Presidenti Topi dekoron me Urdhrin 'Nderi i Kombit' , Pipën, Blloshim, Lekën dhe Nelën
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ishte sot i pranishëm në përurimin e Foto-Ekspozitës së shkrimtarëve dhe poetëve të vrarë nga diktatura (1944-1991) të titulluar “Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave” në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast ku merrnin pjesë dhe bashkëkohës, familjarë e miq të viktimave të diktaturës komuniste, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori amerikan, Xhon L. Uithers, ambasadorja franceze Mariz Davje, ajo e Republikës së Çekisë, Marketa Fialkova, deputetë, drejtues të Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, historianë, etj., përmes fotografive të ekspozuara dëshmohej sakrifica dhe vetëflijimi i këtyre martirëve, të cilëve mbi gjithçka vunë idealin dhe ëndrrën e përjetshme për liri dhe demokraci.
Në shenjë nderimi dhe respekti të thellë, vlerësimi dhe përuljeje për kontributin e tyre, Presidenti Topi derkoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) avokat Muzafer Pipën me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”, poetët Vilson Blloshmin, Genc Lekën dhe Havzi Nelën me motivacionin: “Për qëndresën dhe papajtueshmërinë e paepur me sistemin e diktaturës komuniste, për dashurinë për fjalën e lirë, deri në flijim”.
Në fjalën e tij me këtë rast, Kreu i shtetit shqiptar vuri në pah se: “Përndjekja, lufta e klasave, dhuna ndaj fjalës së lirë të thënë e të shkruar, terrori, heronjtë dhe viktimat e tij, shkelja e të drejtave të njeriut, janë pasojë e një regjimi diktatorial, armik i demokracisë, prandaj dënimi i krimeve, integrimi pa kushte, pozicionimi i merituar i tyre në historinë dhe realitetin e vendit, janë elementë të rikthimit të ligjshmërisë, jo si favor, por si një e drejtë themelore, pa të cilën demokracia nuk do të ishte e plotë. Shoqëria jonë do të ketë kryer një hap të madh evolutiv, atëherë kur kulti i harresës, fshehja apo indiferenca, shpeshherë e ngritur në metodë veprimi, t’ia lërë përfundimisht vendin informimit të plotë dhe në rastin e shkrimtarëve, të rikthimit të plotë të tyre në mënyrë që sistemi letrar shqiptar të jetë i ndershëm, funksionues, objektiv dhe i plotësuar. Qëndresa dhe vdekja e këtyre personaliteteve të jetës kulturore dhe ligjore shqiptare dhe e shumë të tjerëve që njohën kodin e ferrit të Dantes, me të drejtë sot duhet të shihen si elita e qëndresës.”
Duke u ndalur në përvojën e hidhur të viktimave dhe të të persekutuarve gjatë kohës së diktaturës dhe ndriçimit të së vërtetës historike, Presidenti Topi vuri në dukje se: “Kjo e vërtetë është tragjike, por edhe heroike. Ajo na thotë se aty ku ishte burgu, aty ku ishin telat me gjemba, aty ku ishin torturat, aty ky përballej vdekja - aty ishte atdheu. Aty ishte At Vinçens Prendushi, Myzafer Pipa, Musine Kokalari, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela, Arshi Pipa, Pjetër Arbnori, e mbi 150 shkrimtarë, përkthyes e artistë të tjerë të dënuar për fajin e vetëm se deshën fjalën e lirë! Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari, si zëri më i artikuluar i shoqërisë, kur vritet avokati, mbrojtësi i së drejtës, atëherë kur frika mbyt kundërshtimin, atëherë kur zëri ndryshe, shihet si kërcënim. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe diktatorët. Shqipëria ka përvojën, rastet dhe kryeveprat e veta në këtë marrëdhënie. Shoqëria demokratike dhe institucionet e saj, tek këta shkrimtarë dhe avokatë dhe veprat e tyre duhet të shohin përsosjen e vet.”
Në përfundim të fjalës së tij, Kreu i shtetit theksoi: “Institucionet shtetërore që mbulojnë trashëgiminë kulturore dhe historike, duhet të kenë një vizion të qartë! Dogmat e së djeshmes duhet të zëvendësohen nga objektiviteti shkencor!
Harresa është përligjje dhe manipulim prandaj, kundër saj duhen sa më shumë botime të kësaj letërsie, botime dokumentash e tekstesh profesionale, sa më shumë ekspozita dhe albume tematike, e pse jo, edhe muzeume të kujtesës, duke ndjekur përvojat e vendeve me histori të ngjashme. Përkujtime si ky i sotmi, na bëjnë me dije se përpjekja për të mbetur njeri, nuk mbaron asnjëherë. Ajo merr kuptim nga sistemet politike, nga rrethanat, nga qëllimet që ka, nga standardet e lirisë dhe moralit që individi kërkon për vete, për shoqërinë dhe vendin e tij. Le të na nxisë edhe kujtimi i intelektualëve, poetëve shkrimtarëve martirë për një kërkim të tillë!”
Në emër të poetit të vrarë Havzi Nela, Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” e mori bashkëshortja e tij, zonja Nela. Në emër të të ndjerit Vilson Blloshmi, e mori Bedri Blloshmi, i vëllai, ndërsa Genc Lekës, e bija. E motra e Myzafer Pipës, Nedret Kalakulla, e mori në emër të vëllait të saj. Familjarët shprehën mirënjohjen ndaj Presidentit e Republikës për nderin që po u bën kujtimit dhe veprës së të afërmëve të tyre duke u vënë në vend dinjitetin dhe vlerat e nëpërkëmbura nga regjimi diktatorial komunist
-
Bravo TOPI !
Dhe Widhersi ta kuptoje sa eshte SAHATI !
Krijoni Kontakt