Kryetari i Rahovecit rikthehet në detyrë pas 45 ditësh
Rahovec, 16 gusht - Kryetari Komunës së Rahovecit është bërë pishman 45 ditë pasi kishte dhënë dorëheqje nga detyra, pasi të hënën është ulur sërish në karrigen e të parit të komunës për të vazhduar mandatin e tij.
Në orët e para ai kishte pasur edhe mbështetjen e kryeministrit të vendit, Hashim Thaqi, i cili e vizitoi Qeskën në zyrën e tij të hënën.
Këtë pushim një muaj e gjysmë ai tha se e kishte bërë për shkak të gjendjes shëndetësore. Por, shtoi se është rikthyer pasi tash ndihet më mirë.
Por burime të KD-së në Rahovec thanë se për rikthimin e tij është dashur mund, por edhe ndërhyrje e krerëve fetarë. Pikërisht këta të fundit kishin ndikuar që ai të rimarrë pozitën e lënë këtë verë.
Qeska është rikthyer në detyrë pikërisht në ditën e fundit të afatit kur, sipas Kushtetutës, presidenti i shtetit është dashur të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kryeministri Thaçi, pas një takimi rreth gjysmë orësh me Qeskën, tha se do të vazhdojnë punët e nisura më herët me kryetarin.
“Kisha kënaqësinë që të vizitoj KK të Rahovecit dhe ta takoj kryetarin Qazim
Qeska. Ai pushim i imponuar për kryetarin Qeska nga gjendja shëndetësore është tejkaluar, prandaj falënderoj qytetarët e Rahovecit për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë kryetarit Qeska dhe kjo mbështetje i ka dhënë atij edhe energji dhe fuqi për të ardhmen, për të punuar dhe të jetë në shërbim të tyre, andaj është shembulli më i mirë i transparencës dhe komunikimit modern me qytetarët”, ka thënë ndër të tjera kryeministri. Sipas burimeve të gazetës, Thaçi ka qëndruar në Rahovc edhe një ditë më herët, për të
bindur kryetarin Qeska për të rimarrë postin. Që ky mund të mos i shkojë huq, kishin ndihmuar edhe klerikët fetarë të Rahovecit, gjë që është konfirmuar edhe nga reagimet e opozitës.
Në konstatimin se partitë tjera kishin nisur përgatitjet për zgjedhja të reja të kryetarit të Komunës, kryeministri Thaçi tha: “I ftojmë në Festën e Rrushit”.
Krijoni Kontakt