Close
Faqja 5 prej 10 FillimFillim ... 34567 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 81 deri 100 prej 189
  1. #81
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-08-2008
    Postime
    1,280

    Shqipëria në 100-vjetorin e pavarësisë

    Viti 2012 është shpallur zyrtarisht si vit kremtash, për përvjetorin e 100-të,jubilar të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.Ky fakt është motiv i fort për një rishikim të gjithanshëm të kësaj periudhe.Sigurisht se diskursi është i ndryshëm,varësisht nga pikëpamjet personale karshi shumë ngjarjeve,shpeshherë shumë tronditëse dhe tragjike,duke filluar nga ditët e para të vjeshtës së vonë të vitit 1912,te Konferenca e Ambasadorëve në Londër e deri te Konferenca e Versajës dhe e Jalltës.
    Si popull i vogël,pa krah,i përçarë në shumë fe e krahina,pa ekonomi të qëndrueshme,pa arsim kombëtarë,gjuhë unike letrare e administrative,pa traditë shtetformuese moderne dhe pa asnjë mbështetje të fortë e aktive ndërkombëtare,fillimi ishte tepër i zymtë për trojet tona...trishtues.
    Por,ja për inat të hasmit e për lavdi të Hyit tonë,Shqipëria është sot 100-vjeçare.
    Bile, edhe me bijen e saj të vogël përkrahë- Kosovën...
    Ky përvjetor është rast e motiv që të mendojmë thellë për të gjitha gjanat që nuk shkojnë sipas dëshirës,nevojës dhe kërkesave tona.
    Eshtë rast që të analizojmë me qetësi,fakte e logjikë të ftohtë,gjithë ato të meta,dobësi e mangësi që kemi pasur dje,i kemi sot e që duhet sa ma parë të harrohen.E këto nuk janë pak dhe shkado;
    Duke filluar nga anarkia,papërgjegjësia ,kapërdisja,egoizmi dhe etja e smuar për pushtet e pasuri,që kurr nuk mundëm ti kotrollojmë në suaza normale...

    Ndoshta është tepër pretencioze nga ana ime hapja e kësaj teme,por mendoj se kontributi i të shumtëve të këtij Forumi,që kanë dije,kulturë e vullnet,mund ta bëjë këtë temë shumë atraktive për këtë vit,natyrisht nese i anashklalojmë tifozllëqet partiake, karakteristike për gjithçka ndër ne e rreth nesh,edhe rreth historisë dhe problemeve të natyrës madhore,çfarë ka nevojë për diskutim ky vend...

    Këtë temë po e filloj me një shkrim autorial të rilindasit mbase të fundit shqiptarë Zotni Sami Repishtit......nga Amerika e largët.Mbase edhe ka shumë çështje që edhe mund të mos pajtohemi rreth konkluzioneve të tij për çështje,njerzë dhe probleme konkrete,por për nji gja besoj se do të pajtohemi të gjithë;dashurinë e pafund që ka njeriu i këtij vendi për atdheut tonë të përbashkët-Shqipërinë,çka shihet edhe nga shkrimi në vazhdim...
    -----------------------
    Mirë se vjen viti jubilar 2012!

    Opinion e Shtunë, Janar 7th, 2012

    SAMI REPISHTI,"PANORAMA",tiranë

    Për të gjithë vëllaznit dhe motrat që ndihen krenarë për emnin “shqiptar” dhe “shqiptare”, urimet e mia ma të mira për vitin jubilar 2012. Gjithashtu, mirë se vjen shekulli i dytë i Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, shekulli i shpresës së madhe, akoma të papërmbushun, shekulli i andrruem që nga vitet e largëta të Rilindjes shqiptare, që nga bankat e shkollës fillore ku muarrëm mësimin e parë mbi Shqipërinë, tokën e saj, popullin e saj, e historinë e saj të dhimbshme. Sot mendojmë se kjo trashëgimi që sjell lot në sy, nuk duhet të jetë “fati” i pandryshueshëm i Shqipërisë sonë, i Shqipërisë së të gjithë shqiptarëve. Sot kemi çdo të drejtë të mendojmë dhe të punojmë për nji Shqipëri që “bën histori”, rrugëtim drejt lirisë së plotë dhe të ndërtueme me duert tona, e jo nji Shqipëri që “bën politikë” me përmasa të padëshirueshme dhe të kontrollueme nga forca të brendshme reaksionare, ose të jashtme anmiqsore.
    Duam nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të bashkueme dhe europiane, dhe duam ta ndërtojmë me duert tona!
    * * *
    Në atmosferën e diskutimeve të hapuna nuk ka tabu. Të metat që shohim nuk duhen fshehë, ashtu si plagët që marrim nuk duhen mbulue. Mendjet e ndrituna të shoqënisë shqiptare duhet të trajtojnë problemet tona me kujdes dhe profesionalizëm, sidomos kur nji kontingjent i tyne mban në duert e veta pushtetin politik dhe ekonomik. Qëllimi i të gjithëve asht i qartë: përmirësimi çdo ditë i gjendjes ekzistuese për shqiptarët në vend dhe sigurimi i nji vendi dinjitoz për Shqipërinë tonë në familjen e kombeve të lira e të qytetnueme. Ne duam hymjen në Europë jo si lypsarë, por si nji komb që e meriton!
    Fatkeqësisht, nji zhvillim i këtillë nuk paraqitet i mundshëm në Shqipëri sot. Etja e pafund për pushtet -dhe pushtet absolut – vrapimi mbas pasunimit të shpejtë e në shumicën e rasteve me mjete te paligjshme, korrupsioni qeveritar dhe qytetar që grijnë administratën e vendit dhe vetë shoqëninë shqiptare, shkelja e paturpshme e ligjit e mosdënimi i krimit, nuk premtojnë nji të ardhme të mirë. Kjo situatë ka krijue nji imazh shumë negativ për Shqipërinë në botën e jashtme.
    Nji ish-kryeministër i akzuem për abuzime zyrtare kërkon të zgjidhet President i Republikës në qershorin që vjen. Nji ish-president kërkon të mbetet kryeministër për tridhjetë vjet, sikur Shqipëria të ishte “çifligu i babajt”. Parlamenti shëmbëllen ma shumë me nji “pazar oriental” me kakofoninë e tij. Deputetët janë “të caktuem nga Partitë”, nuk janë kandidatë të zgjedhun lirisht nga populli. Pjesëmarrja e tyne në Kuvend asht “fakultative” e varet nga çapkënllëku i “maestros” që drejton orkestrën. Institucioni i Presidencës, simboli i sovranitetit dhe dinjitetit të kombit tonë, merret nëpër kambë me papërgjegjsinë ma të madhe. Drejtësia, pushteti i tretë, ashtë politizue aq shumë, sa ka humbë asnjanësinë. Humbja e respektit për autoritetin qeveritar asht me të vërtetë shqetësuese.
    Ky fenomen politik negativ u mundësue nga mungesa e nji shoqënie civile shqiptare, të ndërgjegjshme për detyrat e saj qytetare. Të lodhun nga nji shtypje gjysmëshekullore nën tiraninë komuniste dhe nga vorfënia e madhe që mundoi nji popull të tanë, “të lirë”, por jo “të çliruem” nga mentaliteti i sistemit komunist, populli shqiptar, i cili u gjet para alternativave të paprituna i pa përgatitun dhe në nji ambient pa rregulla dhe rregullore, u vërsul në fushën e spekulimit, vjedhjes, korrupsionit e krimit me dëshirën e pandalshme për pasunim të menjihershëm. Padrejtësia dominoi me aktin barbar të shfrytëzimit të pakufi e pa ndërgjegje. Ish-anëtarët e nomenklaturës së kuqe dhe fëmijt e tyne zhveshën “shtetin” e ndërtuem me djersë – e me gjak të pafajshëm – dhe krijuen pasuri të shpejta e marramendëse. Të tjerë ndoqën shembullin e tyne të mbrapshtë. Shqipëria hyri në rrugën e plutokracisë që rritet çdo ditë!
    Si rrjedhim, u monopolizue sektori ekonomik i vendit. Shteti u transformue, në logjikën e tyne të smurë, në nji “lopë qumshti”, ku ata që duhet të shërbejnë ose t’i qëndrojnë pranë, janë “mjelsit” ma të mirë. Katastrofa ekonomike ishte e paevitueshme me të gjitha efektet e saja, sidomos në formimin e karaktereve të reja pa vlera morale. “Konsumerizmi” i shfrenuem i nji kapitalizmi të egër e të pashpirt u ngrit në piedestalin e vlerës kryesore. Çdo gja tjetër u nënshtrue para nji sulmi të këtillë.
    Liria e fitueme përfundoi në nji gjendje fiktive dhe perceptimi zëvendsoi realitetin e përditshëm. Çdo njeri thërriste “liri!” dhe asnjeri nuk mendonte për “përgjegjsi”. Në Shqipëri nuk u kuptue se “liria” e “përgjegjsia” janë dy anët e të njajtës monedhë. Liria pa përgjegjsi asht “anarki”, dhe përgjegjsia pa liri asht “tirani”. Shqiptarët nuk kanë nevojë as për të parën, as për të dytën. Si rrjedhim, kemi sot nji boshllëk të madh shpirtënor e moral që duhet mbushë dhe sa ma shpejt me vlera morale të trashëgueme si nderi, besa, burrënia, mikpritja, solidariteti kolektiv i fshatit dhe qytetit, e natyrisht dashunia për nji liri të vërtetë, jo të egër e primitive, por frymëdhanëse. Gjatë shekujve, Shqipëria ka dhanë shembuj të naltë vlerash morale, të cilat janë të mundshme vetëm tek nji popull që i kultivon këto vlera.
    Përcaktimi i arsyeve që sollën konfuzionin moral e politik të vendit tonë janë të shumta dhe subjekti i studimeve antropologjike dhe sociologjike: njeriu shqiptar dhe shoqënia që ai krijon. Hapi i parë asht “ndërgjegjsimi” i pranisë së fenomeneve negative, sado i dhimbshëm që mund të jetë nji proces i këtillë. Asht i domosdoshëm! Mbas “ndërgjegjsimit” vjen analizimi i origjinës dhe i zhvillimit të këtyne fenomeneve, dhe ma në fund, nevoja për “rindërtimin moral” të qytetarisë së gënjyeme. Propaganda pa substancë dhe aksionet spontane të lidershipit nuk kanë vlerë.
    Nganjiherë ngjet që para rrezikut të përbashkët ngjallet nji guxim i përbashkët për nji aksion të përbashkët që ofron nji energji të ekzaltueme. Atëherë, zakonisht, lind shpresa për nji jetë që nuk njeh skllavëri. Së bashku, të gjithë ngrihen nalt, fitojnë moralisht dhe guximi i përbashkët kthehet në nji mit modern: shpresë për nji jetë të lirë e me dinjitet. Pikëpamje të këtilla shëmbëllejnë konturet e nji revolucioni paqësor që nuk ashtë terminologji ofenduese; në të kundërtën, ai asht çlirim pa tragjedi personale e kolektive.
    * * *
    Të larguem nga Shqipëria për vite të gjata, “emigracioni” shqiptar – ose diaspora – e ndien shumë mungesën e “atdheut të lindjes”. Çfaqjet e vazhdueshme të atdhedashunisë janë dëshmia ma e plotë: ruejtja e gjuhës amtare, shkollimi shqip i fëmijve, çfaqjet kulturore e artistike me frymë shqiptare, shtypi shqip, lobimi për Shqipërinë e Kosovën në atdheun e adoptuem e tjera. Ky asht sentimentalizmi i tyne ndaj “çështjes shqiptare”. Në mbrendinë e botës së tyne sentimentale dhe të kufizueme, Shqipëria dhe shqiptarët akoma idealizohen, nji gjendje shpirtënore që nuk pranon realitetin e padëshirueshëm dhe që sjell si rrjedhim zhgënjimin e thellë sa herë që mërgimtarët e përballojnë atë. Nga këto premisa, nënvizoj tre aspekte të mendimit politik të “diasporës” për çështjet shqiptare: E para, urrejtja dhe hakmarrja janë nji kancer që shkatërron tek ata që e ushqejnë.
    Urrejtja dhe hakmarrja duhen zëvendsue me parimin e “faljes së fajit” dhe idealin e “pajtimit” të përgjithshëm. Ky qëndrim asht shumë i vështirë – unë jam dëshmitar! – por asht shumë fisnik, dhe siguron nji kapital moral të pallogaritshëm, bazë e fortë në ndërtimin e nji shoqënie civile solidare. E dyta, në Shqipëri dhe në hapësinat e banueme nga shqiptarët nuk ka “anmiq”. Anmiqët janë përjashta kësaj zone. Në Shqipëri ka “kundërshtarë”, dhe kundërshtari nuk asht anmik. Parimisht, kundërshtari asht nji element pozitiv i historisë, sepse nuk pranon “uniformitetin” që na shqiptarët njohim shumë mirë. Ky mospranim lind nevojën e “diversitetit”, ndryshim-mendime që synojnë
    nji objektiv: zgjidhjen e problemeve në frymën e lirë, debatin e lirë dhe marrjen lirisht të vendimeve me shumicë. “Diversiteti” nuk lejon formimin e konformizmit që djeg çdo mundësi të zhvillimit demokratik.
    Nganjiherë njeriu ka përshtypjen se diskutimet e hapuna e të zgjatuna nuk nxjerrin gja në dritë. Kjo tezë nuk asht logjike. Ajo që afron qytetarët e lirë të nji vendi të lirë – si Shqipëria që ne andrrojmë – nuk asht konformizmi por “solidariteti” në mes nesh që lindë nga dashunia e jonë e përbashkët me shërbye “Nanën Shqipëri” dhe nga bindja e sinqertë e secilit për nevojën e krijimit të nji shoqënie shqiptare të qytetnueme, të ndërgjegjshme për rolin e saj në histori dhe në kuadër të botës së qytetnueme.
    E treta, Shqipëria duhet të “modernizohet”, të hyjë në shoqëninë e qytetnueme bashkëkohore të botës së lirë, që shpesh cilësohet si “qytetnimi euroatlantik”. Gjatë historisë bashkëkohore, – që nga idealizmi uilsonian i drejtësisë dhe i transparencës (“Open covenants, openly arrived at”, 1919), Pakti Kellogg-Briand (1928), Karta e Atlantikut (1941), Karta e OKB-së (1945), Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948), Akti Final i Helsinkit (1975) Konventa e Kopenhagës dhe Karta e Parisit (1990) – bota e qytenueme ka deklarue solemnisht angazhimin e shteteve për ruejtjen e paqes, respektimin reciprok në mes tyne, dhe sidomos ka adoptue nji seri statutesh për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Parime të vjetrueme, të trashëgueme nga Traktati i Vestfalisë (1648) ose Kongresi i Vjenës (1814) sidomos ai i “sovranitetit absolut” që lejon qeveritë e nji vendi me shtypë popullsitë vendëse, kanë humbë peshën e tyne në kodin ndërkombëtar (Kosova asht nji shembull i ndritun) e janë zëvendësue me prioritetin e të drejtave të njeriut mbi autoritetin qeveritar dhe konceptin e “sovranitetit absolut”. Sot kemi konceptin e ri të “sovranitetit të kufizuem” të shtetit dhe sovranitetit të paprekshëm të qytetarit. Sot “liria e individit” asht ideali suprem, nji orientim historik që zhvillohet me konceptet e lirisë dhe të drejtave të njeriut, thanë ndrysh “feja e shekullit 21”.
    Sot, këto fjalë të shenjta, “liri” dhe “të drejta”, nënkuptojnë “liri nga frika” (kryesisht nga autoriteti qeveritar) dhe “liri nga uria” (kryesisht nga papunësia dhe vorfënia).
    * * *
    Thirrja e studentëve të Dhjetorit 1990, “Liri, demokraci! Edhe ne si gjithë Europa”, mbetet thirrja ma e randësishme dhe substanciale në historinë bashkëkohore shqiptare. Ajo asht e skalitun në shkamb dhe për të gjitha kohët. Kjo trashëgimi fisnike e rinisë studentore shqiptare nuk duhet harrue, nuk duhet anashkalue.

  2. #82
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-08-2008
    Postime
    1,280
    Për një atdhedashuri të re, kundër anarkisë patriotike

    nga Enver Robelli më 2012-01-11 në orën 1:18.MD

    Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët, kudo që jetojnë, do të duhej që këtë periudhë jubilare ta shfrytëzonin për reflektim kritik mbi anarkinë e përgjithshme në të cilën jetojnë dhe jo duke u shfryrë me nacionalizëm parak dhe tundje të flamujve, sepse kjo nuk do t’ua kthejë as dinjitetin e shkelur, as nuk do t’u sjellë mirëqenie





    Ka disa muaj që shqiptarët, kudo në Ballkan, po joshen nga popullistë të rinj e të vjetër me një produkt tepër të lirë: patriotizmin folklorik. Ky biçim patriotizmi po vendoset në tezga të ndyra, po mbështillet me flamuj kombëtarë të vegjël e të mëdhenj, po stërstoliset me shenja kombëtare bash ashtu siç pispilloset, ta zëmë, një valltare e klubeve të natës në kërkim të ndonjë myshteriu të dehur. Në kushte të lirisë është lehtë ta shndërrosh patriotizmin në sport, të paraqitesh si pronar i licencës për dashuri ndaj atdheut, të trumbetosh një lloj monopoli ndaj të ashtuquajturave vlera kombëtare. Thirrjet e serta në stilin “ne jemi 10 milionë”, me të cilat synohet të tregohet se edhe shqiptarët dinë të tregojnë muskujt, janë vetëm një kopje e keqe e parullës së nacionalistëve serbë “nas i rusa – 300 miliona” (“ne dhe rusët 300 milionë”). Dalldia e patriotizmit folklorik me gajtanë e xhamadanë tregon se shqiptarët askund në Ballkan nuk janë ende sa duhet të pjekur për t’u ballafaquar me problemet reale. Pasi nuk kanë as guxim, as vetëdije qytetare, as gatishmëri për të luftuar për drejtësi ligjore dhe sociale, shumica e shqiptarëve kanë zgjedhur rrugën e lehtë: kalojnë kohën në kafehane ose para televizorit duke dëgjuar herë këngë gjaknxehta, herë duke shikuar teatrin e përditshëm politik.



    Në vitin 1924 Fan Noli në një fjalim të mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë kishte numëruar disa anarki, të cilat e vështirësonin ose e bënin të pamundshëm zhvillimin e shëndoshë të shoqërisë shqiptare. Si është puna sot?



    Anarkia politike: 100 vjet pas pavarësisë dhe 20 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri klasa politike mbetet e polarizuar dhe e kurthuar në konflikte personale dhe në ballafaqim e luftë për kontroll të resurseve publike. Nepotizmi, korrupsioni, manipulimet mbesin prodhimet kryesore të fabrikës politike shqiptare. Në Evropë, vetëm në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë shqiptare ende nuk ka zgjedhje të lira. Ende vidhen votat. Krahas Serbisë vetëm në viset shqiptare kundërshtari politik shpallet armik dhe vritet, madje përmasa e krimit politik në hapësirën shqiptare është shumëfish më e madhe se te serbët. Duhet të jenë me dhjetëra kundërshtarë politikë shqiptarë të vrarë nga viti 1990 e këtej – nga dora e shqiptarit. Polarizimi ekstrem ka çuar në paralizimin e sistemit politik, i cili nuk është në gjendje të marrë asnjë vendim në të mirë të Shqipërisë pa kaluar nëpër drama të mëdha dhe pa ndërhyrjen e misionarëve ndërkombëtarë. Gjendja në Kosovë nuk dallon shumë, sepse për çdo ditë po kopjohet modeli i kanibalizmit politik të Tiranës. Përballë kësaj situate nuk duhet pritur aspak respekt nga të huajt për dinjitetin politik të një shoqërie dhe të republikave me shumicë shqiptare në Ballkan. Këtë e tregojnë edhe paraqitjet e shpeshta mediale të diplomatëve në Tiranë e Prishtinë: ata nuk flasin me zë të qetë, por bërtasin e qortojnë me vokabular jodiplomatik, sepse jo vetëm atyre u ka ardhur te hunda kjo anarki, të cilën jo rrallë e kanë krijuar apo mundësuar vetë me veprimet e tyre.



    Anarkia ekonomike: Shqiptarët në Shqipëri e Kosovë dhe gjetiu në viset e banuara prej tyre edhe 100 vjet pas pavarësisë shqiptare janë kryesisht konsumatorë të prodhimeve të huaja, pasi vetë nuk prodhojnë gati asgjë. Ekonomia e tregut, heqja e barrierave doganore, konkurrenca e lirë mund të jetë diçka e mirë dhe mund të përvetësohet për aq sa është e dobishme. Por një shoqëri që importon madje edhe qumësht dhe jogurt, biskota dhe gjalpë, siç është kjo shqiptare, një ditë do të importojë edhe bërllokun e të tjerëve. Kjo tashmë është miratuar nga Parlamenti në Tiranë: bërlloku do të vijë nga Italia! Një shoqëri e cila lejon që ekonomia t’i plaçkitet nga biznesmenë të nëntokës dhe të privatizohet çdo gjë, nesër nuk do të jetë as pronare e ajrit. Një shembull frikësues na e ofron Kosova, ku një bandë lokale dhe ndërkombëtare në bashkëveprim prej vitesh privatizojnë e tjetërsojnë pronën shoqërore – pa koncept, pa ide, pa plan, pa strategji. Fitimi ndahet në stilin “aksham-pazari”. Një shembull tjetër është shkatërrimi i organizuar kriminal që po i bëhet prej vitesh natyrës, e sidomos vijës bregdetare, në Shqipëri – jo nga një dorë e padukshme armiqësore, por nga njerëzit e pushtetit, nga familjarët e tyre, nga biznesmenët e pasuruar brenda natës.



    Anarkia sociale: Shqiptarët kudo në Ballkan janë më të varfrit mes popujve të kontinentit të vjetër. Ndryshimet kaotike të dy dekadave të fundit kanë krijuar një shtresë të hollë tepër të pasur dhe një shumicë që duhet të mbijetojë me rroga që s’janë më shumë se lëmoshë. Dallimi është ekstrem, fyes, i trishtueshëm për një shoqëri: shtresa e mafiozëve dhe politikanëve pa ndjenja humane çlodhet në resore të shtrenjta pushimi të rivierës turke dhe shkollon fëmijët në shkolla private, larg “popullit të pistë”, derisa pjesa dërmuese e qytetarëve duhet ta korruptojnë mjekun që t’ua trajtojë fëmijët e sëmurë, duhet të çojnë fëmijën në shkolla publike, ku dominon dhuna dhe mungesa e kompetencës sociale nga personeli arsimor i lënë pas dore me vite. Kompetenca sociale e një shoqërie shihet në raport me të varfrit. Ndër shqiptarë as që ekziston një vetëdije për përmasën e mjerimit.



    Anarkia mediale: Mediet shqiptare, në Tiranë e Prishtinë e gjetiu në viset shqiptare, me ndonjë përjashtim, janë vetëm tribunë e popullizmit dhe joprofesionalizimit, jo arenë e luftës së ndershme dhe të pakompromis për emancipim shoqëror. Pothuaj për çdo ditë shohim një horrllëk medial, një aleancë politiko-gazetareske në mbrojtje të krimit, ku gjithçka vihet në shërbim të ruajtjes së interesave të një krahu politik apo tjetrit, të një tarafi apo grupi mafioz. Në këtë rrëmujë interesi i përgjithshëm shoqëror nuk ka vend! Shumica e medieve, e veçanërisht ato që mbahen me shpallje e reklama të pushtetit, shpesh përdoren e keqpërdoren për qëllime të ngushta, egoiste, ndonëse me vetë faktin se e tundin flamurin e informimit të opinionit do duhej të ishin të kujdesshme në ruajtjen e disa parimeve publicistike bazë. Në këtë anarki është “normale” që sot të mbrohet manipulimi i tenderëve dhe vjedhja e arkës së shtetit dhe nesër t’i këndohet në kor bëmave të Skënderbeut. Ka edhe më zi: dalin gazetarë e politikanë të korruptuar deri në fyt dhe thonë se e kanë idhull Hasan Prishtinën, i cili dhuroi krejt pasurinë për çlirimin e vendit të tij.



    Anarkia me imazh: Secili shqiptar që sot del në Evropë mund të bëjë testin e imazhit, kur një i huaj e pyet prej nga vjen. Mund të thotë nga Shqipëria dhe tjetrit do t’i shkojë mendja te mafia. Mund të thotë nga Kosova dhe tjetrit do t’i shkojë mendja te krimi e banditizmi, i përhapur prej vitesh nga grupe plaçkitësish anekënd kontinentit të vjetër. Derisa kombet e tjera bëjnë çmos të përsosin imazhin, shqiptarët edhe ndonjë aktivitet të tillë e qesin në tender dhe e lyejnë me korrupsion. Aq shumë e ka përmirësuar imazhin e Kosovës reklama e kompanisë së marketingut Saatchi & Saatchi saqë nuk do të ishte befasi që të angazhohej sërish, që t’ia zhvatin kësaj shoqërie edhe nja 7-8 milionë euro për punë të kota.



    Duke pasur parasysh gjendjen përgjithësisht të mjerë në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët, kudo që jetojnë, do të duhej që këtë periudhë jubilare ta shfrytëzonin për reflektim kritik mbi anarkinë e përgjithshme në të cilën jetojnë dhe jo duke u shfryrë me nacionalizëm parak dhe tundje të flamujve, sepse kjo nuk do t’ua kthejë as dinjitetin e shkelur, as nuk do t’u sjell mirëqenie. Ky vit duhet të shfrytëzohet për një debat qëllimmirë e gjithëpërfshirës, për një atdhedashuri të re dhe kundër anarkisë patriotike. Atdhedashuri sot është shporrja nga pushteti e sundimtarëve antidemokratikë e të korruptuar dhe krijimi i alternativave të reja politike – ose se paku detyrimi i politikanëve për të ndryshuar pozitivisht, nëse kjo është e mundshme. Atdhedashuri është të mbrosh ambientin dhe të zhvillosh ekonominë që krijon vende të punës. Atdhedashuri është të protestosh e të dalësh në rrugë sa herë që nuk pajtohesh me gjendjen ekzistuese dhe të luftosh për një Shqipëri e për një Kosovë të dinjitetshme, larg përrallave bajate me patriotizëm folklorik – përralla këto që tregohen duke pirë sherbet.

    Profesor Sami Repishti, njëri prej zërave më të respektuar të diasporës shqiptare të Amerikës, këto ditë shkroi: “Ne duam hymjen në Europë jo si lypsarë, por si nji komb që e meriton! Fatkeqësisht, nji zhvillim i këtillë nuk paraqitet i mundshëm në Shqipëri sot. Etja e pafund për pushtet - dhe pushtet absolut – vrapimi mbas pasunimit të shpejtë e në shumicën e rasteve me mjete te paligjshme, korrupsioni qeveritar dhe qytetar që grijnë administratën e vendit dhe vetë shoqëninë shqiptare, shkelja e paturpshme e ligjit e mosdënimi i krimit, nuk premtojnë nji të ardhme të mirë. Kjo situatë ka krijue nji imazh shumë negativ për Shqipërinë në botën e jashtme. Nji ish-kryeministër i akzuem për abuzime zyrtare kërkon të zgjidhet President i Republikës në qershorin që vjen. Nji ish-president kërkon të mbetet kryeministër për tridhjetë vjet, sikur Shqipëria të ishte ‘çifligu i babajt’. Parlamenti shëmbëllen ma shumë me nji ‘pazar oriental’ me kakofoninë e tij”. Kjo analizë vlen po aq edhe për Kosovën, po aq edhe për shqiptarët në Maqedoni dhe partitë e tyre. Shqiptarët, po të parafrazojmë profesor Repishtin, sot janë të lirë, por nuk janë të çliruar. Le të jetë viti 2012, viti jubilar i pavarësisë së Shqipërisë, si moment motivimi që lirisë t’i shtohet edhe një vlerë tjetër: çlirimi!

  3. #83
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-08-2008
    Postime
    1,280
    Botime për 100 vjetorin e Pavarësisë

    "Bota Sot",11.1.2012

    Pas marrjes së materialeve arkivore të huaja italiane, angleze, gjermane dhe franceze, një grup kërkimor i përbërë prej 36 autorësh, pjesë të Institutit të Historisë së Shqipërisë, por jo vetëm, i janë vënë punës për të mbledhur materialet që i takojnë periudhës historike mes viteve 1912-1991.

    Thënë ndryshe, Shpallja e Pavarësisë, Lufta Nacional- Çlirimtare dhe Diktatura. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë na bënë me dije se është përcaktuar grupi i punës që do të botojë korpusin e parë prej 15 volumesh që i përket vitit 1912. Ky botim vjen në kuadër edhe të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

    Përmes këtyre botimeve do të dalin në dritë fakte të reja për periudhën 1912- thotë Meta. Krahas botimeve për 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar do të kulmojë dhe një konferencë jubilare, e cila do të bëjë bashkë studiuesit dhe historianët më të njohur shqiptarë dhe të huaj. Botimi i këtyre materialeve do të jetë në shqip dhe në gjuhët përkatëse si dhe do të shërbehen on line.

  4. #84
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Berisha: Ismail Qemali, Ahmet Zogu e Hasan Prishtina, buste në Tiranë

    Në kryeqytet, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, do të vendosen monumentet e Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës. Figurat që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912, sipas Kryeministrit Sali Berisha duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytet, pavarësisht se flamuri u ngrit në Vlorë. Gjatë fjalës së tij në Komitetin shtetëror për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, Kryeministri Sali Berisha tha se ngritja e flamurit në Vlorë erdhi si kontribut i të gjithë faktorit shqiptar nga çdo cep i vendit. “Zotërinj ministra, është e rëndësishme që ne të mbështesin fort institucionet tona kërkimore në përpjekjen e tyre për një shqyrtim të ndershëm serioz të një shekulli Shqipëri e pavarur. Nuk mund të thuhet se qëndrimet e njëanshme në histori nuk kanë ndikuar në qëndrime të njëanshme në tërësi, kështu që është e domosdoshme të ridimensionohen figurat kryesore të këtyre 100 vjetëve të Pavarësisë së vendit. Besoj se disa prej tyre, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytet. Pavarësia vërtet u shpall në Vlorë, por ishte akt madhor dhe këta dhanë kontributin e tyre të pamohueshëm”, theksoi ai. Duke folur për këto festime, Kryeministri kërkoi angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve, në mënyrë që 100-vjetori të jetë një datë e shënuar për të gjithë. Për këtë arsye, Kryeministri tha se viti 2012-të do të jetë viti kushtuar flamurit kuq e zi, ndërsa njoftoi se do të bëhet logoja enkas për këtë përvjetor. “Zoti ministër i Kulturës, së bashku me specialistët, do të bëhet edhe logoja e 100-vjetorit dhe do të prodhohen një tërësi objektesh të lidhura më 100-vjetorin, natyrisht mbi bazën e rregullave, konkurseve dhe mendimit të specializuar. Por duhet të bëjmë gjithçka, që Shqipëria 100- vjeçare të ketë atë pamje të bukur, që nuk e ka pasur kurrë më parë. T’i japim një pamje të re, një pamje të merituar. T’i kushtohet një rëndësi e jashtëzakonshme nderimit të çdo ngjarjeje, e cila bëri të mundur që Shqipëria të udhëtojë 100 vjet si vend i pavarur”, tha shefi i qeverisë.

    Panorama

  5. #85
    Sal Brisha, bajraktari i minisuperfuqisë energjitike në rajon që do të ndërtonte centrale bërthamore, që do të mbillte 100 milionë ullinj, arrorë e pjeshkë, për 100 vjetorin e pavarësisë e hapi thesin me premtime për investime të mëdha por do të na nxjerrë nga fundi i tij ca buste të tjerë të shpërfytyruar si ai vetë, do shpërndajë edhe çakmakë e stilolapsa me logon e përvjetorit.
    Dhe me to do ndryshojë historinë e pavarësisë.

  6. #86
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    16-01-2012
    Postime
    20

    Shqiptarë të bashkuar në Tiranë filluan kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë

    Kuvendi i Shqipërisë mblodhi mesditën e sotme në sallën e tij përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare, për të celebruar të bashkuar nisjen e kalendarit të veprimtarive festive me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

    Me deklarata emocionale për ditën që përkon edhe me 544 vjetorin e prijësit dhe heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe, udhëheqës dhe përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi celebruan nisjen e ditëlindjes kombëtare të shqiptarëve.

    Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në ceremoninë e çeljes së kalendarit të veprimtarive me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë u shpreh se sot përfaqësues nga mbarë trevat shqiptare mblidhen në ditën kur prijësi i vendit mbylli sytë.

    "Jemi mbledhur në ditën kur mbylli sytë prijësi i vendit, Skënderbeu, në një akt të madh nderimi ndaj atij të cilit i detyrohemi ekzistencën e kombit shqiptar. Ne jemi mbledhur si përfaqësues të të gjitha trevave për të festuar fillimin e 100 vjetorin e pavarësisë. Këtë ngjarje ja dedikojmë faktit që ne në çdo kohë, në çdo furtunë qëndruam së bashku, thellë në shpirtin, zemrën dhe aspiratën e shqiptarëve. Thellë në shpirt qëndron parimi një komb, një qëndrim, asgjë nuk mund të ndajë shpirtin e një kombi, trupin po. Lavdi Zotit ne vijmë të lirë në sallë se qëndruam së bashku”,- deklaroi Berisha.

    Kryeministri shqiptar u shpreh se një nderim i madh në këtë ditë i takon plakut të urtë të Vlorës, i cili u shpreh kundra qëllimit të tryezave botërore për fshirjen e shteti shqiptar nga harta.

    “Pavarësia e Shqipërisë ishte imponim i luftërave shqiptare në Kosovë dhe trevat të tjera. Sot nderimi më i madh i takon plakut mendjendritur, gjeniut vizionar, Ismail Qemali, i cili në rrethanat më të vështira kmbëtare dhe ndërkombëtare shpalli në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë, ndonëse në 1/3 e vendit. Ky vizionar e kishte të qartë se në tryezat e kohës ishte qëllimi fshirja nga harta e botës e shqiptarëve dhe shtetit të tyre”,- u shpreh Berisha.

    Berisha theksoi sot në fjalën e tij në seancën speciale për çeljen e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë se kontribut të çmuar dhe të madh për konsolidimin e shtetit shqiptar dha, Ahmet Zogu.

    "Do kujtoj emra të cmuar që kontribuan, për pavarësinë, “Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Ahmet Zogu, sepse në mënyrë të veçantë për përpjekjen për konsolidimin e shtetit shqiptar dha ndihmesë të madhe, dhe ky është Mbreti i parë i shqiptarëve, Ahmet Zogu”.

    Berisha e vlerësoi këtë përvjetor të 100-të të pavarësisë si kryengjarja e një shekulli për shqiptarët

    “Parimi një komb, një qëndrim është i rrënjosur thellë në mendësinë e shqiptarëve”.

    Duke kujtuar vitet ’90, kryeministri tha se në ato vite parim themelor, ishte cështja kombëtare. “Në vitet '90 ne shpallëm si parim themelor çështjen kombëtare, si yllin polar të politikës shqiptare. Ky është një shekull i përpjekjeve dhe sakrificave tona të mëdha mbarëshqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni et”.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi përshëndeti seancën specaiale që organizoi Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

    Krasniqi theksoi se pavarësia e Shqipërisë, data e shpalljes së saj, është një datë e vecantë dhe për Kosovën, pasi nga ajo datë pati vetërilindije dhe rilindje.

    Sipas Krasniqit, emra të shquar si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari që mund të barazohen me simbiozën mençuri dhe trimëri, sollën përvjetorë të tillë që nuk mund të jenë vec bazament reflektimi. Sipas, Krasniqit, politika sot duhet të marrë shembull nga këta emra.

    “Duke marrë shkas nga kjo plejadë e lavdishme, liderët ti thërrasin mendjes për harmoni , të veprojnë me arsye, të shërbejnë me mirëkuptim, të bëhen udhërrëfyes për tejkalimin e veseve”.

    Më tej, Krasniqi theksoi se Shqipëria pavarësisht se nga kush qeveriste është dhe do të mbetet, shtet i shqiptarëve, kudo ndodhen ata. “Mund të ndërrohen formacione të administrimit, por Shqipëria, shteti i shqiptarëve, të gjallë e të shuar do të jetojë për jetë të jetëve. Të nderuar bashkëkombës, në këtë përvjetor jubilar nuk dua të fsheh ndjenjën e krenarisë, kënaqësinë, e kundërta do më ç’përfytyronte, Shqipëria do jetë në jetë të jetëve e lirë dhe e pavarur”.

    Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë fjalës së saj hapëse nga foltorja e Kuvendit nënvizoi se sot shqiptarët celebrojnë ditëlindjen e madhe kombëtare.

    “Sot jemi për të celebruar ditëlindjen e madhe kombëtare. Ne këtë vit nderojmë të lirë ngritjen e flamurit të finalizuar në Vlorë. Në historinë tonë kombi ka festuar ditëlindjen dy herë, e para 1444 dhe 1912 për të mbërritur në pavarësinë e Kosovës Gjatë Rilindjes para dhe gjatë lidhjes së Prizrenit, e më pas për të mbërritur tek dita e flamurit përpjekjet ishin të mëdha. Ideali dhe qëllimi i shejtë i Skënderbeut ishte bashkimi i shqiptarëve. Feja e shiptarëve është Shqiptaria, Pasko Vaso i parapriu shekullarizimit me këtë shprehje”,- theksoi Topalli.

    Kryeparlamentarja Topalli, e cilësoi historinë e krijimit të shteti shqiptar si histori gjaku dhe djerse për ato që e jetuan dhe përcaktuan të ardhmen e shqiptarëve.

    “Ne nderojmë ato që lexuan deklaratën e pavarësisë. Historia për krijimin e shteti shqiptar nuk ishte vetëm histori gjaku, por edhe djerse dhe vizioni që përjetuan të ardhmen e vet dhe të tonën. Pa veprën e tyre ne nuk do kishim Shqipëri, Kosovën, flamurin dhe kombin ndaj ne festojmë me liri ditën tonë të flamurit”,- u shpreh Topalli.

    Kryetarja e Kuvendit u shpreh se shqiptarët festojnë dhe i falen flamurit të Skënderbeut, i cili përmbledh kujtimet e një kombi.

  7. #87

    Kosova dhe Shqipëria shënojnë bashkë 100 vjetorin e Pavarësisë

    Kosova dhe Shqipëria shënojnë bashkë 100 vjetorin e Pavarësisë

    Koordinimi mes dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si dhe bashkëpunimi i rregullt mes dy ministrive, kanë qenë temë diskutimi në takimin që sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka zhvilluar në Prishtinë me homologun nga Shqipëria, Aldo Bumçi. Ministri Bumçi po realizon vizitën e parë zyrtare në Kosovë, dhe do të ketë takime edhe me zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë të Kosovës.

    Në konferencën për shtyp, pas takimit, ministri Krasniqi tha se është synim i të dy shteteve që të ketë një bashkëpunim sa më të mirë, në mënyrë që shënimi i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të bëhet në mënyrë sa më dinjitoze dhe i shtrirë në gjithë hapësirat ku ka shqiptarë. Përveç kësaj, tha ministri Krasniqi, është biseduar edhe për bashkëpunimin e rregullt që kanë, që duhet thelluar në të ardhmen, në mes të dy ministrive.

    “Kosova padyshim që do të ketë kontributin dhe rolin e vet në shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ne u pajtuam që gjatë gjithë këtij viti të kemi një koordinim të angazhimeve duke ndihmuar edhe bashkëpunimin institucional mes institucioneve tona vartëse të kulturës, por gjithsesi duke mëtuar që kjo festë të mos jetë një festë që do të ndahet në dy kryeqendra, por një festë gjithëkombëtare që do të shtrihet në qytete tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe qytete tjera në viset e banuara me shqiptarë”, tha ministri Krasniqi.

    Ai deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e veta në çfarëdo aspekti që ia jep plani për shënimin e këtij përvjetori.

    “Dy qeveritë tashmë janë në koordinim të të gjitha aktiviteteve. Festa do të fillojë shpejt dhe do të ketë një kalendar me aktivitete që do të zhvillohen gjithandej në hapësirën shqiptare. Qeveria e Kosovës do të marrë përgjegjësinë për të ndarë fonde dhe do të mbështesim edhe institucione tjera në përgatitjen dhe implementimin e projekteve. E rëndësishme është që ka një koordinim institucional dhe nga muaji shkurt do të kemi një konkretizim të kalendarit të ngjarjeve për të shënuar 100 vjetorin”, shtoi ministri Krasniqi.

    Nga ana e tij, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi, tha se fakti se një shënim i 100 vjetorit do të bëhet bashkërisht tregon edhe simbolika që logoja e 100 vjetorit është dizajnuar nga një artist nga Kosova. Ai shprehu falënderime për ministrin Krasniqi për gatishmërinë e plotë që aktivitetet të jenë të organizuara në mënyrën më të mirë.

    “Ky është një vit i rëndësishëm, ku ne duhet të kujtojmë ngjarje dhe personalitete. Kosova ka shkruar vitet më të lavdishme në historinë tonë kombëtare. Kontributi që kanë dhënë shqiptarët e Kosovës i ka hapur rrugë pavarësisë së Shqipërisë. Prishtina krahas Tiranës, Vlorës do të jetë një nga qytetet kryesore ku do të mbahen këto manifestime kryesore”, tha ai.

    Përveç detajeve të organizimit dhe koordinimit, ministrat Krasniqi e Bumçi nga gazetarët janë pyetur edhe rreth idesë për formimin e një lige të përbashkët të futbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë, kërkesë e cila ditë më parë u refuzua nga FIFA.

    Ministri Krasniqi tha se përkrahë plotësisht këtë ide, por shtoi se praktikisht dhe legalisht mundësitë nuk ekzistojnë për momentin, duke shfaqur kështu shpresën se në një të ardhme të afërt do të ketë hapa pozitivë në këtë drejtim. Edhe ministri Bumçi u shpreh pro kësaj ideje, por përmendi pamundësitë legale që kjo të ndodhë tani për tani. Ai shtoi se në këto rrethana duhet të shtohen aktivitetet sportive mes klubeve nga Kosova e Shqipëria.

    Në takimin mes ministrave është diskutuar edhe për futjen e Eposit të Kreshnikëve nën mbrojtje të UNESCO-s si trashëgimi botërore. Ministrat u pajtuan që procesi, ashtu siç edhe është nisur bashkërisht, të ketë edhe një vazhdimësi dhe përfundim të njëjtë.

    Bota Sot
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  8. #88
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-01-2011
    Postime
    713
    Ministri i Kulturës ,Rinisë dhe Sportit M.K. në vend që të mirret me zgjidhjen e shumë çështjeve më të mençura që e kanë pllakosë vendin,paska gjetur kohë të mendoj për festimin e 1oo vjetorit të Shqipërisë.Atje ka kush të mirret me atë punë,pse po i shtin hundët pa nevojë.Ide tipike komuniste,që nuk u hiqet dotë nga mendja udhëheqësve tanë kokëboshë.
    Veç njeriu debil,megjithë shterpësinë e urtisë mund të humb kohë në këso lojra që qytetarëve u ka ardh tek hunda.
    ç'pavarësi festohet?!Këto ditë humbëm gjënë më të vlefshme-Republikën!Gjitha arsyetimet tjera rreth fusnotës janë veç fallso dhe kamufllazhë te Europianëve e SHBA-ve!
    Ekonominë na shkatërruan!
    Vjedhjet,hajni e familjarizëm në çdo anë,dhe ata që janë thirrë ta ndalojnë,nuk bënë atë punë.!
    Rinia e tërë po ikën jashtë.Këta që kanë mbetur në vend rrihen dhe vriten e nuk u lejohet të shprehin padrejtësinë që u servohet vite me rradhë nga Mafiozët pushtetmbajtës.

    Mirë është të festohet një jubile i rëndësishëm,por sëpari duhet ta rregullohet oborri i shtëpisë së vetë e pastaj t'mirresh me fqiun.Kjo që është duke ndodhur me neve,befasohem si nuk reagojnë intelektual të Akademisë-aq shumë "doktora të pas luftes"që i kemi.

  9. #89
    i/e regjistruar Maska e drenicaku
    Anëtarësuar
    06-05-2003
    Postime
    3,263
    Per qka duhet te festoim?
    Per coptimin e shqiperis ne pes shtete,si nuk ka turp shqiperia te festoi pervjetor te pamvarsis kur shumicen e teritorit te saj e ka jasht,ku shumicen e popullates e ka jasht shtetit.
    Kemi fillu te mesoim prej serbis,me festu humbjet

  10. #90
    i/e regjistruar Maska e Djal Dimali
    Anëtarësuar
    28-04-2011
    Vendndodhja
    Belgjikë
    Postime
    251
    Mos ngateron 1912 me 1913

    1912 u shpall pavarsia e shqiperis me kufijt e saja etnike (kosova = shqiperia)

    1913 u miratuan kufijt e shqiperis aktuale
    Emocioni i ben castet e jetes te paharueshme ndersa arsyeja dhe vetdija i bejn ato te rendesishme

  11. #91
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    17-11-2007
    Postime
    99
    pershendetje juve te nderuar lexues!
    100. vjetori i pavaresise se shqiperise, manifesti per politiken e sotshme eshte nji demagogji, eshte nji poshtrim, eshte nji tradheti kombetare qe bejne politikajt e kesai kohe dhe ne veqanti s. berishe & me kompani si dhe h. thaqi & me kompani. a nuk kan turp keta njerz...? ku ne nji menyre edhe mburren per tradhetine qe ia bejne memedheut te tyre. a nuk kan turp? qe me politiken e tyre anti kombetare shqiptare vulosin rindarejen, vulosin ripushtimin dhe pajtohen me humbejen dhe tjeteresimin e gjysmes se shqiperise.
    demagogjija dhe paftyresija e politikes se sotshme, ne prag te 100. vjetorit te mevetesise se shqiperise dhe "pregaditeje" e "manifestit"... nuk eshte as gje tjeter veq se tradheti. plaku i urte ismail qemaili me trimat e tije shpallen mevetesine natyrale te shqiperise... e jo ket shqiperi qe tani eshte e kufizuar, e ndare dhe e coptuar prej okupatoreve serboslav e grek dhe e pajtuar prej nji grup njerzish, qe ne fakt nuk mund te jene me vullnetin e pergjitheshem, por kundrej vullnetit, kundrej gjakut te derdhur gjate gjith keti shekulli, kundrej heronjeve qe rane per clirimin dhe ribashkimin e shqiperise... dhe pas 100. viteve del nji s. berishe dhe nji h. thaq me kompanite e tyre dhe vulosin fitoren sllavo serbe, vulosin dhe pajtohen me ndareje dhe coptime te shqiperise... kesai nuk i thone ndryshe veq se treadheti. ky gjest, ky organizim nuk mund te quhet "manifestim"... por pajtim me tradheti, pajtim me rindareje, pajtim me marre e riokupim. lete punojme dhe te bashkohet e gjith elita kombetare qe ky pervjetore me te vertete te shenderrohet ne nji "manifest te vertete" dhe te ribashkohet shqiperija. kosova eshte shqiperi. me emrin kosove nenkuptoj te gjitha viset te ekupuara nga pushtuesit serbo-sllave dhe grek. nderimet e mija te dashur bashkekombas te mi. rifat mulaj. 08.02.2012.

  12. #92
    ►ⓣⓘ®ⓞɳ©◄™ Maska e [PaRTiZoNi]
    Anëtarësuar
    19-02-2009
    Vendndodhja
    ▬►ⓋⓛⓅ◄▬
    Postime
    2,531

    Festimet për 100 vjet Pavarësi, Qeveria kërkon që Shakira të vijë në Tiranë


    Qeveria shqiptare pasi nuk arriti rreth dy vjet më parë me sjelljen e një emri të famshëm botëror në muzikë, ka nisur negociata për të sjellë në Shqipëri, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, këngëtaren e njohur Shakira. Madje po tentohet që Shakira të këndojë në Tiranë një këngë dedikuar 100 vjetorit të Pavarësisë.

    E gjithë kjo do t’i kushtonte Komitetit Ndërministror që merret me festimet që po planifikohen, deri në shtatë milionë dollarë. Gjithsesi ardhja e Shakirës (Shakira Isabell Mebarak Ripoll), mbetet ende në kuadrin e negociatave dhe një njoftim zyrtar nuk dihet kur do të dalë. Qeveria po tenton të jetë sa më shumë diskrete në planet për kremtimin e Pavarësisë, kurse premtohen shumë surpriza festive, shkruan NOA.

    Ndërsa u premtua shumë nga kryeministri Berisha në vitin 2010 se do të vinte një këngëtare e njohur, duke u spekuluar se do të ishte Rihanna, tani synimi është Shakira.

    Burime nga Komiteti Organizator Ndërministror pranë Qeverisë shqiptare i thanë agjencisë noa.al se po negociohet drejtpërdrejt me stafin menaxheria të këngëtares Shakira që të mundësohet ardhja e saj në Shqipëri në fund të muajit nëntor 2012.

    Mësohet se për Shakirën po negociohet edhe në terma konkretë,

    Bëhet e ditur se po negociohen shuma që shkojnë deri në shtatë milionë dollarë amerikanë ose afro 4 milionë euro.

    Burimet nga kabineti qeveritar bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve noa.al se negociatat me agjencinë që merret me turnetë koncertore të Shakirës, bëhen për herë të dytë.

    Po ashtu po negociohet edhe se ku do të jetë vendndodhja e koncertit. Duke qenë se stadiumi i ri i premtuar nga qeveria nuk mund të jetë gati në nëntor, mbetet që koncerti të zhvillohet në stadiumin ekzistues.

    Një ide tjetër është edhe zhvillimi i koncertit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit me skenë tek sheshi Nënë Tereza.

    Në momente diskutimi është në Komitet edhe nëse koncerti do të jetë pa pagesë, ashtu siç kishte bërë Edi Rama në Tiranë në vitin 1998 kur solli të famshmin DJ Bobo, falas në sheshin Skënderbej për dhjetëra mijë fansa, apo do të jetë me bileta që mund të shkojnë deri në 100 euro për person.

    Po ashtu po shihet dhe mundësia e sponsorizimit të ardhjes së këngëtares së famshme nga kompani të ndryshme që operojnë në Shqipëri.

    Mësohet gjithashtu se Shakira nuk është e vetmja në “pjatën” e diskutimeve në këtë Komitet. Rihanna, Lady Gaga, Beonce, Adele, janë emrat e tjerë që po diskutohen në Komitetin Ndërministror.

    Por duket se preferencë e Komitetit dhe në veçanti Kryeministrit, është Shakira. Një ardhje e saj për të ndezur pishtarin e 100 viteve Pavarësi dhe ndoshta një këngë dedikuar Shqipërisë.

    Edhe në vitin 2010, Qeveria kishte tentuar përmes Forumit Rinor të PD që ishte organizator i festimeve për 20 vjet pluralizëm, që të sillte në Shqipëri Shakirën por ishte refuzuar pasi agjenda e këngëtares së famshme kolumbiane, ishte e zënë.

    Me refuzimin e Shakirës u negociua me Rihanna madje bisedimet po shkonin mbarë. Bëhet fjalë për një koncert festiv që ishte planifikuar të zhvillohej në kuadrin e Dhjetorit ’90 dhe kremtimit të 20 vjetorit të asaj periudhe që largoi diktaturën dhe solli demokracinë në Shqipëri duke nisur me protestat e studentëve në lëvizjen e famshme të Dhjetorit ’90.
    Pogba, Pogba l'hano visto nella spiaggia che diceva VU CUMPRA


  13. #93
    i/e regjistruar Maska e beni33
    Anëtarësuar
    27-04-2008
    Postime
    4,230
    oh qeveri kot fare

  14. #94
    i/e regjistruar Maska e derjansi
    Anëtarësuar
    14-04-2005
    Postime
    6,730
    qeveri leshi

    bash 100 vjetor te pavarsis do shofim shakiren tu dredh botht per 7 milion dollar, kur njerzit desin per cop te bukes
    JO NEGOCIATA VETËVENDOSJE

  15. #95
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    16-02-2012
    Postime
    115
    Citim Postuar më parë nga derjansi Lexo Postimin
    qeveri leshi

    bash 100 vjetor te pavarsis do shofim shakiren tu dredh botht per 7 milion dollar, kur njerzit desin per cop te bukes
    Paramendo nese per 100 vjetorin, shpenzimet qe do t'ia jepnim Shakires, te na thon se me keto para, jan ndertuar 100 shtepi, per 100 familje te varfëra ?!...




  16. #96
    patriot Maska e shoku_tanku
    Anëtarësuar
    18-09-2006
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    3,395
    s'dum! dum kim kardashianin...

  17. #97
    I larguar Maska e Enkeleu
    Anëtarësuar
    07-12-2005
    Vendndodhja
    Prane detit i pa lare, prane drites i pa pare, prane sofres i pa ngrene, prane dijes i pa nxene...
    Postime
    4,298
    Nuk kan faj qeveria e m*** , se pak ka këngëtar shqiptar qe këndojnë 100 herë më mirë se shakira
    I lumtur është ai që nuk shpreson në asgjë, sepse nuk zhgënjehet asnjëherë...!

  18. #98
    ►ⓣⓘ®ⓞɳ©◄™ Maska e [PaRTiZoNi]
    Anëtarësuar
    19-02-2009
    Vendndodhja
    ▬►ⓋⓛⓅ◄▬
    Postime
    2,531
    Citim Postuar më parë nga shoku_tanku Lexo Postimin
    s'dum! dum kim kardashianin...
    Jam dakort me ty. :P
    Pogba, Pogba l'hano visto nella spiaggia che diceva VU CUMPRA


  19. #99
    seksi dhe i rrezikshem Maska e qerosi
    Anëtarësuar
    15-03-2004
    Vendndodhja
    dhome e guzhine
    Postime
    232
    METALLICA ka kerkuar vetem 1 million EURO qe te vijne e te japin concert ne SHqiperi (kjo shume paguan stafin, grupin, pajisjet dhe mbi keto ata e marrin dhe skenen me vete)

    Dhe ne krahasim me ato artiste te lartepermendur ne shkrim, METALLICA jane IKONAT e muzikes, ndersa keto L.A.V.I.R.E.T qe vecse tundin prapanicat, e dalin lakuriq, dhe me talent muzikor POP (popular music) qe gjithkush mund te performoje duan nga 2-3-4-5 milion euro.

    Jam dakord me faktin qe ajo shume mund te vihet ne nevoje te popullit, kur ky popull po vdes urie dhe eshte i pastrehe.

    pastaj mund te bejne edhe kete: Ti japin nja 2 milion artisteve, dhe mbetjen e parave ta ndajne me njeri-tjetrin si Basha-Sala (e ndonje servil/lajkatar tjeter). E gjoja e fusin ne procesverbalet e festave. Vjedhje me stil te lire!!!!!
    Ergo cogito, ergo sum!

  20. #100
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    25-09-2011
    Postime
    329
    Pamvaresia e Shqiperise: silled nje lavire e huaj me nje pagese astronomike per ekonomine Shqipetare! Pse nuk mblidhen kengetare dhe muzikante nga gjithe trojet Shqipetare dhe te kendohen kenge pamvaresie dhe jo kenge kurverie?

Faqja 5 prej 10 FillimFillim ... 34567 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •