Konferenca Shkencore: "Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit"
Durrës, më 15, 16 dhe 17 dhjetor 2010
PËRFUNDIME
Konferenca Shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, me pjesëmarrjen e specialistëve nga tërë hapësira shqiptare, i zhvilloi punimet më 15-17 dhjetor në Durrës.
Konferenca u zhvillua në pesë sesione. Në secilin sesion u paraqitën dy referate që sollën trajtime të thelluara të temës së sesionit, si dhe një numër prej pesë deri shtatë kumtesash që u përqendruan në problemet e veçanta. Mbi referatet dhe kumtesat e paraqitura në sesione u zhvilluan diskutime në përfundim të çdo sesioni, në të cilat diskutuesit sollën argumentet e tyre në mbrojtje, në kundërshtim, ose në specifikim të problemeve të veçanta.
Pesë sesionet patën përkatësisht këtë tematikë:
I - Historia e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni;
II - Probleme gramatikore të standardit;
III - Probleme të drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit;
IV - Marrëdhëniet e standardit me dialektet. Norma leksikore;
V - Standardi dhe norma letrare (letërsia, shkolla, mediat).
Konferenca i zhvilloi punimet në frymën e një debati konstruktiv dhe bashkëpunues, i karakterizuar nga profesionalizmi shkencor dhe, përgjithësisht, nga interesi për të dëgjuar argumentet e kolegëve dhe për të qenë i hapur ndaj tyre.
Konferenca arriti në përfundimet e mëposhtme:
1) Megjithëse u vendos në një epokë të ngarkuar me ideologji dhe me mungesë të lirisë shkencore, standardi gjatë gjithë këtyre viteve e ka dëshmuar vlefshmërinë e tij.
2) Praktika e përdorimit të shqipes standarde në këto dyzet vjet dëshmon se shqipja, ashtu si të gjitha gjuhët e lëvruara, ka nevojë që t’i nënshtrohet periodikisht një shqyrtimi shkencor lidhur me funksionimin e sistemit në të gjitha segmentet.
3) Është e nevojshme që të shqyrtohen më tej disa rregulla të drejtshkrimit, me qëllim njësimin e tyre dhe shmangien e konflikteve të krijuara si pasojë e zbatimit të dy parimeve të ndryshme njëherësh (atij fonetik dhe atij morfologjik). Në mënyrë të veçantë, drejtshkrimi i zanores -ë ka nevojë për rishqyrtim.
4) Të rishikohet përdorimi i shkronjës së madhe, drejtshkrimi i emrave të huaj të
përveçëm, si dhe drejtshkrimi i toponimeve.
5) Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme.
6) Të thellohet puna për begatimin, njësimin dhe kodifikimin e terminologjisë në të gjitha fushat.
7) Në sistemin morfologjik, të rishqyrtohet formimi i shumësit të emrave, për një
saktësim të mëtejshëm paradigmatik, duke synuar njësimin dhe shmangien e
përjashtimeve të shumta.
8) Të studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes.
9) Studimet dhe hulumtimet të jenë të hapura edhe në fushën e sintaksës.
10) Nxënia e shqipes në shkollë, në të gjithë hapësirën shqiptare, ka shfaqur vështirësi dhe probleme, ndaj propozohet përmirësimi i kurrikulave, i teksteve, i metodave të mësimdhënies, si dhe aftësimi i mëtejshëm i mësuesve të gjuhës amtare.
11) Në konferencë u shfaqën edhe shumë mendime e teza të veçanta lidhur me standardin dhe me përdorimin e shqipes. Konferenca dëshmon se debati për çështjet e normës së shqipes dhe të përdorimit të saj është një debat pjellor, i cili e pasuron mendimin gjuhësor shqiptar dhe hap perspektiva studimore e kërkimore të domosdoshme për etapën e sotme të zhvillimit të shqipes.
12) Krijimi i Këshillit Mbarëshqiptar për Gjuhën, me statusin e personit publik, mund të jetë një rrugë e mirë për t’u gjetur zgjidhje çështjeve të rëndësishme të politikave gjuhësore, të planifikimit të gjuhës, dhe të strategjisë për zhvillimin dhe mbrojtjen e shqipes.
Komisioni Shkencor i Konferencës vlerëson se konferenca i mbylli punimet me sukses dhe se, në perspektivën e përfundimeve më sipër, duhet vijuar me studime të thelluara për çështje të veçanta, si dhe duhen gjetur mënyrat dhe mundësitë që puna e nisur të vazhdojë në mënyrë periodike, në përputhje edhe me porosinë e dalë nga Kongresi i Drejtshkrimit, në të cilin u sanksionua kodi normativ i shqipes:“Struktura e sotme e gjuhës letrare është e hapët e do të mbetet e tillë. Përndryshe zhvillimi i gjuhës letrare do të ndërpritej. Ai që ne
quajmë ‘kristalizimi përfundimtar i normës’ në të vërtetë nuk është kurrë përfundimtar, i përjetshëm, statik; ai duhet kuptuar si vendosje e një qëndrueshmërie tipike, por relative të normës, e cila është dinamike, zhvillohet e përsoset.”
Komisioni Shkencor i Konferencës:
Prof. Dr. Ardian Marashi, kryetar
Akademik Kolec Topalli, anëtar
Akademik Ethem Likaj, anëtar
Prof. Dr. Imri Badallaj, anëtar
Prof. As. Dr. Valter Memishaj, anëtar
___________
Lista e plotë e pjesëmarrësve në Konferencë:
Abdulla Ballhysa - Universiteti i Elbasanit
Agron Duro - QSA Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë
Ali Jashari - Universiteti i Korçës
Aljula Jubani - Fakulteti Histori-Filologji, UT
Anila Omari - QSA, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë
Ardian Klosi - Albanolog, përkthyes
Ardian Marashi - QSA, Tiranë
Ardian Vehbiu - Gjuhëtar, SHBA
Asllan Hamiti - Universiteti i Shkupit
Bahri Beci - Akademia e Shkencave, Tiranë
Bahtiar Kryeziu - Universiteti i Prishtinës
Bardh Rugova - Universiteti i Prishtinës
Bardhyl Demiraj - Universiteti i Mynihut, Gjermani
Besim Bokshi - Akademia e Shkencave dhe Arteve, Prishtinë
Besim Kabashi - Universiteti i Nurenbergut, Gjermani
Blertë Ismajli - Universiteti i Prishtinës
Çlirim Bidollari - QSA, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë
David Luka - Gjuhëtar
Enver Muhametaj - QSA, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë
Ethem Likaj - Akademia e Shkencave, Tiranë
Ferdinand Leka - Gjuhëtar, përkthyes
Hasan Mujaj - Universiteti i Prishtinës
Haxhi Shabani - Gjuhëtar, Mali i Zi
Imri Badallaj - Universiteti i Prishtinës
Jorgji Gjinari - Gjuhëtar
Julia Mai-Kolgjini - Universiteti Amerikan i Kosovës
Kolec Topalli - Akademia e Shkencave, Tiranë
Ledi Shamku-Shkreli - Gjuhëtare
Lindita Rugova - Universiteti i Prishtinës
Mehmet Celiku - Gjuhëtar
Mehmet Elezi - Leksikograf, shkrimtar
Mimoza Kore - Fakulteti Histori-Filologji, UT
Mustafa Ibrahimi - UEJL, Tetovë
Rexhep Ismajli - Akademia e Shkencave dhe Arteve, Prishtinë
Rrahman Paçarrizi - Universiteti i Prishtinës
Seit Mansaku - QSA, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë
Shkumbin Munishi - Universiteti i Prishtinës
Tomor Plangarica - Instituti i Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale, Paris
Valter Memisha - QSA, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë
Wilfried Fiedler - Gjuhëtar, albanolog, Gjermani
Krijoni Kontakt