Policia e Kosovës ka arrestuar 12 persona lidhur me vrasjen në Bajë të Malishevës, ndërsa një person ende është në arrati. Në njoftimin e policisë, thuhet se si provë materiale janë konfiskuar edhe dy armë automatike kallashnikovë dhe disa revole.

Po ashtu, sipas burimeve policore, shumica e të arrestuarve janë nga fshati Carrallukë e Malishevës, të afërt të ish-kryetarit të Malishevës, Gani Krasniqi, i cili në zgjedhjet nacionale të 12 dhjetorit ishte kandidat i Vetëvendosjes për deputet.

Dëshmitarë të ngjarjes kanë rrëfyer tmerrin e natës së 1 janarit, kur rreth 15 persona kanë hyrën në ambientet e restorantit, kanë rrahur viktimat e më pas kanë shtënë me armë.

Mediat raportojnë se i vrari, Skender Limaj është qëlluar në sy të tre fëmijëve të tij, dy djemve dhe një vajze, që të gjithë të vegjël. Dy të plagosurit e tjerë janë i vëllai i tij, Azem Limaj dhe nipi, Ilir Limaj.

Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas kësaj ngjarje, duke e cilësuar atë si krim të rëndë, me pasoja tragjike për familjen e të vrarit dhe të plagosurve. Ajo ka kërkuar që të mos politizohet ngjarja. “Sot, më tepër se kurrë, është e nevojshme të mos e humbim kthjelltësinë si shoqëri dhe të dallojmë se ku janë problemet e vërteta të Kosovës. Problemet personale nuk duhet të politizohen dhe as problemet politike nuk duhet të personalizohen”, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje e dënon këtë akt që rezultoi me një vrasje dhe dy plagosje, shpreh keqardhjen e saj, si dhe ngushëllimet për familjen e të vrarit dhe të plagosurve.

Ky reagim i kësaj lëvizje vjen pas akuzave të ndërsjella që kanë ndodhur ndërmjet degës së saj në Malishevë dhe asaj të PDK-së për zgjedhjet e fundit të 12 dhjetorit.