Partia e Drejtësisë shtroi iftar

Në një ambient të ngrohtë të mbrëmjes, në hotel “Victory” në Prishtinë, Partia e Drejtësisë shtroi iftar të përbashkët.

Në këtë iftar qenë të pranishëm zyrtarë qeveritar, intelektualë, shkrimtarë dhe politikanë të shumtë. Në “sofrën” e këtij iftari u bashkuan, kryetari i Partisë së Drejtësisë, Prof. dr. Ferid Agani, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, myftiu i Republikë së Kosovës, Naim ef. Tërnava, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, si dhe politikanë të tjerë si Agim Çeku, Naser Rugova, anëtarë dhe përkrahës të Partisë së Drejtësisë dhe qytetarë të tjerë.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari PD-së, Ferid Agani falënderoi mysafirët për prezencën e tyre, si dhe shpalosi disa pika kyçe mbi vizionin e PD-së duke ripotencuar orientimin e saj drejt mbrojtjes së vlerave fetare dhe kombëtare të popullit shqiptar si dhe duke shprehur vendosmërinë për angazhimin drejt integrimeve në struktura të larta të BE-së. Ai po ashtu nuk harroi të falënderojë të gjithë popujt dhe shtetet mike që dhanë kontribut në lirinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës, me në krye SHBA-të.

Ndërsa në emër të mysafirëve, myftiu i Republikës së Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava, përshëndeti të pranishmit dhe, ndër tjera, foli për proceset që ka kaluar Kosova dhe për gatishmërinë e kontributit të vazhdueshëm në dobi të çështjes shtetërore dhe kombëtare. Ai po ashtu tha se duhet ndjekur ky model i bashkimit pranë njëri-tjetrit rreth “sofrës së Zotit të Madhëruar”, sikur në këtë muaj të Ramazanit, që është edhe muaj i shpalljes së Kur’anit. Për fund, Myftiu bëri edhe lutjen e ushqimit bashkë me mysafirët. /mesazhi/