Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443

    Rrëfehet për herë të parë nga SHBA një nga parashutistët e dërguar në Shqipëri

    Rrëfehet për herë të parë nga SHBA një nga parashutistët e dërguar në Shqipëri nga CIA për rrëzimin e Enver Hoxhës
    Operacioni i CIA-s dhe Mi6 kundër Shqipërisë

    Dëshmon nga Cleveland i Ohio-s, SHBA, Zef Luka, një nga të paktët parashutistët e hedhur nga agjencitë e inteligjencës anglo-amerikane për të rrëzuar komunistët dhe që jetoi 13 muaj nëpër malet e Shqipërisë së Veriut, duke u shpëtuar forcave të ndjekjes, që të ndihmuara nga rusët dhe Kim Philbi, kapën dhe vranë pjesën më të madhe të parashutistëve.Zef Luka, antikomunisti shkodran që mbijetoi dhe nuk ra në kurthin që ngriti Sigurimi i Shtetit Shqiptar në bashkëpunim me kundërzbulimin rus; (kurth që ushqehej prej Kim Philbit, agjentit të dyfishtë anglez, i cili vepronte në Washington; më vonë kaloi në Kremlin, u shpall “Hero i Bashkimit Sovjetik”). Ish-parashutisti jeton në Cleveland të Ohio-s. Zefi nuk i harron për asnjë çast bashkëluftëtarët me të cilët e lidhën ditët e vështira të luftës antikomuniste. Ai ka një ditar model që pasqyron me detaje aktivitetin e atyre që ai vetë i quan “Njëqind shqipe që erdhën me prue lirinë”. Mesazhet e Zefit për të shkruar për ata që lanë jetën në këtë luftë, kanë qenë të shpeshta, por në mënyrë të veçantë ai ka kërkuar të shkruhet për ”profesorin”, Alush Lleshanakun. Zefi kërkon që të shkruhet e vërteta dhe jo hamendje; kërkon që të saktësoheshin disa prej ngjarjeve, nga që keqinformimet, qoftë edhe pa dashje, shtrembërojnë historinë dhe kjo nuk është në të mirë të kombit, aq më shumë se ata që mund të dëshmojnë janë rralluar ngaqë kosa e vdekjes i ka kositur njëri pas tjetrit. Zefi është i vetmi ndër parashutistët e gjallë që zbarkuan në atë kohë maleve të Shqipërisë së Veriut për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Me Zefin u lidha sërish në telefon për t’ia dëgjuar zërin dhe për të marrë dëshmi rreth Alush Lleshanakut, të cilin, ai, si shumë prej atyre që e njohën profesorin, e adhuronte.

    Si e njohët Alush Lleshanakun dhe ç’mund të më thoni për personalitetin e tij, si intelektual dhe luftëtar antikomunist? - E nxis që të flasë në anën tjetër të telefonit Zef Lukën.
    Ç’ka me të thanë, mor vëlla. Alushi ishte nga ata shqiptarë të mirë, që nana i lind vetëm një herë. Ai e donte Shqipërinë si shpirtin e vet, më shumë se nanën e vet, të cilën gjithashtu e kishte dashtë e respektuar deri në vdekje. Siç e kam shkruar edhe në ditarin tim: “Njëqind shqipe që erdhën me prue lirinë”, Alushi ishte njeriu pas të cilit isha lidhë shpirtnisht. Edhe kur më propozoi Ernest Koliqi që t’më çonte në një shkollë në Romë, unë i thashë “jo”, pse i kisha dhënë fjalën Alushit për ta shoqëruar në male, do të parashutoja si ai”.
    Në ç’rrethana u njohët me Alush Lleshanakun?
    Ka qenë marsi i vitit 1947, kur ne u nisëm prej Iraklionit, Kretë në Pire, Athinë. Ishim vendosur në kampin Haxhi Qiriakion, Pire. Në dhomën e katit të dytë ishim shumë shqiptarë nacionalistë: Muharrem Bajraktari me djalin, Esatin, Fiqiri Dine me djalë e me vëlla, Hysni Dema, prof. Miftar Spahija, Abaz Ermenji, Tako Baqi, Alush Lleshanaku, unë, ndërsa gjeneral Preng Previzi kishte një dhomë më vete në kamp dhe vinte tek ne vetëm kur kishte inspektim, ndërkohë që jetonte mes Athinës, në hotel “Bancion”. Në katin e parë banonin Asllan Zeneli me të nipin, Ramadan Cena, Dem Ali Pozhari, Bik Pazari me të vëllanë, Ded Pepa, Lek Martini dhe Pal Marku. Kuzhinier ishte Dauti prej Tirane. Aty takohem me Alushin dhe mësova shumë për jetën e tij, edhe pse emrin ia kisha dëgjuar për mirë që në Shkodër. Baba i tij quhej Shuaip. Pat le në Bradashesh të Elbasanit më 1913, pat kryer Normalen e Elbasanit dhe kishte dalë mësues me ndihmën e axhës së vet, Sulës.
    Çfarë biseduat me Alushin në takimin e parë, ju kujtohet?
    Ai ishte zaambël në bisedë, i këndshëm, i mençur. Më kujtohet se i thashë në atë takim: I je dhimbtë tanë rinisë së Shkodrës edhe komunistave, që ishin nxanësit tuaj, kur “Zani i popullit” në dhjetor 1944 pat shkrue se ke ra në pritë e je mbytë në Drin dhe se kanë gjetë automatikun tand në buzë të lumit. Ai më dëgjonte me vëmendje dhe nuk e kishte të vështirë që të zbulonte atë ndjenjë krenarie që flinte për të në shpirtin tem... Alushi gjatë gjithë kohës çohej shpejt dhe na udhëhiqte në gjimnastikën e mëngjesit në kamp. Mbaj mend se kur vinte oficeri i policisë, në orën 9 i paraqitej një listë e vogël të rinjsh e bashkë me Alushin i kërkonim leje të shkonim në det për t’u la. Alushi kishte trup muskuloz, tamam artist të dukej. Në det fëmijët grekë e rrethonin Alushin dhe thërrisnin “Tarzan”, ndërsa mua më thirrshin, djalin e tij.
    Një ditë, kur ishim në plazh, zhvilluam një bisedë vetëm për vetëm me Alushin. Më pyeti Alushi: -Zef, me u ba puna me ra në Shqipni me parashutë, a vjen me mue? Edhe pse propozimi ishte i menjëhershëm, Zefi e kujton ende atë çast, kur pa u menduar fare, i qe përgjigjur me guxim: “Si jo more Alush! Na të gjithë atë ditë po presim”, - i thashë dhe i dhashë besën”.
    ...Zëri matanë, anës tjetër të telefonit heshti për pak çaste. Do të jetë ligështuar mendova dhe për t’i tërhequr vëmendjen, e pyeta: A mos të rëndova në bisedë? A je mirë me shëndet, z. Zef?
    Ti e di, he burrë, se unë nuk ankohem kurrë... Mirë jam, - shtoi pas pak... - Dëgjo dhe shkruaj, - e mori veten Zef Luka, në anën tjetër të telefonit: - E pyeta një ditë Alushin: Ç’ka kishe me ba me Enver Hoxhën me të ra në dorë? E di si m’u përgjigj? Kisha me fut në një kafaz dhe kisha me e shëtit në tanë Shqipninë, por jo me e vra, që ta shihte e ta kuptonte gabimin e vet. - Alushi qe nga të parë që parashutoi në Shqipëri, - pohon Zef Luka. Prej tetori 1948 deri 15 shkurt 1949 vazhduan të bien në Shqipëri, Alush Lleshanaku, Xhevdet Blloshmi, Ndue P. Gjomarkaj, Nue Mëlyshi. Këta i tërhoqi Roma prej kampeve greke me anë të avokatit Cirkios e më pas, prej Italie ata qenë hedhur me parashutë. Qëlloi që gjatë zbarkimit ata patën humbë radiot me të cilat do të lidheshin me qendrën. Kjo ishte arsyeja që Alushi së bashku me Xhevdetin lanë Shqipërinë dhe dolën përsëri në Greqi, ndërkohë që Ndue Pjetri me Ndue Mëlyshin i gjejnë radiot, por nuk kishin mundë me u lidh me Romën e kësisoj ishin detyruar me dalë në Jugosllavi.
    Kur u takuat sërish me Alush Lleshanakun? - e orientoj bisedën në drejtimin që më intereson.
    Në mars 1949 me një anije greke transporti nisemi prej Pireu në Bari për në kampin Santa Fara. Porsa arritëm aty, na pajisën me indeks kart dhe kontroll book. Na kishin ndarë sipas feve; ne katolikëve në dhoma më vete, siç ishin më vete edhe ortodoksët, myslimanët dhe hebrenjtë. Duke qenë se unë flitsha në tri gjuhë dhe në kamp kishte shumë shqiptarë, Lec Tusha, që në kohën e Italisë kishte qenë oficer pyjesh dhe në kamp ishte përkthyes, më thotë: Zef, të kam gjetë një punë që të përshtatet. Do të punosh në bibliotekë të kampit! Fillova aty dhe isha i kënaqur, për faktin edhe pse paguhesha mirë. Pikërisht aty vijnë prej Rome Eduart Liço, që më vonë do të bëhej editor i gazettes “Dielli”, gazeta e “Vatrës”. Ky na fotografon aty në kamp. Siç na tha, ai ishte i dërguar prej BIK-së. Në këtë kohë vijnë po prej kryeqytetit italian edhe Alush Lleshanaku e Xhevdet Blloshmi. Nga ata u mor vesh se do të kishte lëvizje në kamp dhe se grupin e Elbasanit dhe atë të Shkodrës do të vinte një person për t’i marrë. Ndërkohë që Gjon Gjinaj dhe Pashko Lekaj tinëz u nisën për në Romë. Këtu pra u takova sërish me Alushin, i cili siç kam përsëritë shpeshherë e kam pasë udhëheqës shpirtnor në veprimet e mia për të përmbysur komunizmin.
    Gjatë jetës nëpër kampet e emigrantëve, ju kujtohet, nëse i keni takuar udhëheqësit nacionalistë që vepronin në mërgim?
    Si jo, me Abas Ermenjin dhe Mit’hat Frashërin disa herë në Greqi dhe në Itali. Kur ishim në Santa Fara vjen Mithat Frashëri për t’na ba një vizitë. Na takoi më vete dhe ne, grupin e Shkodrës. U dukte se vinte nga soj i mirë, shtëpie të mire, si i themi ne; gojambël, i squet dhe trim. Shumica e emigrantëve që erdhën nga Greqia në Itali u shkruen vullnetarë me ra në Shqipëri. Të tanë ishin të vendosur e trima, secili ishte i betuar me e rrëzue komunizmin.
    Çfarë kujtimesh ruani nga kampi Santa Fara?
    Shumë kujtime. Ishte një kamp tranzit, ku bënin pjesë: Komiteti Shqipnia e Lirë ashtu edhe “Blloku Indipendent”, natyrisht edhe legalistët. Këto tërhiqshin grupe vullnetarësh që i hidhnin në Shqipëri për të krijuar situate të favorshme për përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës. Grupi i Ethem Çakos, siç dihet është një ndër ata që u kapën të gjallë. Pas ca kohësh më thotë Hamit Toshi (Saiti) se ishte duke shkuar vullnetar në Shqipëri, por pa shokun tonë Osman Dervishi, (ne të tre patëm ikë prej Greqie së bashku.) Ai më pyeti: Po, ti, a nuk do të vish? - Ia kam dhanë fjalën Alush Lleshanakut, ia kam dhanë besën që në Greqi. Këtu u ndanë rrugët e ne të treve; Osman Dervishi emigroi në Australi, ndërsa ne vazhduam të ëndërronim e të punonim duke vënë kokën në rrezik për të rrëzuar komunizmin. Në kamp kishim edhe Besim Kusin. Ai punonte rrobaqepës në kamp, kishte një dhomë më vete. Një ditë ky më thërret e më thotë: - Zef, kam dëgjuar se don me shku në Shqipni, don me u hedh me parashutë nëpër male, a është e vërtetë kjo apo rrenë? - Po, mor, i them. E vërtetë është. - Mos u ban i marrë, - ma kthen ky. - E kam vendosë, - i them. - Po t’diftoj një përrallë, - ia nis ai, në përpjekje të fundit me më kthye mendjen: Ishte një gjeneral duke shkue në luftë. Ky, gjenerali, ndalet në një mulli me pi ujë. Mullisi i thotë: I lumi ti, je veshun kaq mirë, me gjithë ato nishana (grada). Gjenerali, të cilin e pritnin ushtarët jasht, ia kthen mullisite tamam e ke? - Po, - i thotë mullisi, i cli i shihte me zili, si uniformën ashtu edhe gradat e gjeneralit. - Gjenerali i propozon: - A i heq teshat e tua e unë të jap të miat? - Dakord, - thotë mullisi dhe fap zhvesh rrobat e veta dhe vesh të gjeneralit. Si u ndërruan teshat, mullisi vuri helmetën në kokë, i veshur uniformën e gjeneralit, i kërcen kalit dhe fill e në front të luftës. Kërciti pushka në frontin e luftës dhe një plumb i bien gjeneralit (në fakt mullisit) në krye. Dy ushtarë i afrohen dhe thonë: Plumbi i paska ranë në krye, por mullisi që ishte në prag të vdekjes iu përgjigjet: Krye kishte pasë ai që ndejti në mulli, jo unë që unë u bana gjeneral për të marrë kokrrën e plumbit… Edhe pas kësaj rrëfenje-përrallë, unë nuk ndryshova mendim për të ndjekë shembullin e Alush Lleshanakut në rrëzimin e komunizmit.
    Kishte raste kur djemtë nacionalistë që kishin vendosur të rrezikonin jetën për rrëzimin e regjimit komunist të Tiranës lëkundeshin nga idealet e tyre?
    Jo, këtë nuk mund ta them. Të gjithë ishin të vendosur, por kishte ndonjë rast që e kalonim edhe me humor. P.sh. Bardhok Gjata, që ishte i grupit të Mirditës, punonte jashtë kampit. Ai donte me u martue me një italiane, e nuk donte me u hedhë në Shqipëri. Djalë i ri. Gjon Gjinaj, tallej duke i kënduar këngën: E, ej po se din se kë martojmë… marton nana djalin e vet, për gazmend e për kismet… I vënë përballë këtij humori, që përsëritej shpesh, Bardhoku vendosi me ardhë në Shqipëri…
    Kur zbarkoi grupi juaj në Shqipëri?
    Po i tregoj ngjarjet me radhë, ashtu siç kanë ndodhur, ashtu siç i kam ruajtur në ditarin tim. Ka qenë gushti i vitit 1949. Ishim në Bari të Italisë. Roja e portës së kampit më lajmëron se dikush më kërkonte jashtë. Kur dal, shoh një person me një makinë të zezë, ndërsa në dorë i dallohej një sahat e byzylyk i trashë arit. Ky më pyet se si e kisha emrin. Kur ia tregova, më urdhëroi që të merrsha shokët dhe të paraqiteshim në hotel “Delle Nacioni”, via Lungo Mare. Shkuam atje. Na futën në një sallë. Na thërrisnin emra dhe secilit i jepnin nga 40 mijë lireta. Sa u err, na futën në një kamion e na nisën. U sistemuam në një fortesë ushtarake në Monte Mesela. Nga pas na shoqëronte ai personi me veturë, që e thërrisnin Conte Caropio. Kur shkuam në Monte Mesola gjetëm një tufë prej atyre që do të desantonin në Shqipëri. Aty takova sërish Alush Leshanakun si dhe Gjon Gjinajn, Pashko Letajn, Kol Çunin, Kol Bib Mirakajn, Xhevdet Blloshmin. Si duket do të hidheshin të tri grupet. Grupi i Mirditës dhe i Shkodrës, në përbërje të të cilit ishin Kol Çuni, Gjon Gjinaj, Pjetër Gjoci, Bardhok Gjeta, Ndue Frisku, Mirash Marku, Nikoll Marku, Pashko Letës e unë, Zef Luka. Ndërkohë që grupi i Elbasanit përbëhej prej Alush Lleshanakut, Halil Hoxhës, Rexhep Kasës, Zenel Çelës, Nuri Plakës, Abedin Xhangos. Grupi i tretë, i po atij rrethi përbëhej prej Xhevdet Blloshmit Shyqyri Biçakut, Isa Kallos e Kamber Allës.
    A ishit të përgatitur ju për të përballuar parashutimin, jetën e vështirë të malit, luftën diversioniste, ndërlidhjen me qendrën?
    Disa ishin të kualifikuar. Kështu p.sh. Kol Çuni ishte i kualifikuar për radio pasi në kohën e gjermanit kishte qenë me shërbim si radiofonist. Edhe Alush Lleshanaku mësonte për radio. Ai na stërviste edhe si me ra me parashutë, si me gjuejt në shenjë. Aty në kamp na vunë me mësue kod, me marrë dhe me dhanë me radio etj.
    Pas kësaj, menjëherë ju nisën për në Shqipëri apo ju çuan në ndonjë vend tjetër stërvitjeje?
    Në muejin dhjetor 1949 na veshën si marinar dhe prej Monte Mesola-Tarantos na lëvizën me një autobus për në Romë, në Fraskati, via Violata, Vila Rossa.
    Nga kush përbëhej paria shqiptare që kujdesej për grupet që do të hidheshin në Shqipëri? A kontaktuat me ta para se të niseshit për zbarkim?
    Një herë në javë na vizitonin Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni, Ndue Gjon Marku, Lin Shkreli, Xhafer Deva dhe Ernest Koliqi.
    Patët rast që të komunikonit me ndonjë prej këtyre eksponentëve?
    Po, një ditë më tërheq mënjanë Ernest Koliqi dhe më tha: “Ta njoh babën e me të gjetë gja, nuk kam se çka me i thanë. Në mos e ndiesh vedin të aftë me shkue, më thuej mue se të ndali këtu e të nxjerr ndonjë bursë për shkollë”. - Jo, - i thashë, - se ia kam dhanë fjalën Alush Lleshanakut qysh në Greqi… - Cili ishte armatimi individual për secilin prej jush? - Një mashinë (tip pushke) e vogël parashutistësh, një karikator prej 25 fishekësh, 6 karikatore me 50 fishekë, kishim 500 fishekë rezervë dhe nga dy bomba dore. Në dy xhepa poshtë pantallonave kishim nga një beretë. Përveç këtyre kishim dhe ushqimet, ilaçe, vitamina për 5 ditë etj.
    A mund t’i rikujtoni çastet kur u hodhët me parashutë?
    Si jo, ku harrohen ato çaste! Ka qenë 26 dhjetor 1949, dita e dytë e Kshnellave. Në ora 4 pas dite vjen një autobus i cili na merr dhe na çon në fushën e aeroportit ushtarak të Cento Celles. Mbaj mend se aty hipëm në një aeroplan dymotorësh, i cili nuk po nisej ngaqë priteshin të vinin dy persona që mbanin përgjegjësi për misionin tonë. Ata erdhën pas pak; ishin të veshur me tesha të zeza edhe makina e tyre gjithashtu kishte ngjyrë të zezë. Nuk e di pse zotëronte ngjyra e zezë tek ata. Ata na kontrolluan me nga një vështrim secilin. Aeroplani u ngrit në ajër. Conte Coropi, që na shoqëronte, hapi një shishe konjak dhe na ofroi. Unë nuk piva. Pas ca kohësh piloti na tha se ishim mbi Shkodër. Nga lart shihnim vetëm një grumbull dritash, asgjë tjetër s’dallohej. - Sa të bjerë sirena, ju do dilni të gjithë, - na porositi italiani. Të gjithë u vumë në rresht. Paketa e madhe me sendet tona ndodhej përpara derës së aeroplanit. Në krye ishte Pashko Leta. Si u çel dera, në njërën anë ishte Conte Corpio, e një oficer tjetër. Ra sirena e Pashko Leta shtyn pakon e madhe dhe del Kola, i cili u mat një çast, por unë e shtyta, e shtynë dhe oficerët. Kur u hodha unë, më dukej se bishti i aeroplanit po më binte në trup. Ndjej një zhurmë; një prej çantave po ikte me shpejtësinë e plumbit. Seç ndjeva në ato çaste; m’u duk se sytë m’u mbushën me ajër. U çel parashuta, shpërtheva pakon që kisha në gjoks, në të cilën ishte vendosur gjeneratori i radios. Edhe parashutat e shokëve i shihja se ishin hapur dhe me shpejtësi i drejtoheshin tokës. I ishim afruar aq shumë tokës sa ndieja të lehurat e qenve poshtë dhe shiheshin dritat e shtëpive. Era më shtynte drejt pyllit të Komit. Zbritja në fakt duhej të bëhej në Livadhet e Surroit. Këmbët filluan të preknin halat e pishave. I mbulova sytë me duar që të mos qorrohesha nga halat e pishave. Kur prisja të prekja tokën e shoh veten 50 metra të varur. Kapa një degë bredhi, iu afrova degës së trashë, shpërtheva parashutën dhe preka në tokë duke marrë frymë i lehtësuar. Kishte rënë dëborë. Mbaj mend se trashësia ishte gati një çorapë dëbore si i themi ne në Shkodër. Ishte një natë e bukur. Hana shkëlqente si drita e diellit. Një kontrast i fortë i rrezeve të saj që shnëdrisnin mbi dëborën e bardhë. Duke kërkuar gjeta parashutën në të cilën kisha brenda mashinën dhe gjeneratorin. Para se të zbrisja në tokë pata pa një parashutë që nuk qe larg prej meje. Ajo e bardha ishte e radios së Kol Çunit. Në të vërtetë ishte bërë kujdes që radiot dhe gjeneratorët të ishin në parashuta të bardha, ndërsa të tjerat në ngjyrën e gjethit. Kjo ishte bërë pasi grupi i Alush Lleshanakut në zbarkimin e parë e kishte pësuar nga që nuk i gjetën dot radiot dhe gjeneratorët, nuk i bashkuan dot dhe për pasojë u dështoi misioni; një pjesë kaluan në Greqi, pjesa tjetër në Jugosllavi. Nejse, duke ikur drejt parashutës së bardhë, dëgjoj një zë: - Kush je ti? - Kolë, jam Zefi, - i them. Edhe ai kishte mbet i varur, si unë pak çaste më parë. - Eja më ndihmo, - më thërret ai. - Ndihmo vedin, - i them. - Avitu dhe kap degën që ke më afër dhe shpërtheje parashutën! - Ndërsa unë gjeta parashutën e radios së Kolës, dëgjoj që bie në tokë, por i bie të fikët. Mora borë dhe ia vuna në fytyrë. Pasi erdhi në vete, i them: - Nxirre revolen, - sepse mashinën e tij e kishte Pjetër Gjoci, i cili e kishte marrë që të mos rëndohej më shumë Kola. Unë nuk kisha pranue me ua ngarkua mashinën time. - E dua me vete, - u thashë.
    Si u lidhët me njëri-tjetrin? Pritët mëngjesin apo...?
    Para se të hipnim në aeroplan na kishin dhënë nga dy bilbila që lëshonin një fishkëllimë si melodi zogjsh. Unë fishkëlleva, por askush nuk m’u përgjegj në çast. Ndoshta e kishin fajin veshët që më qenë rënduar dhe ende më zhurmonin nga utërima e avionit. I shqetësuar i them Kolës se kurrkush nuk po më përgjegjet. I thashë se do të zbras një beretë. Qita pushkë, por askush nuk m’u përgjigj. Në të vërtetë urdhrin e kishim të mos qitnim pushkë, por të prisnim 24 orë sa të bashkoheshim me njëri-tjetrin. Por unë nxora mashinën dhe e shkrepa. Në këtë rast dikush m’u përgjigj.
    Si shkoi zbarkimi, ratë në kontakt me forcat e ndjekjes?
    Në momentin e zbarkimit, jo. Gjëkundi nuk pipëtiu asnjë lloj zhurme.
    Kur u lidhët me qendrën?
    Në orën 9 të mëngjesit që na zuri në Shqipëri. Ishim në Qafën e Larit, kur Kol Çuni u vu në lidhje me Romën, e cila pa shifra iu përgjigj: “Brunë”. - Çdo të thoshte kjo fjalë? - Donte të thoshte: Të jam falë!
    Si hytë në kontakt me bazat tuaja atje, si i siguruat ushqimet?
    Fillimisht vendosëm që të shkonim në Fan të Mirditës. Na printe Gjon Gjinaj, i cili ishte nga ai katund. Pritëm derisa u err. Gjoni më kërkoi mua që ta shoqëroja. Të tjerët qëndruan. Ne iu afruam të parës shtëpi, në krye të katundit. Mbaj mend se ishte shtëpia e Gjon Kukës. Iu afruam dritares, e cila ishte e mbyllur. Gjoni vë veshin dhe kthehet nga unë e më përshpërit: Këtu është dikush i huj, prandaj eja largohemi pak. S’kaloi shumë dhe del një grua jasht. Gjoni i afrohet dhe e pyet: - A e ke burrin në shtëpi? - Jo, është në punë, tek sharrat, - përgjigjet ajo. Pastaj kthehet nga Gjoni dhe i thotë: - Ne kemi ndie se ke dalë në Greqi. - Po, - i thotë Gjoni, por mbramë kemi ra një grup prej 30 vetash. Na nxirr bukë! - Shkoni e pritni tek muri i shtëpisë së re, se po ju sjell vëllanë e burrit. Do të prisni sa të shkojë kryetari i lokalitetit, që është brenda në shtëpi. Pas një gjysëm ore mbërrin vëllai i Gjon Kukës, i cili dridhej prej frike. Kontaktet me Gjon Kukën i morëm pas tri ditësh, kur ai u kthye nga Sharrat. Gjon Gjinaj e porositi prerë: Vetëm dy shtëpi duhet ta dinë për ne, ju dhe shtëpia e Zef Vocit. Ju do t’na ushqeni gjatë këtij dimri.
    Ju u kthyet sërish në Itali pas zbarkimit apo qëndruat gjatë në male?
    Në male na gjeti nata e Vitit të Ri 1950. Mbaj mend se atë natë ishim në Majë të Runës. Gjithë natën binte dëborë e shtruar. Në fakt kjo natë e shënuar në të gjithë botën, nata e Vitit të Ri, na kishte gjetë me një sopatë dhe ca ushqime të pakta. Ndue Frisku e Bardhok Gjeta çanin dru për ta mbajtë zjarrin ndezë gjithë natën... (Vijon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga PLAKU : 20-08-2010 më 04:43
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  2. #2
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443

    E vranë apo e helmuan Alush Lleshanakun?

    “Ju rrëfej se si na futi në kurth Sigurimi i Shtetit dhe e vërteta për Alush Lleshanakun”
    Zef Luka rrwfen historitë e grupit parashutist, që do rrëzonte Enver Hoxhën

    (Vijon nga numri i kaluar)

    Biseda me Zef Lukën synon që t’i përgjigjet titullit të shkrimit: E vranë apo e helmuan Alush Lleshanakun? Por për të shkuar tek përgjigjja, ia vlen që të ndjekim veprimtarinë e këtij grupimi parashutistësh, i cili qe ndër më jetëgjatët nga ata që vepruan nëpër male. Ndërkohë që biseda me z. Luka sqaron se grupet që vepruan në veri nën hundën e Sigurimit ishin jo të paktë. Ai përmend grupin e Shkodrës e të Mirditës, atë të Kurbinit, grupin e Ebasanit etj. Këto grupe nuk bënë thjesht një zbarkim apo një aksion dhe aq. Jo, ata qëndruan një kohë të gjatë nëpër male dhe vunë në lëvizje dhe bazat e tyre. Morën rrugën e kthimit, kur tradhtia kishte dalë sheshit dhe ata panë veten të prerë në besë nga bashkëpunimi anglo-rus (Filbi). Ky ishte ndoshta nga të paktët grupe ku nuk u infiltrua agjentura ruse dhe Sigurimi e pati të vështirë që t’i fuste në kurth. Sidoqoftë, përpjekja me Sigurimin ishte e pashmangshme dhe e pabarabartë njëkohësisht. Z. Luka nuk e lustron realitetin e hidhur. Ai ishte i ashpër si dimri i egër në malet e mbuluara me dëborë. Shpeshherë grupet u gjakosën me forcat e ndjekjes, por gjithsesi, z. Luka mendon se sakrifica e tyre nuk mund të quhet pa vlerë dhe e dështuar, siç ka shkruar ndonjë gazetë e Tiranës. “Edhe pse një pjesë e grupeve ishin të tradhtuar në kauzën e luftës për përmbysjen e diktaturës, ne prapë i treguam botës se komunizmi nuk i duhej Shqipërisë, prandaj u përgjakëm me të”, - thotë z. Luka në bisedën telefonike që zhvillova më të. Po si shkoi jeta e tyre në male? Kur u ritakua dhe si u nda me Alush Lleshanakun, kur e mësoi vdekjen e idhullit të tij? A ishte vrasje në përleshje, apo ishte besëprerje a helmim? Këtyre pyetjeve përpiqet t’u japë përgjigje intervista e mëposhtme.

    E pyes Zefin: Si arritët që të kalonit dimrin e ashpër të vitit 1950? Po ushqimet, ku dhe si i siguronit?
    Dimrin e kaluam ndër male duke u furnizuar tek simpatizantët dhe mbështetësit e luftës sonë të shenjtë. Mbaj mend se një herë pashë nga larg që po vinte Gjon Kuka me një të arratisur në male për çështje gjaku, Pjetër Gjeta. Ata na kishin sjellë një cjap dhe një gjysmë thesi me bukë. Kjo ishte një festë e vërtetë. Kështu kalonin ditët e vështira të atij dimri. Çdo ditë lidheshim me Romën në ora 9 të mëngjesit, pa i treguar vendin se ku gjendeshim ekzaktësisht. Si kaluam dimrin te Maja e Runës, zbritëm poshtë. Bora ishte deri në brez, ende s’kishte filluar të shkrinte. Ne ecnim nëpër ujë që të mos linim gjurmë pas. Rruga që përshkonim ishte e rrethuar nga fshatra që ishin të lidhur me Sigurimin dhe komunistët. Gjetëm strehë dhe shtruam sofrën për të ngrënë tek stani i Mark Palucës. Në shtëpinë e tij do të qëndronim dy javë për të zbritur më pas në Fushë të Lajës. Një pjesë të shokëve, Kol Çunin, Pashko Letën e Nikollë Markun i lamë në Koravë. Pjesa tjetër, Gjon Gjinaj, Pjetër Gjoci, Bardhok Gjeta, Pjetër Gjeta, Mirash Marku, Ndue Frisku dhe unë, Zefa Luka, morëm rrugën për Fushën e Lajës, ku do të bëhej një zbarkim i pritshëm.
    Gjatë gjithë asaj kohe që ju bridhnit me qefin në krye, sa e besueshme ishte se i gjenit dyert e çelura për ushqime? Sigurisht. Mbaj mend se ndërsa ecnim drejt Fushës së Lajës, bashkë me Gjon Gjinin trokasim në një derë. Shtëpinë na e hapi një grua e re. Nuk e kishte burrin, ia kishin vrarë komunistët. Ajo na nxori menjëherë bukë, por ne i thamë se nuk mund të hanim bukën e fëmijëve të saj. Por ajo ishte sojnike grua, na e dha me zor dhe na tha: Merreni ju se fëmijët hanë edhe nesër! Përherë kishte dyer që çeleshin për ne. Pak më tej, arritëm në fshatin Shkozë. Qëndruam tek shtëpia e Nikollë Pjetër Shkozës, aty na dhanë mirë për të ngrënë.
    Ndërkohë, kishte shenja se ndokush nga pjesëtarët e grupit bashkëpunonte me Sigurimin ose jepte shenja “dorëzimi”?
    Gjithmonë unë kam folur haptas dhe nuk e kam mfsheh të vërtetën; e kam shkruar edhe në ditar. Po t’kallxoj një rast. Nikoll Marku kishte tentuar të largohej para se të mbërrinim në Koravë, por e kapi Pashko Letaj e Bardhok Gjeta. Ne dëgjuam në atë rast Nikollën që bërtiti fort: Në dorën tande Gjon Gjinaj! Ndërkohë që kur kishim arritë në Fushën e Lajës, aty nga ora 5 e pasdites, na mbërrin lajmi prej Kol Çunit, i cili na kërkonte që të linim Fushën e Lajës për arsye se Nikoll Marku kishte arritë me u arratisë. Lamë Fushën e Lajës dhe ndryshuam vendin e stacionit të radios për çdo të papritur.
    Cili grup pritej që të zbarkonte në Fushë të Lajës?
    Me thanë të drejtën, nuk e dija se cili grup pritej. Na ishte mbajtë sekret. Jo vetëm mua, por dhe të tjerëve. Ka mundësi ta dinte vetëm Kol Çuni, ndoshta dhe Gjon Gjinaj. Më vonë e mora vesh se kishte qenë fjala për Alush Lleshanakun.
    A zbarkoi grupi i Alushit?
    Ç’është e vërteta, nuk u arrit që të lajmërohej Roma për ndryshimin që kishim bërë dhe braktisjen e Fushës së Lajës. Kishim vetëm një lidhje me Romën dhe ndryshimi ishte bërë pasdite. Nga ora 8 e darkës ne pamë aeroplanët që u ulën në Fushën e Lajës. Të nesërmen Roma na pyeti se si u bë zbritja, por ne nuk dinim gjë.
    Po ç’kishte ndodhur?
    Si mësuam më vonë, Çup Caf Paluca me Zef Vocin e shokë të tjerë kishin ndezë zjarre dhe aeroplani kishte lëshuar pushkë, municione, ushqime e uiski. Mësuam se kishte ra edhe grupi i Alush Lleshanakut, i cili përbëhej edhe nga Halil Hoxha, Rexhep Kasa, Abedin Cengo, Zenel Çela dhe Nuri Plaka. Kur e takova pas 6 muajsh Alushin, ai ma tregoi vetë ngjarjen: Kur ramë në Lajë, dëgjuam pushkë, - tha ai. Alushi i kishte thënë Rexhep Kasës: Shko shih se mos është Zefi aty duke na pritë. Por s’ishte ashtu. Rexhepi kishte parë forcat e ndjekjes që ishin në pritje të tyre dhe kishin marrë rrugën e ikjes...
    Ç’ndodhi me ju pasi e latë Fushën e Lajës?
    Grupi u përgatit përsëri me shku në Lajë. Gjendja ishte e rrezikshme, ishim të rraskapitur. Kola caktoi grupin që do të shkonte: Mark Palucën si udhëheqës, mua, Bardhok Gjetën e Pjetër Gjetën. Mbaj mend se Ndue Frisku më tha: Zef, po shkoj në vendin tand se ti nuk e njeh vendin, unë kam qenë çoban ndër ato anë dhe e njoh vendin. Përgjegjës grupi u caktua Bardhok Gjeta. Pashë se Kola dhe Gjoni diçka pëshpëritën në vesh. E mora vesh më vonë, Kola donte që të shkoja unë. Sipas meje, i takonte Gjon Gjinajt me shku i pari, më pas më vinte radha mua. Nejse, ishim tek stani i Mark Palucës kur u ndamë në dy grupet: ata për në Fushë të Lajës, ndërsa ne drejt Kërrabës.
    Çfarë ndodhi me grupin që shkoi në Fushë të Lajës?
    Ka qenë 29 mars 1950. Pat ardhë Mark Paluca e na ka sjellë lajmin se kishin gjetë parashutat me ushqime, pushkë dhe tesha që pat hedh aeroplani. Filluam me pi e me hangër, mandej qitëm dhe pushkë. Krismat ishin ndjerë në katund dhe patrullat e Mbrojtjes janë nisë drejt Fushës së Lajës duke menduar se ndonjë grup prej Jugosllavisë kishte desantuar aty. Ata u ndeshën ballë për ballë me Bardhok Gjetën, i cili ka pyet: Kush jeni ju? -Sigurimi, - i janë përgjegjës ata. Bardhoku i ka sha me nanë e ka zbraz pushkë. I janë përgjigj dhe ata. Në përpjekje mbetën të vrarë nga të dy palët. Prej Sigurimit: Mark Prenga, që e thërrisnin ”Pepi”, nëntoger i Sigurimit dhe Zenel Çoba prej Qerretit të Sipërm. Ndërsa nga grupi ynë Bardhok Gjeta, Ndue Frisku, Pjetër Gjeta e Zef Voci.
    Çfarë bënë forcat e ndjekjes me trupat e të vrarëve nga pala juaj?
    Atyre u hoqën xhaketat e lëkurës, sahatët, parat, (jo më pak se 10 napolona secili). Pasi i morën të vdekurit, filluan t’i keqtrajtojnë, t’i djegin me cigare në fytyrë, u kanë nxjerrë dhe sytë përjashta me shishe, i lidhën për këmbësh dhe i tërhoqën zvarrë deri tek Sharra e Gojanit. Ma vonë i morën dhe i rregulluan si mundën, i veshën me teshat që patën, siç duket erdhi urdhri se do inspektoheshin prej Tiranës trupat e tyre, ndoshta dhe do t’i fotografonin.
    Po grupit të Alushit si i shkoi filli, desantoi ai, a u takua me grupin tuaj?
    Grupi i Alushit desantoi, por ai duhej të priste 24 orë në Lajë, mirëpo ai nuk priti. Nga ngjarjet që ndodhën ata morën rrugën drejt Elbasanit.
    Kur u takuat sërish me Alushin?
    Kaluan shumë ngjarje të vështira për ne. Në Kërrabë vjen çeta e Kurbinit, e cila duhet thënë se ishte tmerri i Sigurimit. Vetë ata të ndjekjes ia kishin frikën atyre trimave si: Pashko Suma, Ndue Lala me të vëllanë, Ndue Gjergji, Mark Mëlyshi. Çeta na kërkoi që të shkonim bashkë në Kurbin, ku do të vinte furnizimi për çetën. Të udhëhequr nga ata, shkuam dhe u vendosëm në Perlat, ku qëndruam gati 1 muaj. Pas një muaji u nisëm drejt Kurbinit, ku do të bënim takimin me çetën e Kurbinit. Takimi do të bëhej te stani i Plakave të Jakut. Në një shpat me dëllinja lamë shokët e radios. Pashko Suma qëndroi, majti veshë dhe më thotë: Zef, te stani më duket se është dikush i huej. Pas një dëllinje gjejmë Luk Prezefin e çetës së Kurbinit, ishte krejt i përgjakur. E morëm me vete pasi u mjekua nga Pashko Leta, që ishte dhe infermier. I zoti i stanit na tregon se si ra në pritë çeta e Kurbinit e si Ndue Lala ka pushtue. Në mbrëmje mbërritëm në Munellë, shpirtvrarë e të lodhun.
    Ndërkohë ju i mbanit lidhjet me Romën dhe a u furnizonin ata pas aq kohësh?
    Po, lidhjet ishin të rregullta. Edhe furnizimet. Pas humbjes së Kurbinit, ne na erdhën furnizimet me aeroplan, i cili zbarkoi aty nga ora 9 e mbramjes. Furnizimet ranë në Dom Gjon. Në fakt gjetëm vetëm njërën nga ngarkesat, atë me rroba, një tjetër, ku ishin dhe të hollat, pare ari, nuk u gjet. Mbaj mend se atë natë mora një xhaketë kafe me katër xhepa të mëdhenj, me penj ishte shkru emri im, Zef. Më vonë ia fala Pashko Sumës, me të u vra i gjori pas 2 muajsh, kur pat ra në përpjekje grupi kosovar në Perlat, Mirditë, së bashku me kapiten Riza Osmanin.
    Cili ishte takimi i fundit me Alush Lleshanakun?
    Në shtator 1950 po përcillnim drejt kufirit me Jugosllavinë Tahir Hoxhën që ishte në grupin kosovar. Isha caktuar unë, Pal Mirakaj, Ded Pjetra. Më pas, bashkë me Pal Mirakën e Dod Pjetrin ndodhemi në malin e Dardhës. Prej këtej shkojmë në Qafë-Mali që të marrim Gjon Gjinajn dhe Alush Lleshanakun për t’i furnizuar me radio. Pali u ndal në një bazë të njohur, ku e priste një takim, ndërsa unë i përcjellë prej një fëmije të asaj shtëpie shkova drejt Alushit dhe Gjon Gjinajt, Pjetër Gjocit, Ndue Mëlyshit e Zef Kryeziut. Ata kishin ardhë prej Jugosllavie, por vendosën që asaj nate të riktheheshin. U takova me ta. Para se të zbardhte drita, vjen Pal Mirakaj e Ded Pjetra dhe së bashku u nisëm drejt Pukës. Kaluam Kroin e Shkjaut tek Bjeshka e Prroni i Kijave, morëm drejt stacionit të radios që ishte në Berishë, vendit i thoshin Kotec. Pasi kaluam postën e Iballës, para nesh u shtrinë ca ara me misër. Alushi mbushi çantën me misra të njomë. Mbaj mend se ai ishte veshë me një palë brakesha të zeza e me një fanellë të trashë leshi, këtë e përdorte kur qëndronim për të pushuar. Me vete kishte bomba dore, mashinën e parashutistëve dhe beretën. Në Kotec qëndruam një javë. E lamë këtë bazë ngaqë një ditë na panë dy njerëz, që kaluan aty; njeri ishte oficer pyjesh. Shkuam në Balaj. Po prisnim që të errej dhe të kalonim urën që ishte afër komandës së vendit të Iballës. Vendi ishte i vështirë, përreth kishte moçale kënetore. Grupi që do të kalonte përbëhej prej Alush Lleshanakut, Gjon Gjinajt, Pjetër Gjocit, Ndue Lush Mirakajt, Gjon Lush Mirakajt, Pashko Demit, Pal Mirakajt, Kol Çunit, Pashko Letajt, Mirash Markut, Ded Pjetrës, dhe prej meje, Zef Lukës. Pas shumë vështirësish kaluam, në fillim priva unë me Gjon Gjinajn, edhe pse nuk ishim vendas. Kur arritëm tek bjeshka në Mëzij, Mark Zogu sjell radion që e kishim rezervë, të ruajtur në një kosh të mbuluar me dushk. Kjo ishte për Alush Lleshanakun. Ndërkohë, vjen Vat Staka që na solli një kosh me rrush. Ai qëndroi tri ditë me ne. Kur bën të kthehet në katund, e takon një grua që po shkonte me mbush ujë, e cila e paralajmëroi: “Mos shko në shtëpi se po të pret Sigurimi. Të ka gjetë edhe revolen me fishekë”. Atë revole ia kisha falë unë Vatës. Pas kësaj, ai nuk mund të shkonte më në katund, qëndroi me ne. Atë kohë më thërret Alush Lleshanaku mënjanë dhe më thotë: Zef, shokët janë mërzitë dhe kanë mendjen me dalë në Jugosllavi. Ti eja tek unë në Elbasan. Mbaj mend se i jam përgjigj: “Derisa të jesh ti në Shqipëri, unë kam me ndejtë!” Dhe i qëndrova asaj bese që i dhashë. Alushi kishte vendosë me vdekë e mos me dalë nga Shqipëria. U dhamë radiot Alushit, Gjonit dhe Pjetrit dhe u ndamë me ta...
    Kur e keni ndier veten më të pikëlluar gjatë viteve që qëndruat në male?
    Kanë qenë shumë të tillë, por tepër i pikëlluar jam ndjerë kur më vranë shokun tim të ngushtë, Mark Hajdarin. Ishte trim. Familjen e kishte me komunistët, vetë ishte kundër. Shpesh bashkë me të shkoshim nëpër katund, flinim afër ndonjë shtegu apo rruge, natën këndonte në kupë të qiellit.
    Është thënë se në grupet antikomuniste kishte dorë dhe UDB-ja. Ishte i lidhur grupi juaj me shërbimet jugosllave?
    Unë nuk iu dorëzova jugosllavëve as në çastet më të vështira, as në kurthe e shtrëngesa. Edhe grupi nuk kishte lidhje me Beogradin. Ne i merrnim urdhrat nga Roma. Po të tregoj dhe një ndodhi që m’ka ndodhë. H. Sh. dukej se e kishte pikë të dobët UDB-në. Pasi e marr vesh që ai shpërndan literaturë të UDB-së, e thërras një ditë dhe i them: Po ç’ka ban ti mor me letrat e Koçi Xoxes, që me na pas vra a kapë partia, ne kishin me na ngjit në fytyrë fotografitë e Koçi Xoxes, të atij që ka vra vëllaun tand, e tanë klerin katolik? - Si? - tha, - më ka vra vëllanë? - Po, pse a, nuk e di? - i përgjigjem. Po ecnim bregut të Drinit, H. Sh. hapi çantën dhe i hodhi fletushkat në ujin e lumit... Por pas pak ai doli prap në Jugosllavi. E mësova se ai bënte pjesë në komitetin e Apostol Tenefit. Pas 4 vjetësh në Jugosllavi, doli në Perëndim. U mor dhe në intervistë. Nejse, ç’e zgjasim, e kuptuam se ai ishte agjent i Sigurimit të Shqipërisë.

    Marrë nga gazeta “Dielli”

    Historia e grupit të agjentit Alush Lleshanaku
    Në Korçë, në korrik të vitit 1950 u zbulua dhe u dënua grupi spiunazh grek e jugosllav i kryesuar nga Shefki Hysa, në të cilën kishte hyrë Demir Biçakou, Seit Jazenxhiu etj. Ata bashkëpunonin me diversantët grekë Hasan Matraku, Hiqmet Çiflikun dhe diversantë të tjerë të UDB-së, si Ahmet Llarupi, etj. Alush Leshanaku instruktor i shkollës së spiunazhit të zbulimit italian, në Romë, duke parë që të gjitha grupet diversante dhe të spiunazhit që kishte përgatitur dhe dërguar në Shqipëri kishin dështuar, u nis vetë në krye të një grupi spiunësh, në shkurt të vitit 1950. Por pasi arriti në Shqipëri, ai e pa veten të izoluar dhe të detyruar të struket në mele. Duke e ndjerë veten ngushtë, Alush Leshanaku u dërgoi më 20 shkurt 1950 shërbimit sekret Italian këtë radiogramë: "Nr.113 Gj.313-31055- Asht e treta herë që ju them se nuk kam pas mundësinë më të vogël për të komunikuar gjatë orëve të ditës. Sikundër ju kam shpjeguar edhe më parë me telin tim Nr.97, në këtë lokalitet nuk është e lejueshme me ngrit antenat ditën, sepse shihet nga të gjithë. Jo vetëm në afërsitë këtu përreth, por pothuajse në të gjithë zonën e Elbasanit, nuk ka pyje të mëdhenj dhe të pakontrollueshëm nga njerëzit, nga barinjtë qentë dhe gjuetarët, gja që bën të pamundur pa u zbulue dhe u njof nga armiqtë. Që më parë kam vendosur orarin për natën. Kam thirrur çdo mbrëmje në orën 18 dhe çdo mëngjes në orën 4. Nuk jeni përgjigj. Nuk kuptoj përse. Më datën 17 të vazhduesit ora 20 jemi lidhun dhe ju thashë për të nesërmen në orën 3, por ju skeni ardhë, nuk i jeni përgjigj thirrjes time. Gjithashtu kam vazhduar t'ju thërras natën në orët e vendosuna që më parë dhe ju nuk jeni përgjigj. Nuk e kuptoj mënyrën e të sjellit deh të arsyetimit tuaj. Nëse doni që për kapriçon tuaj të më rrjepin lëkurën, nuk është e drejtë dhe e përshtatshme. Nëse doni që unë të shkoj në malet e nalta ku është së paku pesë metra dëborë dhe jo vetëm që është e pamundur, por se as nuk ia vlen barra qiranë, sepse atje do të jemi i izoluar për 5 muaj dhe nuk do të mundem t'ju komunikoj veçse buletinin meteorologjik dhe lëvizjet e ujqërve. Pra me fjalë të shkurtra unë po ndërpres komunikimin ditor dhe do të transmetoj vetëm në orët 20 të çdo mbrëmjeje. Kuakter A i volen. Nëse më dëgjoni dhe nuk më thërrisni në atë orë, do të jem i shtrëngue me ndërpre përgjithmonë komunikimin, - Alushi.Si të tjerët edhe ky agjent i vjetër dhe kuadër i vlefshëm i zbulimit italian u asgjësua me gjithë grupin e tij më 30 dhjetor 1950.
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  3. #3
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443

    “E vërteta e vdekjes së parashutistit që do të rrëzonte Enver Hoxhën”

    “E vërteta e vdekjes së parashutistit që do të rrëzonte Enver Hoxhën”
    Zef Luka rrëfen nga SHBA betejën me Sigurimin e Shtetit dhe zbardh vrasjen e Alush Lleshanakut

    (Vijon nga numri i kaluar)

    Si shkoi filli i Alushit dhe çetës së tij? - e pyes Zef Lukën Ka qenë dhjetor i vitit 1950. Isha çuar për të marrë shërbimin, isha roja i parë. Natën kisha pa një ëndërr të tmerrshme; një gropë të madhe, përreth saj 9 kufoma me gojë hapët. O, Zot, ç’tmerr ajo ëndërr! Në orën 9, sipas rregullit të përditshëm thërrisnim Romën. Ata na thanë se kishin me na dhënë një radiogram të rëndësishëm. Po e prisnim me ankth e shqetësim të thellë. Radiogrami erdhi. Në të thuhej se “Radio Tirana ka dhënë lajmin se Alush Lleshanaku ishte vra, na jepni hollsina”. U habitëm dhe u ligshtuam. Mu më dhembi shpirti. E kisha idhullin tim, mësuesin tim që më udhëhiqte në këtë luftë të ashpër. I kisha dhanë besën. Menjëherë shkuam në katund, takuam priftin, morëm “Zanin e Popullit” dhe menjëherë i konfirmuam Romës lajmin për sa shkruante gazeta: Ai ashtë vra në ora 4 të natës, si pati kaluar urën tek shkalla Broshkë. Rinia, një pjesë e të cilëve ishin dhe komunistë, kur e panë, thanë: Alush, ç’t’u desh që erdhe?” Shumë prej tyne kishin qenë edhe nxënës të Alushit.
    Si e përcollët vdekjen e Alushit, si ndikoi ajo në luftën tuaj kundër komunizmit, ç’vendim morët më pas?
    Ta kam thanë dhe në fillim të bisedës, Alushi ishte i veçantë. Ai e donte Shqipërinë më shumë se nënën e vet. Nuk e di se sa e shpreh kjo që po ju them vendosmërinë e tij për t’u vetëflijuar për Atdheun. Grupi i veriut u prek shumë nga humbja e tij, ai i Elbasanit, edhe më shumë. Por, meqë Alushi kaloi disa herë në veri, pati punuar profesor në Shkodër, pati zbarkuar në veri për furnizim me radio, i vetmi ngushëllim yni ishte që atë nuk e gjet e keqja në veri; ndryshe do të na mbeste plumb në shpirt. Me vdekjen e Alushit, u ndaluan dhe grupet e tjera me u hedhë në Shqipëri, si: Xhevdet Blloshmit, Shyqyri Bicakut...
    Mësuat ndonjë lajm të vërtetë se si u sollën komunistët me trupin e pajetë të Alushit?
    Shteti komunist e ka vënë në një shtyllë te rrapi i Bolbollës që ta shikonin njerëzit. Kanë njoftuar edhe të shoqen, po ajo nuk ka pranuar që të shkojë.
    Ju mendoni se Alushi u vra apo ka ndonjë version tjetër?
    Unë e kisha shkruar historinë me imtësi në ditarin tim, por u detyrova që t’i heq në çastet e fundit. Fëmijët e Alushit nuk ishin të mendimit që të vendoseshin emrat e atyre që mendohet se i morën jetën Alushit, e dorëzuan atë, apo e helmuan më parë...
    Ju, sikur po thoni shumë variante njëherësh, cila është e vërteta?
    Alush ishte njeri i rrallë, ishte trim, por i zgjuar, shok kishte vetëm veten, ai nuk binte kollaj në kurth, por Sigurimi i Shtetit arriti që të depërtonte në radhët e luftëtarëve nacionalistë, ai helmoi një pjesë prej atyre që arriti të kapte, i bëri për vete, disa u dorëzuan në torturat e egra dhe pranuan të bashkëpunojnë e të luajnë lojën e Sigurimit. Kështu ka ndodhur edhe me ata që e dorëzuan Alushin, e prenë në besë shqiptarin e mirë që nuk e njihte besëprerjen...

    Këtu përfundon intervista me Zef Lukën, i cili pas vrasjes së Alushit e ndiente veten të vetmuar dhe dhimbja gati i çante gjoksin. Kishte ardhur koha që të linte malet dhe ta quante të përfunduar detyrën ndaj idealit të vet. Në ditarin e tij ai do të shkruante: “Gusht 1951...Përgatitemi me e lanë misionin. Alush Lleshanakut ia mbajta fjalën; sa qe ai gjallë, unë isha zotue mos me e lëshue Shqipërinë. Gjendja sa vinte përditë keqësohej. Populli na thoshte se prej jashtë ishin duke na spiunuar. Ata të KKSHL-së, i zinin të gjallë, porsa vinin këmbën në Shqipëri, siç ndodhi me Hamit Matjanin, shok i Alushit, ndër djemtë më të mirë të Shqipërisë”.
    Zef Luka mori rrugën e kthimit dhe së bashku me Pashko Letën, Pjetër Gjonin me gruan, Katerinën, Vat Stakën, Fran Sokolin, Preng Keqanin me Gjinin, Fran Kolën; këta të fundit i vrau Sigurimi gjatë rrugës, në terren. Odiseja e vuajtjeve vazhdoi edhe pasi kapërcejnë kufirin. UDB-ja nuk iu nda, por Zefi i kishte thënë “jo” bashkëpunimit me armiqtë e Shqipërisë. Ai kaloi me burrëri e trimëri të patreguar të gjitha provokimet, madje edhe arrestimin e priti gjakftohtë. Madje dhe ditët e vështira të burgut, që nga dhjetori i vitit 1951 e deri në mars të vitit 1952. Me kurajo, Zefi i përbuz ata që bashkëpunuan me UDB-në.
    * * *
    Por le të rikthehemi sërish tek Alush Lleshanaku duke shfrytëzuar burime të tjera për të ndjekur rrugën e aktivitetit të tij antikomunist, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, ku përpjekjet e tij për të bashkuar rezistencën antikomuniste deri në çastin fatal, kur jeta e tij u këput, ndoshta ngaqë për herë të parë ai besoi më shumë se ç’duhej dhe ra në kurthin e pabesisë.
    Lulëzim Petrela ka arritur që përmes dokumentacionit dhe dëshmive të ndjekë gjurmët e luftës antikomuniste në Shqipërinë e Mesme, zonë ku vepronte Alushi. Në botimin “Qëndresa e armatosur antidiktatoriale në malet e Shqipërisë së mesme në vitet 1944-1950” të nënshkruar nga Fiorito Petrela, sillen detaje për organizimin e grupeve të armatosura, ku shquheshin aftësitë organizative të Alush Lleshanakut për t’i bashkërenduar forcat që kishin zënë malet me armë në dorë për të rrëzuar regjimin komunist.

    * * *
    Alush Lleshanaku ishte ndër ata luftëtarë antikomunistë që impononte besim në kauzën e vet, jo vetëm tek bashkëpunëtorët e tij, por edhe tek nacionalistët e tjerë që vepronin në treva të tjera të Shqipërisë. Një ndër shembujt që ilustron këtë ide është dëshmia e gjallë e Zef Lukës, i cili, pasi Alushi kishte humbur jetën, vendosi që ta lërë jetën e malit nga që nuk shihte më dritare për të vazhduar misionin. Zefi, në emër të nacionalistëve të veriut pohon: “Ne na ngushëllonte fakti që Alushi nuk u vra në veri të Shqipërisë, ndryshe do të na vriste ndërgjegjja për gjithë jetën se ishte vrarë në “shtëpinë tonë”. Alushi vërtetë e kishte Shqipërinë e Mesme si zonën e aksioneve të veta, por ai shpesh u ndodh në veri, në mes të parashutistëve, që kishin zbarkuar asaj ane, me të cilët pat kaluar së bashku në kampet e Greqisë dhe Italisë. Në zonën e tij të veprimeve luftarake, Alushi gëzonte një besim të jashtëzakonshëm. Ai ishte iniciatori i një mbledhjeje të përgjithshme e të arratisurve në malet e Shqipërisë së Mesme. Ky takim tepër i rëndësishëm për fatet e mëtejshme të luftës antikomuniste, u mbajt me 28 korrik 1946 në vendin e quajtur Kroi i Zogut në fshatin Allajbeg të Belshit, krahinë e Dumresë, rrethi i Elbasanit. Në fakt, sipas Fiorito Petrelës, ky takim me përmasat e një kuvendi, u thirr pas pritës që i ishte bërë çetës së Sul Selimes, e quajtur ndryshe edhe si “çeta e hekurt”, e cila qe gjakosur në një pritë që i pati organizuar Sigurimi. Mbledhja qe thirrur nga Alush Lleshanaku, i cili ishte në njëfarë mënyre, truri i bashkërendimit të veprimeve antikomuniste në Shqipërinë e Mesme (Tiranë-Durrës-Elbasan-Lushnje-Peqin-Shijak-Kavajë). Ndërkohë që luftëtarët e çetës së Sul Selimes mjekonin plagët e marra në pritë, Sula merr njoftimin nga Alushi për t’u takuar me të në Papër-Sollak (Dumre), në shtëpinë e Hysë Haxhiut. Atje u organizua takimi. Alushi ishte së bashku me Ali dhe Ibrahim Çelën. Objekti i këtij takimi ishte pikërisht organizimi i kuvendit të 28 korrikut që do të mbahej në Allajbeg. U ra dakord që takimi me të gjithë të arratisurit në Shqipërinë e Mesme, të bëhej pikërisht tek Kroi i Zogut, për faktin se aty pranë ishte edhe një pyll i dendur, dhe sido që të vinte puna, të kishte një mundësi ikjeje në rast rreziku. Sa për temën e kuvendit u ra dakord që të bisedohej për bashkërendimin e veprimeve në të ardhmen, veprime që synonin rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Kuvendi i Allajbegut synonte nga ana tjetër që t’i paraprinte edhe një takimi tjetër me përmasa më të mëdha se ky. Ishte fjala për një kuvend më të zgjeruar që ishte paralajmëruar të mbahej në shtator 1946, ku do të diskutohej për mundësitë e organizimit të një kryengritje të armatosur, e cila do të ishte e njëkohshme edhe me forcat që vepronin në veri të Shqipërisë dhe do të çonte në rrëzimin e diktaturës komuniste që po instalohej në Shqipëri. Pra bëhej fjalë për kryengritje të përgjithshme. Takimi mes Alushit dhe Sulë Selimes u zhvillua pa asnjë incident. Forcat e ndjekjes nuk arritën që të binin në erë të bashkimit të dy çetave, ndryshe ata do të kishin sulmuar për t’i hequr qafe dy nga armiqtë më të betuar të tyre, të cilët kishin kohë që i kërkonin si me qiri.

    Me 28 korrik 1946 u organizua takimi i paralajmëruar i Allajbegut, ku mendohet se kanë marrë pjesë më shumë se 200 të arratisur të asaj zone, të cilët prej kohësh kishin lënë vatrat familjare dhe kishin rrokur armët për të rrëzuar komunizmin. Në këtë kuvend ishte i pranishëm edhe Hamit Matjani, një ndër luftëtarët më të rrezikshëm antikomunistë. Hamiti shoqërohej nga Hima, i vëllai i tij, Ibrahimin, i cili do të vritej më vonë e do të jepte jetën në luftë kundër komunizmit, mbeti i vrarë me të tre nipat: Hasanin, Dalipin dhe Hajdarin. Nuk do të mbaronte me kaq flijimi i familjes Matjani në emër të antikomunizmit; në përpjekje do të binin edhe vëllai tjetër i Hamitit, Asllani, dhe djali i xhajës së tij, Veliu. Ndër emrat e njohur të luftës antikomuniste, pjesëmarrës në takimin e Allajbegut do të ishin edhe Nuri Plaka e Ramadan Kelmendi. Hamiti ishte nga fshati Matjan i Lushnjës, Nuri Plaka nga Gfostima e Cërrikut, Elbasan, ndërsa Ramadan Kelmendi, ishte prej Kosove. Në shënimet e Fiorolos, shkruhet se të tre këta: Hamit Matjani, Nuri Plaka dhe Ramadan Kelmendi do të binin në kurthin e Sigurimit të Shtetit, të tradhtuar nga Xh. Mema, D. Kurti dhe B. Hoxha, pa harruar kontributin e Zenel Shehut, që prej kohësh kishte pranuar dhe ai të luante lojën e Sigurimit të Shtetit.

    Në radhën e pjesëmarrësve të kuvendit të Allajbegut ia vlen të përmenden edhe luftëtarë të tjerë antikomunistë si: Latif Karafila, Adem Tafani, Veiz Gjolena, Fetah Shabani; tre vëllezërit Sefer, Shaban e Pasho Gjika nga Shalësi i Elbasanit; Emin Lamçe; Cen Graceni, Mersin Muzhaqi; ishte ai që quhej heroi dhe trimi i Shpellës së Zgoshtit të Librazhdit, Isak Alla me të vëllanë, Kamberin. Isaku kishte hyrë në këngë për luftën dhe qëndresën heroike që kishte bërë tek Shpella e Zgoshtit në vitet 1945-46. Nuk kishin mundur që të vinin në kuvend Azis Biçaku dhe Xhevdet Blloshmi, të cilët kishin patur pengesa në rrugëtimin e tyre. Qe një takim i rregullt, ku diskutuan jo vetëm krerët. Në procesverbalin e atij takimi është ruajtur edhe fjala e organizatorit dhe drejtuesit të atij kuvendi, Alush Lleshanaku, i cili hapi takimin. Ai u tregoi të pranishmëve për përpjekjet që po bëheshin nga luftëtarët e maleve për të rrëzuar komunizmin. Ai tregoi për takimet që kishte patur në veri të vendit me kryetarin e Komitetit të Maleve të Veriut, Llesh Gjonmarkaj, si dhe me Jup Kazazin e Shkodrës, i cili, pas një muaji do të ishte në krye të kryengritjes së Postribës. Lushi hodhi kushtrimin se duhej bërë një organizim i shpejtë, se nuk kishte kohë për të humbur; ishte fjala për një kryengritje të njëkohshme e të përgjithshme në të tërë Shqipërinë. Lushi tha se në shtator do të organizohej takimi tjetër që do të mbahej me 1 shtator në Belsh. Fjala e Alush Lleshanakut u pëlqye dhe u miratua. Pas tij foli Sul Selimja që ishte bërë tmerri i forcave të ndjekjes. Ai u shtoi fjalëve të Alushit mendimin e tij: “Me aksione, atentate dhe sabotime nuk do të kishim ndonjë interes, sepse do të shkatërrohej vendi dhe do të merrej më qafë populli”. I ashpër ishte në fjalën e tij Pasho Gjika, fjalët e tij ranë si bomba në kuvend: “Të rrokim armët të gjithë, për të përmbysur këta antikombëtarë që janë të gjithë me frymën e serbit”. Por nuk kaluan as dy ditë nga takimi dhe Pasho Gjika u vra nga forcat e ndjekjes në shtëpinë e tij.

    Alushin e kishte mësuar jeta e dyfishtë që bënte si njeri dhe si luftëtar, si udhëheqës grupi dhe si armik i shpallur nga komunistët, të ishte syçelët. Në këto rrethana ai ishte i pajisur me një intuitë të jashtëzakonshme. Alushi duket se gaboi vetëm një herë, por mjerisht gabimi ishte fatal, i pariparueshëm, i kushtoi jetën. Pasi kishte përfunduar kuvendi i Allajbegut, Alushi dhe Sul Selimja shkuan në shtëpinë e Hysë Haxhiut. Me intuitën e tij, gjysmë me shaka, gjysmë me të vërtetë, Alushi u thotë të pranishmëve: “Duhet të shpejtojmë rrëzimin e diktaturës se do të vijë koha që ky strehuesi, që kemi këtu (Hysë Haxhiu) do të lidhet me Sigurimin e do të na kapin të gjithë një nga një...” Po sipas Petrelës, i cili ka takuar bashkëluftëtarë të Alushit të mbetur gjallë, Hysa ka reaguar ndaj fjalës së Alushit, duke bërë një shenjë mohuese me dorën e djathtë: “Nuk ju tradhtoj kurrë”, - donte të thoshte me atë shenjë të pashoqëruar me zë Hysi. Por e vërteta qe ashtu siç e parashikoi Alush Lleshanaku. Ai u lidh më vonë me Sigurimin dhe ngriti “leqe” për shokët e Alushit.

    Nga ana tjetër, Sigurimi, në takimin e të arratisurve të Shqipërisë së Mesme, kishte futur një përgjuesin e vet, bashkëpunëtor, vullnetar i Sigurimit, Xh. Sh, nga Kuqani i Elbasanit, i cili bëri punën e vet dhe në të gjithë zonën plasi një terror i ashpër dhe i paparë. Takimi i dytë, ai i shtatorit, që do të synonte bashkërendimin me veriun, nuk u bë, jo vetëm nga terrori që plasi, por edhe nga depërtimi i bashkëpunëtorëve të Sigurimit, të cilët ishin shtuar shumë aso kohe dhe dekonspiruan të gjitha veprimet që do të ndërmerreshin. Arsye tjetër që se kryengritja e Postribës filloi para kohe, në gusht të 1946-s, ndërkohë që mendohej të niste në shtator, pas takimit të arratisurve të Shqipërisë së Mesme, i paralajmëruar për të filluar me 1 shtator. Duke mbetur e veçuar, Postriba u shtyp me gjak nga shteti komunist, që sigurisht e pati më të lehtë të vepronte në kushtet e moskoordinimit të forcave antikomuniste.

    Pas dështimeve që erdhën pas shtypjes së Postribës, Alushi u përpoq që të bashkërendonte edhe një herë forcat. Për këtë qëllim ai shkoi në Zgosht të Librazhdit për t’u takuar me Isak Allën dhe Azis Biçakun, pastaj shkoi në Okshtun të Dibrës për t’u takuar me Fiqiri Dinen, por atje mësoi se Fiqiriu, së bashku me Prenk Previzin dhe Hysni Demën kishin dalë në Greqi. Nuk i mbeti gjë tjetër veçse të kalonte dhe ai në Greqi gjatë ‘47-ës,(atje në kampe u takua edhe me Zef Lukën e të tjerët). Alushi do të rikthehej sërish në Shqipëri për të vazhduar misionin e tij më 15 shkurt 1949 dhe dhjetor 1949.

    Por çfarë i ndodhi Alushit në bazën ku kishte shkuar për të kaluar natën? Siç treguam në numrin e kaluar, ai ishte përcjellë nga Gon Gjinaj dhe Zef Luka. Pasi kaluan të gjitha shtigjet e rrezikshme, Alushi me shokët e tij, nën hundën e forcave të ndjekjes, arritën në Elbasan. Ka qenë dhjetori i vitit 1950. Bashkë me Alushin ishte dhe një nga besnikët e tij të betuar, Rexhep Kasa. Që të dy shkuan tek baza ku do të ndodhte ngjarja tragjike.

    Ka dy variante të përcjella deri tani; njëri variant është ai i helmimit përmes ushqimit. Alushi ishte muskuloz dhe ia kishin frikën që të ndesheshin trup me trup me të, kështu që më parë mendohet se e kanë vënë në gjumë. Varianti tjetër tregon se Alushi ka dyshuar se diçka po luhej në atë shtëpi, ku përveç një shoku të Alushit, ishin dhe dy të tjerë që ishin paraqitur si miq të zonjës së shtëpisë. Ka mundësi që Alushi, pasi ka dyshuar, ka bërë përpjekje që të largohet, por ka qenë vonë; ata kanë qëlluar dhe e kanë vrarë. Këto variante janë përfolur edhe në shtypin e Tiranës që nga viti 1992 e këtej. Por le të sjellim si dëshmi të variantit më të besueshëm, atë që rrëfen R. Krasniqi, i cili ndryshe nga sa është shkruar deri më tani, rrëfen se Rexhep Kasa, miku besnik i Alushit, pjesëtar i çetës së tij, nuk është vrarë atë natë siç shkruante gazeta “Zëri i popullit” dhe “Bashkimi”, por ka mbetur i gjallë dhe ka dëshmuar të vërtetën e dyzuar në dy variante. Nga ana e tij, Kasa, sipas Krasniqit, është izoluar në birucën e kampit të grekëve,në Naraç të Zadrimës. Ka treguar Rexhep Kasa: “Pasi qemë ndarë nga Gjon Gjina, Alushi më zgjodhi vetëm mua për ta shoqëruar. U futëm në Elbasan pasi Alushi donte që të riorganizonte punën në atë zonë. Shkuam tek një mik i Alushit. Mbaj mend, - ka thënë Rexhepi, - se në atë shtëpi, u shtruam për të ngrënë darkë. Mirëpo pas ngrënies Rexhepin e ka zënë një gjumë i thellë, që nuk ka marrë vesh se çfarë është bërë aty. Ai i ka kujtuar Krasniqit faktin se kur është zgjuar, e ka parë veten të lidhur në qeli, si dhe kur ndodhi lidhja e tij, atij nuk i kujtohej asgjë. Nuk e di, - ka shtuar ai, - se çfarë i kishte ndodhur trimit Alush Lleshanaku. Ndofta ka pësuar dhe ai fatin e Rexhepit, ndofta e kanë vënë në gjumë, ndofta ai është vrarë në përpjekje me ta, ndofta…? Të gjitha mbeten hamendje. Kur është ftilluar, Rexhep Kasa ka kujtuar se në atë shtëpinë elbasanase ku qenë strehuar, ai bashkë me Alushin, kishte parë tre burra dhe një grua, kjo ishte e zonja e shtëpisë, ndërsa njëri prej tre burrave ishte mik i Alushit; të tjerët, që ishin të panjohur nga Alushi dhe Rexhepi, ka mundësi që të ishin të Sigurimit.

    “Të gjithë njerëzit e asaj shtëpie për mua ishin të panjohur”, - ka thënë Kasa, i cili ka kujtuar edhe një detaj tjetër. Në kohën që ky po hante me uri, Alushi vazhdonte e bisedonte me njerëzit e panjohur. Në fakt, Alushi kishte treguar para se të vinte ushqimi diçka që i tërhoqi vëmendjen; atij i bëri përshtypje vonesa shumë e madhe e darkës dhe e kishte shprehur hapur shqetësimin dhe dyshimin. Ndoshta Alushi e bashkoi më vonë dyshimin e tij për vonesën e tejzgjatur të darkës me gjumin e thellë që e kishte përpirë Rexhepin sapo ai kishte kapërdirë ca kafshata dhe është orvatur të shtjerë mbi ta ose është përpjekur t’u ikë, dhe pikërisht atëherë ndofta e kanë vrarë… Kësisoj, edhe pas këtyre fakteve e dëshmive, vdekja e Alush Lleshanakut mbeti një enigmë, të cilën e mbështolli me një vel misterioz Sigurimi i Shtetit. Në ndihmë të këtij mendimi vjen dëshmia e mëvonshme e Rexhep Kasës, i cili kujtonte se në burg i kishin çuar kastën që ta shihte gazetën “Zëri i popullit”, që shkruante për vdekjen e Alushit. Në të shkruhej: “Alush Lleshanaku u vra në përpjekje, diku afër Elbasanit, bashkë me shokun e tij, Rexhep Kasa(?!). Ai nuk u ka besuar syve, kur ka parë edhe emrin e tij, ndër viktimat e asaj nate të përgjakshme, ku tradhtia dhe kurthi kishin marrë me vete jetën e njërit prej nacionalistëve intelektualë, njërit prej trimave që veçohej prej të tjerëve.

    Por çfarë ndodhi me Rexhep Kasën? Ai vetë ka dëshmuar: “Ka disa vjet që më mbajnë në izolim, këtu në birucën e grekëve në Zadrimë, duke më pyetur për çdo veprim, si brenda dhe jashtë shtetit. Për Alushin ka afër një vit që më pyesin. Ka ardhur të më pyes edhe vetë Kadri Hazbiu...”

    * * *
    Zef Luka ende i ndien dhimbjet për mikun e tij të vjetër Alush Lleshanaku dhe për asnjë çast nuk e heq nga mendja mendimin se Alushi e donte fort Shqipërinë. Ai nuk iu shmang rrezikut edhe pse i kishte mundësitë që ta ndërtonte jetën ndryshe dhe të kërkonte lumturinë e vet dhe të familjes në Perëndim. Për atë, Shqipëria ishte mbi gjithçka, ndaj nuk e braktisi. Tani në pleqërinë e vet, Zef Luka, i cili jeton në Cleveland, i shkojnë ndërmend bashkëluftëtarët, miqtë e idealit. Është ndër të vetmit e mbetur gjallë dhe kërkon që historia e luftës së tyre të mos shtrembërohet. Secilit t’i jepet haku. Shpesh më bie fotografi të futura në zarfe dhe pas fotove shënon data dhe përkushtime. Shiko, mos ma harro Hamid Toshin, ishte burrë i mirë, trim.

    Ne shkonim mirë me njëri-tjetrin, veriorë e jugorë, myslimanë dhe katolikë. E donim shumë Shqipërinë. Komunistët na quanin diversantë, por unë mendoj se ne ishim shqipe që fluturuam me sjellë lirinë. Nuk më harrohen fjalët e një malsori, që u tha njerëzve të familjes: “Këta kanë lënë jetën e Romës me gjithë të mirat dhe kanë ardhë me na shpëtue ne… Zefi jeton me kujtimet e atyre viteve të vështira.
    Marrë nga gazeta “Dielli”
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,489
    Shkrim i bukur.Ja vlen ta lexosh.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e honest
    Anëtarësuar
    21-04-2009
    Postime
    129
    ju lumt plak

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •