Alexander Powell: Masakrat greke në Shqipëri, si ato të bolshevikëve në Rusi

23/09/2010

Albert Hitoaliaj


Pjesë e shkëputur nga libri “Nga Alpet në Egje” (1920) i gazetarit dhe shkrimtarit të njohur amerikan, E. Alexander Powell

Pavarësisht kushteve të trazuara që mbizotëronin në të gjithë Europën Juglindore gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1919, udhëtimi i regjistruar në faqet e librit të E. Alexander Powell, “Kufijtë e rinj të lirisë – nga Alpet në Egje” (E.Alexander Powell, “The new frontiers of freedom - from the Alps to the Ægean”; New York; Charles Scribner's Sons; prill 1920) u mundësua edhe falë bashkëpunimit aktiv të qeverive të territoreve në të cilat ai udhëtoi. “Nga Alpet në Egje” sjell një panoramë të viseve dhe gjendjes shoqërore e politike të atyre viteve në Itali, Dalmaci, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni, Turqi, Rumani, Hungari dhe Serbi. Ajo është dëshmia e një gazetari e shkrimtari të mirënjohur amerikan, i cili fitoi famë për udhëtime e tij thuajse në të gjithë globin dhe për stilin e veçantë e të vërtetë të përshkrimit të jetës në rajone të ndryshme. Pjesa që sillet në këtë shkrim, e shkëputur nga libri i mësipërm, jep një rrëfim të gjendjes politiko-shoqërore më të cilën Powell u njoh në Shqipëri (Pjesa ku rrëfehet për shqiptarët mban shënimin e autorit se është marrë pjesërisht nga një artikull i shkruar disa vjet më parë nga Alexander Powell në gazetën Independent. E.A.P.)

...Por ne jemi shmangur shumë që nga rruga që po ndiqnim. Le të kthehemi te njerëzit e maleve; i pëlqeja ata më shumë se sa politikanët. Tivari, i cili strehohet në krahët e disa kodrave, tre-katër milje në brendësi të portit me të njëjtin emër, është një nga qytetet e vogla, më tërheqëse të Ballkanit. Rrugicat e tij, gjarpërimet, rrugët e shtruara me kalldrëm, muret e harkuara, gardhet e lyera me blu, të bardhë ose të verdhë dhe kostumet e mahnitshme piktoreske të banorëve të tij thatanikë, gratë malazeze hijerënda veshur me veshjet e trasha e të gjata deri te këmbët, të bruzta e me ravijëzime të kuqeje të ndezur, boshnjakët me qillotat e ngjitura pas trupit të mbuluara me kordonë të spërdredhur dhe me xhaketat e mbuluara me qëndisje, shqiptarët me veshjet e ngrira dhe fundet e palosura të “linjave”, që njihen si fustanella dhe me gjerdanët e fishekëve që u kryqëzohen në gjoks, me brezat e tyre të fortë e të mbushur me armë të ndryshme, priftërinjtë ortodoksë me flokë e mjekra të paprera, që mbanë kapele të cilat duken si tuba sobe kthyer mbrapsht, turqit hundë-grep, mjekër-bardhë, me pamje patriarkale dhe me veshjet e tyre të lirshme e me turbanët si prej bore, malësorë me shikim therës, barinj me kësula lëkure e me guna – të gjitha këto të kombinuara për të më bërë që të ndihem sikur kam hyrë në brendësinë e një skene të një teatri, gjatë shfaqjes së një komedie muzikore, ku duhet që të gjej daljen dhe të shpëtoj para se të më zbulojë drejtuesi i skenës. Nëse David Belasco do ta kishte vizituar ndonjëherë Tivarin, ai do të ishte përpjekur ta blinte të gjithin siç ishte, ta transportonte atë në “East 44-th Street” dhe të shkruante një pjesë rreth tij...

...Nga Tivari deri në Vlorë, me anë të detit, është afërsisht aq larg sa prej New York-ut deri në Albany, duke kaluar nga Hudson, kështu që duke lënë portin malazez në mëngjes herët, ne nuk patëm vështirësi të arrinim atë shqiptar para perëndimit të diellit. Para luftës Vlora - e cila meqë ra llafi shënohet si Avlona në pjesën më të madhe të hartave amerikane – ishte një fshat i parëndësishëm peshkimi, por pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia ajo u bë një bazë e rëndësishme ushtarake. Kurdo që ta preknim në udhëtimin tonë bregun e saj ne ishim paralajmëruar për vizitën tonë në Vlorë, për shkak të rrezikut ndaj etheve. Qyteti qëndron në buzë të një kënete që kufizohet me bregun dhe duke qenë se nuk është bërë asnjë përpjekje për të tharë moçalin ose për të pastruar qytetin, rreth 60% e trupave të vendosura atje vuajnë në mënyrë konstante nga një formë virale e malaries, e ngjashme me ethet Çarxhes të Istmuth-it. Rreziku i infektimit konsiderohej haptas shumë real, prandaj para se ne të bënim një orë në banesat e caktuara për ne, oficerët filluan që të vijnë me mjete ruajtëse të një lloji ose një tjetri. Njëri solli rrjeta për gjithë dritaret; një tjetër siguroi mbulesa kundër mushkonjave për krevatet; një i tretë na solli disa dezinfektues në formë kubash, të cilët duhet t’i digjnim brenda secilës ditë për disa herë rresht në dhomën tonë; një i katërt na bëri dhuratë pilula kinine, dy prej të cilave duhet t’i merrnim çdo orë; ndërsa një tjetër prej bujtësve tanë u shfaq me një duzinë shishesh me ujë mineral dhe na paralajmëroi që të mos pinim nga uji i vendit dhe më në fund, për të na siguruar përkundrejt ndonjë ngacmimi prej ndonjë vagabondi vendas, dy roje u vendosën pranë dritareve tona.

“Vlora nuk është një vend shumë i shëndetshëm për të jetuar në të”? Unë e bëra këtë vërejtje gjatë një bisede me një prej oficerëve i cili ishte mysafiri ynë në atë mbrëmje. Fytyra e tij ishte po aq e verdhë sa edhe një pergamenë e vjetër dhe ai dridhej nga ethet.

“Plotësisht”, pohoi ai me gjysmë zemre, “ju duhet të jeni të kujdesshëm që të mos ju pickojë ndonjë mushkonjë, se në të kundërt do të merrni malarien. Si dhe mos pini ujin e këtushëm, sepse do të merrni tifon. Qëndroni larg nga lagjet e vendasve, pasi atje mund të gjeni pak a shumë gjithmonë sëmundjen e lisë në pazar. Mos shkoni të bridhni përreth qytetit pas muzgut, sepse atje ka gjithnjë mundësi që ndonjë fanatik t’ju fusë një thikë mes shpatullave. Në të kundërt, nuk ka tjetër vend në botë më të shëndetshëm sesa Vlora”.

Matanë rrugës, ku ndodhej ndërtesa në të cilën ishim strehuar, ishte një xhami e madhe, e cila, duke gjykuar nga skela e ndërtimit rreth saj, ishte nën riparim. Por edhe pse dukej si një xhami e madhe dhe e rëndësishme, rreth saj nuk punohej. Komentova rreth kësaj gjëje një ditë tek bisedoja me një oficer me të cilin po bëja një copë udhë.

“A i shihni ata lejlekët atje lart?”, më pyeti ai, duke më treguar dy shpendë këmbëgjatë që qëndronin pranë folesë së tyre në kubenë e xhamisë. “Lejleku është shpendi i shenjtë i Shqipërisë dhe nëse ai ndërton një fole në një ndërtesë e cila po ndërtohet, e gjithë puna ndërpritet për aq kohë sa lejlekët qëndrojnë aty. Puna për një barakë të cilën ne po e ndërtonim, zgjati me muaj, pasi një lejlek vendosi që të ndërtonte çerdhen e tij mbi të, dhe pasi e panë këtë gjë, punëtorët vendas hodhën mjetet e punës dhe u larguan”.

“Në vendin tim është komplet e kundërta”, vura në dukje unë. “Atje, kur lejlekët vijnë, në vend që të lënë punën, fillojnë të ndërtojnë një dhomë fëmijësh”.

Kisha dëshiruar shumë që të shkoja përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë, nga Adriatiku deri në Egje, me motor, por sa më shumë i ishim afruar Shqipërisë, aq më i pashpresë na dukej ky projekt për t’u realizuar. Ne ishim të sigurt se nuk kishte rrugë në brendësi të vendit, ose nëse ekzistonin të tilla, ato do të ishin të pakalueshme nga asgjë, përjashtuar këtu qerret me buaj; se vendi ishte shkatërruar nga ushtritë të cilat kishin luftuar dhe do të ishte e pamundur për të gjetur ushqim në rrugë; se malet që ne do të kalonim ishin të frekuentuara nga banditët dhe komitët dhe se ne do të ishim të ekspozuar ndaj sulmit dhe kapjes; se megjithëse italianët mund të na linin të kalonim përmes Shqipërisë, rojet e kufirit serb dhe ato greke nuk do të na lejonin që të hynim në Maqedoni, dhe si argument final ndaj sipërmarrjes ne ishim të paralajmëruar se i tërë vendi kutërbonte nga ethet. Por kur i tregova Guvernatorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, gjeneralit Piacentini, se çfarë kisha ndër mend të bëja, çdo pengesë u zhduk si me shkop magjik.

“Ju do ta lini Vlorën nesër në të gdhirë”, tha ai, pas një këshillimi të shkurtër me shefin e tij të shtabit. “Ju do të jeni i shoqëruar nga një prej oficerëve të Shtabit tim, i cili ka qenë me ushtrinë serbe, gjatë tërheqjes së saj nëpër Shqipëri, deri në det. Në vend ka garnizone gjithandej dhe unë nuk parashikoj as edhe trazirën më të vogël, por si një masë sigurie, një grup ushtarësh do ta ndjekin makinën tuaj me një kamionçinë. Ju do ta kaloni natën e parë në Gjirokastër, të dytën në Leskovik dhe të tretën në Korçë, e cila është e pushtuar nga francezët. Unë do t’i nis një telegraf agjentit tonë diplomatik atje, që të marrë masa me autoritetet jugosllave për lejimin tuaj të kalimit të kufirit serb për në Manastir, ku ne akoma kemi pak trupa tonat që merren me punë shpëtimi. Në jug të Manastirit ju do të futeni në territor grek, por unë do t’i nis telegraf oficerit komandues të forcave italiane në Selanik, që të ndërmarrë hapa lehtësuese për udhëtimin tuaj përmes Maqedonisë drejt Egjeut”.

Ky udhëtim, përmes një prej territoreve më të egra e më të panjohura në gjithë Europën, ishte rregulluar aq thjesht, sa mund ta rregullonte, për hir të së vërtetës, një nëpunës në një agjenci turistike një udhëtim me motor përmes Malit të Bardhë. Me përjashtimin e vetëm të një apo dy devijimeve në itinerar, të detyrueshme për shkak problemeve me gomat, udhëtimi u krye pikërisht ashtu si gjeneral Piacentini e planifikoi dhe aq tërësore ishin rregullimet saqë ushqimet dhe vendet ku do të flinim ishin përgatitur edhe në male e katunde të cilët s’i kishim dëgjuar kurrë.

Deri në pushtimin e saj nga italianët në 1917, Shqipëria nuk ishte vetëm vendi më i pak i njohur në Europë, por ajo ishte një nga vendet më pak të njohura në botë. Në vështrimin e Italisë ajo ishte më pak e njohur se shumë zona të Azisë Qendrore apo Afrikës Ekuatoriale. Dhe ajo vazhdon të jetë edhe sot një vend i ashpër, një tokë që ka ndryshuar pak që nga ditët e Konstandinit dhe të Dioklicianit, një tokë që për më shumë se 20 shekuj nuk ka njohur padron dhe deri në ardhjen e italianëve nuk kishte njohur ligj. Para pushtimit italian nuk ka pasur një qeveri në Shqipëri, në sensin që bota e sotme e përdor këtë, dhe nuk ka as tani një qeveri civile, por ka organizime fisnore të cilat mund të krahasohen me ato që ekzistojnë në Skoci nën Mbretin Stjuart.

Termi “albanian” do t’u duket i panjohur shumicës së banorëve, të cilët e quajnë veten e tyre “shqiptarë” dhe vendin e tyre Shqypni. Ata janë – siç bien dakord shumica e etnologëve – me sa duket, raca më e lashtë në Europë. Ka çdo arsye të mundshme për të besuar se ata janë pasardhës të drejtpërdrejtë të atyre Arjanëve aventurierë, që lanë shtëpitë stërgjyshore në brigjet e Kaspikut, kapërcyen Kaukazet dhe hynë në Europë në agimin më të hershëm të historisë. Një nga fiset e kësaj morie migruese përhumbi në këto lugina të vetmuara, duke u vendosur atje të grumbulluar bashkë, duke jetuar të njëjtën jetë si më parë, duke folur të njëjtën gjuhë, duke ndjekur të njëjtat tradita si paraardhësit e tyre Arjanë, totalisht indiferentë ndaj ndryshimeve të mëdha që kryheshin në botën përtej mureve të tyre malore. Një gjë është e sigurt, se Shqipëria ishte prej kohësh një komb i lashtë, kur historia greke filloi. Në ndryshim me popullsitë e tjera primitive të Gadishullit Ballkanit, të cilat me kalimin e kohës u helenizuan, latinizuan ose sllavizuan, shqiptarët kanë ngelur pothuajse të paprekur nga influencat e huaja. Më bën përshtypje si një gjë e çuditshme, që trimëria dhe vendosmëria me të cilën kjo racë e shquar e ka mbajtur veten në malet e saja si fortesë ndër kohëra, si dhe përballimi i ashpër dhe i palëkundur të cilin e ka treguar kundër pushtuesve të panumërt, të ketë ndjellë kaq pak vlerësim dhe admirim në botën e jashtme. Historia nuk ka këngë epike të tilla si ato të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, më mirë i njohur si Skënderbeu, i cili me ushtrinë e malësorëve të tij të keqarmatosur dërrmoi njëzet e tre ushtri otomane, njëra pas tjetrës.

Pikturoni, nëse mundni, një vend të mrekullueshëm e të ngjashëm në karakteristikat fizike me Rajonin Ridge të Jugut të SHBA-së, me të njëjtat stinë vere të nxehta, dimra të ftohtë, të populluar nga e njëjta varfëri, njerëz analfabetë, gërnjarë, dyshues, me armë në brez, racë malësorësh praktikues të feudalizmit dhe ju do të keni paralelen vendore më të mirë të Shqipërisë, të cilën unë mund t’ju jap.

Ndonëse gjatë muajve tejet të nxehtë të verës ditët ndiqen nga net me një të ftohtë të hidhur dhe ethet janë mbizotëruese kudo përgjatë bregdetit si dhe në disa lugina, Shqipëria është, duke nënkuptuar klimën, “një vend njerëzish të bardhë”. Malet e saj besohet se përmbajnë hekur, qymyrguri, ar, plumb dhe bakër, por gjendja e brendshme e vendit e ka bërë të pamundur hetimin e burimeve minerare të saja, e aq më pak zhvillimin e tyre. Me përjashtim të Vlorës, e cila është zhvilluar në brendësi të një gjiri deri diku të mirë, nuk ka porte të tjerë më të mirë se Durrësi, Saranda dhe Shën Gjini, që janë në radë dhe janë pothuajse të pambrojtur nga erërat detare. Nuk ka hekurudha në Shqipëri dhe indiferenca e qeverisë turke, korrupsioni i udhëheqësve lokalë dhe gjakmarrja me të cilën njerëzit janë vazhdimisht të zënë, kanë sjellë si përfundim mungesën totale të rrugëve të mira.

Kjo gjendje është riparuar nga italianët gjithsesi, të cilët me qëllim që të lehtësojnë operacionet e tyre ushtarake, kanë ndërtuar një sistem rrugësh shumë të përngjashëm me ato që ata kanë ndërtuar në Alpe. Ndonëse pjesa më e madhe e vendit nuk e njeh plugun, pjesët e pakta të cilat janë nën kultivim prodhojnë vaj ulliri të shkëlqyer, verë të një cilësie të pranueshme, një duhan të fortë por të mirë dhe sasi të konsiderueshme gruri; Shqipëria, pavarësisht nga metodat e saja primitive të agrikulturës, plotëson nevojat më të mëdha për drithëra të brigjeve dalmate.

Shqipëria, për aq sa unë jam në dijeni, është vendi i vetëm ku ju mund të blini një bashkëshorte me një planifikim paraprak, ashtu si ju mund të blini një enciklopedi ose një piano apo gramafon. Është më se e vërtetë se ka shumë vende ku gratë mund të blihen - Çerkezia, për shembull, në Kinë dhe në Ishujt Solomon - por në ato vende dhëndri i ardhshëm është i detyruar të paguajë çmimin e blerjes në para të thata, duke mos iu dhënë lehtësia e hapjes së një llogarie. Në Shqipëri, megjithatë, gjëra të tilla bëhen më mirë, duke paguar një pagesë të pjesshme të çmimit të blerjes së vajzës për prindërit e saj kur ndërmerret angazhimi, pas së cilës ajo nuk ofrohet më për shitje, por lihet mënjanë, si një artikull për të cilin është bërë një depozitim, deri sa kësti përfundimtar të jetë paguar, kur ajo i dorëzohet burrit të saj të ardhshëm.

Shqipëria është gjithashtu i vetmi vend që unë di, ku çdonjëri që ka lidhje me të, zemërohet nëse një vrasës dërgohet në burg. Të afërmit e të dashurit të tyre të vdekur marrin zët nga kjo, sepse ata mendojnë se gjyqtari ua ka hedhur duke i lënë ata pa hakmarrjen e tyre, që ata ndoshta do të merrnin kur vrasësi të ishte i lirë, duke i futur një thikë ose një plumb pistolete mes shpatullave. Vrasësi, sigurisht që kundërshton ndaj dënimit, sepse ai nuk e pëlqen burgimin si dhe për shkak se ai beson se mund të shpëtojë nga të afërmit e viktimës së tij nëse i jepet liria. Nëse ai ose miqtë e tij kanë para, gjithsesi, çështja zakonisht rregullohet mbi baza financiare, gjakmarrja shuhet, vrasësi falet dhe çdonjëri që ka lidhje, me përjashtim vetëm të së vdekurit, është po aq i kënaqur dhe miqësor sikur asgjë të mos kish ndodhur ndonjëherë, që të ndërpriste marrëdhëniet e tyre miqësore. Njerëz të çuditshëm shqiptarët.

Në mënyrë që të zhvillojë burimet e vendit dhe për të transformuar varfërinë e tij të tashme në prosperitet, Italia ka përuruar tashmë një skemë të gjerë të punëve publike, e cila përfshin rikuperimin e kënetave, ripyllëzimin e maleve, rindërtimin e rrugëve kryesore, përmirësimin e porteve, si dhe ndërtimin e një hekurudhe të drejtë përmes gjithë Shqipërisë, nga brigjet e Durrësit për në Manastir, në Maqedoninë serbe, ku ajo do të lidhet me linjën nga Beogradi në Selanik. Kjo hekurudhë do të ndjekë rrugën e një prej arterieve më të rëndësishme të Perandorisë Romake, Via Egnatias, asaj rruge të fuqishme ushtarake dhe komerciale, një vazhdim trans-Adriatik i Via Appia-s, e cila, duke filluar nga Dyrachium, Durrësi i sotëm, kalonte fushën e Kavajës drejt Shkumbinit, ngjiste shpatet e maleve Candavia [shënim: malet e Polisit] dhe duke kaluar Maqedoninë e Trakën, përfundonte në Bosfor, duke lidhur kështu kryeqytetet e perandorive perëndimore dhe lindore. Ne udhëtuam në këtë rrugë të lashtë, e cila kishte gjëmuar dy mijë vjet më parë, nën koçinë katër-kuajshe të Çezarit, me një tip tjetër koçie, që nën kofanon e saj të pjerrët kishte fuqi njëzet herë më të madhe se koçitë me katër kuaj.

Kjo do të na japë të drejtë neve, në vitet e ardhshme, për të dëgjuar me përfilljen e pionierëve tregimet e turistëve të cilët do të kenë bërë të njëjtin udhëtim trans-ballkanik në një vagon të rehatshëm fjetje, me ujë të rrjedhshëm të nxehtë e të ftohtë, drita elektrike dhe një vagon ngrënie përpara. Është gjë e madhe që të kesh parë një vend në fazën pioniere të ekzistencës së tij.

Në këtë pjesë të Shqipërisë së Jugut të njohur si Epiri i Veriut, ne udhëtuam me makinë për një ditë të tërë nëpërmjet një rajoni të pasur me ato që kishin qenë, me sa dukej qytete dhe fshatra vërtet të begatë, por të cilat janë tani pirgje gërmadhash të nxira nga zjarri. Ky shkatërrim masiv, u informova për shtangien time, ishte punë e grekëve, të cilët, thuajse në të njëjtën kohë kur gjermanët ishin duke tmerruar botën e civilizuar me sjelljen e tyre në Belgjikë, ishin duke bërë pikërisht të njëjtën gjë, thuhet, por në një shkallë shumë më të gjerë në Shqipëri. Si rezultat i këtyre mizorive, të kryera nga një komb i ashtuquajtur i krishterë dhe siç e thotë me gojën e vet i qytetëruar, një numër i madh qytetesh dhe fshatrash shqiptare janë shkatërruar me zjarr dhe dinamit. Edhe pse unë kam qenë në gjendje për të marrë ndonjë shifër të besueshme, konsensusi i opinionit mes shqiptarëve, zyrtarëve francezë e italianëve dhe misionarëve amerikanë e punëtorëve ndihmës me të cilët kam biseduar është se rreth 10000 deri në 12000 burra, gra dhe fëmijë u qëlluan me armë zjarri, u therën me bajoneta ose u dogjën deri në vdekje; të paktën dyfishi i këtij numri vdiq nga i ftohti dhe uria, si dhe një numër i madh - unë kam dëgjuar se shifra shkonte deri në 200000 – ishin shndërruar në të pastrehë. Rrëfimet që dëgjova mbi trajtimin ndaj të cilit ishin nënshtruar gratë shqiptare janë aq të neveritshme, sa që është e pamundur të shkruhen. Ne kaluam një natë në Leskovik, tre të katërtat e të cilit ishin shkatërruar. Nga një popullsi, e cila m’u tha se në fillim shkonte në rreth 8000 vetë, kishin mbetur vetëm 1200 vetë.

Edhe pse shumica më e madhe e viktimave ishin myslimanë, mizoritë nuk ishin bërë drejtpërsëdrejti për shkaqe fetare, por ishin të frymëzuara kryesisht nga lakmia për territor. Kur, pas vendimit që Shqipëria të bëhej një mbretëri e pavarur në vitin 1913, grekët u urdhëruan nga Fuqitë e Mëdha të tërhiqen nga Epiri i Veriut, kufijtë e të cilit ata i kishin shkelur me vendosmëri dhe që kishin bërë si u kishte dashur qejfi i tyre, u raportua për ta se kishin filluar një seri sistematike mizorish mbi popullsinë civile të rajonit, për të cilat një paralele e përshtatshme mund të gjendet vetëm në masakrat turke në Armeni apo tmerret e sundimit bolshevik në Rusi. Në vendosmërinë e tyre për të siguruar jugun e Shqipërisë për veten e tyre, grekët me sa duket përvetësuan politikën e ndjekur me një sukses të tillë nga turqit në Armeni, të cilët shpallën në mënyrë cinike se “askush nuk mund ta bëjë një shtet pa banorë”.

Unë nuk mendoj se grekët janë përpjekur për t’i mohuar këto mizori – dëshmia është shumë më tepër bindëse për këtë – por edhe pse i madh, një grek si M. Venizelos i justifikon ato që ngjanë në terren, se ishin provokuar nga shqiptarët. Që gjëra të tilla mund të ndodhin pa shkaktuar tmerr dhe dënim nëpër të gjithë botën e civilizuar, u bë shkak fakti se në verën e vitit 1914 vëmendja e botës u përqendrua në ngjarjet e Francës dhe Belgjikës. Unë nuk kam asnjë sherr me grekët dhe asgjë nuk është më larg dëshirës sime sesa të merrem me atë që njihet si "mbledhje-plehu", por unë jam duke raportuar atë që kam parë dhe që kam dëgjuar në Shqipëri, sepse unë besoj se populli amerikan duhet të vihet në dijeni të kësaj. Duke bërë lidhje edhe me sjelljen e trupave greke në Smirna në pranverën e vitit 1918, kjo duhet të na mundësojë më shumë për formimin e një opinioni për sa i përket paraqitjes morale të grekëve që t’i besohet me mandate mbi popullsi të prapambetura.

Megjithëse Shqipëria është një protektorat italian, shqiptarët, përkundër të gjitha atyre që Italia është duke bërë në drejtim të zhvillimit të vendit, nuk e duan mbrojtjen italiane. Kjo pothuajse të habit, megjithatë është si pikëshikimi i qëndrimit të një populli tjetër të pambikëqyrshëm, si egjiptianët, të cilët edhe pse i detyroheshin për prosperitetin e tyre të mahnitshëm vetëm sundimit britanik, do t’i rrëzonin britanikët në rastin e parë që iu ofrua. Ndonëse italianët janë të dyshuar sepse shqiptarët kërkojnë kompetencat e tyre administrative dhe për shkak se kanë frikë se italianët do të përpiqen t’i çkombëtarizojnë ata, francezët shikohen me një urrejtje të cilën unë rrallë e kam parë të njëjtë diku tjetër. Kjo ndodh për shkak - imagjinoj unë - të besimit se francezët janë aleatë me armiqtë e tyre të trashëguar, grekët dhe serbët dhe për shkak të qeverisjes së rreptë të Francës, e cila ishte ilustruar kur gjenerali Sarril, që komandonte ushtrinë e Orientit, urdhëroi kryerjen e ekzekutimit të Presidentit të Republikës jetëshkurtër shqiptare që u themelua në Korçë.

Për hir të së vërtetës, shqiptarët, edhe pse mjaft të papërshtatshëm për pavarësinë, iu kundërvunë me dhunë vendosjes nën mbrojtjen e ndonjë kombi tjetër, përveçse nëse ky komb do të ishin Shtetet e Bashkuara apo Anglia, ku te të dy këto kombe ata kishin besim të patundur. Unë u habita kur mësova se disa amerikanë që kanë depërtuar në Shqipëri që nga lufta – misionarë punonjës të Kryqit të Kuq dhe një ose dy hetues të Konferencës së Paqes – kanë inkurajuar te vendasit besimin se Shtetet e Bashkuara ndoshta do të pranonin një mandat për Shqipërinë. Unë nuk e di, nëse ata e bënë këtë gjë në mënyrë që të bëheshin popullorë e të lehtësonin në këtë mënyrë edhe misionet e tyre, ose për shkak të ndonjë injorance të skajshme të ndjenjave publike amerikane, por mbetet fakti që ata ngritën në zemrat e mijëra shqiptarëve shpresa që nuk mund të realizohen kurrë. Duke konsideruar çdo gjë, mendoj se shqiptarët mund të bënin më keq nëse nuk do t’ia besonin të ardhmen e tyre politike drejtimit të italianëve, të cilët, përveçse kanë sjellë ligjin, rendin, drejtësinë si dhe fillimet e prosperitetit në një vend që kurrë nuk kishte pasur as njohuritë më të pakta të ndonjërës prej tyre më parë, duket se tregojnë interesin e madh të njerëzve me zemër të sinqertë.

Duke lënë Korçën, një qytet i pastër dhe i mbajtur mirë me ndoshta 10000 njerëz, i cili ishte pushtuar kur ne ishim atje nga një batalion prej trupash zezakë nga Sudani francez dhe prej disa marokenësh, ne notuam nëpër kallamishte deri lart në trevat e malit Peristeri në një rrëpirë tronditëse, në një shteg të ngushtë, lart, më lart, gjithmonë më lart...

Le të marrim në konsideratë tani pretendimet e Greqisë për rikthimin e pasurive së të Sëmurit. Duke marrë parasysh qëndrimin e tyre gjatë pjesës së hershme të luftës (nuk është sekret se operacionet e Gjeneral Sarrilit në Maqedoni u penguan seriozisht nga frika e tij se Greqia mund ta sulmonte atë në pjesën e pasme) dhe numrin e pakët të humbjeve të tyre në betejë, grekët kanë arsyetuar mirë në lojën e grabitjes së territorit. A e kuptoni – unë habitem – shtrirjen e plotë të kërkesave greke? Greqia kërkon (1) pjesën jugore të Shqipërisë, e njohur si Epiri i Veriut; (2) të gjithë Trakën bullgare, duke e ndaluar kështu plotësisht daljen e Bullgarisë në Egje; (3) tërë Turqinë Europiane, duke përfshirë edhe Dardanelet e Kostandinopojën; (4) krahinën e Trebizondit, në bregun jugor të Detit të Zi, banorët grekë të së cilës u përpoqën për krijimin e të ashtuquajturës Republika Ponte; (5) portin e madh detar të Smirnës, me 400000 banorët e tij dhe një pjesë të konsiderueshme të pjesës së brendshme, të cilat ajo i ka pushtuar tashmë; (6) Ishujt Dodekanesus, nga të cilët më i madhi është Rodosi, në brigjet perëndimore të Azisë së Vogël, të cilin italianët e pushtuan gjatë luftës turko-italiane dhe që nuk e kanë evakuuar akoma; (7) lënien e Qipros nga Anglia, e cila e ka administruar atë që nga viti 1878. Kërkesat modeste të Greqisë mund të përmblidhen në fjalët e një kënge të njohur në Shtetet e Bashkuara një duzinë vitesh më parë dhe që mund të përvetësohet e të miratohet nga grekët si himni i tyre kombëtar:

"Gjithçka që dua janë 50 milionë dollarë,
Një shatërvan shampanje që të rrjedhë në këmbët e mia;
J. Pierpont Morgan duke pritur në tryezë,
Dhe grupin Sousa duke luajtur, ndërsa unë ha”.
(Morgan, bankier i njohur amerikan; Sousa, bandë muzikore shumë e famshme në SHBA-në e viteve 1900 – shënim A.H.)

Do të isha krejt i sinqertë po të thosha se unë kam pak simpati për pretendimet e Greqisë në këto territore, jo sepse ajo nuk ka të drejtë për to në bazë të kombësisë – për këtë nuk duhet mohuar se, në të gjitha rajonet në fjalë, hiq vetëm Shqipërinë dhe Trakën, grekët formojnë shumicën e banorëve të krishterë – por sepse ajo nuk është vetë aq e avancuar sa për t’i besuar autoritet mbi racat e tjera, veçanërisht mbi myslimanët. Mizoritë e kryera nga trupat greke mbi myslimanët e Shqipërisë dhe të Smirnës, për të mos thënë asgjë pastaj nga sjellja e bandave greke në Maqedoni gjatë luftërave në Ballkan, duhet të jenë provë e mjaftueshme e papërshtatshmërisë së saj për të qeverisur një racë të huaj. Unë tashmë kam folur mbi disa detaje për mizoritë greke të raportuara në Shqipëri. Por ky nuk ishte një shembull i izoluar i metodave të kryera në “helenizimin” e popullsive myslimane.

Në pranverë të vitit 1919, Konferenca e Paqes, e hipnotizuar me sa duket nga M. Venizelos, i cili është një nga diplomatët më të zotë të kohës, bëri gabim që lejoi forcat greke, të pashoqëruara nga trupa të tjera, për të zbarkuar në Smirna. Pothuajse menjëherë aty filloi një masakër pa dallim ndaj zyrtarëve dhe civilëve turq, si hakmarrje, ashtu si pohojnë grekët, për masakrën e grekëve ndaj turqve në rajonet e largëta. Përgjigjja e qartë për këtë është se ndërsa grekët pretendojnë se janë një racë e qytetëruar, ata mbrojnë idenë se turqit nuk janë të tillë. Protesta kundër grekëve në këtë rast ishte aq e madhe, saqë një komision me përbërje nga aleatët, duke përfshirë përfaqësues amerikanë, u emërua për të bërë një hetim të plotë. Ky komision i gjeti njëzëri grekët si fajtorë të masakrës së paprovokuar të 800 burrave, grave dhe fëmijëve turq, të cilët ishin vrarë gjakftohtësish me armë, ndërsa po marshonin përgjatë skelës në Smirna; ata që nuk u vranë menjëherë, u hodhën nga ushtarët grekë në det.

U provua gjithashtu me dëshmi edhe sjellja despotike dhe fyese e trupave greke në qytetet dhe fshatrat përtej Smirnës. Unë nuk kërkoj ndonjë dëshmi të mëtejshme për mungesën e maturisë nëse do të vendoseshin myslimanët nën kontrollin grek, por në qoftë se do të doja, kam provën e z. Hamlin, djali i themeluesit të Roberts College, i cili ka lindur në Turqi, që flet turqisht e greqisht dhe që u dërgua në Smirna nga qeveria greke si një hetues dhe këshilltar. Ai më tha se qëndrimi grek ndaj myslimanëve ishte shumë provokativ dhe autoritar dhe se aleatët ishin fajtorë për neglizhencë penale kur ata i lejuan grekët të zbarkonin të vetëm në Smirna.

Edhe pse ata e dinë se ëndrra e tyre e rikthimit të sundimit helen mbi Bizant nuk mund të realizohet, grekët i kanë kundërshtuar ashpër Shtetet e Bashkuara, me qëllim marrjen e një mandati për Kostandinopojën. Shkalla e armiqësisë greke ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është vlerësuar në Amerikë, por kam gjetur gjurmë të saj kudo në perandorinë otomane. Një propagandë e gjerë greke e ka hedhur përgjegjësinë për dështimin e Greqisë në marrjen e gjithë Trakës, mbi Shtetet e Bashkuara. Ndaj kësaj akuze është shtuar edhe përgjegjësia se amerikanët ishin kryesorët në krijimin e ndjenjës kundër grekëve mbi masakrat e Smirnës, masakër të cilën grekët pretendojnë se ishte thjesht një incident fatkeq dhe se duhet të mos vihet re. Çdo lloj arsyeje e jashtëzakonshme është nxjerrë për armiqësinë e supozuar të Amerikës në lidhje me pretendimet greke, duke filluar që nga akuza se qëndrimi ynë është i frymëzuar nga misionarët (për shkak se Kisha Orthodhokse e ka kundërshtuar gjithmonë praninë e misionarëve amerikanë në tokat greke) e deri tek ambiciet tregtare. Ashtu si një dokument drejtues grek e nxjerr atë në pah: "Krahasuar me lakminë e Amerikës dhe skemat për zgjerim tregtar që prej luftës, imperializmi i Gjermanisë ishte idealizëm i pastër".

...Dhe për të mbyllur këtë copëz rrëfimi të Alexander Powell po citojmë atë që ai shpreh në formë dëshire në librin e tij:

“Ndonjë ditë, kur bota të jetë me të vërtetë në paqe dhe të mos ketë më ç’të shkruash rreth luftërave, mendoj se do të kthehem atje: Larg, larg që këtu / Ku Adriatiku thyhet mbi një gji të ngrohtë /Ndërmjet kodrave të gjelbra Ilire...”


Kush është E. Alexander Powell (1879 – 1958)

Eduard Aleksandër Pauëll (Edward Alexander Powell) lindi në vitin 1879. Familjarët e tij ishin mbarështues kuajsh, ose më saktë fermerë dhe në moshë të re ai u dërgua me një tufë kuajsh race të pastër në Meksikë. Në rrugën e kthimit, duke ardhur nga Kuba, ai u infektua jo vetëm me një rast të rëndë të dizenterisë, por u infektua edhe me një dashuri jetëgjatë për udhëtimin dhe aventurën. Më pas ai filloi një karrierë që do ta çonte në të gjithë botën, në disa nga zonat më të shkreta dhe më të largëta në tokë, në fushëbetejat e Luftës së Madhe dhe në shoqëri me shumë nga liderët dhe politikanët më të rëndësishëm të shekullit XX si: Theodor Rusvelt, Mbreti i belgëve Albert I, Winston Churchill, Lordi Northcliffe, gjeneralët Gouraud dhe Nivelle, Pancho Villa, Gabriele d'Annunzio, Shahu i Persisë, marshallët von Hindenburg dhe Pilsudski, marshalli sovjetik Tuckashevsky, Adolf Hitler dhe shumë e shumë të tjerë.

Ai filloi një karrierë në gazetari dhe në shkrime aventure pak a shumë në mënyrë të paqëllimshme. Ndërsa udhëtonte nëpër Europë para Luftës së Madhe, artikujt e tij të parë ishin në lidhje me kuajt dhe garat sportive të tyre, por pothuajse natyrshëm ai rrëshqiti në shkrimet që përshkruanin udhëtimet dhe aventurën e më vonë kaloi direkt në raportimin e lajmeve. Si një profesion të dytë, ai hyri në ushtrinë britanike për një periudhë të shkurtër pas diplomimit dhe u punësua edhe nga qeveria e SHBA-së në shërbimin konsullor në Lindjen e Mesme për pak kohë.

Me hyrjen amerikane në luftë në prill të vitit 1917, Powell doli vullnetar për kryerjen e shërbimit ushtarak dhe u emërua kapiten i Zbulimit Ushtarak. Pas disa detyrave, ai pësoi dëmtime në shtyllën kurrizore nga një rrëzim me kalë në Francë, në shtator 1918 dhe qëndroi në regjim pushimi deri pas armëpushimit. Ai u largua nga Forcat e Armatosura amerikane me gradën major.

Pas Luftës së Madhe, ai e vazhdoi karrierën e tij gazetareske dhe si shkrimtar aventure, duke udhëtuar larg dhe jashtë vendit, duke shkruar një numër të madh librash dhe artikujsh. Vështirë se gjendet një zonë e botës të cilën Powell nuk e ka vizituar gjatë jetës së tij: ai shkoi në Azinë Qendrore ruse, Indonezi, Indi, në të gjithë Lindjen e Mesme, Etiopi, Afrikë, Persi, Bashkimin Sovjetik dhe madje arriti të hyjë edhe në Nepal në kohën kur vendi ishte ende i mbyllur zyrtarisht për të gjithë të huajt.

Edhe pse të shkruara më shumë se gjysmë shekulli më parë, librat e tij mbeten jashtëzakonisht të lexueshëm dhe tërheqës. Ai shkruan në mënyrë të qartë dhe të saktë, pa lajka ose shtirje, por përshkrimet e tij mbi vendet dhe gjendjen shpirtërore janë shumë të arrira, sidomos kur shkrimet e tij karakterizohen nga një formë e butë humori amerikan. Dhe me sa duket, falë gjithë mënyrës së tij të sjelljes së veçantë amerikane, ai lëvizi në qarqet më të larta diplomatike e të biznesit në kohën e tij, dhe njohu disa nga politikanët e ushtarakët më të famshëm dhe më famëkeq të shekullit XX.

Autobiografia e tij u botua në vitin 1954 dhe u quajt në mënyrë kuptimplotë “Rruga e aventurës”. Powell vdiq më 13 nëntor 1958, në moshën 78-vjeçare.


shqip.