Plagos me thikë 21-vjeçarin, i ftoi të dashurën për kafe
E mërkurë, 22 Shtator 2010 08:21
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, në sytë e dhjetëra kalimtarëve, të cilët fillimisht dëshmuan në polici, duke dyshuar se gjithçka kishte ndodhur për parakalimin e makinave, pasi autori dhe i plagosuri, kishin ndaluar mjetet dhe ishin konfliktuar në rrugë. I dëmtuari, Devio Rrotallari, ka qëlluar me shuplakë autorin e më pas ai e ka goditur dy herë me thikë, duke i dëmtuar organet e brendshme. Autori më pas ka hipur në makinë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të Tiranës së Re. Policia sqaroi fillimisht se dyshohej për një sherr të çastit mes dy të rinjve, për parakalimin e makinave, por motivin e vërtetë të ngjarjes e shpjegoi gjatë deklarimeve të tij për policinë, i plagosuri Rrotallari, pasi kaloi rrezikun për jetën në spital. Dëshmia që 21-vjeçari dha për oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit nga Spitali Ushtarak ndihmoi policinë edhe për identifikimin e autorit, i cili është shpallur në kërkim. Burime nga grupi hetimor thanë se sipas deklarimeve të personit të plagosur, ky i fundit njihte të dashurën e autorit dhe disa ditë më parë e kishte ftuar për kafe. I plagosuri ka thënë se e kishte ftuar vajzën, pa e ditur se ajo shoqërohej me personin që aktualisht është shpallur në kërkim. Sipas tij, edhe debati që ata bënë dje në kryqëzimin e “Vasil Shantos”, pasi zbritën nga makinat, kishte për shkak pikërisht vajzën të cilën Rrotallari kishte “ngacmuar” disa ditë më parë. Grupi hetimor sqaroi se para se të merrej në pyetje i plagosuri, oficerët e policisë shoqëruan disa dëshmitarë të ngjarjes, të cilët kishin fiksuar vetëm targën e automjetit, me të cilin ishte larguar autori i plagosjes. Dëshmitarët pretendonin se, me aq sa kishin mundur të shihnin, kishin kuptuar se dy protagonistët e ngjarjes kanë ndaluar makinat njëra pas tjetrës në trafik dhe janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Sipas dëshmitarëve, përshtypja e parë ishte për një konflikt të momentit, që lidhej me automjetet e tyre, pasi i plagosuri e ka qëlluar me shuplakë autorin e më pas ky i fundit ka nxjerrë një thikë, duke e goditur dy herë në pjesën e barkut 21-vjeçarin. Aktualisht i plagosuri Devio Rrotallari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit.
panorama.
Krijoni Kontakt