Postuar më parë nga
fegi
Dezintegrimi i tërësisë etnike gjithëshqiptare në Ballkan
Shkruan: Akademik Nuri Bashota
Kosova e sotme si vazhdimësi e Dardanisë së lashtë ilire dhe pjesë integrale e trungut shqiptar, ka një pozitë tejet të volitshme gjeostrategjike duke u shtrirë mu në qendër të Gadishullit Ilirik të quajtur më vonë “Ballkan” nga invaduesit aziatik – turqit sulxhukë. Prandaj, mu kjo pozitë e volitshme gjeostrategjike dhe pasuritë e mëdha nëntokësore me të cilat e ka dhuruar natyra Kosovën dhe trevat tjera shqiptare, ishin mbështetje e zhvillimit të Dardanëve ilirë që kishte arritur një shkallë të lakmueshme të zhvillimit shoqëroro-ekonomik para dhe pas Epokës sonë. Mirëpo, mu kjo pozitë e volitshme gjeostrategjike dhe pasuritë e mëdha natyrore ishin bërë objekt lakmie dhe grabitjeje nga perandori, mbretëri dhe fuqitë e mëdha dhe të shteteve fqinje grabitqare. Është brengosës fakti se edhe në fillim të mileniumit të tretë mu në kohën e proceseve të fuqishme integruese rajonale e botërore dhe të globalizmit, tërësia etnike gjithëshqiptare po ballafaqohet me një dezintegrim kontinuel të hapësirës sonë etnike e cila më herët ishte ndarë në dysh, ndërsa tani është coptuar në gjashtë pjesë të shkëputura e të izoluara midis tyre, që e sanksionuar reintegrimin )bashkimin) e Kosovës nëpërmjet të tri ndalesave të “Grupit të Kontaktit” dhe KS të OKB-ra më 2005, njëra ndër të cilat ndalon bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet fqinj, pra as me Shqipërinë.
Aneksimin e trevave shqiptare nga vendet fqinje grabitqare
Kjo njëherësh tregon fare qartë se fatkeqësia e këtij copëtimi dhe dezintegrimi të kombit shqiptar në hapësirën tonë etnike po vazhdon që nga Kongresi i Berlinit më 1878, Konferenca e Londrës më 1913, e Versajës më 1919, e Parisit më 1946, e Dejtonit më 1995 gjithnjë deri më sot. Si është fare mirë e njohur, Fuqitë e Mëdha fitimtare të dy luftërave botërore, përcaktuan kufijtë e shteteve jo sipas vetëvendosjes dhe parimit “një komb-një shtet”, por sipas interesave të tyre në ndarjen politike e territoriale të Ballkanit. Kjo kushtëzoi formimin e një Shteti të cunguar Shqiptar në një sipërfaqe prej 28.000 km2, apo vetëm 32,24% të katër vilajeteve të hapësirës etnike shqiptare prej 90.270 km2. Me shkëputjen dhe aneksimin e trevave shqiptare nga vendet fqinje grabitqare gjatë shekullit XX erdhi deri të vendosja e kufirit politik shqiptaro-shqiptar, duke pamundësuar kështu zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare që do të arrihej me reintegrimin (bashkimin) e kombit shqiptar në suaza të tërësisë sonë etnike në bazë të vetëvendosjes si një e drejtë universale njerëzore.
Me vendosjen e këtyre kufijve të padrejtë shqiptaro-shqiptarë, erdhi deri të grabitja spektakulare e qendrave të zhvilluara shqiptare dhe të fushave pjellore nga pulenët e Rusisë (Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë), duke ia lënë qëllimisht Shqipërisë së cunguar malet, shkrepat, djerrinat dhe moçalet. Në këtë mënyrë Fuqitë e Mëdha fitimtare të Luftës I dhe II Botërore me plot paramendim krijuan një Shqipëri të pafuqishme dhe të pa aftë që të funkcionojë si një shtet i pavarur ekonomikisht e politikisht, ashtu që të mos ketë mundësi faktike për ribashkimin e trevave të shkëputura në suaza të Shqipërisë Etnike, sipas parimit universal, një komb – një shtet – një gjuhë – një flamur. Se në çfarë mënyre të padrejtë dhe mashtruese e pushtoi Serbia Kosovën, për të cilën derdhin lot “krokodili” edhe sot, duke e quajtur “tokë serbe”, tregojnë pazarllëqet antishqiptare të Fuqive të Mëdha të bëra me Rusinë qysh në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913, në Konferencën e Versajës më 1919 dhe në Konferencën e Paqes në Paris më 1946. Sipas kësaj “tregtie”, iu dhuruan Greqisë dhe pulenëve të Rusisë (Serbisë dhe Malit të Zi) tokat shqiptare edhe me ndihmën ushtarake të Fuqive të Mëdha, çka mund të shihet nga kjo tregti e turpshme me trevat shqiptare të qitura në ankandin evropian pas luftërave ballkanike dhe të Luftës së Parë e të Dytë Botërore. Për këtë padrejtësi të Fuqive të Mëdha ndaj Shqipërisë na dëshmon historiania britanike Margaret Macmila: “E mjera Shqipëri, me kaq shumë armiq dhe kaq pak miq. Ajo nuk kishte as industri, as tregti të zhvilluar, as hekurudha dhe vetëm 200 milje rrugë të shtruar. Shqipëria u shfaq pak para luftës, e krijuar nga katër rajone të Perandorisë. Pak të huaj e kishin vizituar atë, pak dihej për historinë dhe njerëzit e saj. Shumë të rrallë pak shqiptarë (Perandori i madh i Romës – Diokleciani dhe Konstantini, për shembull) janë shfaqur në histori. Sipas disave , shqiptarët ishin banorët autoktonë ilirë të Ballkanit, që ishin shtyrë në zonat më të mjerueshme dhe më të pakapërcyeshme nga pushtimi në jug dhe në perëndim nga sllavët. Sigurisht, gjuha e tyre ishte e ndryshme nga ajo e fqinjëve të tyre në Malin e Zi, në Serbi dhe në Greqi. Në Perandorinë Osmane, ata ishin vlerësuar për zakonet e të luftuarit dhe për bukurinë e tyre”.
Padrejtësia e Fuqive të Mëdha
Këtë padrejtësi të Fuqitë e Mëdha fitimtare në dy luftërat botërore, në mënyrë lapidare na tregon edhe pazarllëku i tyre me trevat shqiptare gjatë tërë shekullit XX. Në vend që të respektonin kufijtë e Shtetit Shqiptar, të shpallur më 28 nëntor 1912 në Vlorë, duke garantuar paprekshmërinë e territorit të Shtetit Shqiptar, ato që nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913 në Londër dhe në konferencat e tjera të njëpasnjëshme të paqes sakrifikuan trevat shqiptare për interes të shteteve ortodokse sllave dhe të Greqisë. Shembull më lapidarë të një politike të këtillë të Fuqive të Mëdha na paraqet rasti kur nuk ndërmorën hapa konkretë për mbrojtjen as të tërësisë së Shqipërisë së cunguar londineze nga invadimi i forcave serbomalazeze që kishin pushtuar Shkodrën. Përkundrazi, për të nxjerrë ushtrinë serbomalazeze nga Shkodra që e kishin pushtuar në saje të tradhtisë së Esad Pash Toptanit, i cili pasi e vrau tradhtisht Hasan Riza Pashën (komandantin e Taraboshit), ia dorëzoi (shiti) Shkodrën Knjaz Nikollës së Malit të Zi, atëherë Fuqitë e Mëdha ia dhuruan si kompensim Rrafshin e Dukagjinit, Dibrën dhe Pollogun pulenëve të Rusisë (Malit të Zi dhe Serbisë), edhe pse popullsia autoktone shqiptare e këtyre trevave përbënte 93,76%. Me gjithë kundërvënien me armë në dorë të popullsisë së këtyre trevave shqiptare si dhe kundërshtimin e vendosur të Qeverisë legjitime Shqiptare të Ismail Qemalit në Vlorë, Fuqitë e Mëdha me forcën e armëve e realizuan këtë akt të turpshëm, për çka na e dëshmon ky fakt historik: “E ndodhur përballë këmbënguljes së Lidhjes Trepalëshe në çështjen e Shkodrës, Rusia pranoi që ky qytet t’i lihej Shqipërisë me kusht që Qeveria e Vjenës të hiqte dorë nga Prizreni, Peja, Dibra dhe Gjakova...Më 22 mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi përfundimisht që Shkodra me rrethinën e saj t’i mbetej Shqipërisë, ndërsa Rrafshi i Dukagjinit, Kosova, Pollogu dhe pjesët e tjera të Shqipërisë Lindore t’u mbeteshin Serbisë dhe Malit të Zi”. Kjo pra është e vërteta e hidhur që tregon qartë se si serbomalazezët nëpërmjet pushtimeve mashtruese të tokave thjesht shqiptare dhe gjenocidit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve autoktonë në Kosovë, duke e quajtur Kosovën – Dardaninë e lashtë ilire si tokë “të shenjtë” serbe të këtyre ardhacakëve sllavoavar të vonshëm (1187) në këto hapësira.vijon
Krijoni Kontakt