Funksionarët dhe fëmijët e regjimit
SHEKULLI | 21/02/2011
Ish-funksionarë të regjimit të kaluar dhe të afërm të ish-drejtuesve të lartë të regjimit të Enver Hoxhës, sërish në krye të punëve të Shqipërisë. Pas dy dekadave "antikomunizëm" vendin e drejtojnë Berisha, Nano, apo Ruli figura të njohura të regjimit të vjetër.
Ka pak bllok gjithandej. Ish-funksionarë të regjimit të kaluar dhe të afërm të ish-drejtuesve të lartë të regjimit të Enver Hoxhës janë sërish pas 20 viteve në krye të punëve në Shqipëri. Dje, duke festuar ngjitur me sheshin para selisë së qeverisë, ku 30 ditë më parë u vranë katër demonstrues të opozitës, Sali Berisha u shpreh se "bijtë e etërve më 21 janar tentuan që të merrnin me dhunë pushtetin", se "bijtë e bllokmenëve rrethuan me gurë, zjarr dhe eksplozivë Kryeministrinë".

Sali Berisha nuk ishte bllokmen, por bllokqen, siç e cilësoi Gramoz Ruçi, më 23 dhjetor 2010 në Kuvend, ndërsa komentonte fotot e kryeministrit me familjarët e Enver Hoxhës, në vitet '80.

Ai kishte shërbyer për shumë vite pranë udhëheqjes komuniste, ishte afruar shumë afër familjarëve të kupolës qeverisëse, sepse vetëm kështu do të bënte përpara. Dhe megjithëse ishte pranuar dhe trajtuar më së miri, Berisha u tregua "bukëshkalë", duke anatemuar publikisht ata si diktatorë, ndërsa prej 20 vitesh në politikë ka bërë të pamundurën, edhe duke urdhëruar vrasjet ndaj njerëzve të pafajshëm, që t'i ngjajë sadopak Enver Hoxhës.

Patriarku i socialistëve, Dritëro Agolli, kur vjen fjala për bllokun dhe bllokmenët thotë se sot ka më shumë "bllokmenë" në PD se në PS.

Madje ata bllokmenë për të cilët flet ditë e natë Berisha, nuk kishin asnjë lidhje me bllokun, siç ishte rasti i ish-kryeministrit Adil Çarçani që nuk jetonte në ish-bllokun e famshëm. Agolli përmend edhe emrin e Kristaq Ramës, artistit të shquar, emri i të cilit nuk mungon në asnjë fjalim të Berishës, kur sulmon kryetarin e PS-së, Edi Rama.

Kristaq Rama jetonte në një apartament me dy dhoma e një kuzhinë edhe pse në një legjislaturë u bë anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
E megjithatë "blloku" jeton. Drejtues të lartë që ishin dhe janë ende me pushtet në vend kishin funksione të rëndësishme në kohën e tyre.

Sali Berisha ishte mjek i udhëheqjes komuniste, ish-kryeministri Fatos Nano, aspirant për President të Republikës, ishte sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në qeverinë e fundit komuniste dhe djali i një funksionari të lartë në kohën e Hoxhës.

Skënder Gjinushi, kryetar i PSD-së ishte ministër në qeverinë e fundit të sistemit monist. Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së ishte prej mëse një dekadë drejtues partiakë deri dhe ministër.

Deputeti Genc Ruli ishte një zyrtarë i rëndësishëm në ministrinë e Tregtisë së Jashtme që në kohën e komunizmit, ndërsa Namik Dokle deputet i PS-së, ishte drejtues i gazetës "Zëri i Popullit" organit politik të PPSH-së deri në ndryshimin e regjimit.

Në politikë nuk mungojnë edhe ata që kanë trashëguar lidhjet familjare dhe ideologjike nga ish-përfaqësuesit e rëndësishëm të regjimit të kaluar. Edi Rama, ishte dhe mbetet zëri më antikomunistnë shoqërinë postdiktatoriale, por ai ka një lidhje familjare me një ish-anëtar të Byrosë Politike. Deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku u bë nuse në vilën e një çifti bashkëshortësh, që të dy funksionarë të lartë të regjimit komunist.

Një deputet i ri i PS-së si Ditmir Bushati është i biri i një funksionari vendor i regjimit të shkuar. Deputetët e tjerë të PS-së, si Ilir Gjoni apo Dashamir Peza janë bijtë e ish-figurave të larta të regjimit. Deputetët e PD-së si Ilir Rusmajli, Genc Pollo apo Albana Vokshi vijnë nga familje të njohura si të lidhura me regjimin.

Si për ironi komunistët që u futën në PD, janë antikomunistët më të flaktë. Ata mënjanuan shumicën e drejtuesve demokratë që vinin nga klasat e shtypura të ish-pronarëve apo të përndjekurve gjatë regjimit komunist dhe sot, ata e shohin veten më të përfaqësuar te e majta se tek partia që lindi për të rrëzuar komunizmin dhe e ringriti sërish më lart se piedestali që u rrëzua në 20 shkurt 1991.

Disa nga ish-funksionarët e regjimit

Sali Berisha (67 vjeç) mjek i udhëheqjes së bllokut komunist dhe sekretar partie në Spitalin e Tiranës.

Fatos Nano (59 vjeç), ish-kryeministër, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në qeverinë e ish-kryeministrit Adil Çarçani dhe më pas kryeministër për herë të parë (shkurt-korrik 1991), djali i Thanas Nanos ish-drejtor i TVSH-së në vitet '70.

Skënder Gjinushi-ministër në vitet '80 deri në rrëzimin e qeverisë së fundit komuniste. Kryetar i PSD-së.

Gramoz Ruçi (60 vjeç), deputet i PS-së, prej vitit 1978 ishte drejtues në organe partiake dhe shtetërore, ndërsa në vitin 1991 (shkurt-qershor) ishte ministër i Punëve të Brendshme.

Fatmir Xhafaj, (52 vjeç) deputet i PS-së, prej vitit 1982 jurist dhe gjyqtar si dhe funksionar në organizatat rinore dhe shoqërore.

Genc Ruli (53 vjeç), deputet i PD-së dhe ministër i Bujqësisë, ishte drejtor në ministrinë e Tregtisë së Jashtme që në kohën e komunizmit.

Fatos Beja (63 vjeç), deputet i PD-së, prej vitit 1971 redaktor në ATSH dhe më pas pedagog në Universitetin e Tiranës.

Namik Dokle (65 vjeç), deputet i PS-së, prej vitit 1970 gazetar dhe drejtues në organet e PPSH-së. Në 1989 sekretar i Sindikatave të Shqipërisë dhe më pas kryeredaktor i ZP-së.
'Fëmijët' e bllokut

Edi Rama (47 vjeç), kryetar i PS-së dhe kryetar i bashkisë së Tiranës, nip i Spiro Kolekës, ish-anëtar i Byrosë Politike.

Rajmonda Bulku (53 vjeçe) deputete e PD-së, bashkëshorte e një pinjolli të udhëheqjes së lartë komuniste. Vjehrra e saj Eleni Pashko, ishte zv.ministre dhe anëtare e Byrosë Politike, ndërsa vjehrri Josif Pashko njëri prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Enver Hoxha.

Ditmir Bushati (34 vjeç), deputet i PS-së, djali i Sulejman Bushatit, ishte sekretar i parë i partisë në disa rrethe të vendit gjatë kohës së komunizmit.

Ilir Gjoni (49 vjeç), deputet i PS-së, djali i ish-anëtarit të Byrosë Politike të PPSH-së, Xhelil Gjoni.

Sokol Olldashi (39 vjeç) deputet i PD-së dhe ministër, nipi i Dashnor Mamaqit, ish-kryeredaktor i ZP-së dhe më pas sekretar i Partisë së Tiranës, i shpallur armik nga regjimi i Hoxhës.

Ilir Rusmajli (46 vjeç), deputet i PD-së, djali i Çajup Rusmajlit, ish-drejtor i RTSH-së prej vitit 1976.

Albana Vokshi (40 vjeçe), deputete e PD-së, pinjolle e një familjeje të lidhur ngushtë me regjimin komunist. Bijë Vokshi, një e afërme e familjes kishte lëshuar shtëpinë e saj në Tiranë, për të bërë vend themelimi të Rinisë Komuniste në 1941.

Dashamir Peza, deputet i PS-së, djali i vogël i heroit të Popullit Myslym Peza.
Genc Pollo (48 vjeç), deputet i PD-së dhe ministër, djali i Stefanaq Pollos, historian dhe akademik i njohur i kohës së regjimit komunist