Monarkia Habsburge ndaj Shqipërisë


Kurt Gostentschnigg |

28/11/2010


Roli i Austro-Hungarisë në historinë e Shqipërisë 1867-1918 për arritjen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë. Zgjerimi i influencës së saj politike, ekonomike dhe kulturore mbi vendin e vogël në periferinë e saj jugore në formë të një imperializmi informal. Një marrdhënie komplekse e interpretuar ndryshe në kohën e komunizmit



Hyrje
Kur flasim për rolin e Austro-Hungarisë në historinë e Shqipërisë, atëherë bëhet fjalë për marrëdhëniet austro-shqiptare në fusha të ndryshme si ajo e politikës, tregtisë, kulturës dhe shkencës, sidomos që nga Kongresi i Berlinit deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Në vijim dua të jap me fjalë sa më të thjeshta një përmbledhje të shkurtër të këtyre marrëdhënieve komplekse, të cilat tashmë në pjesën më të madhe janë studiuar në hollësi, për të dhënë një konkluzion të mundshëm lidhur me cilësinë e tyre.


Politika
Interesat politike të Austro-Hungarisë në trojet shqiptare kuptohen më mirë, në qoftë se ndjekim rrugën e Monarkisë Dualiste nga sferat e saja të vjetra të interesit në Lidhjen Gjermane dhe në Itali deri në interesat e saja vitale në Evropën Juglindore. Mënjanimi i saj nga Gjermania dhe Italia si dhe hegjemonia e Rusisë në Evropën Lindore çuan në përqendrimin e politikës së jashtme të Monarkisë Habsburge në Gadishullin Ballkanik. Koha nga Kongresi i Berlinit deri në Luftërat Ballkanike karakterizohet nga një humbje e vazhdueshme e ndikimit austro-hungarez mbi shtetet sllave në Ballkan.


Monarkia Dualiste, e interesuar në Status Quo-n e pushtetit politik dhe ushtarak, e përkrahte Perandorinë Osmane kundrejt pretendimeve të shteteve ballkanike sllave dhe aleatit të tyre Rusisë. Në vitin 1913, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, Austro-Hungarisë i kishte mbetur vetëm Shqipëria, sapo e njohur ndërkombëtarisht si shtet i pavarur, si aleate e vetme kundër pansllavizmit nga njëra anë dhe kundër imperializmit italian në anën tjetër. Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse në Konferencën e Ambasadorëve në Londër diplomacia vjeneze, krahas me atë italiane, i ka mbështetur fuqimisht interesat shqiptare lidhur me çështjet parimore të statusit ndërkombëtar, të vendosjes së kufijve dhe të organizimit të shtetit të ri. Prandaj ne mund të pohojmë se territoret shqiptare, nga pikëpamja strategjike, kanë pasur një rol kyç në politikën e Austro-Hungarisë ndaj Ballkanit.


Tregtia
Prapambetja relative e ekonomisë austro-hungareze në krahasim me vendet industriale të Evropës Perëndimore si dhe krizat e saja strukturore kanë qenë shkaqet për përqendrimin e politikës tregtare dhe komunikative të Monarkise Danubiane në drejtim të Evropës Juglindore. Por edhe në këtë fushë koha nga Kongresi i Berlinit deri në fillim të Luftës së Parë Botërore karakterizohet nga një mënjanim i vazhdueshëm i Austro-Hungarisë nga pozicionet e saja të hershme tregtare. Si përfundim ajo luftonte me Italinë për kontrollin mbi rrugët detare dhe tokësore drejt Selanikut për të siguruar epërsinë komerciale dhe strategjike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst territoret shqiptare kishin një rëndësi vendimtare.


Tregtia me Shqipërinë zhvillohej me anë të linjës detare "Lloyd" dhe nëpërmjet portit të Triestes. Shembuj për aspiratat ekonomike të Monarkisë Habsburge ndaj Shqipërisë janë ndër të tjera shoqata austriake "Komiteti për Shqipërinë" dhe konvikti për nxënësit shqiptarë në Vjenë.


Shoqata austriake për mbështetjen e Shqipërisë, e quajtur shkurt "Komiteti për Shqipërinë", u themelua në Qershor të vitit 1913 në Vjenë me ndihmën e Ministrisë së Jashtme. Anëtarët ishin përfaqësues të njohur nga politika, ekonomia, financa dhe publicistika. Qëllimet e shoqatës qëndronin në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare, sigurimin e tregjeve për shitje dhe konsolidimin ekonomik të Shqipërisë. Shoqata kishte një seksion ekonomik, letrar, shkencor dhe humanitar dhe zhvillonte udhëtime studimore në Shqipëri.


Konvikti për nxënësit shqiptarë u themelua më 1908 në Vjenë me nismën e konsujve austriakë të Shkodrës dhe me ndihmën e Ministrisë së Jashtme dhe të Tregtisë. Deri në fund të Luftës së Parë Botërore ai strehonte gjithsej 80 nxënës dhe studentë, të cilët arsimoheshin falas nëpër gjimnaze, shkolla dhe universitete profesionale.



Protektorati i Kultus-it
Nga luftërat fitimtare të Habsburgëve kundër Osmanëve që nga fillimi i shekullit të 17-të deri në Kongresin e Vjenës rezultoi i ashtuquajturi "protektorat i kultus-it" i Austrisë, d.m.th. e drejta e mbrojtjes së të gjithë katolikëve, më vonë të gjithë të krishterëve të Perandorisë Osmane. Detyrat zyrtare e protektoratit të kultus-it ishin ngritja dhe mirëmbajtja e kishave, arsimimi i klerit dhe mbrojtja e kongregacioneve në Shqipëri. Në këtë kuadër që në shekullin e 18-të Austria filloi të hapte konsullata dhe zëvendëskonsullata në Shqipëri.


Detyrat zyrtare të konsullatave dhe zëvendëskonsullatave ishin veprimtaria humaniste, përmirësimi i nivelit të arsimit, përkrahja e zhvillimit kombëtar dhe shpërndarja e parave. Mirëpo, jozyrtarisht protektorati i kultus-it përdorej si një mjet i ndikimit mbi popullsinë shqiptare: nga njëra anë konsujt austriakë u jepnin ryshfet klerikëve katolikë dhe bajraktarëve për të fituar simpatitë e tyre; nga ana tjetër ndërtoheshin dhe subvencionoheshin shkolla në gjuhën gjermane dhe jepeshin bursa për ndjekjen e shkollave të mesme, profesionale dhe të larta në Austri, jo vetëm për t'i arsimuar të rinjtë shqiptarë, por edhe për t'i lidhur ata me kulturën dhe ekonominë austriake.


Albanologjia
Në fushën e shkencës marrëdhëniet austro-shqiptare ishin të tilla që studiuesit austriakë, hungarezë, çekë dhe të tjerë udhëtonin në trojet shqiptare për të hulumtuar vendin dhe popullin. Konsulli dhe studiuesi Johann Georg von Hahn mbahet ende sot si "Babai i Albanologjisë", i cili me "Studimet e tija shqiptare" ka hedhur bazën gati për të gjitha disiplinat e mëvonshme albanologjike. Gjuhësia pati kulmin e parë tashmë në gjysmën e dytë të shek. 19 me Gustav Meyer-in. Historia, etnografia dhe gjeografia u lulëzuan në fillim të shek. 20, kur lindi edhe arkeologjia. Shkenca austro-hungareze, e cila ndër të tjera dha një kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës shqipe dhe në sqarimin e vështirë të çështjes së etnogjenezës shqiptare, mbizotëronte brenda albanologjisë me përfaqësues si Johann Georg von Hahn, Gustav Meyer, Maximilian Lambertz, Norbert Jokl, Franz Baron Nopcsa, Milan von Šufflay dhe të tjerë.


Me nismën e Ministrisë së Jashtme u themelua në vitin 1908 "Instituti i Ballkanit" në Sarajevë për të përballur më mirë konkurrencën italiane në eksplorimin e Evropës Juglindore. Ky institut shkencor u përkrah gjithashtu nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Tregtisë dhe ishte shprehja e pretendimit të Austro-Hungarisë për të marrë përsipër rolin udhëheqës në studimet ballkanike. U krijuan vendet e punës për fushat e veçanta të ballkanologjisë. Studiuesit shkuan në terren dhe në arkiva për të mbledhur materiale dhe informacione. Pastaj ata i përpunuan nëpërmjet një aparati shkencor, i cili qëndronte në një bibliotekë, arkiva të ndryshme dhe një koleksion hartash. Materialet e mbledhura dhe rezultatet e kërkimeve u botuan në revistën e Institutit në rubrika të ndryshme si udhëtime, burime, studime dhe bibliografi.


Akademitë e Shkencave në Vjenë dhe Budapest kanë ndërmarrë ekspedita kërkimore në bashkëpunim me ministri të ndryshme dhe me ushtrinë tashmë para dhe sidomos gjatë Luftës së Parë Botërore, kur pjesa më e madhe e Shqipërisë ka qenë e pushtuar nga Ushtria Austro-Hungareze. Dua të përmend këtu vetëm gërmimet arkeologjike të shumta dhe regjistrimin e parë të popullsisë nga Franz Seiner-i në vitin 1918. Por kishte gjithashtu ekspedita botanike, zoologjike, gjeologjike dhe të tjera.


Konkluzioni: imperializëm informal në bazë të dhunës strukturore
Pra, që nga Kongresi i Berlinit mund të konstatohet një interes i veçantë i Austro-Hungarisë për territoret shqiptare me pasojë të intensifikimit të marrëdhënieve austro-shqiptare në fushat përkatëse si politikë, tregti, kulturë dhe shkencë. Historiografia shqiptare në kohën komuniste flet për një imperializëm austro-hungarez në kurriz të lëvizjes kombëtare shqiptare. Historiografia perëndimore të asaj kohe anon nga lavdërimi i rolit të Austro-Hungarisë si ndihmëse për zhvillim.


Fakt është se Austro-Hungaria ka luajtur një rol të rëndësishëm për arritjen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë, duke synuar njëkohësisht sigurimin dhe zgjerimin e influencës së saj politike, ekonomike dhe kulturore mbi vendin e vogël në periferinë e saj jugore në formë të një imperializmi informal në bazë të një dhune strukturore.


Këta terma janë krijuar nga studiuesi suedez i konfliktit dhe i paqes Johan Galtung dhe kanë nevojë për një sqarim të shkurtër. "Imperializëm informal" ose i tërthortë do të thotë një gjendje me marrëdhënie të pabarabarta pushteti midis një qendre dhe periferisë së saj. Shqipëria për shembull ka qenë jo vetëm pjesë e periferisë së Perandorisë Osmane, por edhe pjesë e periferisë së Monarkisë Dualiste, në qoftë se e konsiderojmë si pjesë të zonës së influencës austro-hungareze në Ballkan. Gjatë viteve të pushtimit austro-hungarez të pjesës më të madhe të Shqipërisë në Luftën e Parë Botërore kjo formë imperializmi kalonte në një imperializëm formal, d.m.th. të drejtpërdrejtë.


Termi "dhunë strukturore" do të thotë se dhuna ushtrohet nga sistemi ose struktura në mënyrë të tërthortë kundër një individi ose një grupi individësh.
Shembuj për imperializmin informal në bazë të dhunës strukturore lidhur me marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe shqiptarëve në trojet e tyre janë ndër të tjera protektorati i kultus-it dhe albanologjia austro-hungareze. Të parin e kam trajtuar më sipër edhe në këtë aspekt. Të dytin dua ta shtjelloj pak më në hollësi. Eksplorimi i territoreve shqiptare dhe i popullsisë së tyre ka qenë me rëndësi të madhe në kuadër të marrëdhënieve reciproke.


Kjo vërtetohet nga burimet historike dhe nga pohimet e historiografisë. Rezultatet shkencore të punës së Institutit të Ballkanit në Sarajevë dhe të ekspeditave të Akademive të Shkencave janë shfrytëzuar për qëllime politike, komerciale dhe strategjike. Albanologjia është përdorur si mjet i ushtrimit të dhunës strukturore në kuadër të imperializmit informal. Megjithatë nuk ka pasur një program konkret politik, por vetëm një nxitje të albanologjisë nga ana e shtetit. Dy vitet e pushtimit ushtarak gjatë Luftës së Parë Botërore kanë qenë kalimi në një imperializëm formal bazuar në bashkëpunimin midis shkencës dhe ushtrisë.


Koha midis dy Luftërave Botërore
Në kohën midis dy Luftërave Botërore, Austria e vogël si pjesë e mbetur gjermanishtfolëse nga perandoria e madhe austro-hungareze ishte e zënë me problemet e veta në radhë të parë ekonomike, por edhe politike e shoqërore. Për këtë arsye ajo nuk mund të ishte më një faktor gjeopolitik në hapësirën e Evropës Juglindore, ku ajo kishte humbur të gjitha zonat e saja të influencës nga koha e Monarkisë. Kështu Austria nuk mund të ndikonte më drejtpërdrejt politikën e Shqipërisë, por vetëm në mënyrë të tërthortë - dhe ndoshta edhe të pavetëdijshme - nëpërmjet shkencës dhe arsimit.


Interesimi shkencor i shteteve pasuese të Perandorisë Habsburge ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve humbi, por jo ai i albanologëve si individë. Mjafton të përmendim këtu vetëm vazhdimin e punës së Nopcsa-s, Šufflaj-it, Jokl-it, Lambertz-it etj.. Natyrisht që mungesa e mbështetjes së tyre financiare nga ana shtetërore kishte efektin e vet negativ në angazhimet e albanologëve austriakë, hungarezë, çekë dhe kroatë. Por puna e tyre e pasur përgatitore që në kohën para vitit 1918 u mundësonte të botonin ende vite me radhë vepra të mëdha albanologjike.


Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, mbi më shumë sesa 350 shqiptarë dhe shqiptare nga të gjitha vendbanimet shqiptare kanë studiuar në universitetet e Austrisë. Për shembull studentët dhe intelektualët shqiptarë në Graz, ndër aktivitetet e tyre të tjera kulturore, botuan në vitin 1922 revistën "Minerva". Pasi ishin kthyer në atdhe, ish-studentët shqiptarë të Austrisë dhanë kontributin e tyre në të gjitha fushat e jetës në ndërtimin e shtetit dhe në zhvillimin e vendit.


Prandaj ne mund të themi se ajo Austri e vogël, për shkak të problemeve të saja të shumta, ka pasur vetëm meritën e ndikimit të tërthortë në krijimin e mëvonshëm të albanologjisë shqiptare dhe në organizimin modern të Shqipërisë.

shekulli
..