Megjithëse shumë gjëra kanë ndryshuar në botën e gjuhës së shkruar që nga koha e gdhendjes së parë mbi gur apo rrasë balte të pjekur, megjithëse makineritë e ndërlikuara kanë zëvendësuar mjetet e thjeshta,... mënyra themelore e gjuhës së shkruar ka mbetur e pandryshuar.
A. Purves, 1990
Planifikimi
Në rastet kur punoni me një pjesë shkrimi më të gjatë, është mirë që në fillim të bëhet një plan pune. Një plan i thjeshtë do të përfshinte:
• Shënime të ideve tuaja.
• Një listë e burimeve të informacionit që doni të kontrolloni.
• Një listë të fakteve që doni të paraqitni.
Në raste të tjera, mund të bëni një plan më të detajuar. Për shembull, nëse po punoni mbi një raport të gjatë, mund të filloni duke krijuar më parë një skicë. Skica tregon mënyrën e organizimit të shkrimit tuaj.
Titulli: Kafshët shtëpiake
Hyrje: Qeni besnik
Paragrafi 1: Përse qentë janë besnikë
Paragrafi 2: Të kuptojmë qentë
Përfundimi: Qentë besnikë janë të rëndësishëm
Kopja e parë
Kjo është faza kur filloni të shprehni idetë tuaja. Është e rëndësishme që të ndjeheni të lirë të eksperimentoni dhe ndryshoni idetë gjatë përgatitjes së kopjes së parë. Kopja e parë nuk është e lehtë të realizohet, edhe kur e keni të strukturuar mendimin.
Ja disa udhëzime:
• Mos u shqetësoni që gjithçka të jetë e përkryer. Gjëja më e rëndësishme është që idetë tuaja të rrjedhin. Ndryshimet mund të bëhen edhe më vonë.
• Nëse kopjen e parë e shkruani me dorë, përdorni vetëm njërën anë të flestës duke lënë kështu vend për ndryshimet.
• Gjatë punës mund të shikoni planin apo skicën, por nuk jeni të detyruar ta ndiqni atë pikë për pikë. Shpesh idetë e reja lindin gjatë shkrimit të kopjes së parë.
Rishikimi
Procesi i ripërpunimit të një pune disa herë nga shkruesi quhet rishikim. Në këtë fazë, qëndroni për një moment dhe rishikoni punën e bërë. Kështu ju mund të mendoni për përmirësimin e punës së bërë përmes ndryshimeve.
Rishikimi i kopjes së parë mund të bëhet nga ju ose dikush tjetër. Edhe në këtë fazë disa udhëzime si mund ta kryeni rishikimin, janë me vlerë për t`u marrë parasysh:
1. Lexo me zë.
Lexoni me zë atë që keni shkruar. Tingëllon e përshtatshme për qëllimin dhe lexuesin tuaj?
2. Bëni pyetje.
Kontrolloni shkrimin tuaj përmes pyetjeve:
• Shkrimi, a është i kuptueshëm?
• Hyrja, arrin ta tërheqë vëmendjen e lexuesit?
• Idetë janë renditur si duhet?
• Mund të gjendeshin fjalë më të mira për të shprehur idetë?
• Ka mbetur pa u përmendur ndonjë gjë e rëndësishme?
• Ka përsëritje të informacionit?
• Mbyllja, i përmbledh të gjitha idetë?
Pasi të keni përfunduar pyetjet, atëherë ndërmerrni hapin tjetër.
3. Lexoni përsëri.
Lexoni përsëri me zë shkrimin tuaj. Vëreni nëse ka:
• Fjalë apo fjali që tingëllojnë gabim.
• Fraza të përsëritura.
• Fjalë që nuk japin informacion të rëndësishëm.
4. Shkruani variantin përpunuar.
nëse kopjen e parë po e shkruani në kompjuter, rishikimet janë të thjeshta për t`u bërë. Nëse punimin e keni shkruar me dorë, rishikimet mund të bëhen po në atë fletë, por duke shkruar me rreshta të rrallë ose duke lënë hapësirë në të dy anët e fletës, majtas dhe djathtas.
Për shembull:
Dona është njeri i mirë-1-. Kur ishim në shkollë, pas mësimit luanim gjithmonë bashkë. Atë e kam njohur kur ishim në klasë të dytë-2-. Por e`motra nuk më pëlqen.
-1-Nevojitet një hyrje më e goditur
-2-Tregon paraqitjen e saj?
Krijoni Kontakt