Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    25-03-2006
    Postime
    141

    Masakra në Buzmadh 1944- ngjarje që shpalon vëllavrasjen

    29.10.2005 nga Eugen Shehu

    Eugen Shehu & Bern Zvicer
    Masakra në Buzmadh - ngjarje që shpalon vëllavrasjen

    Në ditët e para të vjeshtës së vitit 1944, ndihej së thelli euforia e forcave nacional-çlirimtare. Kjo eufori kish të bënte me shumë arsye por në radhë të parë, ajo kushtëzohej prej tërheqjes së trupave gjermane nga Ballkani si rrjedhojë e ndërrimit të taktikave dhe strategjisë së RAIHUT TË TRETË.

    Evropa ish përzier e tëra në këtë luftë dhe dukej në horizont një fitore e bolshevikëve të Stalinit ani pse, çdo ditë mijëra prej tyre linin jetën në fushëbeteja, larg atdheut të tyre. Ndërkaq klika komuniste e Tiranës, ngase jugun e Shqipërisë e ka terrorizuar me organizimin e këshillave nacionalçlirimtare vendore, mendon të ndërmarrë një inkursion në drejtimin e viseve Veriore, në Shkodër, Dibër e Kukës. Nga ana propagandistike, këtë lëvizje strategjike, krerët komunist shqiptarë dhe jugosllav e justifikuan me luftën kundër reparteve të fundit të ushtrisë gjermane që patën mbetur në Veri. E vërteta ka qenë krejt ndryshe. Të ndihmuar edhe prej shërbimeve të fshehta angleze (vet misionarët anglez e kanë vërtetuar këtë) , komunistët shqiptarë dhe serb të Titos, e patën ditur se forcat gjermane ishin në tërheqje e sipër ndaj mundet që edhe të mos konfrontoheshin fare me ta. Po qëllimi ishte krejt ndryshe. Duke hedhur disa bomba e duke zbarkuar disa pushkë kundër gjermanëve, në ikje e sipër, nacionalçlirimtarët donin të rrëmbenin aureolën e artë të fituesit, kuptuar ndryshe, atë të mbajtësit të pushtetit të nesërm. Ana tjetër e medaljes, inkursioni i nacionalçlirimtarëve në Veriun e Shqipërisë, kish të bënte me luftën e hapur ndaj tradhtarëve dhe bashkëpunëtorëve të armikut“ shprehje e cila, e kuptuar drejt, do të ishte luftë deri në vdekje ndaj nacionalistëve shqiptar. Të dërguarit e Titos në Shqipëri, Mugosha e Popoviçi, që në fillim të karrierës së tyre patën qenë shkaktarët kryesorë të vëllavrasjes. Në bazë të një plani të mirëfilltë, të ideuar dhe drejtuar në Beograd, ata u përpoqën të zhvillojnë armiqësitë midis komunistëve dhe nacionalistëve shqiptarë duke arritur kulmin e kësaj vepre, , me të ashtuquajturën tradhtinë e Mukjes. Veçanërisht pas kësaj ngjarjeje, ku ata përfundimisht i vunë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, pasuan një sërë vrasjesh të nacionalistëve të shquar shqiptarë. Figura të tilla si Adem Boletini, Idhomen Kosturi, Sahedin Draga, Baba Zulfo Turani, Besnik Cano, Hadi Kasimati, etj, etj, ka qenë e mbetën ende sot, viktima të bashkëpunimit makabër të klikave të Hoxhës në Tiranë , me Titon në Boegrad. Ishin pikërisht këto vrasje që do të shënonin më pas, luftën e hapur midis vëllezërve të një gjaku, përndryshe luftën civile në Shqipëri në vitet 1943-1945.
    Pa u ndalur në planet e klikës së Tiranës në Shkodër e Lumë, unë mendoj se dërgimi i Brigadës së V-të Sulmuese nacionalçlirimtare, në radhë të parë kish të bënte me thyerjen e mitit të Muharrem Bajraktarit, e për më tej, me shkatërrimin e plotë fizik të forcave nacionaliste kuksiane. Brigada e V sulmuese, kishte në krye të saj një bolshevik të pashkollë e të etur për gjak siç ishte Shefqet Peçi nga fshatrat e largëta të Gjirokastrës. Ai i pat dhënë besën Enver Hoxhës dhe ka ecur mbi trupat e vrarë të bashkëkombësve të vet, duke kujtuar gjithmonë se humbte jetë njerëzish të pafajshëm, për të fituar nam si internacionalist i shkëlqyer proletar. E vërteta është se nacionalçlirimtarët e udhëhequr nga Shefqet Peçi, bënë disa tentativa për të bindur nacionalistin trimin Muharrem Bajraktarin që të bashkëpunonte me ta. Por në këtë bashkëpunim ata nuk e shihnin Bajraktarin si të barabartë, përkundrazi kërkonin që forcat nacionaliste të Lumë-Kukësit të viheshin nën urdhrat dhe diktatin e PKSH-ës. Nuk ra në këtë grackë Muharrem Bajraktari i cili kërkoi që tek e mbrëma, kundër pushtuesit të luftohej veç e veç e në fund ishte populli ai që do të vendoste për pushtetin e tij. Pikërisht kjo logjikë e ftohtë nuk shkoi për shtati nacionalçlirimtarëve të cilët urdhëruan luftën vëllavrasëse. Qëndrimin e gabuar ndaj Muharrem Bajraktarit, do ta pohonin vetë më gojën e tyre, udhëheqësit e klikës komuniste. Kështu në plenumin e Beratit, pos të tjerave, për Muharrem Bajraktarin do të thuhej ; “çështja e Muharrem Bajraktarit është tipike. Këtë njeri që nuk paraqitej hapur kundër frontit nacionalçlirimtar dhe që kishte shumë shpresa të bashkohej me ne, jo vetëm e trajtuam nga lart dhe në kundërshtim me vijën tonë politike por e goditën edhe mbrapa krahëve kur ai na jepte dorën si mik”. (Drejtoria e përgjithshme e Arkivave-Tiranë. ”Politika antikombëtare e E. Hoxhës !”. Plenumi i dytë i K. Q. të PKSH-ës, Berat , faqe 177 ).
    Sipas traditës Lumjane, partizanët e brigadës së V-të sulmuese u pritën mjaft mirë si nga populli edhe nga formacionet nacionaliste. Kjo për shkak se tashmë, pushtuesi do të virej midis dy zjarreve dhe largimi i tij do të ishte më i shpejtë. Nacionalçlirimtarët me këtë rast thirrën Muharrem Bajraktarin për të biseduar dhe kur e panë se ai nuk po nënshtrohej, në mënyrë tinzare ( veti tipike komuniste) i ngritën kurthin në shtabin e tyre. Por ishte trimëri e Bajraktarit dhe e tre luftëtarëve nacionalist që e shoqëronin, me ç’rast arritën të dalin prej këtij kurthi komunist. Më pas, në ditët që erdhën partizanët kërkuan në Lusën që ditën e Bajramit, djemtë e këtij fshati të mbushnin radhët e nacionalçlirimtarëve. Nacionalisti i njohur nga fshati Lusën, Ramadan Çejku, i bëri me dije komunistët bolshevik, se djemtë do të dilnin partizan vetëm dy ditë pas festës së Bajramit e cila ishte festuar në Lushnjë ç’prej shekujsh. Por taman atëherë kur populli po shkonte në xhami për të falur Bajramin, nga nacionalçlirimtarët (alias bolshevikët serbo-ortodoks) u hap zjarri kundër popullsisë së pambrojtur gjoja se nuk ishte zbatuar urdhri i komunistëve. U zhvilluan më tej disa orë luftimesh ku mbetën të vrarë dhjetëra nacionalistë e partizanë, vëllezër të një gjaku e gjuhe. Pas kësaj të dërmuar fizikisht e moralisht, partizanët me në krye Shevqet Peçin, pas Lumës i drejtohen fshatit Buzëmadhe. Ani pse këtu kish ardhur lajmi për luftën vëllavrasëse në Lusën, përsëri banorët e kësaj zone i pritën komunistët sipas traditave të lashta të bujarisë shqiptare. Madje 3-4 partizan të plagosur në luftën pa kuptim më vëllezërit e tyre, u strehuan në shtëpitë e Buzmadhit dhe brenda një jave me kujdesin atëror mundën të mbyllnin plagët. Por pikërisht atëherë kur u mblodhën forcat, kur u shëruan plotësisht të plagosurit dhe kur u furnizuan me ushqime prej fshatit, Shevqet Peçi piketoi masakrën mbi këta fshatarë të ndershëm e patriotë.
    Në muzgun e datës 25 shtator 1944, me urdhër të Shevqet Peçit, brigada u grumbullua në stanet e lagjes Lalaj, kinse do të vazhdonin të nesërmen rrugën për në Kosovë. Nga tri-katër shtëpi të kësaj lagjeje, u bënë thirje partizanëve që të bujnë në shtëpitë e tyre, por urdhri ishte që partizanët të mos shkelnin në shtëpitë e kësaj lagjeje. Megjithatë, prej shtëpive, u therën disa bagëti dhe sipas traditës, mishi iu çua partizanëve, aty në stane, tek rrinin. Për më tej, me urdhër të Shevqet Peçit, kur fshatarët të vini aty me bukë e mish, të mos hapej muhabeti i asaj se ç’ngjau në fshatin Lusën. Ndërsa të nesërmen, më 26 shtator, para se të largoheshin, dy tri kuadro të brigadës së V-të sulmuese, kërkuan që krejt familjarët e Buzmadhit t’i bashkëngjiteshin kolonës partizane me ç’rast do të shkonin në vendin e quajtur Kroi i Bardhë, ku do të lidhej besa për të luftuar vetëm kundër armikut, Të gëzuar se ma në fund do të shuhej vëllavrasja, pothuaj të gjithë kryefamiljarët e Buzmadhit morën pushkët dhe nisën marshimin së bashku me nacionalçlirimtarët. Kanë kaluar jo më shumë se dy orë rrugë dhe kolona është gjendur në vendin e quajtur Kroi i Bardhë, me kullotat alpine dhe vetëm një cop qielli në krye. Por tashmë bisedat e gëzuara midis partizanëve dhe fshatarëve kanë rreshtur sepse aty nuk kanë parë asnjë banor tjetër të ardhur për “kuvend”, vetëm se disa kuadro të armatosura të Brigadës së V-të, partizane, me fytyra të nxira. Fshatarët vetëm atëherë e kanë kuptuar se diçka nuk shkonte por ka qenë tepër vonë. Pasi fshatarët janë veçuar prej partizanëve, ata janë çarmatosur brenda pak minutave.
    Më tej, nga krerët e brigadës partizane, iu është kërkuar fshatarëve se kush prej tyre ka vrarë partizanin Hysen Cino, i cili me gjasë, ka qenë kushëriri i kriminelit Shefqet Peçi. Burrat që folën aty thanë se nuk dinin asgjë për këtë partizan, përkundrazi edhe ata tri-katër partizan të plagosur që erdhën, u shoqëruan nën kujdesin e tyre. Por krerët komunist, këmbëngulnin duke kërkuar të gjendej fajtori. E vërteta është se këtë situatë e ka kuptuar i pari, nacionalisti Dan Lala. Duke qenë i plagosur tri herë në luftën me Serbët, mik shtëpie me Miftar Spahinë dhe Muharrem bajraktarin, ai diçka kish mësuar për dinakëritë ortodokse-bolshevike. Ai ka marrë fjalën duke sqaruar situatën me gjakftohtësi dhe kur ka kuptuar qëllimin e mbrapshtë të komunistëve, me ton burrëror ka deklaruar për bashkëfshatarët e tij që , ”Të mos i merrni në qafë, ata s’kanë asnjë faji dhe në doni, unë bëhem kurban i këtyre burrave”. (P. Palushi “Masakra Komuniste e Buzmadhit “ faqe 16 ). Por edhe kjo thirrje e fundme e këtij burri nuk ka zgjidhur asgjë, ngase krimineli Shevqet Peçi e pat planifikuar me kohë masakrën. Dy-tri partizanë që patën marrë urdhër prej tij, dolën befas përballë fshatarëve të pambrojtur dhe hodhën zjarr të fuqishëm mbi turmën. Brenda 4-5 minutave, dora vrastare e komanduar prej bolshevikut kriminel Shevqet Peçit, i shtriu në tokë këta burra e trima nacionalistë :
    1- Dan Rexhep Lala
    2- Mehdi Rexhep Lala
    3- Ramiz Salai Lala
    4- Arif Tahir Lala
    5- Nuhi Musë Lala
    6- Tahir Ali Lala
    7- Sulë Et-Hem Lala
    8- Ymer Et-hem Lala
    9- Zenun Habib Lala
    10- Muharrem Habib Lala
    11- Cen Mexhit Lala
    12- Rakip Ramadan Lala
    13- Qazim Selim Lala
    14- Sulejman Hasan Vellku
    15- Riza Halim Hoda
    16- Zylbehar Nuri Bresa
    17- Jenin Hakik Bresa
    18- Qamil Shivar Tola
    19- Isak Islam Bresa
    20- Arif Ramadan Malo
    Mbi këta 21 martirë, ra më pas nata e thellë. Pa asnjë faj pa asnjë arsye, vetëm e vetëm pse u pushkatuan mizorisht prej Shefqet Peçit, ata u cilësuan armiq të pushtetit popullorë. Ngase shumica prej tyre patën qenë kryefamiljarë, fëmijët u përbuzën duke kaluar nëpër kalvarin e rëndë të komunizmit-Stalinist shqiptar. (Një pjesë e familjarëve të këtyre martirëve, arritën të arratisen në vitet 1950-51, në Kosovë e Maqedoni, ende sot jetojnë në Gostivar, dhe në fsh. Drobesh të Vitisë-Kosovë, ndërsa një pjesë në Belgjikë, Skandinavi e Amerikë , E. Sh). Ata dhjetëra fëmijë të pafajshëm ( si edhe baballarët e tyre) u lanë pa shkollë, pa punë, u dënuan duke mos i futur as në kooperativat bujqësore, nuk patën të drejtë as të votonin. Termi “kriminelë”, i shoqëroi për pesë decenie me radhë këta fshatarë, engjëj, të cilët u cilësuan kështu, sepse prindërit e tyre u hapën dyert dhe zemrat partizanëve, për të marrë si shpagë, vdekjen. Historiografia komuniste shqiptare, askurrë nuk u kujtua për këtë masakër si shprehje reale e luftës vëllavrasëse që kryen komunistët në vitet 1943-1945. Për më tej kjo historiografi, mundi në mijëra faqe të ngrerë në këmbë, mitin e rremë të gjeneralit të “shquar” Shevqet Peçi, si luftëtar i shquar antifashist por që nuk dihet ende sot, nëse ka vrarë ndonjë fashist, ndërsa dihet se ka pushkatuar dhjetar bashkëkombës të tij. Në librin “Mrekulli e Natyrës – Kështjellë e historisë” janë shprehur tashmë me dhimbje shumë prej ish partizanëve të Brigadës së V-të Sulmuese. Prej këtyre unë do të veçoja ;
    Nënoçe Osmani ; “ Të vret Perëndia t’i harrosh mikpritje kuksiane. Si tashti e kujtoj drekën lumjane të Bajramit. Këtë ditë duhet të përurohej Brigada e 24 partizane. Pse ishte caktuar ajo ditë, vonë e kuptova gabimin e vendimit të Brigadës së V-të të rrethit. Kjo preku ndjenjat fetare e shërbeu si pretekst në ndjenjat partizane-nacionaliste. Dhe brigada e 24, nuk u formua ate ditë. Përkrahës së Bajraktarit pati edhe nga Buzmadhi, të cilët vala i përfshiu në dyluftime. Patëm humbje të mëdha por edhe kuksian të vrarë. Të nesërmen shkuam në Kroin e Bardhë. Atje asistoi vetë komandanti i Brigadës. Ai pyeti se kush ju udhëhoqi që na qëlluat ? Po. . . pasi larguam shumicën pjesa e mbetur u pushkatuan. Që nga ajo ditë, ndonëse, partizanë të thjeshtë, lindi ideja e mosndëshkimeve. Sepse më vinte rëndë nga ata njerëz që u njohëm e hëngrëm me ta. Aktin me Buzmadhin, nuk e pritën mirë shumë partizanë”.
    Mezin Aliaj ; “Kur niseshim për Lumë na folën me sharje për bajraktarin, por na kujtuan të silleshim korrekt me popullin. sapo vajtëm na pritën me bujari e besë. Shefqeti u takua me Muharremin që ky të dorëzonte repartet, por Bajraktari i pat thënë “Hajdeni e merrni në dorëzim frontin, se unë po largohem !” Shefqeti e kritikoi Bajraktarin publikisht (Kolesian). Kjo s’honepsej në mentalitetin kuksian. Gjendja u bë më e nderë deri sa plasi konflikti. Askush nga partizanët nuk e donte, as e priste. Shefqeti ishte i zoti e me autoritet, por aty e humbi nga karakteri gjaknxehtë e i nxituar. Se u godit edhe një fshat si Buzmadhi. Nëse dikush ishte me faj, le të dënohej me gjyq të rregullt. Një katund të tërë s’mund ta nxirrje para gjyqit. Buzëmadhi ra viktimë- tip e vëllavrasjes”.
    Derro Derraj ; “Kur u futëm në zonën e lumës, kaluam prej Kalasë së Dodës në Buzmadh, në ndihmë për krijimin e Këshillit Nacional Clirimtar. Qëndruam në 3-4 shtëpi, duke na ndihmuar me zemër. Në Buzmadh gratë na shërbenin. Ato u miqësuan me dy vajzat tona e silleshin si motra, çka shtëpie. Të nesërmen e natës së tretë, veç mëngjesit, na dhanë ushqime për një ditë. U përqafuam me mirënjohje e ata na uruan udhë të mabrë. Ishte pritje-përcjellja më dashamirëse, më e paharruara në jetën time. Djalëria nga Labëria gjeti në Kukës patriotizëm të lartë, pavarësisht nga sjellja keqe e ndonjë të mashtruari. Sa për ato pushkatime, s’di ç’të them, se me dridhet misht. Ishte një turp, të paktën për ne që ishim çlirimtarë, por veçanërisht për ata partizanë që u pritën e u mbrojtën nga Buzmadhi”.
    Halim Ramohito ; “ Pësuam dëme, por udhëheqja e brigadës s’e analizoi thellë për të shmagur provokimin. Ajo s’u përmbajt nga momenti i dhimbjeve dhe në vend që ta shuante sherrin e ndezi më tej pa pyetur edhe për ndërhyrjet e shokëve të terrenit. Kështu iu turrën Buzëmadhit. Gjoja për mbledhje, i çuan meshkujt drejt një praktike tepër të dënueshme. Pushkatuan fhstarë të thjeshtë, patriotë, madje edhe përkrahës të Luftës Antifashiste. Kush urdhëroi e cili asistoi në Buzëmadh, s’ka rëndësi, qoftë Shevqeti apo Titua se, që të dy, përfshi edhe Manushin, mbanin përgjegjësi për situatën në një zonë të ndjeshme. Ja ku çon mosekuilibri e rrëmbimi. Marrëdhëniet e mira në Kukës dikujt i interesonin të prisheshin përpara se të kalonin në Kosovë. Atje duhej punuar krejt ndryshe. Ta linin mënjanë fodëllukun. Malësori kishte krenarinë e tij specifike. Duke na pritur moralisht dhe tërheqja e hitlerianëve nga garnizoni i Kukësit ishte në ditë, përse duhej të vrisnin Muharem bajraktarin afro një kompani etj. Mbi interesat e kombit të mos vëmë as monarkinë, as komunizmin e as pseudodemokracinë. Ne duhet, të distancohemi nga disa krime të padëshiruara të Luftës nacionalçlirimtare dhe gjatë socializmit, veçse me ngrohtësi, me prova e fakte, me argumente historike shkencore”.
    Maliq Sadushi : “Duke lëvizur në u vra H. Cino dhe hymë në fshat me shkëmbime zjarresh. Sidoqoftë familjet na strehuan e na ndihmuan nga zakoni mikpritës. Sjelljen ose nuk e kuptuam, ose e morëm për dobësi. Sa keq mendonim ! Aty nga 20-21 shtatori plasi përpjekja ushtarake e paimagjinueshme. Viktima e dëmtime, por Buzëmadhi e mori prapa kokës. Luftë ? Po ! çdo gjë ngjet kur ndizen gjakrat e humbet logjika. Po kundër kujt qëllonin nacionalistët e partizanët ? Në Kolosian ishte marrë vendim dhe nga tërë fshati u mblodhën rreth 70 , prej të cilëve 22 u vranë. Pse duheshin vrarë ? Kush urdhëroi ? Kujt i shërbente ? Pse u piketua Buzmadhi ? Nuk përjashtoi ngacmimet dhe faktorin vendas. Po udhëheqja ti sheshonte dhe të pasqyronte përgjegjësi të lartë. Ja pse disa pyetje ende qëndrojnë pezull. Gjakderdhja mbetet e dënueshme. Buzmadhi na njollosi sa edhe pas 50 vjetësh, nuk po fshihet. Këtu të shpie mosmarrëveshjet , mendjemadhësia e nxitimi, të përziera me euforinë. Nderoj historinë e lavdishme të Kukësit. Atje gjetëm ngrohtësinë shqiptaro-prindërore “.
    Naile Ferra ; “Si femër partizane e Brigadës së V-të partizane, ruaj posaçërisht anët morale të bujarisë e mikpritjes së Lumës, lidhjet e ngushta me kuksianët. Gjithë luftëtarët e brigadës u pritën njësoj, por si vajza të reja që ishim (17-19 vjeç) ne e ndjemë më afër afshin e ngrohtë të familjes lumjane. Asnjë kukësian s’na la përjashta edhe pse ndonjërit si pëlqente komunizmi. Lufta antifashiste nacionalçlirimtare e gjetëm të ngritur, por edhe e ndihmuam. Forca e zakonit s’donte bisedime me mysafirët. Për ne partizanet bënë përjashtime. U miqësuam, sa bisedonim çiltas me çikat e gratë. Ato u bënë shoqe me ne dhe ne mikesha të rralla me to. Ishin ato femra, si për shembull, të Buzmadhit, që nxjerrnin nga sandyqet veshjet e tyre të dyta ( sa aq kishin edhe ata ) e na jepnin që të ndërroheshim. Ndonëse të varfëra, shpirtërisht ishin shumë të pasura. Groshët, bulmeti i ëmbël, turshitë dhe buka e shijshme e misrit na sillnin ndërmend nënat tona. Rrethanat sollën përpjekjet me armë. Pse duhet e kujt i shërbente ? Vështirë ta shpjegoj edhe sot. Po edhe s’dua t’i tregoj plagët. Vrasja e meshkujve të Buzmadhit, ne femrave partizane, për nga natyra, na preku më shumë se na vinte rëndë t’u dilnim përpara atyre familjeve që na dhanë bukë.
    Neshat Bilali ; “ Le të shkruhet çfarëdo, por e them me bindje se Muharrem bajraktari po të donte e shpartallonte Brigadën Partizane të Lumës. Po si nacionalist e bir i krahinës, s’e bëri. Planet e tij vështronin larg. Synonte të dilte para popullit një politikan opozitar i papërlyer në krahasim me figurat e tjera në Veri. Ai çmoi dhe i dha luftës antifashiste, por i mbahej devizës që krahina të mos dëmtohej nga aventurizmi ushtarak. Kur i thash se nuk bënë mirë që refuzon bashkëpunimin tonë , ai foli me qetësi ; “Ju nuk dini me ba politik. I mbahem pikëpamjes se nuk lidhem me nacionalçlirimtarët sepse janë nën influencën e komunistëve sllavë dhe rusë. Sot luftohet për çlirim e jo për komunizëm. Të bëhesh ortak me komunistët do të thotë të mos i lesh vend politikës nacionale, vijës së aksionit për çështjen kombëtare. Regjimi pas lufte le ta vendosë populli me zgjedhje të lira “.
    Buzmadhi njihej si fshat fetar me doke të rrepta, me tradita lufte, i vuajtur, ç’ishte ai për Brigadën e V-të partizane ‘ mos vallë një fshat i huaj !?. Si Lumjan ndjeva keqardhje, e ndërmjet 5-6 katundeve u bë kokë turku. Buzëmadhi u vu mes korrenteve që e dogjën me koka njerëzish “.
    Tashmë që pendesa e këtyre partizanëve të thjeshtë, është tejet e dukshme dhe publike, gati të revolton qëndrimi kriminal i atyre që ishin dhe mbetën ende, fajtorë kryesorë të kësaj masakre. Shefqet Peçi, jo vetëm nuk kërkoi falje e pendesë për masakrën në Buzmadh, por edhe mbushi gjoksin me dekorata. Natyrisht dihet që ato dekorata janë dekorata krimi e turpi që ia fali Enveri, Tito, Stalini apo Koxi Xoxe. Pra është pak të thuash se ato janë dekorata krimi e turpi. Për më tej, shqiptarët shohin se si kriminelët jo vetëm nuk pendohen dhe heshtin, por ngrenë edhe zërin e tyre makabër, duke dashur të mbjellin sa më shumë errësirë mbi rrethanat në të cilat dikur patën kryer këto krime. Kështu, në vitin, 1994, kur një grup intelektualësh në Titanë, kanë kërkuar prej organeve kompetente të drejtësisë, që të gjykohej për krimet e tij, Shefqet Peçi, shoku i armëve të tij, një tjetër kriminel i quajtur Ramiz Alia, në mënyrë publike i del në mbrojtje bolshevikut internacionalist Peçi. Tekstualisht ai shprehej ;”Shefqet Peçi është vënë në shënjestër nga ballistët, sepse me urdhër të tij paskan qenë pushkatuar gjatë luftës në Kukës, disa bashkëpuntorë të Muharrem Bajrakatarit. Le të supozohet se ka ndodhur kështu, por mos vallë tërë lufta heroike e Shefqet Peçit kundër fashizmit duhen të hidhen poshtë për një episod të pasqaruar”. (Ramiz Alia , gazeta “Dita Informacion “ më 22 shtator 1994 , faqe 5 ).
    Le të përpiqemi të shpjegojmë disi, cinizmin e Ramiz Alisë i cili në mënyrë paradoksale ka qenë dikur edhe President i Shqipërisë diktatoriale. Së pari, ai i quan ballistë krejt ata intelektualë të Tiranës, të cilët as shanë, as fyen askënd, por kërkuan vetëm që ngjarja e Buzmadhit të hetohej dhe fajtorët të merrnin dënimin, konform ligjeve përkatës. Për kriminelin Alia, çdo njeri i cili kundër nacionalçlirimtarëve me siguri është ballist dhe me këta të fundit, ai nuk është pajtuar askurrë sepse ka qenë i pajtuar që në fillim të karrierës së tij, tek Tito dhe Rankoviqi.
    “Të supozojmë se ka ndodhur kështu “ – thotë krimineli Ali. Pra, ky njeri i kulisave, ky bashkëpunëtor dinak i Enver Hoxhës, ky judë që u ngrit në karierë mbi gjakun e shokëve të vet, duke thënë “të supozojmë” në fakt kërkon të mohojë masakrën e Buzmadhit. Ai e di shumë mirë çfarë ka ndodhur atje në shtatorin e vitit 1944, ngase brigada e V-të sulmuese ka qenë e inkuadruar në Divizionin e Parë Sulmues, ku ky bastard ka pasur detyrën e Komisarit të Divizionit. Edhe nëse nuk e ka mësuar asaj kohe, (sepse ishte në Kosovë dhe vriste e priste shqiptarët e Kosovës me urdhër e diktat të Titos, për ta nënshtruar Kosovën Jugosllavisë titiste e Serbisë) ai ka qenë në Plenumin e Beratit ku klika komuniste e ka analizuar Buzmadhin. Tek e mbramja, kur Alia u bë President i Shqipërisë, kur ka firmosur deklaratën për të drejtat e njeriut, ai vetë i pari është dashur ti dënojë krimet e komunistëve shqiptarë si gjatë luftës edhe më tej në vitet e diktaturës.
    Demokracia shqiptare është vërtet e brishtë dhe kërkon kohë të dimensionojë vlerat e saj. Por nëse kërkon të ecë përpara, të rrok krejt aspektet e jetës shqiptare, kjo demokraci doemos duhet të dënojë krimin pavarësisht se kur ka ndodhur ai. Ende sot në fshatin Buzmadh të Kukësit janë 21 vare të njerëzve të pafajshëm. Nëse të afërmit e tyre u kanë bërë ndonjë varr të thjeshtë dhe kanë mbjellë ndonjë lule, demokracia shqiptare në mënyrë transparente dhe krejt ligjore duhet të rivlerësojë atë gjak të pafajshëm, të derdhur, ngase një krim i fshehur, rënkon në shekuj.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    25-03-2006
    Postime
    141
    Shënimet më lartë janë vetëm për pjesën gjat kryerjes së masakrës ,pjesa tjetër e dhimbëshme është kur shumica e këtyre familjeve morën rrugën e mërgimit,kush si ka mundur .Tash po shkruaj vetëm për familjet Lala,që një pjesë e tyre migroi në Kosovë vetëm me disa bagëti me disa lecka rrobesh,të urritur dhe me rreziqe të mëdha drejt të panjohurës.Pjes e këtyre familjeve të persekutuara jam edhe unë pasi kam lidhur miqësi me ta.Pas ardhjes në Kosovë ,këto familje i u nënshtruan regjimit komunist ,kinse u dhanë tokë dhe shtëpi edhe ate të paguara nga Kombet e Bashkuara ,te llogaritura në para të majme,por nga qeveria sllave u është llogaritur vetëm 10% e asaj vlere.Torturat kan vazhduar për cdo muaj e për cdo vit ,ku nuk kan patur liri lëvizje dhe është dashur të lajmërohen në shërbimet e mbrendshme cdo 1 vit për të vazhduar leje qëndrimi.Nga shërbimet e mbrendshme kan patur kërkesa të vazhdueshme për bashkpunim me ta,kuptohet pra për ndihmë shantazhim,shpifje e të tjera gjëra të liga që njeri normal nuk mund ti pranojë.Dhe jam krenarë se këto familje asnjëherë nuk kan rënë pre e asnjë sistemi andej e këndej kufiri.Familjet Lala dhe disa të tjera në Kosovë i zu edhe lufta e Kosovës ku edhe disa pjestarë të sajë edhe pse nga rreziku shum i madh, ndoshta shum më tepër se cdo kosovarë iu bashkuan rradhëve të Ushtris clirimtare të Kosovës . Pjesa tjetër e familjarëve më 19 maj 1999 me urdhër të sekretariateve të punëve të mbrendshme(varsisht nga vendi ku jetonin)u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre në drejtime të ndryshme,siq edhe i dijmë Shqipëri,maqedoni.Ata u dëbuan me qëllimin mos të kthehen më në pasurinë e tyre qe e ndërtuan mëse 50 vite.
    Për tregimin tjetër se si unë personalisht e kam vuajtur fatin e këtyre familjeve,për mos me lodh lexuesin e forumit,mund ta shkruaj nëse ka të interesuar ta dijnë.
    Ju kërkoj ndjesë për kthim mbrapa në vitet e trishtueshme të popullit Shqiptarë.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •