Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Baleta: Ne nënat e studentëve të grevës, te Ramizi

    Baleta: Ne nënat e studentëve të grevës, te Ramizi

    » Dërguar më: 04/11/2010 - 14:08

    Gilmana Bushati

    Flutura Baleta, tregon se si një grup prej 15 grash, të gjitha nëna të studentëve, që ishin në grevën e urisë në qytetin Studenti, më 20 shkurt të 1991-it kërkuan që të takonin Ramiz Alinë. Në këtë intervistë, ajo tregoi sesi u kërkua që "nënat të shkonin te Ramiz Alia", se kush i priti në presidium dhe a i erdhi në takim sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Baleta, e cila njihet edhe si bashkëshortja e Abdi Baletës, thekson se në qytetin Studenti ajo kishte shkuar se ishte e shqetësuar për shëndetin e së bijës, Teutës, që ishte në grevë si dhe për një lajm që qarkullonte nëpër Tiranë, se qeveria kishte vendosur ta shpërndante grevën e urisë me anë të tankeve.

    Zonja Flutura, më shkurt 1991 ishit në qytetin Studenti, ku po zhvillohej greva e urisë e studentëve. Pse shkuat atje?

    Vajzën e kishim në grevë urie dhe isha e shqetësuar si për gjendjen e saj shëndetësore, ashtu dhe për fjalët që dëgjoheshin në ato ditë se do t'u hynin studentëve me tanke. Ishte dita e tretë e grevës së urisë, data 22 shkurt 1991. Isha mësuese fizike në shkollën e mesme të 'Gjuhëve të Huaja' dhe kolektivi i shkollës ashtu si të gjitha ndërmarrjet e tjera, shkolla, universitete dhe kolektive të tjera, pak përjashtime, u gjendën atë ditë në oborrin e qytetit Studentit. Ne shkuam atje për t'i mbështetur studentët, por edhe se ishim të shqetësuar për fëmijët tanë, nuk dinim asgjë se çfarë do t'u ndodhte atyre.

    Kur dhe si ndodhi që ju të shkonit te Ramiz Alia?

    Do të ketë qenë ora 10 apo 11 e paradites, njerëzit ishin me qindra në qytetin Studenti, kishte aq shumë saqë mezi rrihej. Njerëzit përreth hidhnin parulla, kur dikush nga turma, nuk e di se kush ishte tha: "të shkojnë nënat te Ramiz Alia". Kaq u desh që të organizoheshim ne që ishim aty. Së bashku me mua ishin dhe dy kolege, Loreta dhe Afërdita, mësuese këto te gjimnazi 'Partizani' dhe vendosëm të shkonim, pasi këto dy koleget e mia kishin djemtë në grevën e urisë. Ngaqë kishte shumë njerëz dhe mezi lëvizje, dikush bërtiti sërish: "t'u hapet rrugë që të kalojnë nënat". Dhe menjëherë u bë një korridor i ngushtë ku kaluam vetëm ne gratë që vendosëm të shkonim te Ramiz Alia. U bëmë rreth 15 veta. Ndër ta ishte një nënë nga Berati, ajo kishte një djalë sportist që vazhdonte edhe shkollën. Më vonë ajo mësoi se djali i ishte shtruar në urgjencën e spitalit, por në atë moment nuk e dinte. Ishte një nënë nga Shkodra që kishte vajzën pedagoge, që ishte futur në grevë urie dhe disa të tjera që nuk i njihnim.

    Iniciativa ishte e përgatitur apo spontane dhe cili ishte qëllimi i takimit me sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PP-së?

    Kjo iniciativë ishte krejtësisht spontane dhe u ndërmor vetëm nga shqetësimi, që prindërit kishin për fëmijët që kishin hyrë në grevë. Ne si familje ishim të shqetësuar për vajzën (Teuta), në ditët e grevës kemi qëndruar të një kushëri që e kishte shtëpinë pranë Qytetit Studenti dhe nuk largoheshim dot prej aty. Qëllimi i takimit ishte se donim të dinim se pse qeveria nuk po e zgjidhte situatën.

    Më pas çfarë ndodhi?

    Arritëm të dalim nga qyteti i Studentit. Një pjesë të rrugës e kemi bërë me nxitim. Na u desh të kapërcenim disa blloqe betoni, sepse pas hapjes së ambasadave ishin vënë disa blloqe betoni pranë disa prej ambasadave. Pasi kaluam edhe këto u drejtuam për nga presidiumi, ku sot gjendet presidenca. Kërkuam nga një roje që të hynim brenda dhe ata na drejtuan te një hyrje tjetër. Ne hymë në një vend që dukej si vend pritjeje për popullin. Aty gjetëm një zyrtar i cili na kërkoi arsyen e kësaj vizite. Pasi dëgjoi ankesat na i mori me radhë emrat në shënim. Besoj se lista do të ekzistojë në arkivat e këtij institucioni.

    Kush erdhi për t'ju takuar?

    Fillimisht erdhi një jurist, i cili na tha se duhej të prisnim pak minuta. Kemi pritur rreth 30 minuta. Në vend të Ramiz Alisë në atë dhomë erdhën Eleni Selenica, nënkryetare e Gjykatës së Lartë, Sihat Tozaj, sekretar presidiumi, Lumturi Rexha kryetarja e Bashkimit të Grave të Shqipërisë. Në fakt, ata u sollën shumë mirë me ne. Ne i thamë edhe njëherë: "kemi nevojë të takojmë Ramiz Alinë, ai duhet të merret me popullin e vet para se të merret me krizën në Gjirin Persik", pasi qëlloi që në atë kohë gazetat e partisë shkruanin shumë për këtë krizë. Ata na thanë që Ramiz Alia është në një mbledhje qeverie, se nuk mund të lëvizë për momentin dhe gjithçka që u kishim thënë atyre do t'ia relatonin atij. Siç edhe na u tha më vonë, në atë mbledhje ishte diskutuar për ndërhyrjen me tanke në qytetin Studenti për të nxjerrë studentët nga greva. Në fakt, me ta ne nuk bëmë ndonjë debat, thjeshtë donim që të dinim si do të zgjidhej problemi ynë, ndërsa ata gjithnjë na thoshin "prisni se do të vijë".

    Pasi nuk erdhi Ramiz Alia iu larguan apo u larguat vetë?

    Nuk biseduam më me ta. U larguam vetë të revoltuar që s'mundëm të transmetonim kërkesat tona Ramiz Alisë.

    Ku shkuat pas daljes nga presidiumi?


    Ne dolëm të gjitha jashtë, por sa dolëm, pamë një mobilizim të menjëhershëm të ushtarëve që ruanin presidiumin. Të gjithë u bënë gatitu me armë lart. Neve na u dukë sikur gjithë ky mobilizim i ushtarëve, edhe nga krahu i bulevardit, ishte për ne, prandaj u frikësuam. U kapëm me njëra-tjetrën për krahu dhe kaluam të gjitha për nga stadiumi 'Qemal Stafa'. Kur ishim shumë afër stadiumit, 2-3 ushtarakë që ruanin Kuvendin, na u afruan dhe na kërkuan që të ndalonim. Ata na thanë që Ramizi ishte kthyer nga mbledhja dhe mund të shkoni për ta takuar. Unë u thashë se "nuk kemi pse kthehemi, do shkojmë te fëmijët tanë".

    Ju shkuat të gjitha te qyteti i Studentit?

    Për të shkuar te qyteti i Studentit u bë e vështirë. Në gjithë rrugën e "Elbasanit" kishte gjithandej turma me ushtarë të armatosur. E kemi bërë rrugën duke hyrë në kopshtet e shtëpive private për të kaluar rrugën e "Elbasanit", e për të dalë te vendi ku sot gjendet ambasada amerikane. Në atë pikë pamë turmën e madhe të njerëzve që po zbriste poshtë drejt Liceut Artistik. U alarmuan pasi dëgjuam të shtëna armësh. Nga grupi i 15 grave që ishim mbetëm shumë pak, pasi të tjerat u shpërndanë. Vetëm dy tre veta arritëm deri te Qyteti Studenti dhe ishim të frikësuara se mos ishte sulmuar me tanke vendi ku fëmijët tanë ishin në grevë urie. Shkuam aty, por asgjë nuk kishte lëvizur. Përveç njerëzve, ishte boshatisur sheshi që para pak orësh ishte plot me njerëz.
    Në orën 13.55 vjen një djalë i ri me motor që thirri me të madhe "u rrëzua, u rrëzua". Ne pyetëm se "kush u rrëzua, qeveria?" "Jo statuja e diktatorit". Pashë një djalë nga dera e Turdive, e cila është persekutuar gjatë gjithë kohës, që çau me dënesë.

    Pas këtij lajmi a dolën studentët nga greva?

    Kur u mor vesh ky lajm ata filluan të thërrisnin e të hidhnin parulla. Në ato momente nuk kishte ushtarë rreth e rrotull. Tek- tuk mund të shihej ndonjë polic. Pas pak minutash pamë që të vinim drejt qytetit Studenti një turmë e madhe njerëzish. Në sheshin ku gjendej vendi ku po bëhej greva dallova njerëz të sigurimit që ishin të shqetësuar për grumbullimin që po vinte sipër. Grumbulli i njerëzve solli me vete kokën e statujës, e cila ishte shkëputur nga trupi. Koka gjendej mes turmës, dhe si në një ceremoni mortore filluan të shpërndaheshin cigare. Por, studentët nuk dolën menjëherë nga greva e urisë. Kështu që na u desh të rrinim sërish aty te ajo hapësira aty. U desh të shkonte ora 20.00 ku në lajmet kryesore të 'Radio Televizionit Shqiptar', u mësua se qeveria kishte vendosur të plotësonte një nga kërkesat e studentëve, heqjen e emrit të Enver Hoxhës, Universitetit të Tiranës. Edhe pse dita kishte filluar me diell në darkë filloi një shi i madh, vetëm në atë moment morëm vajzën tonë, ashtu si shumë të tjerë dhe shkuam të qetë në shtëpi.

    gsh.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Si i nxorën prindërit fëmijët nga greva

    Si i nxorën prindërit fëmijët nga greva

    » Dërguar më: 04/11/2010 - 14:07


    Po botojmë tre dëshmi nga studentët e vitit 1991, që morën pjesë në grevën e urisë, zhvilluar në qytetin e Studentit. Krasniqi flet për hartimin e saktë të listës së studentëve që morën pjesë në këtë grevë, që edhe pse është plotësuar disi, nuk është ende e plota dhe e vërteta. Ervin Shvarc, djali i përkthyesit të mirënjohur dhe poetit Robert Shvarc, tregon se si iu bashkuan grevës së studentëve qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria. Shvarc shprehet në një farë mënyre i zhgënjyer se greva e urisë donte të rrëzonte mite të pamerituara dhe jo për të ngritur mite të tjera. Ardi Stefa, njeriu që është marrë me hartimin e listës së studentëve, që ishin në grevë thekson ndër të tjera se PD-ja në fillim ishte kundër grevës së urisë. Ajo u bashkua me studentët pothuajse në ditët e fundit, pikërisht në momentin që populli u bashkua me studentët. Shkëpusim disa pjesë të këtyre dëshmive, të botuar më parë në libra dhe në media.

    Fundi i Siberisë
    Afrim Krasniqi


    Në ditën e parë të grevës, të gjitha fakultetet bënë një regjistrim të studentëve pjesëmarrës. Numri i përgjithshëm i studentëve që u komunikua nga komisioni i grevës ishte rreth 700. Brenda kësaj shifre përfshiheshin edhe pedagogët dhe një numër i papërfillshëm gjimnazistësh dhe studentësh që sapo ishin diplomuar. Në këtë listë bie në sy edhe fakti se një numër pjesëmarrësish (sidomos pedagogët), janë regjistruar nga më shumë se një fakultet, pasi ata jepnin leksione në dy-tre fakultete. Lista e grevës së urisë nuk u dorëzua kurrë në arkivin e PD-së, siç kërkohej nga rregullorja e grevës, por u mbajt nga persona të veçantë të komisionit të grevës. Një muaj pas mbarimit të grevës së urisë filloi eksodi i madh i rinisë shqiptare drejt vendeve perëndimore. Dokumenti i parë që i kërkohej çdo ish-studenti që mori rrugën e emigrimit ishte dëshmia nga PD-ja dhe pjesëmarrja në grevën e urisë kundër diktatorit Hoxha. Dhënia e një numri të pafund vërtetimesh, (shumica iu dhanë personave që nuk kishin asnjë lidhje me grevën e studentëve), dhe dyshimet e shumta të PD-së për trafik e falsifikim vërtetimesh, i detyroi mbajtësit e listës ta zhdukin përgjithmonë atë. Tentativat personale për ta rihartuar listën e zhdukur të grevës së urisë vazhduan për shumë vjet. Me gjithë përpjekjet e panumërta personale nuk kam arritur të hartojë listën përfundimtare për fakultetin e Shkencave të Natyrës, fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike, Institutin e Kulturës Fizike, si edhe për përfaqësuesit e instituteve të tjera nga Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Korça dhe për personat e tjerë jo studentë që kanë marrë pjesë në grevë...

    Greva e urisë 1991,
    Edvin Shvarc


    Lista e plotë e këtyre 723 vetëve nuk është bërë kurrë publike edhe pse iu dorëzua në dorë dy prej anëtarëve të komisionit drejtues, B. Gonxhes dhe R. Peshkëpisë dhe Ardi Stefës, një student vlonjat që merrej me listat dhe peticionet. Më vonë persona të paautorizuar lëshuan vërtetime për pjesëmarrje në Grevë duke bërë që numri të fryhej në mbi një mijë. Edhe ky fakt i shtohet manipulimeve që iu bënë më vonë së vërtetës rreth Lëvizjes Studentore Shqiptare. Në mjediset e kinoteatrit hynin e dilnin pak vetë që sillnin e çonin lajme si B. Fevziu dhe B. Blushi, korrespondentë të "Rilindjes Demokratike" dhe Tefalin Malshyti, nënkryetar i atëhershëm i PD-së dhe njëri prej udhëheqësve studentorë të Lëvizjes. Dera qëndronte e mbyllur me kyç dhe çelësin e mbante një njeri i besuar, studenti shkodran E. Bushati. Në orët e para të pasdites erdhi A. Hajdari i cili dha lajmin e shumëpritur se emri ishte hequr. U bë një zallamahi e madhe sepse gëzimi ishte i papërmbajtur, por në mes të rrëmujës dhe haresë së përgjithshme dikush ruajti gjakftohtësinë dhe udhëzoi që askush të mos dilte nga Greva pa u konfirmuar zyrtarisht lajmi. E nesërmja, 20 shkurti 1991 solli zhvillime të njëpasnjëshme e të rrufeshme sa që pjesëmarrësve iu deshën kohë për të kuptuar se ç'kishte ndodhur dhe rëndësinë e pasojat e asaj që ndodhi. Në mëngjes ishte paralajmëruar një greve e përgjithshme e Sindikatave të Pavarura që mund të paralizonte tërë vendin. Mijëra banorë të Tiranës ishin ngjitur te qyteti Studenti duke demonstruar mbështetjen e tyre. Nga rrethet erdhën në këmbë kavajasit, me të gjitha mjetet e transportit mbërritën shkodranë, korçar, fierakë, durrsakë e kështu me radhë. Gjatë pasdites, kur kaloi frika e një reagimi të dhunshëm nga aparatet e diktaturës, godina e Grevës u shndërrua një han pa porta, edhe pse dera kryesore qëndronte akoma e kyçur. Nga një dritare e thyer në katin e parë hynë studentë që sollën cigare, gazeta, sheqer, madje edhe çokollata, hynë politikanët e rinj të cilët me shall të lidhur në kokë për të imituar studentët grevistë, putheshin e përqafoheshin me servilët e tyre duke bërtitur se e kishin hequr qelbësirën. Në fakt, monumentin e hodhi populli i Tiranës, e hodhën ata të rinj që u përleshën me policinë e që më vonë u arrestuan e u torturuan, ata që dolën në gjyq më 10 prill 1991 për miting të paligjshëm dhe hedhje monumentesh, ata që gjykatësi A. Rakipi i liroi nga salla me 45 ditë burg në vend të 3 muajve deri në 3 vjet që kërkoi prokurori G. Gjokutaj, ata që morën rrugët e kurbetit për t'i shpëtuar hakmarrjes së besnikëve enveristë…

    Çaste historike
    Ardi Stefa


    723 studentë e studente, si edhe disa pedagogë hynë në grevën e urisë të vendosur për t'u flijuar deri në fund. Ndërkohë nga PD-ja vinin sinjalet se më së fundi ata do të bashkoheshin pa rezerva me studentët. Këtë lajm e solli i pari Gramoz Pashkoja dhe më pas ky lajm u përforcua edhe nga Edmond Budina. Në pasdite vonë erdhi në Pallatin Studenti Azem Hajdari, i cili tha se emri ishte hequr. U bë një zhurmë e madhe dhe studentët po bëheshin gati të dilnin. Madje filluan të mblidhnin edhe batanijet të habitur që fitorja kishte qenë kaq e lehtë. Ata po përpiqeshin që të dilnin përjashta të festonin me popullin. Por në mes të haresë e rrëmujës së përgjithshme u kuptua se lajmi i sjellë nga Azemi nuk ishte zyrtar. 20 shkurti solli ngjarje të tjera po kaq të rëndësishme, të shpejta e të befasishme sa askush nuk ishte në gjendje të kuptonte çfarë kishte ndodhur dhe rëndësinë e asaj dite. Me mijëra banorë të Tiranës kishin ardhur në qytetin Studenti, ndërkohë që nga rrethet e Shqipërisë vinin qytetarë për të demonstruar në përkrahje të studentëve. Partia Demokratike më së fundi shprehu përkrahjen e saj të plotë për studentët dhe kërkesat e tyre dhe sindikatat kishin paralajmëruar një grevë të përgjithshme, e cila do të paralizonte vendin. Aty për aty u organizua një miting ku folës të ndryshëm morën hapur anën e studentëve. Edhe PD-ja nuk bëri mbrapa. Aktorja e njohur Rajmonda Bulku, ftoi nënat dhe gratë shqiptare që të demonstronin përpara presidencës. Komisioni vendosi që të pritej komunikata zyrtare e heqjes së emrit të diktatorit nga universiteti, lajm, i cili u komunikua në lajmet e orës 20.00. Ndërkohë në godinën e grevës dyert ishin hapur dhe studentët ishin bërë një me popullin...

    gsh.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,509
    E mer KAT,ç'ti bosh?Ben greva mileti;qe te zevendesonin Ramizin me Fatosin e Saliun.
    (Thuj na njonit, te beje ndonje greve tani,as xhiro te bulevardi s'ja vlen me dal).

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •