Prishtinë, 1 shkurt - Një vendim i ardhur nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka bërë që arsimtarët e shkollës fillore “Elena Gjika” në Prishtinë të bojkotojnë mësimin. Ata nuk janë të pajtimit me emërimin e një turku si zëvendësdrejtor. Daut Hamullar tash e tutje do të zërë vendin e Shpresa Gashi –Çitakut, e cila që 18 vjet është punëtore e kësaj shkolle. Ky vendim e ka revoltuar kolektivin e shkollës. Arsimtarët nuk e kanë mbështetjen e drejtorit të shkollës, Osman Vitia, i cili thotë se duhet respektuar vendimi. Arsimtarët thonë se do të bojkotojnë mësimin deri në anulimin e vendimit. Kjo shkollë ka gjithsej 1700 nxënës, ndërsa 140 prej tyre u takojnë paraleleve turke.