ERE vendos: Të mos rritet më çmimi i energjisë

Enti Rregullator i Energjisë nuk e ka miratuar kërkesën e kompanisë “CEZ Shpërndarje”, Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, si dhe Operatorit të Transmetimit për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike gjatë vitit të ardhshëm.

Ky vendim është i vlefshëm si për konsumatorët familjarë, ashtu edhe për bizneset.

“Bordi Komisionerëve i Entit Rregullator të Energjisë, në mbledhjen e tij të sotme, vendosi që të miratojë të njëjtën strukturë tarifash për çdo grup të klientëve tarifore si ajo ekzistuese.

ERE edhe përgjatë vitit 2011 vendosi të ruajë të njëjtat çmime, si dhe sistemin tarifor me dy blloqe si një masë tranzitore duke lënë në fuqi një çmim prej 7.70 lekësh për kilovat/orë për konsumin deri 300 kilovat/orë dhe për konsumin mbi 300 kilovat/orë një cmim prej 13.50 lekë”, citon deklarata e lëshuar nga ERE lidhur me një fakt të tillë.

Ndërkaq, ERE ka shtuar se kjo strukturë dekurajon shfrytëzimin e energjisë elektrike për ngrohje dhe gatim dhe këto dy shërbime mund të garantohen nga burime alterantive me kosto konkurruese.

“Gjithashtu, mbajtja e një strukture të tillë është kërkuar me këmbëngulje dhe nga të gjitha palët e interesuara: Shoqata e Konsumatorëve, Avokati i Popullit, METE etj”, citon më tej deklarata e ERE-së.

Në fund, Enti Rregullator i Energjisë sqaron se në këtë vendimmarrje, ai ka synuar që të vendosë ekuilibrat ndërmjet interesave të investitorëve, konsumatorëve dhe shtetit, duke përcaktuar çmime të përballueshme nga konsumatorët e të gjitha kategorive.

Si edhe të lejojë kompanitë që të kryejnë investimet dhe të marrin të ardhurat e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

ABC