Prishtinë, 3 qershor - Komandanti i forcave të armatosura të Ushtrisë së Republikës së Serbisë do të qëndrojë të enjten në Prishtinë, për t’u takuar me komandantin e KFOR-it, Marcus Bentler, shkruan sot “Koha Ditore”. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, përmes një njoftimi, ku thuhet se gjeneralnënkolonel Miloje Miletiq, që është kryeshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës së Serbisë, do të qëndrojë në Prishtinë.
Në njoftim, të cilin e transmeton agjencia e lajmeve FoNet, thuhet se të dy gjeneralët do të bisedojnë për bashkëpunimin e ushtrisë së Serbisë me KFOR-in, për gjendjen e sigurisë në brezin kufitar, si dhe brenda Kosovës.
Mirëpo, një gjë të tillë KFOR-i nuk ka dashur ta komentonte. Komenti i vetëm i zëdhënësit të KFOR-it, Michael Konting, ka qenë se nuk ka koment.
Ndërkohë burime jozyrtare të gazetës brenda KFOR-it kanë bërë të ditur se gjenerali serb do të vijë të enjten në mëngjes dhe do të largohet pasdite. Sipas këtij burimi, gjenerali serb do të takohet vetëm me gjeneralin e KFOR-it, Marcus Bentler, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
“Ai do të vijë nesër në mëngjes në Prishtinë, në Film City, ndërsa pasdite do të largohet nga Kosova. Pasi që ai të largohet, KFOR-i do të lëshojë një komunikatë për media për vizitën dhe për temat e diskutimit në takim. Është takim i rregullt i nivelit të lartë që nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur duhet të zhvillohet, por organizohet në bazë të nevojave që kërkohen”, ka thënë burimi me kushte anonimiteti.
Ai po ashtu ka thënë se gjatë këtij takimi nuk është caktuar si temë diskutimi Forca e Sigurisë e Kosovës, por vetëm siguria në brezin kufitar dhe marrëdhëniet në mes të ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it.
“Takime të tilla të rregullta të nivelit të lartë janë organizuar edhe në të kaluarën, ndonjëherë komandanti i KFOR-it ka qëndruar në Serbi, e ka pasur raste kur këto takime janë zhvilluar edhe në brezin kufitar”, ka thënë ky burim.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, sipas të cilit, Qeveria ka kërkuar që të përfillen procedurat e kërkimit të lejes për vizitë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Kemi qenë të njoftuar paraprakisht nga KFOR-i, më saktësisht nga komandanti i KFOR-it dhe në njoftimin zyrtar na është thënë se temë e bisedimeve do të jetë zona e sigurisë në brezin kufitar Kosovë – Serbi”, ka bërë të ditur Kuçi.
Kur është pyetur nëse është kërkuar që edhe shefi i Shtabit të Ushtrisë së Serbisë të respektojë procedurat e kërkimit të lejes në Qeverinë e Kosovës, përmes zyrave të BE-së në Prishtinë dhe Beograd, Kuçi ka deklaruar se për këtë nuk kanë pasur përkrahjen e komandantit të KFOR-it.
“Ne e kemi kërkuar një gjë të tillë, mirëpo në sqarimin e KFOR-it na është thënë se eskorta e këtij tipit nuk do të ketë qarkullim nëpër Kosovë. Transportin e tij KFOR-i do ta bëjë nga Nishi në bazën e KFOR-it dhe anasjelltas”, ka deklaruar Kuçi.
Gazeta ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë kurrfarë informacioni për këtë vizitë. Zëdhënësi i FSK-së, Enver Dugolli, është shprehur se në agjendën e ministrit dhe të komandantit të FSK-së nuk është e paraparë ndonjë vizitë e tillë për ditën e enjte.


Faleminderit për rekomandimin