Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Idrizi: PDIU për zgjedhjet lokale të 8 Majit

    Idrizi: PDIU, në negociata me PD për zgjedhjet lokale të 8 Majit

    Sa i përket regjistrimit të popullsisë, ai nënvizoi faktin se çështja ndodhet në Kushtetuese dhe se në të kundërt, do kërkohet referendum kombëtar

    Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, deklaroi në Elbasan se kjo forcë politike ndodhet në negociata me PD-në për zgjedhjet lokale të 8 majit por sipas tij ende nuk mund të ketë një deklarim zyrtar për bashkitë dhe komunat që synon kjo forcë politike.

    I pyetur për regjistrimin e popullsisë ai u shpreh se ideja e hedhur për një referendum për regjistrimin, kontribuon për forcimin e çështjes kombëtare dhe se fakti që ky regjistrim është shtyrë për në vjeshtë tregon që kërkesa e PDIU ka qenë e drejtë duke u marrë parasysh nga qeveria shqiptare.

    Duke u ndalur veçanërisht në këtë çështje ai nënvizoi faktin se kryetari i Gjykatës së Sarandës e ka ngritur me forcë këtë problem dhe e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese.

    Nëse nuk ndodh zgjidhja e duhur atëherë PDIU do t’i bashkohet peticionit të intelektualëve për mos lejuar cënimin e sovranitetit të vendit
    I shoqëruar nga presidenti i PDIU-së Tahir Muhedini, Idrizi zhvilloi takim edhe me strukturat drejtuese të kësaj force politike në Elbasan, ku besohet se PDIU do t’i kërkojë PD-së bashkinë e Cërrikut në të cilën ndodhet një komunitet i madh çam.

    ABC
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  2. #2
    EPIROT Maska e EDLIN
    Anëtarësuar
    16-07-2007
    Vendndodhja
    ku bëhen qinglat
    Postime
    1,527
    Kreu i partisë së PDIU deklaron se PDIU ka kryefjalë çështjen kombëtare

    Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitetit, Shpëtim Idrizi ka komentuar për gazetën “Sot”, situatën parazgjedhore, duke u fokusuar kryesisht tek objektivat e PDIU në zgjedhjet lokale të 8 majit. Idrizi theksoi se, në zgjedhjet e 8 majit, PDIU përfaqësohet në 98 për qind të vendit me kandidatë për këshilltarë në të gjitha anët e Shqipërisë.

    Idrizi theksoi se qëllimi madhor i PDIU është që bashkimin ekonomik të të gjithë shqiptarëve dhe mbi të gjitha bashkimin kombëtar, ta përkthejë në votën e zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Gjatë intervistës së tij kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi ka sqaruar edhe stadin apo ecurinë e lëvizjeve për çështjen çame. Idrizi theksoi se PDIU ka kontraktuar një kompani ligjore britanike për anën juridike, ka përfunduar thuajse tërësisht një rrjet të gjerë lobistësh, kongresmenësh dhe eurodeputetësh për zgjidhjen politike të kësaj çështjeje si dhe ka krijuar disa rrethana, që shumë shpejt do të jenë më të favorshme për ngritjen e kësaj çështjeje nga ana e shtetit shqiptar. Idrizi ka deklaruar edhe një herë qëndrimin kundër regjistrimit të popullsisë. Ai tha se miliona euro po hidhen nga qarqet greke në jug për manipulimin e kombësisë. Idrizi shtoi se pasojat e këtij procesi janë fatale, ku sipas tij, shteti shqiptar do të detyrohej të siguronte 10 apo 20 deputetë nga minoriteti në Kuvend, kur minoriteti në raport me popullsinë shumicë është në rangun e 2 deri në 3 deputetëve. Idrizi shtoi se do të duhej zyrtarizimi i gjuhës greke si gjuhë zyrtare në zonat e reja minoritare që do të “dilnin” dhe do të çohej në një konflikt mes shqiptarëve.

    - Z. Idrizi, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitetit sapo ka çelur fushatën në Pallatin e Kongreseve përpara mijra mbështetësve të saj. Si kryetar i kësaj partie të re që ka në plan të parë çështjen kombëtare, cilat janë objektivat për zgjedhjet lokale të 8 majit?
    Objektivat tona janë afirmimi i PDIU-së në skenën politike shqiptare, si alternativa e re kombëtare shqiptare, pra si partia që ka arritur të rrekë zemrat e të gjithë patriotëve shqiptarë nga Vermoshi në Konispol. Gjatë muajve të fundit i janë bashkuar forcës sonë politike mijra shqiptarë të devotshëm dhe kam pasur nderin të takojë patriotë të vërtetë, të cilët kanë gjetur tek Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet një zë të fortë për zgjidhjen e çështjeve kombëtare. Siç kam pasur mundësinë ta shpreh edhe gjatë fjalimit tim në Pallatin e Kongreseve, që ishte mbushur plot me simpatizantë të frymës së re që ne po përcjellim dhe që gjej rastin të kërkojë ndjesë tek të gjithë ata qindra persona që u dyndën në dyert e sallës, por për arsye kapaciteti nuk mundën të hyjnë brenda, ne po kandidojmë në 98 për qind të vendit me kandidatë për këshilltarë në të gjitha anët e Shqipërisë, sikurse po kandidojmë edhe për kryetarë në pesë bashki, një njësi bashkiake në Tiranë dhe shtatë komuna. Me pak fjalë, ne kemi sot një shtrirje në të gjithë vendin, si një tregues i qartë i një force të re që ka treguar dhe po tregon se po lufton me mish dhe shpirt për të drejtat e shqiptarëve, kudo që ata ndodhen. Këtë shtrirje dhe prurjet e reja intelektuale dhe qytetare, patriote e atdhedashëse, dashamirës të çështjes çame, çështjes së shqiptarëve të rajonit, bashkimit ekonomik të gjithë shqiptarëve dhe mbi të gjitha bashkimit kombëtar ne do ta përkthejmë në votën e zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Ky është qëllimi ynë. Sa më të fortë të dalim pas këtyre zgjedhjeve, që objektivisht është e sigurt, aq më shumë mundësi do të kemi që të vijojmë më fuqishëm këtë presion pozitiv ndaj të gjitha padrejtësive që i bëhen kombit tonë.

    - Në fjalën tuaj ju premtuat se do të mbanit amanetin e të parëve dhe do të ktheheshit në Çamëri? Në ç’kuptim do të ktheheni?
    Qëllimi kryesor i kësaj partie është çështja kombëtare. Sigurisht, çështja më e paprekur e kombit tonë është ajo çame dhe ne kemi harxhuar mjaft energji për të realizuar objektivin parësor, nxjerrjen në pah dhe zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje. Mund të them se sot ne kemi bërë shumë hapa në drejtim të zgjidhjes së çështjes çame. Kemi kontraktuar një kompani ligjore britanike për anën juridike, kemi përfunduar thuajse tërësisht një rrjet të gjerë lobistësh, kongresmenësh dhe eurodeputetësh për zgjidhjen politike të kësaj çështjeje dhe kemi krijuar disa rrethana, që shumë shpejt do të jenë më të favorshme për ngrijten e kësaj çështjeje nga ana e shtetit shqiptar. këto janë tre rrugët e betejës sonë për çështjen çame. Në çastin që ne do të jemi të sigurt se mekanizmi që kemi ngritur do të jetë funksional në të gjitha drejtimet, pra kur të sigurohemi se kemi të gjitha kapacitetet që të fitojmë betejën ne do të nisim një aksion, ndoshta më të fortin e kryer ndonjëherë, që do të çojë në zgjidhjen e çështjes çame. Ne do të kthehemi në Çamëri në kuptimin e mirëfilltë, ne do të kthejmë pas eksodin biblik të shqiptarëve të asaj krahine dhe ne do të rifitojmë të gjitha të drejtat që i takon një pakice kombëtare. Nuk është punë e lehtë, e as e shtruar me lule, por është një amanet që ne jemi të detyruar ta çojmë në vend. Ky mekanizëm i gjerë, që është pjesë e një strategjie të hartuar nga miq tanë, ekspertë shqiptarë dhe të huaj, më të mirët në fushën e zbardhjes së genocideve dhe parimit ndërkombëtar të të Drejtës së Rikthimit, ka disa stade. Ne kemi mbyllur me sukses stadin e parë, që është evidentimi i rrugës së zgjidhjes dhe piketimi i personave të kontaktit. Shumë shpejt do të hyjmë në stadin e dytë që është paditja e shtetit grek në gjykatat ndërkombëtare dhe njëkohësisht fillimi i lobimit të hapur në institucionet ndërkombëtare për çështjen çame. Aksioni ynë fillon fill pas kësaj dhe të gjithë shqiptarët do të shohin atëherë të gjithë punën që po kryejmë sot. Ne do të rikthehemi në Çamëri, brenda më pak vitesh, sesa mendojnë shumica dërrmuese e bashkëkombësve tanë.

    - Z. Idrizi, në koalicionin opozitar ka pasur mjaft mosmarrëveshje midis PS dhe aleatëve të saj, po PDIU a ka pretendime ndaj PD për ndarjen e zonave të influencës?
    Unë e kuptoj mjaft mirë përplasjen e interesave që ndodh. Por, PDIU nuk mund të hyjë në një betejë fjalësh. PDIU është një parti me kauzë, me program të qartë, me ideologji dhe fizionomi. Është një bashkim vullnetarësh që i bashkojnë idealet dhe qëllimet, që i bashkon motoja jonë, sepse “Ne e duam Shqipërinë”. Patriotët shqiptarë do të tregojnë në zgjedhjet e 8 Majit nëpërmjet votës së tyre, influencën që ka PDIU. Nuk ka ndarje më të mirë influencash sesa vota e çdo shqiptari të ndershëm dhe krenar për identitetin e tij kombëtar. Ndarja e influencave në letër mes aleatëve është diçka që nuk është parësore, sigurisht është e nevojshme dhe e domosdoshme, por jo qëllim në vetvete. Këtu ne ndahemi nga forcat e tjera politike dhe këtu qëndron fizionomia e partisë sonë.

    - Fushata elektorale ka nisur me jo pak incidente dhe tensione. Cili është mesazhi i PDIU për këtë situatë, meqenëse është një parti e cila i sheh ngjarjet në lidhje me interesin kombëtar?
    Kombit nuk i duhet konfliktualiteti! Të harrojmë për një çast se çfarë jemi të majtë të djathtë, konservator e liberal, dhe të bashkohemi tek qëllimi i përbashkët që është çështja kombëtare. Sepse çështja kombëtare është çështja e integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian, është zhvillimi dhe mirëqenia ekonomike, dhe sigurisht është zgjidhja e çështjeve të lëna të pazgjidhura ndër vite. Ndarjet brenda kombit, sidomos kur janë ndarje partiake janë të dëmshme. Sigurisht kushdo ka këndvështrimin e tij për situata të ndryshme, por kjo nuk duhet të na çojë në konfliktualitet, përkundrazi, duhet të na çojë në dialog. Faik Konica thoshte se “flamuri ynë, përveçse është ndër më të vjetrit, është edhe ndër më të drejtët”, prandaj le të harrojmë flamujt partiakë dhe t’i përkushtohemi flamurit kombëtar. Kështu zgjidhen edhe problemet e përditshmërisë, papunësia, varfëria, etj. Zgjidhja e çështjes kombëtare, pra bashkimi ekonomik Shqipëri-Kosovë i jep një hov të paimagjinueshëm zhvillimi shqiptarëve. Pse të mos përqendrohemi tek ky lloj zhvillimi, por të zihemi se kush forcë politike do të vijë në pushtet që të hapë një vend të ri pune për militantin e vetë? Pse të mos e bëjmë situatën sipas shprehjes angleze “ëin-ëin”, pra ku të gjithë fitojmë hisen e vetë, por mbetemi tek përplasjet e pavlera dhe të pamoralshme? PDIU ofron alternativën e re, alternativën e programit, prandaj ne nuk na keni parë dhe nuk do të na shihni kurrë në konflikte të këtij lloji, që për ne janë tërësisht të dënueshme.

    - Kur do të paraqitet rezoluta në Parlament për çështjen çame dhe a mendoni se do të gjejë mbështetjen e mazhorancës?
    Rezoluta është hartuar. Ne jemi në varësi të disa konjukturave për ta prezantuar në parlament, sepse qëllimi ynë nuk është që kjo rezolutë të propozohet dhe ne të dalim me flamurin që propozuam një rezolutë për çështjen çame, e të kërkojmë vota për këtë. Qëllimi ynë është që kjo rezolutë të miratohet dhe të detyrohet shteti shqiptar ta zbatojë. Forca të tjera politike në vendin tonë do ta kishin propozuar rezolutën, madje me shpresën që të mos miratohej, në mënyrë që të kishin një kauzë boshe mediatike. Ne jemi ndryshe, ne duam që ato veprime që t’i bëjmë të jenë efikase, jo marketing politik, por zgjidhje reale. Në kuadër të mekanizmave që sqarova më lartë dhe të strategjisë së hedhur në letër për çështjen çame, kjo rezolutë do të hidhet në fund të fazës së dytë të veprimit, pra në momentin kur do të kemi një rezultat nga kompania ligjore dhe disa indicie nga grupi ynë lobues nëpër botë. Kjo do të ndodhë brenda kësaj legjislature dhe rezoluta do të miratohet, për këtë jam i sigurt.

    - PDIU është deklaruar hapur dhe prerë kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Çfarë pasojash konkrete mund të sillte ky proces?
    Jemi shprehur shumë herë mbi këtë çështje dhe kemi paraqitur disa propozime për të dalë nga një regjistrim absurd mbi bazat e vetëdeklarimit. Pasojat e këtij procesi janë të qarta: shtim i numrit të minoritarëve, përplasje etnike dhe fetare. Me pak fjalë, një veprim antikushtetues dhe antikombëtar. Kjo fryrje artificiale vjen si pasojë e disa mekanizmave të cilat janë vendosur prej vitit 1990 në veprim nga shteti grek. Janë rreth 15 mijë shtetas shqiptar, mbi 65 vjeç, një për familje, që marrin pension si “homogjen”, pra si minoritarë. Këta shtetas janë të shpërndarë jo vetëm në zonat ku jeton minoriteti, por edhe në Vlorë, Sarandë, Himarë, Korçë, Berat, Durrës, akoma edhe në Tiranë. Vetëm familjet e tyre, përbëjnë mbi njëqind mijë veta. Disa prej tyre i kam takuar personalisht dhe më kanë thënë se ishin në dilemë, nga njëra anë janë shqiptar 24 karat, që e duan Shqipërinë ashtu si të gjithë ne, nga ana tjetër humbasin ato të ardhura që u jep shteti grek. Nëse vetëdeklarimi do të ishte në rrethana të tjera ata do të deklaroheshin shqiptar pa hezitim, por në këto rrethana janë në dilemë. Të tjera familje kanë marrë kërcënime se nëse nuk vetëdeklarohen grekë, familjarët e tyre në Greqi do të humbasin dokumentet e qëndrimit. Pra kemi të bëjmë me një presion real mbi nevojat e jetesës së bashkëqytetarëve tanë, të bashkëkombësve tanë, të njerëzve që ndihen po aq shqiptarë sa ne, por që nevojat ekonomike dhe nevojat e jetesës i kanë çuar drejt një zgjedhjeje tjetër. Nëse do të bëhej me vetëdeklarim, do të kthehej në blerje identiteti. Miliona euro po hidhen në jug të vendit nga qarqe nacionaliste greke. Siç akuzohet politika se blen me thasë me miell votat, këtu kemi të bëjmë me blerje me euro të identitetit. Kjo është sa qesharake aq dhe e dhimbshme. Pasojat janë të shumta, do të detyrohej shteti shqiptar të siguronte 10 apo 20 deputetë nga minoriteti në Kuvend, kur minoriteti në raport me popullsinë shumicë është në rangun e 2 deri në 3 deputetëve. Do të duhej zyrtarizimi i gjuhës greke si gjuhë zyrtare në zonat e reja minoritare që do të “dilnin” dhe do të çohej në një konflikt mes shqiptarëve. Ne nuk na duhen përplasje brenda llojit, brenda kombit!

    - Z. Idrizi, për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, ka pasur një reagim nga pala greke, ku shprehej një zhgënjim i madh për vendimin në fjalë. Pse ky interesim aq i madh dhe a duket se grekët po ndërhyjnë pak si shumë në punët tona të brendshme?
    Për të gjitha ato që thamë më lartë dhe sigurisht po ndërhyjnë në punët e brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran. Greqia e ka zakon bizantin këtë lloj mentaliteti, të ndërhyrjes vend e pa vend. Interesimi i Greqisë duket se lidhet me një strategji të qartë të pas regjistrimit të popullsisë. Nuk duhet të habitemi për këtë, e tha vetë konsulli provokator i Korçës, se “pas regjistrimit nis beteja për Vorio Epirin”. Duket se kemi të bëjmë me një vrasje me paramendim, që duhet parandaluar.

    - A ka dhënë ndonjë argument konkret pala greke, se pse u mohon çamëve të drejtën për të marrë pronat e tyre? Argumentet e Greqisë nuk thuhen asnjëherë zyrtarisht, sepse nuk ka argumente që mund të deklarohen dhe të jenë bindëse. E drejta e pronës, e drejta e rikthimit, e drejta e pakicave kombëtare dhe një sërë të drejtash që lidhen me këtë çështje, janë të patjetërsueshme. Si pasojë, Greqia nuk ka argumente juridikë dhe prandaj i shmanget gjithnjë çështjes çame, sepse e di se e ka të humbur betejën kur ajo të nisë. Dhe do ta humbasë shumë shpejt...

    - Doja të ndaleshim pak tek situata në Kosovë. Kushtetuese ka rrëzuar sërish presidentin ri, vendi duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Si e shikoni ju gjithë këtë situatë të trazuar? Ndërkaq, edhe Shqipëria po përjeton një agoni politike prej dy vitesh, pavarësisht ndërhyrjeve dhe apeleve të ndërkombëtarëve. Si e parashikoni ju fatin e kësaj krize?
    Ne i përmbahemi një parimi, se kur flet Gjykata Kushtetuese, politika hesht. Në rastin konkret, GJK e Kosovës e tha fjalën e saj, që është përfundimtare. Tani mbetet për zgjidhjen. Fatmirësh, u gjend kandidatja konsensuale dhe Atifete Jahjaga prej pak ditësh është presidentja e re e Kosovës. Do të shqetësohesha nëse do të futeshim në një situatë amullie dhe konfliktualitetit. Por politika e Kosovës zgjodhi rrugën e dialogut dhe zgjidhja u gjet shumë shpejt. Mos ndoshta erdhi koha të marrim shembull nga shteti i sapoformuar i bashkëkombësve tanë? Dialogu është e vetmja rrugëzgjidhje, kur krerët e politikës ta shohin këtë mjet si parim në marrëdhëniet e tyre, atëherë do të kemi stabilitet.


    G.Sot.
    Ndryshuar për herë të fundit nga EDLIN : 11-04-2011 më 06:12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •