Fshatarët shqiptarë thyejnë ushtrinë serbe në Qyqavicë
Mr. Bedri Muhadri
Sefer Mikushnica, veprimtar i lëvizjes çlirimtare në Drenicë 1941-1945 (1)
Sefer Shaban Mikushnica lindi në fshatin Mikushnicë të Drenicës, në vitin 1902. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike dhe luftarake. Vesel Shabani, i ati i Sferit, bashkëluftëtar i Isa Boletinit, në vitin 1912 merr pjesë në mbrojtjen e tokave shqiptare në luftën e Merdarit dhe Perpellacit. Ndërsa gjyshi i Seferit me vëllanë Behramin mori pjesë aktive në mbrojtjen e kufirit shqiptar në Mal të Zi dhe bie dëshmor në frontin e quajtur Livadhet e gjakut, në kufi me Malin e Zi. Në vitin 1927 Sefer Shabani shërbeu në shërbimin ushtarak të Mbretërisë serbe në Kragujevc, Uzhicë dhe Krushevc, ku në saje të aftësive që kishte treguar mori gradën e ashtuquajtur “kapllar”
Në fillim të muajt mars të vitit 1941, shumë shqiptarë kanë qenë të mobilizuar nën komandën ushtarake të Vushtrrisë, kinse për mbrojtjen e vendit nga Gjermania hitleriane. Në këtë kohë mobilizohet edhe Sefer Shabani në ushtri në Vushtrri ku qëndroi 60 ditë. Pas një kohë të shkurtër bëhet transformimi i të mobilizuarve për në Rashkë në Serbi. Më të kapitulluar të Jugosllavisë përpara bombardimeve të 6 prillit 1941, Sefer Mikushnica bashkë me vendasin e tij Musli Hyseni dezertojnë nga ushtria jugosllave dhe kthehen në Mikushnicë, duke marrë me vete armatimin me te cilin ishin të pajisur.
Çetnikët, tashmë bashkëpunëtorë të nazistëve, synojnë shfarosjen e shqiptarëve rreth Vushtrrisë
Me 12 prill 1941, koha e natës Sefer Shabani e kryen një aksion kundër xhandarëve dhe kolonëve serb në vendin e quajtur Gofile ku arriti të këpuste telin e telefonit që vinte nga Skenderaj për në stacionin e xhandarmërisë në Prellofc. Në të njëjtën natë posa e vërejtën shkëputjen e telefonit, e tërë xhandarmëria e lëshojnë stacionin e Prellofcit dhe shkojnë në Mitrovicë. Ndaj këtij veprimi një kapiten serb (emri nuk i kujtohet Sefer Shabanit) thotë: “Unë shkoj atje në Prellofc dhe pavarësisht nga ndërprerja e linjës telefonike, nuk e lëshoj Stacionin e Prellofcit pa e lëshuar toka atë vend”, dhe kështu veproi. Ai së bashku me 27 xhandarë u kthye në Prellofc. Me ardhjen e tij në Stacionin e Prellofcit i bashkohen edhe shumë rajë të tjerë serb dhe malazez nga Drenica. Në ndërkohë, tregon Sefer Shabani në kujtimet e tija, në stacionin hekurudhor të Prilluzhës, fshat në komunën e Vushtrrisë, ka zbarkuar treni me ushtarë serbo sllav, më qëllim që të sulmonin fshatrat rrëzë Qyqavicës (Artakollit) si Bivolak, Strofc, Beçuk, Dervar, Zhilivodë, Sibovc etj. Fillon Lufta e ashpër mes fshatrave të artakollit dhe ushtrisë serbo-çetnike. Shumë njerëz, gra, fëmijë të vjetër nga këto fshatra nëpër Qyqavicë kalojnë në Drenicë. Në fshatin Mikushnicë mbërrin kryetari i fshatit Strofc, Liman Bajrami, ku kishte kërkuar ndihmë dhe lëshoi kushtrimin edhe në fshatrat tjera si në Beçiç, Dubovc, Krasaliqe për tu ardhur në ndihmë fshatrave të Artakollit. Menjëherë Sefer Shabani iu është përgjigjur thirrjes për ndihmë. Sefer Shabani së bashku me Musli Shabanin shkuan në Galicë dhe e njoftuan Ahmat dhe Rifat Hysenin nga Galica. Me shpejtësi Sefer Shabani me disa shokë arriti te hekurudha afër Pestovës ku zhvillohej luftë e ashpër. Aty ishin edhe Mehmet Gradica, Hysen Bojku, Tahir Fazlia, Sadri Klinaku etj.
Xhandarë e ushtarë serbë mbetën të vrarë në të dyja anët e Sitnicës
Zhvillohen luftime të ashpra dhe ushtarët e xhandarët çetnikë pësojnë disfatë të rëndë. Kishte xhandarë e ushtarë serbë të vrarë në të dyja anët e Lumit Sitnica. Luftëtarët shqiptarë e prishin hekurudhën që trenat të mos kalojnë. Te hekurudha, tregon në kujtimet e tij Sefer Mikushnica “e grabitëm një pushkumitrolez, të cilin e përdorte Rizah Behrami nga Krasaliqi, pasi kishte përvojë të duhur nga shërbim ushtarak”. Sefer Shabani mobilizon shumë fshatarë të Mikushnicës, të Prellovcit dhe në mëngjesin e 15 prillit të vitit 1941 sulmojnë stacionin e xhandarmërisë në Prellovc. Në ndihmë të këtij aksion u erdhën edhe shumë luftëtarë nga Drenica. Pjesëmarrës të aksionit ishin Nurë Mehmeti, Bajram Haliti, Alush Sejdiu nga Prellovci, Riza Behrani, Sherif Rexha nga Krasaliqi, Ajet Rexhepi me disa bashkëfshatarë nga Qirezi, Tahir Luti nga Prekazi, Ilaz Halimi e Shaban Prekazi nga Gumnishta e Vushtrrisë, Ahmet Hyseni bashkë me tre shokë nga Galica, Zukë Zani me disa të tjerë nga Polaci, Ujkan Rrypi, si dhe shumë fshatarë të tjerë të Drenicës. Fillon luftë e rreptë në mes të luftëtarëve të Drenicës dhe xhandarmerisë në stacionin e Prellovcit. Gjatë këtij aksioni plagoset lehtë Ahmet Galica dhe plagë të rënda mori Ramadan Sejdiu nga Prellovci të cilin Sefer Mikushnica e barti dhe e strehoi në shtëpinë më të afërt të Behram Nurës, duke i mundësuar dhënien e ndihmës mjekësore. Por, siç dihet fatkeqësisht luftëtari Ramadan Sejdiu nuk mundi të përballojë plagët dhe ra dëshmor i kombit. Seferi kthehet përsëri për të vazhduar aksionin kundër xhandarmërisë. Zhvilloheshin luftime të ashpra. Sefer Shabani me shokët si Nurë Mehmeti tregojnë heriozim të madh. Nurë Mehmeti arrin me sukses ti hedhë bombat brenda stacionit të xhandarmërisë. Pas kësaj xhandarët dorëzohen. Humbjet nga radhët e forcave çetnike serbe dhe kolonistëve serb janë të mëdha. Ndër më të këqijt me sjelle fashizoide sikur vojvoda Pera Zhizhiqi, i cili i kishte bërë shumë të liga kundër popullatës shqiptare u likuidua posa doli nga dera e stacionit.
Komandanti i ushtrisë serbe Kërsta Qollakoviqi ikë nga fushëbeteja
Këtu forcat serbe pësuan humbje të mëdha. Bilanci i humbjeve të forcave serbe ishte 21 ushtarë dhe 6 xhandarë të vrarë, ndër ta edhe kapiteni i klasit të parë Stefan Nikoliqi nga Tërsteniku i Drenicës. Për tmerrin e përjetuar të ushtarëve serbe e dëshmon edhe komandanti i garnizonit Kërsta Çollakoviqi. Ky komandant fshehurazi ishte larguar nga fushëbeteja. Nga kjo situatë e rënë për forcat çetnike serbe shpëtojnë edhe disa xhandarë tjerë serb si: Kersto Qollakoviqi, të cilin e shpëton një fshatar N.N nga Prellovci, Jovan Kandiqin e shpëton N.N nga një fashtar nga Qirezi, një Priniq shpëtohet nga N. N i fshatit Prellovc dhe një tjetër Panten e shpëton fshatari N.N nga fshati Krasaliqe. Me rastin e marrjes në pyetje në Komandën ushtarake serbe të Qarkut në Mitrovicë se “si shpëtuat ju dhe si është fati i oficerëve dhe ushtarëve tjerë”, Kërsta i çmendur nga frika ishte përgjigjur: “ Nuk di, kurrë më parë s’i kam parë ata burra të Drenicës, edhe pse aty kam shërbyer më se 20 vjet” Tërë armatimi që ishte në stacion u mor. Të njëjtën ditë më 15 prill 1941 pasdite nga luftëtarët si Sefer Shaban Mikushnica, Zukë Xani, Shaban Palluzha, Emin Lati, Nebih Meha dhe fshatarë nga e gjithë Drenica sulmohet stacioni i xhandarmërisë në Skenderaj. Siç tregon në kujtimet e tija Sefer Shabani, e kishin dërguar një serb për në stacion të xhandarmërisë në Skenderaj me kërkesë që të dorëzohen. Pasi ata nuk u dorëzuan lufta nuk vonoi nga ana e trimave të Drenicë dhe në mbrëmjen e 15 prillit u sulmua stacion në Skenderaj. Për fat të keq në luftë ndërhyn në rolin e ndërmjetësuesit forcat gjermane duke ndërpre luftimet kundër stacionit në Skenderaj. (vijon)