Pikësynim, integrimin në BE

Me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj vlerat evropiane janë pikësynim i përditshëm drejt përmbushjes së të gjitha parakushteve për t’u integruar sa më parë në mesin e shteteve dhe kombeve te Bashkimit Evropian

Gjatë ditës së djeshme janë organizuar një sërë aktivitetesh për të shënuar 9 Majin, Ditën e Evropës, derisa kjo datë ka hyrë në mesin e 11 festave zyrtare që ka Republika e Kosovës.

Përmes një mesazh urimi kryeministrit Hashim Thaçi ka thënë se sikurse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, edhe Republika e Kosovës 9 Majin e feston zyrtarisht në shenjë respekti për vlerat dhe identitetin e kontinentit të vjetër, që janë model dhe aspiratë e popujve dhe shteteve kudo në botë.

Ai ka vlerësuar se Bashkimi Evropian është krijuar në saje të një politike largpamëse, vizionare, demokratike dhe prosperuese në të mirë të paqes, zhvillimit ekonomik, lëvizjes së lirë, kultivimit të humanizmit dhe respektit reciprok ndërmjet kombeve dhe shteteve.

“Për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj këto vlera evropiane janë pikësynim i përditshëm drejt përmbushjes së të gjitha parakushteve për t’u integruar sa më parë në mesin e shteteve dhe kombeve te Bashkimit Evropian”, thuhet në mesazhin e shefit të Qeverisë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe gjithë qytetarët e saj janë mirënjohës për kontributin e Bashkimit Evropian për ndihmën që kanë dhënë në të kaluarën dhe atë që janë duke dhënë aktualisht në ndërtimin e Kosovës.

Në këtë rast, kryeministri Thaçi tha se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, i lirë dhe demokratik, mbetet e përkushtuar për raporte të mira fqinjësore e rajonale me synim që sa më shpejt të jetë pjesë e familjes euroatlantike, e BE-së dhe NATO-s.

Për shënimin e Ditës së Evropës në Kosovë janë organizuar aktivitete të shumta nëpër të gjitha komunat, të cilat kanë filluar nga 2 maji dhe janë përmbyllur më 9 maj në Prishtinë. /express/