Qeveria funksionon vetëm për interesa të PDK-së
Aleanca Kosova e Re vlerësoi të martën se roli i Qeverisë në shkarkim, vazhdon të funksionojë vetëm për interesa të Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos kursyer tërë makinerinë shtetërore në funksion të kësaj partie.
Përfaqësues të AKR të martën në një konferencë për media pohuan se shkeljet e konfirmuara nga Gjykata Kushtetuese me rastin Sejdiu, ato të Kryeministrit Thaçi në rastin Qeska, vazhdojnë në masë edhe nga ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
“Krasniqi është pjesë e pandarë e fushatës zgjedhore të PDK-së, dhe në asnjë formë ose mënyrë nuk e mban veten në rolin të cilin është duke e ushtruar”, theksuan përfaqësues të AKR-së.
Sipas kësaj partie, Qeveria me mandatin e skaduar, nuk po mban vijimësinë e jetës institucionale, por po e shfrytëzon prezencën në institucione shtetërore për interesa partiake. “Së pari largimi i LDK nga Qeveria la shumë sektorë të ndejshëm pa mbikëqyrje dhe menaxhim. Rasti i djeshëm ku pacientët e sëmurë nga kanceri në mungesë të nënshkrimit nga ministri i Shëndetësisë mbetën pa terapinë e domosdoshme”.
Së fundmi, sipas kësaj partie Qeveria në shkarkim, shfrytëzon fushatën të sjellë vendime ‘ad-hoc’, të sjellë premtime pa mbulesë dhe lojë me emocionet e shtresave të margjinalizuara.
“Rritja pa mbulesë e pagave të mësimdhënësve, tregon për joseriozitetin dhe cinizmin e Qeverisë në shkarkim e cila është në gjendje të luaj me emocionet e njerëzve për interes politik afatshkurtër. Buxheti për vitin 2011 nuk është i miratuar dhe nuk ka të hyra të mbulojnë rritjen e prezantuar nga Qeveria në shkarkim”.
AKR i rikujtoi Qeverisë dhe Kryeministrit në largim se të njëjtat premtime i kanë dhënë edhe para tri viteve, kur iu premtuan pensionisteve Ligjin mbi pensionet, ndërsa ende edhe pas tri viteve ata janë kategori e jashtëligjshme.
AKR pranoi rezultatin preliminar të zgjedhjeve në Rahovec, ndërsa pohuan se kjo parti mbetet e përcaktuar në inkuadrimin për gjetjen e zgjidhjes së problemit ekonomik në të cilin gjendet kjo komunë. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt