimin Pro të Varfërve ofrojnë mbështetjen e tyre për ngritjen e kapaciteteve zbatuese. Në këtë mënyrë, Kombet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e Shqipërisë në përgatitjet e saj për aderimin në BE.

Si paraqitet situata në Shqipëri sa i takon mbrojtjes së konsumatorëve?
Janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të ngritur një sistem të mbrojtjes së konsumatorëve në Shqipëri. Këto përpjekje janë shtuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në vitin 2006. Pas kësaj vijoi hartimi i strategjisë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut 2007-2013. Në vitin 2008 u miratua një ligj i tretë për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili garanton një përafrim shumë më të madh të direktivave përkatëse të BE-së. Gjatë viteve të fundit në legjislacionin shqiptar janë transpozuar një numër i madh direktivash të BE-së për mbrojtjen e konsumatorëve. Përpjekjet e qeverisë shqiptare në këtë drejtim duhen lavdëruar. Shqipëria është ndoshta shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor, legjislacioni i të cilit është përafruar më shumë me legjislacionin e BE-së. Sigurisht që qeveria e ka të vështirë të bëjë përparime në të gjitha drejtimet në të njëjtën kohë. Duhen ndjekur disa hapa. Fillimisht duhet të ketë një politikë përpara se të hartohet legjislacioni, duhet të ekzistojë legjislacioni përpara se të flitet për zbatimin e tij e kështu me radhë. Zhvillimet pozitive në drejtim të politikave dhe të legjislacionit duhet të plotësohen me veprimet e duhura në fushën e zbatimit. Strategjia parashikon 3 kategori të gjera të masave për zbatim: 1) ndërgjegjësimin e konsumatorëve dhe të biznesit për të drejtat dhe detyrimet e tyre; 2) fuqizimin e institucioneve shtetërore të ngarkuara me zbatimin e legjislacionit për konsumatorët; 3) mbështetjen për shoqatat e konsumatorëve që të luajnë një rol aktiv në mbrojtjen e konsumatorëve. Nevojitet përmirësimi i ndërgjegjësimit të publikut shqiptar mbi dispozitat e ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, ligj i cili mbron të drejtat e tyre. Ky ndërgjegjësim është i rëndësishëm, sepse ndihmon në disiplinimin e tregtarëve. Për shembull, nëse numri i konsumatorëve që blejnë produkte pa një etiketë në gjuhën shqipe (siç kërkohet nga ligji) ulet, tregtarët do të detyroheshin t’i përdornin gjithmonë këto etiketa. Edhe bizneset duhet të informohen më mirë për ligjin, në mënyrë që ata të zbatojnë dispozitat e tij.

Si paraqitet niveli i institucioneve që përgjigjen për këto çështje?
Duhet të fuqizohen më tepër institucionet shtetërore të ngarkuara për zbatimin e ligjit, për mbrojtjen e konsumatorit. Këto institucione janë të vetmet, të cilat janë përgjegjëse për garantimin e informimit të konsumatorëve dhe të bizneseve rreth ligjit, për monitorimin e shkeljeve të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe për vënien në zbatim të sanksioneve që parashikohen në ligj. Në monitorimin e përpjekjeve të Shqipërisë për aderim, BE-ja nuk do të shikojë vetëm në legjislacionin që transpozohet, por do të shikojë gjithashtu edhe zbatimin e këtij legjislacioni. Në praktikën europiane, shoqatat e konsumatorëve luajnë një rol të rëndësishëm në politikat për konsumatorët. Përgjithësisht, institucionet shtetërore e delegojnë zbatimin e disa prej përgjegjësive të tyre për mbrojtjen e konsumatorëve te këto shoqata. Shoqatat e konsumatorëve janë gjithashtu zëri i konsumatorëve dhe janë pikërisht ato që duhet të lobojnë e të kërkojnë ligje ose politika më të mira, zbatim më efikas të ligjit etj. Shoqatat shqiptare të konsumatorëve kanë nevojë për mbështetje më të madhe.

Cilat janë fushat më të zakonshme për të cilat ankohen njerëzit?
Fatkeqësisht nuk ka statistika të kohëve të fundit rreth shkeljeve të të drejtave të konsumatorëve. Perceptimi është se shkeljet janë të zakonshme dhe prekin shumicën e fushave. Nevojiten statistika për të ofruar të dhëna bindëse për rëndësinë e problemit, me qëllim që të rritet mbështetja publike për politikat mbi konsumatorët, të rritet ndërgjegjësimi i politikanëve, që ndërhyrjet të fokusohen në problemet më të mëdha, si dhe që të monitorohet dhe të vlerësohet efikasiteti i politikave.

A shikoni ndonjë përpjekje nga ana e qeverisë për trajtimin e këtij problemi?
Është krejtësisht përgjegjësi e shtetit që të marrë masat e nevojshme për garantimin e mbrojtjes së konsumatorëve. Sipas mendimit tim personal, një mënyrë efikase për mbrojtjen e konsumatorëve është ndërgjegjësimi i tyre për të drejtat që kanë dhe nxitja e tyre për t’i mbrojtur këto të drejta në mënyrë aktive duke u ankuar te tregtarët, duke shkruar në media, duke kontaktuar shoqatat e konsumatorëve ose duke u ankuar tek institucionet shtetërore. Unë ndiej se ekziston një vullnet politik nga ana e institucioneve vendase për t’u marrë me çështjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve rreth të drejtave të tyre. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Kombet e Bashkuara përmes programit të Qeverisjes Ekonomike po planifikojnë një numër projektesh të përbashkëta në këtë drejtim.
Paraqitja e ankesave tek institucionet shtetërore mund të jetë e dobishme vetëm nëse këto institucione kanë vullnetin dhe kapacitetet për t’i ndjekur ankesat e konsumatorëve. Sërish, ndjesia ime është se ekziston gjithashtu vullneti politik nga ana e qeverisë që të trajtojë ankesat e konsumatorëve. Një ilustrim i këtij fakti është aktiviteti i ngjeshur i kohëve të fundit i Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Komisioni shqyrton dhe merr vendime mbi shkeljet më të përhapura dhe më serioze të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve. Që nga ngritja e tij në prill 2009, Komisioni ka marrë 16 vendime duke vendosur sanksione për kompani të ndryshme lidhur me shkeljet e këtij ligji. Megjithatë, kam frikë se pavarësisht ekzistencës së vullnetit politik, Komisioni mund të mos jetë në gjendje të trajtojë një numër të madh shkeljesh të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve.

Çfarë bën programi juaj për të mbështetur mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri?
Programi për Qeverisjen Ekonomike, Reformën Rregullatore dhe Zhvillimin Pro të Varfërve financohet nga qeveria spanjolle përmes Fondit për Arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Programi përbëhet nga dy komponentë: 1) reformat në sektorët e energjisë elektrike dhe të ujësjellësit, komponenti zbatohet me mbështetjen e Bankës Botërore; 2) përmirësimi i mbrojtjes së konsumatorëve që zbatohet me mbështetjen e PNUD-it.
Komponenti i dytë ndihmon në zbatimin e disa masave të Strategjisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2007-2013. Për vitin 2010 këtu përfshihen vlerësimi i gjendjes së zbatimit të kësaj strategjie, forcimi i kapaciteteve të Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe të drejtorisë përkatëse në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila është drejtpërdrejt përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve për produktet joushqimore, mbështetja në hartimin e një kontrate “model” të furnizimit me ujë ndërmjet konsumatorëve dhe kompanive të furnizimit me ujë, trajnimi i gazetarëve mbi çështjet e konsumatorëve etj.

A kanë hapësira konsumatorët për tu informuar dhe për t’u ankuar për shkeljet që u bëhen?
Kohët e fundit, programi ka zhvilluar gjithashtu edhe faqen e internetit të Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Kjo është faqja e parë e internetit në Shqipëri, e cila është e thjeshtë për përdoruesin dhe ofron informacion mbi të drejtat e konsumatorëve, mbi legjislacionin për konsumatorët, si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Faqja e internetit u jep mundësinë konsumatorëve që t’i drejtojnë Komisionit ankesat e tyre përmes internetit. Për këtë vit programi planifikon të mbështesë zbatimin e një fushate të ndërgjegjësimit publik lidhur me të drejtat e konsumatorëve duke përfshirë debate televizive, reklama në televizion dhe një dokumentar.

ARISTIR LUMEZI - Panorama