Në rradhë për security check
Në security check
Rradhët e udhëtarëve
Zvarriten si gjarpërushë paralelë
Që rrëzojnë lëkurët
Me striptizë patriotike.
Xhupa gjithfarësh,
Plagosur mbi konvejerë
Me astarzorrët përjashta,
Rripa mesi me sekrete
Të zbërthyer,
Blekberri me të fshehta
Zukatëse,
Këpucë si rebuse
Të zgjidhura,
Orë të ftohta
Si Zvicra,
Bizhu të mardhura
Si hirushe të braktisura,
Ndërsa çiftet zhvishen duke u zvragur drejt shtretërve
Të dashurisë,
Turma heq mbulojat
Drejt skanerash zhvirgjërues
Me epsh metalik
Bzzzz….. bzzzzz
Rradhë,
Mirkuptim solidar.
Vetëm unë, katunari anarkik i Ali Demit,
Cingërisem
(Kur u bone ti?!)
Jo, vërtet,
Zët i kam rradhët,
Unë vij nga rradhalandi,
Jam rradhor,
Shumëfaqësh si radhùa,
Unë kam ardhur në rradhë
Njëmijë herë
Ushtarakisht
Për qejf të nëntogerit
Dhe të kumandarit lab të skuadrës
Apo civilisht
Për qejf të
Mister Bulmetit
Monsinjor Mishit,
Kont Teritalit,
Apo lartmadhërisë së saj
Queen Patates.
Llogaris
Sa përqind e jetës
Më shkoi rradhave,
Krahasoj orët e rradhës me orët e dashurisë,
Inekuacion themelor i jetës,
Kush është më shumë
S’e tregoj
Se qejfin s’dua ti bëj
Rradhës.
Security check
Qelizat gjarpërore
I teston një pas një
Në qiellzat metalike
Dhe helm nuk gjen,
Veç lëngje të pafajshëm,
Koka kola të shkujdesura,
Martini të shthurura,
Fanta që s’dinë gjë prej gjëje,
Ponçe frutash
Tropikale gjithë hare
Që s’marrin gjë për ters
Me ëmbëlsi mangosh e papajash,
Verë e kuqe Kalifornie si mëndafsh i errët
Me përmbajtje aristokratike,
Ujë neutral si Zvicra,
Me pehàsh 7
Që s’gërric,
I filtruar nga gjithë
Prohirat e kimirat,
I tejdukshëm qelibar si sinqeritet i distiluar,
Të gjithë me fajin e përbashkët
Se janë më shumë se 100 mL,
Se një dopjo,
Se dy teke,
Më tepër se dy gllënjka eks….
O kohë, o zakone monogllënjkë,
Ku mollë e Adamit
Bie poshtë veç një herë
Kurnacërisht
Në kopshtin e Njutonit
Një tjetër rëndesë
Të na kujtojë.
Gëll-ding
Gëll-titur
Gllënjka,
Eks eksiq,
Dhe aq,
The show is off,
Shkreti gurmazi,
Truri shkretëtirë
Ku rudhat e fundit era mbulon
Dhe dunat rrafshohen
Nga rruspa marrëzie….
Për xhakete nduk pragmatizmi:
Kapitalizo mbi rradhën
Të ysht
Make use….
Si dikur plakat
Një rradhë e tri punë,
Thurnin çorape e shkuesira
Duke pritur “Furnizimin”.
(Threesome monist,
“Çorapja, Shkuesia, Furnizimi”
Lëngonte ky i fundit,
I shterrur,
I dërrmuar,
I kafshuar nga ato të dyja,
Me allate të dëmtuara
Varur nëpër këmbë)
Make use….
Pra qerasi sytë me sheqerka,
“Trick or treat”,
Si dele kulloti
Në bar të huaj
Që është gjithnjë më i gjelbër,
Me ardhangi,
Me turgor joshës….
Për të tretën herë bjonden me xhinse të grisura,
Qerthulli i rradhës bie karshi,
Rradha – kjo nepërka pika pika,
Bjondinka e ka marre vesh që ja pëlqej
Formën e përkryer të kofshëve,
Me atë plagë të çelët xhinsesh që s’mbyllet,
Ku sytë e mi kulluan pa fund
Dyllë retine të nxehtë
Dhe pak lyrë alidemse…..
Ja tjetra me pamje latine,
Zot ç’ke tërbuar ashtu qelizat e gjoksit,
Gracias, gracias,
S’më duket më seksi (ç’dreqin pati që foli!)
Kot zbukuron gjoksin me përçina
Nikel
Që bashkon thithkat kryengritëse
Si muri kinez majat e kodrinave.
Ajo vija në mes,
That cleavage,
Kanale grande djersësh hispanike
Që rrjedh pa u fshirë
Me viskozitet të yndyrshëm
Në dhoma motelesh
Me kondicionerë të prishur,
Më kujton
Gjurmën e dhisë dhe përç bagëtishë,
Bishtin e paturpshëm përpjetë
Dhe zgjeben si indiane
Indeshqyer.
Gërmat e fjalës terrorist
Pengohen nëpër këmbë të zbathura
Nëpër çorape që u turpëruan
Për vrimat e tyre mëkatare,
Këmbëzbathur
Udhëtarët ecin ca metra
Si nomadët
Prej vërteti
Në rrafshirat primitive
Përzhitur nga dielli
Ku djepin paskësh e keqja
Dhe embrionet dreqi.
Thembra, shputa, kavilje,
Erë djerse,
Erë lule gomari,
Era lule çorap ushtari,
Ecin të përçudur
Nën sinjale të verbra
Që u ulërijne vëthëve të sapodhuruar
Prej dashnorëve të vëmendshëm,
Heronj të bizhuve,
Që për përvjetorët e të dashurave
Kujtohen me “MS Outlook”.
Pasagjerët ndihen fajtorë
Spese janë kashta që padashur
Fsheh gjëlpërën e vogël të helmit,
Janë inde të pafajshëm
Që fshehin qelizën kanceroze,
Terroristin,
Mitikun urban të parruar
Dhe të palarë prej gjashtë muajsh,
Që, shokë, e kemi në mest tënë…..
Security check is on,
Membranë gjysëm e përshkueshme
E osmozës avdalle ku endemi të gjithë,
Me gradientë të hutuar, lesh e li,
Që humbin rrugën,
Si Geisterfahrer,
Kapur në kurthe autobahnash gjermanike,
Me kahje ngatërruar domosdo,
Në itinerare lëmsh
Britanike,
Në udhët e botës si fije makaronash
Që kohës i ngjisin në dhëmbë
Si spaghetti al dente italike,
Bllokuar, hutuar, hundëkuar
Në gracka emboutillage poli-stike,
Frankofone,
Zhytur në salcë
Ala hot calzone,
Lazarone,
Alen-delone
S. Stallone,
Al Kapone,
Al Jazeera,
Al Banira
Shakira,
Shazam,
Bam bam bam….
Për kë bien kambanat?
Për kë po bëzzzzz ky skaner?
Krijoni Kontakt