Kthimi i taksave, qeveria: 8500 lekë në vit për shëndetin

Paralelisht me këtë përcaktim, që është bërë në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, qeveria nga ana tjetër po angazhohet të plotësojë edhe elementet e tjera, që duhen për të zbatuar këtë ligj. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, u miratua edhe masa e shpenzimit të zbritshëm për mjekim për individët më vete, apo për limitin maksimal që lejohet për gjithë familjen. Në ligj përcaktohet se si shpenzime të zbritshme në fund të vitit do të njihen interesat e kredive që janë marrë për arsimim, apo shpenzimet mjekësore. Masa për secilën përcaktohet nga qeveria.

Vendimi
Dje qeveria vendosi që të njohë si shpenzime të zbritshme në deklaratën personale të të ardhurave masën 8,5 mijë lekë për secilin anëtar, por të limituar këtë në jo më shumë se 32 mijë lekë gjithsej. "Në rast të plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari, shpenzimet vjetore për mjekim, për vete apo për fëmijët e personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, janë 8 532 ( tetë mijë e pesëqind e tridhjetë e dy) lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32 000 (tridhjetë e dy mijë) lekë", thuhet në vendimin e miratuar nga qeveria. Ndërkohë që ky është shpenzimi i parë i zbritshëm, për të cilin qeveria përcakton masën. Më vonë pritet të dalin edhe vendime të tjera, që do të plotësojnë panoramën e plotë të ligjit, i cili do të zbatohet vitin tjetër.

Cili njihet si shpenzim
Qytetarit, në deklaratën që do të plotësojë, do t'i duhet të deklarojë pagën e tij të plotë, të ardhura të tjera nga qiraja, apo transaksionet e pasurive të patundshme. Paralelisht me listën e të ardhurave të tatueshme, qytetari ka edhe disa shpenzime që i njihen si të zbritshme. Të tilla janë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, interesat e paguara për kredi që është marrë për qëllime arsimimi, kontributet shoqërore të paguara në skemat private, si dhe shpenzimet për kujdesin mjekësor. Në rast se 10 për qindëshi që duhet t'i mbahet qytetarit nga të ardhurat e një viti rezulton më i vogël sesa masa e shpenzimeve të njohura, atëherë atij i bëhet kompensimi për diferencën nga ana e Drejtorisë së Tatimeve.

Deklarata e të ardhurave personale

Shembull:
Një qytetar paguhet 50 mijë lekë në muaj, pasi ka shlyer gjithë detyrimet e tij duke paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Për gjithë vitin të ardhurat e tij janë 600 mijë lekë.
50 mijë x 12 muaj= 600 mijë lekë
Ky qytetar ka marrë një kredi për shkollimin e fëmijës, apo të vetes dhe interesat bankare mujore (që njihen si shpenzime të zbritshme) shkojnë 5 mijë lekë në muaj. Për gjithë vitin paguan 60 mijë lekë.
5 mijë lekë interesa kredie x 12 muaj =60 mijë lekë.
Qytetari bën edhe një ndërhyrje mjekësore në një spital privat (duhet ta shoqërojë me dokumentacionin që vërteton ndërhyrjen), që njihet si shpenzim deri në masën 85 mijë lekë.
Qytetari ka dy shpenzime të zbritshme
60 mijë lekë kredia + 8.5 mijë lekë ndërhyrja = 68.5 mijë lekë.
Nga 600 mijë lekë hiqen 68.5 mijë lekë shpenzime të zbritshme.
600 mijë lekë-68.5 mijë lekë= 515 mijë lekë
Shuma e të ardhurave që do të tatohet është 515 mijë lekë.
Ligji sanksionon aplikimin e 10 përqindëshit mbi të ardhurat.
10 përqindëshi i 515 mijë lekëve është 51,5 mijë lekë
Qytetari, në bazë të të ardhurave fillestare ka paguar si tatim fitimi 10 % të pagës mujore, në rastin tonë 60 mijë lekë në vit. Ndërkohë që tatimi i ri, pas zbritjes së shpenzimeve për arsim e shëndetësi është 51.5 mijë lekë. Tatimet, pas deklarimit të individit duhet të kthejnë diferencën, prej 8.5 mijë lekë.

Panorama