Ka kohë që në qarkullim është libri “Në origjinë të Kombit Shqiptar dhe të gjuhës së tij”, me autor z. Vladimir P. Xhelaj. Në këtë libër, z. Vladimir mbron tezën e shtruar nga albanologu i shquar austriak J.G. fon Hahn, se Kombi Shqiptar është formuar nga bashkimi në një komb të vetëm, të pasardhësve të tri kombësive të vjetra, të kombësisë epirote, të disa fiseve të Ilirisë jugore dhe të asaj pjese të popullsisë autoktone maqedone që i shpëtoi shfarosjes nga sllavët dhe asimilimit nga grekët. Dhe për të argumentuar këtë tezë,

në këtë libër z. Vladimir jep shumë fakte historike, gjuhësore dhe arkeologjike të reja. P.sh: gjetja etimologjike nga z. Vladimir, i kuptimit të formimit të emrit Shqyperi, nga shprehja “shqype + yperi” (Shqipja e Epirit), që në lashtësi thirrej Pirro i Epirit, shpjegon qartë pjesëmarrjen e popullsisë epirote në formimin e Kombit Shqiptar. Dhe z. Vladimir thekson se popullsia e Epirit ka qenë bërthama e formimit të Kombit Shqiptar, sepse kjo popullsi hyri e tëra në kombin Shqiptar. Kurse fiset ilire dhe ato maqedone që hynë në formimin e Kombit Shqiptar, -thotë Vladimiri, - ishin ato pak fise që i shpëtuan shfarosjes apo asimilimit të dyndjeve sllave. Si shembull të asimilimit të fiseve ilire prej dyndjeve sllave, z. Vladimir jep Kombin e sotëm Kroat, që sipas tij, është pasardhësi i fiseve ilire të Dalmacisë, që u sllavizuan. Po kështu, -përmend z. Vladimir, - pas vendimeve antishqiptare të Kongresit të Berlinit (v. 1878), Traktatit të Londrës (v.1913) dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (v. 1920), që ju dhuruan Greqisë territore të shumta që banoheshin nga shqiptarë me origjinë maqedone dhe epirote, në këto territore gjatë sundimit grek u zhvillua një fushatë e egër dhe kriminale kundër popullsisë autoktone shqiptare, ku me dhjetëra mijë prej tyre u shfarosën dhe qindra mijë, u detyruan të emigronin në Turqi dhe Shqipëri, kurse ata pak që mbetën u detyruan të greqizohen dhe të humbin identitetin etnik shqiptar.Z. Vladimir jep fakte të shumta etimologjike që dëshmojnë se epirotët, ilirët e maqedonët autoktonë, kishin folur protoshqipen. Kjo shprehet në kuptimin etimologjik të shumë emrave të rëndësishëm që u përkisnin këtyre popujve, p.sh: në Epir, emrat Epir (Ypëri), Dodon, Akil, Neoptëlemi (biri i Akilit), Patrokle (miku i Akilit), Pelipi (ati i Akilit), Pelasg, Pirro, Molos, Kaoni, Amantia, Bylis, Antigonea, Butrint, Labëri, Himar etj; në Iliri, emrat Ilir, Arbanpolli (vendi ku lindën fiset ilire), Arbëri, Apoloni, Dyrrakium, Skodrinon, Dardan, Dalmat, Adrian, Adriatik, Lisitan, Akrolisi, Labeatët, Laberion, Labiatan, Kroati, etj; në Maqedoni, emrat Pella (që quhej vendbanimi qendror i maqedonve), Filipi, Alekandër, Pelion, Audelon (prijës maqedon), Ematia, etj. Të shpjeguara me gjuhën shqipe, -vëren z. Vladimir, - këto emra dëshmojnë edhe vetë ekzistencën e protoshqipes në lashtësi. Por një pjesë e këtyre emrave janë gjetur të shkruara në monedha të shumta, apo në sende prej qeramike dhe gurë të latuar, qysh nga shek V p.e. sonë. Ky fakt –konkludon z. Vladimir, - dëshmon edhe shkrimin e protoshqipes qysh rreth 2500 vjet më parë. Pra, z. Vladimir jo vetëm dëshmon prova të ekzistencës së gjuhës shqipe (në formën e protoshqipes), qysh rreth 2500 vjet më parë, por edhe të shkrimit të saj qysh nga ajo kohë. Po kështu, z.Vladimir tregon që edhe shumë emra, që u përkisnin popujve të lashtë elen (prej të cilëve u formua Kombi Grek), ishin të formuar nga protoshqipja. Të tillë janë emrat Athin, Pelopones, Kretë, Argo, elen (ilis-ellas), Qefaloni, Ylis (Ulis), Odisea, Pelipi (gjyshi i Agamenonit), Atriti (ati i Agamenonit), Elena, Giasoni (prijësi mitik i Argos), argonautë, Zeus, Hera, Afërdita, Demetra, Polifemi, Terra (Santorini), Leka Parit (prijësi trojan që rrëmbeu Elenën), Ajaksi, Minosi (prijësi mitik i Kretës), spartiatët (që quheshin njerëzit e nderuar në Spartë), Atlanti, Atlasi, Atlantide dhe shumë emra të tjerë. Sipas z. Vladimir, shpjegimi i këtyre emrave prej protoshqipes, dëshmon tezën që edhe kombi Grek, në një periudhë më të lashtë kishte folur protoshqipen. Ai shpjegon se edhe emrat Arian, Evrop, Balltik, Ballkan, Thrakë, Afrikë, Ageypton (që quhej Egjypti në lashtësi), Tanis (qytet mitik në Egjypt), Menesi (prijësi mitik i Egjyptit të lashtë), Aton (hyjni e lashtë egjyptiane), Keopi, Kleopatra, Babilon, e shumë emra të tjerë, ishin formuar prej protoshqipes. Në kuptimin që shprehnin këta emra, z. Vladimir gjen fakte historike që dëshmonin historinë e popujve të lashtë në periudha të ndryshme. Nga këto gjetje etimologjike, z. Vladimir shtron tezën se protoshqipja ka qenë një dialekt zonal i gjuhës së lashtë ariane, që në lashtësi flitej prej të gjithë popujve evropianë që u zhvilluan në territorin e Evropës. Pra, për z. Vladimir, gjuha e sotme shqipe është një mbetje e gjuhës së stërlashtë ariane, që në prehistori flisnin të gjithë popujt e racës ariane që u zhvilluan në territoret e Evropës, nga Islanda dhe deri në Uralet, dhe nga Laponia (skaji më verior i Skandinavisë) dhe deri në Sicili, Kretë, Trojë e Frigji.
Në këtë libër z. Vladimir ka shpjeguar edhe karakterin historik të fenomenit Pelasg, duke dëshmuar faktin se ky fenomen nuk përcaktonte ndonjë komb të lashtë paragrek, (siç është thënë), por shprehte atë formë të familjes prej nga lindi gjinia dhe rendi gjinor tek të gjithë popujt e lashtë të Ballkanit.
Po kështu, dëshmon me fakte se miti mbi Atlantidën, ishte formuar nga shkatërrimi prej vullkanit të ishullit të Santorinit, rreth viteve 1550 p.e.sonë (gjë, e publikuar për herë të parë në gazetën “Tirana Observer”). Në shpjegimin e këtij fenomeni historik, z. Vladimir mbron tezën se popujt që u larguan prej Santorinit, u vendosën në Itali dhe prej tyre u formuar popujt Latin dhe Etruskë.Z. Vladimir ka shpjeguar edhe faktin se lindja e Kulturës Minoike (apo Kreto-Mikene), kishte në origjinë një formë të familjes që zhvillohej mbi bazën e martesës së poligamisë (të martesës së një burri me një grup grash). Duke shpjeguar këtë fenomen, ai gjeti shkakun historik të lindjes së Kulturës Minoike.Më tej, duke analizuar mitologjinë greke me sy historik, z. Vladimir vëren se në mitet e saja dëshmohen ngjarje mbi zhvillimin historik e shoqëror të popujve primitiv të Ballkanit, veçanërisht të zhvillimit të formave të ndryshme të familjes primitive tek këta popuj. Dhe thekson se fig. hyjnore mitologjike, sipas gjinisë që shprehnin, dëshmonin pozitën shoqërore të burrit dhe të gruas në këto forma të familjes primitive.P.sh. në faktin mitologjik të Herës si mbrojtëse e familjes, -thotë Vladimiri, - duhet të kuptojmë sundimin e gruas në atë familje, kurse në faktin mitologjik se Afërdita ishte hyjneshë e dashurisë dhe kishte marrëdhënie me shumë burra, sipas z. Vladimir, duhet të kuptojmë se në atë epokë gruaja gëzonte një liri të pakufizuar seksuale, dhe kjo dhunti e gruas respektohej pa paragjykime nga opinioni i kohës. Fitimi përsëri i kësaj të drejte për gruan, -thekson Vladimiri, - do të jetë shprehja më e lartë e emancipimit shoqëror të saj. Në këtë libër z. Vladimir ka dëshmuar se në lashtësi ishin zhvilluar tre forma të demokracisë; në epokën e komunizmit primitiv ishte zhvilluar forma e demokracisë natyrale, në epokën kur në rendin gjinor lindi figura e prijësit ushtarak, ishte zhvilluar edhe forma e demokracisë ushtarake, [këtu dëshmon se termi demokraci ishte formuar nga fjalët e protoshqipes demi (ushtri) dhe krat (kret- krye), si njehsim i shprehjes “demi-ushtri në krye”], kurse në epokën e formimit të aristokracisë skllavopronare ishte zhvilluar edhe forma e demokracisë skllavopronare. Në kohën moderne, -vazhdon të shpjegojë Vladimiri, -u zhvilluan dy forma të demokracisë, ajo me karakter borgjez që ekziston në ato vende me zhvillim ekonomik kapitalist, ku pushteti ka karakter pluralist; kurse gjatë regjimeve socialiste u zhvillua edhe forma e demokracisë proletare. Pra, sipas z. Vladimir, gjatë zhvillimit historik e shoqëror të njerëzimit, janë zhvilluar pesë forma të demokracisë. Dhe këtë fakt, -thotë z. Vladimir, - mjerisht sot e njohin shumë pak njerëz, vetëm ata që kanë arsim marksist. Interesant është edhe shpjegimi , që ka dhënë z. Vladimir, për kushtet që diktojnë pluralizmin politik e ideologjik në regjimet me demokraci borgjeze. Ai tregon se pluralizmi ideologjik e politik (pra, ekzistenca e shumë partive politike në vendet kapitaliste), lindin nga fakti se ekzistenca e pronës private, ndan shoqërinë në klasa, shtresa dhe kategori shoqërore, që kanë interesa të kundërta (antagoniste) ekonomike, prandaj edhe secila prej tyre krijon partinë e vet politike. Kurse në kushtet e regjimit socialist, thotë Vladimiri, kur prona private është zëvendësuar me pronën kolektive, klasat dhe kategoritë shoqërore ekzistuese, meqë në shumicën përbërëse janë të karakterit shoqëror proletar (sepse borgjezia në këto kushte zhduket), ato nuk kanë interesa të kundërta antagoniste, por interesa miqësore dhe të besimit reciprok, prandaj edhe përfaqësohen nga një parti e vetme politike, që zakonisht është e karakterit marksist, sepse marksizmi është shprehja teorike e interesave jetësore të proletariatit, që ka pushtetin në kushtet e regjimit socialist.Në zbulimet që ka bërë z. Vladimir, interesant për arkeologjinë është edhe shpjegimi, që zakoni i varrimit me urna (i vendosjes së hirit të të vdekurve në poçe prej qeramike apo metali), sipas tij, nuk u përhap …nga dyndja e popujve të huaj , por nga nevoja e transportimit të trupave të njerëzve që vdisnin apo vriteshin larg vendit të banimit të tyre. Si dëshmi për këtë tezë, z. Vladimir jep luftën e zhvilluar në Trojë, të treguar në veprat e Omerit, në veprën Eneida të Virgjilit etj, ku dëshmohet se trupat e të vrarëve digjeshin dhe hirin i tyre futej në poçe (urna) dhe transportohesh në vendet e lindjes së të vrarëve.Një shpjegim bindës jep z. Vladimir, edhe për shkakun e zhvillimit të luftës në Trojë dhe lirimit me çdo kusht të Elenës. Sipas tij, edhe se Helena qëndroi rreth njëzet vjet si grua (apo dashnore) e Paritit në Trojë, lirimi i saj ishte i domosdoshëm për helenët, për shkakun se …Elena meqë ishte princesha e Argos, ajo ishte edhe princesha e të gjithë popujve helenë (sepse sipas mitologjisë greke, të gjitha fiset e popujve helenë e kishin origjinën prej Argos). Nga kjo gjë, sipas mendimit të Vladimirit, ndofta popujt helenë i jepnin asaj tribute ekonomike, që pas martesës së saj me Menelan (mbretin e Spartës dhe vëllait të Agamenonit) këto tribute i përfitonte Sparta, kurse pas rrëmbimit të saj prej Paritit, këto tribute popujt helenë ishin të detyruar t’ju a jepnin trojanëve. Dhe për t’i shpëtuar kësaj herezie, thotë Vladimiri, - helenët e bashkuar nën udhëheqjen e Agamenonit (që si kunat i Elenës kishte edhe më shumë interes për lirimin e domosdoshëm të saj), kërkonin që me çdo kusht të lironin Elenën, pavarësisht nga sakrifikimi i mijëra djemve të rinj dhe mjerimeve të shumta të shkaktoi për të gjithë popujt helenë, kjo luftë e gjatë dhe pambarim. Në qoftë se nuk do të ishte kjo gjë shkaku i lirimit të domosdoshëm të Elenës, -pyet Vladimiri, - kujt i duhej ajo grua që e kishte ndarë shtratin për njëzet vjet me një burrë tjetër? Interesant është edhe shpjegimi që ka dhënë z. Vladimir, për shkakun e zhvillimit të kulturës megalitike, pra të ndërtimit të monumenteve prehistorike, me blloqe masive guri të skuadruara (si ai i Stonehengenit në Angli, i Gëbekli Tepe në Turqi, i Nardodipace në Kalabri të Italisë, apo edhe ai i “gurit në qiell” që ndodhet në fshatin Vranisht, dhe shumë të tjerave si ato në të gjithë botën), si edhe të shkakut të ndërtimit të piramidave dhe akropoleve.Për ndërtimin e strukturave me blloqe guri masivë, pavarësisht nga konfiguracioni i tyre, -thotë Vladimiri, -ato janë ndërtuar në atë territor ku më parë kishte banuar ajo familje fillestare, nga kishin rrjedhur vetë popujt që i ndërtuan këto monumente. Kurse konfiguracioni i strukturës së Stonehengenit, apo i atij të Gëbekli Tepe në Turqi etj, -thotë Vladimiri, -dëshmojnë vetë zhvillimin e strukturës së rendit gjinor prej një familje fillestare. Ndërtimi i piramidave, thotë Vladimiri, në fillim kishte si qëllim për të mbuluar dhe mbajtur të pacenuara, ato territore apo tempuj që ishin ndërtuar në ato territore ku kishin banuar familjet fillestare, të vetë popujve që ndërtuan piramidat e para. Pastaj, më vonë, me zhvillimin e shoqërive më komplekse, që kishin një monark, piramidat u ndërtuan edhe si vende të varrimit të këtyre monarkëve. Kurse për akropolet, -z. Vladimir dëshmon -se ato ishin posti nga qeveriseshin popujt e organizuar në rendin gjinor. Kur rendi gjinor u shua, thekson Vladimiri, edhe akropolet u braktisën sepse nuk i shërbenin rendit të ri shoqëror, që i zuri vendin organizimit të mëparshëm gjinor.Zbulimet historike mbi origjinën e Kombit Shqiptar, faktet e ndryshme mbi ekzistencën e gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj qysh në lashtësi, qartësimi historik i fenomenit Pellazg, e të tjera zbulime të bëra nga z. Vladimir, pasurojnë më shumë dituritë mbi historinë e Kombit Shqiptar dhe të gjuhës shqipe. Prandaj është mirë që ato të mësohen nga çdo shqiptar dhe të pasqyrohen edhe në librat shkollore, me qëllim që shqiptarët të ketë një vizion më të qartë dhe të saktë të origjinës së tyre historike. “…Por meqë gjatë redaktimit të këtij libri –thotë Vladimiri, - nga redaksia dhe tipografia është punuar shumë keq, tani kam përgatitur botimin e dytë, të ndarë në dy vëllime dhe të pasuruar më shumë me fakte dhe analiza historike, jo vetëm për epokat e shkuara, por edhe mbi çështjen e problemit Kombëtar, që ka të bëjë me bashkimin e Kombit Shqiptar dhe territoreve të tij në një shtet të vetëm, ashtu edhe për epokën aktuale historike që po kalon njerëzimi”. Atëherë, urojmë që edhe botimi i dytë i këtij libri të arrijë sa më shpejt në duart e lexuesit!