Terenc Toçi, Tiranë 1945, pushkatimi i një arbëreshi


21/03/2010 - 07:55





Nga Ylli Polovina

Nuk kisha si ta dija që në qytezën arbëreshe të Santa Sofia d’Epiro në Kalabri, saktësisht fare pranë “Monumentit të Lotit”, e kishte shtëpinë Françesko Fabrikatore (Francesco Fabbricatore), autori i librit “Kontributi arbëresh në çështjen shqiptaro-ballkanase”. I bërë publik në 29 prill 2009 në sallën e këshillit të administratës bashkiake të qytezës së tij në një konferencë të posaçme të drejtuar prej njërës nga italianet më të shquara në dashurinë e saj për arbëreshët, Donatela Laudadio, në prani të profesorit të historisë në Universitetin e Kozencës Atilio Vakaro, të kryetarit të bashkisë Vinçenco Françesko Sanseverino dhe të zëvëndësit të tij Xhenaro Nikoleti, mua për fat më pati rënë në dorë pa u vonuar shumë nga kjo ditë. E pata lexuar me një frymë, madje më saktë duke e mbajtur frymën. Në libër prej Fabrikatores interpretoheshin disa personalitete arbëreshe të një shekulli më parë për të cilët edhe unë grumbulloja dijeni prej kohësh. Një i tillë qe Anselmo Lorekio, për të cilin Profesor Françesko Altimari, zëvendësrektor i Universitetit të Kozencës, më pati folur se mbi gjoja lidhjet dhe simpatinë e tij për fashizmin musolinian kishte patur një operacion të tërë falsifikimi.
Por në librin që kisha në dorë Françesko Fabrikatore synonte të bënte sfidë mbi një personazh tjetër: Terenc Toçin.
Ky në Tiranën e vitit 1943 ka qenë kryetari i Partisë Fashiste ose figura politike numër dy pas asaj të Jakomonit, Mëkëmbësit të mbretit italian Viktor Emanuelit. Pikërisht ky shqiptar me emrin Terenc nuk qe tjetër veç arbëreshi nga qyteza Strighari i Kalabrisë, Terencio Toçi (Terenzio Tocci).
Nga ajo që lexova u trondita shumë dhe rashë në mendime. Terencio një vit para se Ismail Qemali dhe të gjithë të dërguarit e tjerë të kombit të shpallnin në Vlorë mëvetësinë e shtetit shqiptar e pati bërë atë ngritje simbolike të flamurit me shqiponjën e zezë në fushë të kuqe një vit më parë. Kjo nuk shkruhet në asnjë libër historie për fëmijët tanë të shkollave. Pikërisht ky bashkëkombës me këtë gjest të rrallë sapo Tirana ishte çliruar nga pushtuesit gjermanë u arrestua nga një skuadër partizanësh dhe pas një gjyqi publik qe pushkatuar në buzë të pranverës së vitit 1945.
Kështu fillova të shfletoja të dhëna të tjera për këtë arbëresh, ndërsa prej vitesh kisha siguruar dokumenta se regjimi komunist në vitet 1946-‘47 ishte kujdesur për riatdhesimin në Itali të disa dhjetrave arbëreshëve që kishin qenë mobilizuar me trupat e pushtimit. Duke plotësuar pjesë-pjesë jetën e tij kuptova se gjendesha përballë një pune tepër të ngatërruar e shumë të vështirë për t’u kthjelluar lehtësisht, të ngërthyer nga ngjarjet më të kundërta dhe të turbulluar prej ndërhyrjes së ligësht të politikës. Shumë rrallë tek fati i një njeriu si Terencio Toçi mplekseshin aq ngatërrueshëm e vërteta me gënjeshtrën, ideali i sinqertë kombëtar me zgjedhjet e gabuara, ajo që ai ngrohte në zemër me atë që analizonte ftohtësisht në kokë, gjithçka që në një çast të caktuar duhej apo nuk duhej bërë. Jo, jetën e këtij arbëreshi të mbuluar nga braktisja dhe harrimi nuk mund ta kuptosh dot pa e zbërthyer me durim ditë për ditë dhe ngjarje për ngjarje, edhe pse duhet thënë hapët: ca prej pabesisë së kohës ku gjalloi si edhe një temperamenti të fortë protagonist të tij nuk ka lëmsh më të ngatërruar.
Mirëpo më dha durim dhe më nxiti ajo thirrje zemre e ndjeshme njerëzore, e pajisur me inteligjencë të hollë dhe frymë të viteve dymijë, e tridhjetë e nëntë vjeçarit Françesko Fabrikatore.
***
Ka një traditë të thellë, mjaft të gjerë dhe shumë profesionale të studjuesve arbëreshë për rolin që kanë luajtur elitat e tyre në Rilindjen Shqiptare dhe në pavarësimin e shtetit tonë. Këtë cikël të madh të analizës gjeopolitike të Ballkanit dhe fatit të atdheut të të parëve të tyre ata e kanë kryer, siç i duket autorit të këtyre radhëve, për dy arsye madhore: për të shkruar historinë e bashkësisë së tyre, duke provuar se ajo ka funksionuar si një diasporë jashtzakonshëm aktive për zgjidhjen e çështjes shqiptare si edhe për të tërhequr vëmendjen e bashkëkombësve të trojeve amtare se ata nuk kanë qenë në bisht të këtyre çasteve vendimtare, por në krye, në udhëheqje.
Kjo është një temë shumë e mprehtë, e cila duhet të përballohet pa u vonuar më. Në shtetin amë, në Tiranë, janë përpjekur të mos e ndajnë Arbërinë dhe kontributin e saj kulturor në formësimin tonë kombëtar. Në rast se këtu ka mbetur ende për t’u bërë e njohur megjithatë nuk duket se në të ardhmen ky proçes do të ndeshë në ndonjë pengesë të ndërgjegjshme, përveç plogëtisë karakteristike të disa qarqeve të studjuesve tanë si edhe të institucioneve të tyre jo përherë të financuara e mbështetura mirë nga shteti. Patjetër të mbetur prapa edhe nën ndikimin e hapësirës ndarëse, atyre ujrave që mes Gadishullit Apenin dhe brigjeve tona ballkanase për tregëti e pushime vere duken bashkuese por boll veçuese për të shkuar lirshëm tek njeri-tjetri shqiptarë e arbëreshë.
Pengesa e vërtetë, patjetër e kryer jo pa vetëdijë ose të paktën e vënë në jetë me një lloj egoizmi dhe xhelozie, rëndon mbi kontributin politik të diasporës arbërore. Në Shqipëri opinioni publik njeh vetëm një përmasë shumë të vogël të saj, aq sa i kanë dhënë qarqet shkencore dhe sa këtë proçes e ka inkurajuar shteti ynë. Mirëpo në rast se në dimensionin kulturor çdo mangësi e deritanishme do të qe jo aq kërcënuese për kohezionin kombëtar të shqiptarëve, ajo në përmasën politike mbetet një krisje e madhe, një e çarë, pse jo edhe një plagë. Prej mbajtjes së saj në këtë gjendje, pra duke mos i dhënë vendin e merituar kontributit të spikatur arbëresh, etnia jonë pëson një vetgjymtim të rëndë.
Ndërkohë edhe në Arbëri një pjesë e elitës së saj, saktësisht për arsye të veprimit të të njëjtave arsye si në Tiranë, shpreh një pezmatim të vijuar për këtë harresë e shpërfillje të bashkëkombësve të tyre në shtetin amë. Ata mendojnë se motori i disa zhvillimeve kyçe në Shqipëri i ka impulset kryesore mes arbëreshëve, duke nisur nga vetë Rilindja.
Një mirëkuptim i të dy elitave sigurisht një ditë duhet të vijë, duhet patjetër të ndodhë. Komunikimi i përditshëm i të dy inteligjencave, por edhe i njerëzve të thjeshtë, po të realizohet si një objektiv i ndërgjegjshëm bashkimi shpirtëror, do të ndihmojë që gjithsecila palë të gjejë natyrshëm kufijtë e meritave të veta dhe të dyja sëbashku veprën e bukur që kanë kryer.
Libri i Françesko Fabrikatores “Kontributi arbëresh në çështjen shqiptaro-ballkanase” është një nxitës i këtij proçesi gjithkombëtar. Autori shfaqet mjaft premtues sepse vjen nga prurja e re e historianëve arbërorë. Që është rinovues edhe në mendësi i hapët për të dhënë e marrë pasurinë e përbashkët të veprës së pavarësimit dhe shtetformimit shqiptar, mjafton të lexosh librin e tij dhe ca më shumë të shkëmbesh mendime me të. Fabrikatore është një nga ata intelektualë të përgatitur për misionin e madh të rikthimit në vendin e vet të gjithçkaje që mes dy brigjeve deri tani mungon. Duke interpretuar aksionin e ngritjes së flamurit kombëtar një vit para ditës së shënuar të 28 nëntorit 1912 dhe dëshmuar se nismëtari qe një arbëresh ai na kujton se duhet të mbarojë koha kur ideologjitë merrnin nga pas përfundimisht fatet e njerëzve.
***
Terencio Toçi lindi më 9 mars 1880 në Shën Kozmo Albanese (San Cosmo Albanese) ose siç thirret ndryshe Strighàri. Ishte prej atyre që kreu Kolegjin e Shën Mitrit, duke qënë nxënës dhe mbartës i frymës së Jeronim De Radës, çfarë donte të thoshte se e gjithë jeta i duhej përkushtuar çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi i gjatë dhe i rëndë osman dhe ajo më në fund të shpallej shtet i pavarur me orientim Evropën. I përgatitur në këtë shkollë kryengritësish Terencio nuk mund të qe veç një misionar, një prijës, një njeri që merrte përsipër detyra të mëdha politike. Me në themelet e jetës atë Kolegj lirie ai nuk mund të kishte zgjedhje tjetër veç të kryente të gjitha ato veprime që e çonin në shpëtimin e atdheut të të parëve të tij.
Të tillë kishin qënë përherë Toçët, sipërmarrës gjestesh të mëdha historike. Agostino Toçi në vitin 1645 pati shkruar një “Histori e Skënderbeut” dhe në 1650 kishte rindërtuar një pasqyrë të shkurtër të emigracionit shqiptar në Mbretërinë e Napolit.
Donato Toçi me jetë midis viteve 1739-1799 pati qënë një martir, një hero i Republikës jetëshkurtër të Napolit, kryengritës i papërsëritshëm kundër monarkisë së Borbonëve.
Françesko Saverio Toçi në vitin e madh të luftës për liri, 1848, bashkë me shokë të tij u përpoq në një atentat të vriste gjeneralin e ashpër monarkist Lanca. U arrestua dhe u vra duke e shpuar me bajoneta. Pasi ia lidhën trupin tek një kalë e hoqën zvarrë në një prej rrugëve më të populluara të Napolit. Sipas dëshmive të kohës vdekja e tij aq e tmerrshme ka lënë pas rrëfime gati të pabesueshme. Edhe pse i çpuar tej për tej nga dhjetra maja bajonetash, me njërën këmbë lidhur e tërhequr pas kalit dhe me kokën poshtë, kur mendohej se zemra duhej t’i kishte pushuar me kohë, Françesko vazhdoi të thërriste, deri sa më në fund dha shpirt, “Rroftë Liria! Rroftë Italia!”
Terencio Toçi i mëkuar si përkrahës i flakët i pavarësisë së Shqipërisë pasi përfundoi studimet për juridik në Universitetin e Urbinos në vitin 1904 filloi veprimtarinë e tij në Romë. Këtu punoi edhe si kryeredaktor në shtypin periodik që merrej me çështjet e Ballkanit. Kur Shqipëria ngrinte çetat e saj të para dhe rilindasit qenë hedhur në aktivitet të plotë për pavarësimin e vendit, Terencio kapërceu Oqeanin Atlantik dhe në një udhëtim të gjatë mobilizues shkoi mes arbëreshëve dhe shqiptarëve të emigruar në Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dëgjoi çfarë mendonin ata, si e dëshironin të bëhej Shqipëria. Në çastin më të parë kishte vendosur ta linte Italinë dhe të shkonte në Shqipëri për të luftuar me armë.
Pikërisht në këtë moment të furishëm e kap bëmën e Terencio Toçit studjuesi Françesko Fabrikatore në librin e tij “Kontributi arbëresh në çështjen shqiptaro-ballkanase” dhe e interpreton në gjestin e tij më të bujshëm të vitit 1911. Ai mund edhe ta analizonte jetën e arbëreshit të furishëm edhe gjatë viteve njëzetë, si bashkëpunoi me Ahmet Zogun apo pranoi poste të larta me fashistët italianë. Tridhjetë e nëntë vjeçari, profesor historie në një institut të Kozencës, zotëron dokumenta të tilla me të cilat ai mund në mënyrë të autoriteshme të shpjegonte dhe sqaronte shumë nga gjestet e Terencio Toçit, por me të drejtë ka gjykuar të mos lërë të pësojë bjerrje nga kujtesa kombëtare vepra më e vyer e tij: ngritja e flamurit kombëtar.
Ky vullnetar i madh për zgjidhjen e çështjes shqiptare pas udhëtimit dy vjeçar nëpër diasporën e Amerikës u rikthye në Itali dhe në këmbëngulje për aksionin e tij të çlirimit të trojeve amtare u lidh në Romë me të birin e Xhuzepe Garibaldit, Riçotin. Ky vazhdonte veprën liridashëse të të atit dhe qe plotësisht dakord që të grumbullonte vullnetarë, t’i stërviste e t’i armatoste për t’i zbarkuar më pas në brigjet e Shqipërisë. Pikërisht kur dukej se gjithçka nga plani ishte gati dhe zbatimi i tij mund të niste Terencio Toçi kapërxeu detin dhe ngjiti malet e Shqipërisë së Veriut. I shoqëruar nga një shqiptar me emrin Sadri udhëtoi nëpër Kelmend, kapërxeu Drinin dhe mbërriti në Fan të Mirditës. Atë kohë ky qe një kryeqytet i vogël, pikë strategjike shumë e ndjeshme. Prej saj thirrja për kryengritje të përgjithshme të armatosur shpërndahej në të katër anët dhe grumbullimi i luftëtarëve bëhej me shpejtësinë e dritës. Qe vëndi i duhur për të lidhur Besën. Në manifestin e kryengritësve të Terenc Toçit thuhej “...që, deri sa të kem jetën, do të luftoj me shokët e mi për Flamurin shqiptar, … Nuk do të vras përveç se në betejë… Betohem se nuk do të bie i gjallë në dorë të turkut e t’u dorëzohem kërcënimeve e joshjeve të tij!”

Kuvendin e Besës arbëreshi e bëri më 26 prill 1911 në Bisak afër Oroshit. Në atë tubim bajraktari i Oroshit e ftoi të merrte drejtimin për krijimin e një qeverie të përkohshme. Më 28 prill Terencio Toçi i dërgoi një letër Riçoti Garibaldit duke e siguruar se thirrjes për kryengritje të armatosur i qenë përgjigjur tridhjetë mijë burra. Tashmë ai le të dërgonte menjëherë armë e vullnetarë italianë. Por nga përtej brigjeve nuk erdhi asnjë përgjigje. Kur u bë një kohë e gjatë heshtjeje Terencio mori rrugën për në Itali. Besonte se Riçoti nuk e kishte marrë mesazhin dhe se në fund të fundit nuk kishte hequr dorë nga ndihma për çlirimin e shqiptarëve. Kur u takua me të kuptoi se pati ndodhur gjëma. I biri i Garibaldit ishte tërhequr nga plani i tij, duke u munduar të shpjegonte se përreth po e kërcënonin grupe qeveritare të vendit të vet, nga Ballkani e pse jo edhe nga qendra e Evropës. Pas kësaj braktisjeje Terencio Toçin e kapi zëmërimi. Dëshmia gjendet në një intervistë të tij dhënë në qershor 1911 njërës prej gazetave më të njohura të vendit, “Giornale d’Italia”.
Në 15 korrik 1912, në pamundësi të rikthehej në Shqipëri, e ndihmoi atë duke themeluar në Romë, bashkë me birin e familjes së shquar arbëreshe të Argondicëve, Françeskon, “La Rivista dei Balcani”. E botonin dy herë në muaj.
***
Pikërisht në “Rivista dei Balcani” pas shpalljes së Pavarësisë nga Ismail Qemali Terencio Toçi shpalli opinionin e tij: “ Një popull që ka patur një qytetërim të madh… që ka penguar gjysmëhënën të kalonte Adriatikun… një popull që shkencëtarët e kanë përcaktuar si raca më e bukur dhe më e fortë e Ballkanit… nuk duhej të zhdukej.”
Ishte shumë i gëzuar. Pasi nuk mundi dot të luftonte me armë për çlirimin e Shqipërisë u mobilizua për forcimin e shtetit të saj të ri. Dëshira për t’iu përkushtuar trojeve amtare e futi në një fazë tjetër të jetës së tij mision. Në vitin 1913 erdhi sërish në mëmëdhe dhe u vendos në Shkodër. Duke e marrë shtysën nga mali i Taraboshit themeloi gazetën me të njëjtin emër, një e përditshme e cilësuar në historinë tonë si të para gazetë mirëfilli politike. Atje nuk i kurseu denoncimet për Bankën Kombëtare Shqiptare, më saktë për grupin e saj me kapitalistë italianë dhe austriakë, si edhe gabimet e rënda të natyrës politike dhe administrative që sipas gjykimit të tij pati kryer Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Duke shpallur se Italia qe mikja e natyrshme e Shqipërisë, vlerësim gjeopolitik nga i cili Terencio Toçi nuk hoqi dorë asnjëherë, denoncoi po ashtu diversionin e Fuqive të Mëdha ndaj saj, pa kursyer në disa raste as Romën zyrtare. Në 1 deri 4 mars 1913 ai ndodhet në ngjarjen më të madhe kombëtare të atyre çasteve, në Kongresin e Triestes, ku si figurë qëndrore lartohej Faik Konica. Gjithçka që në të u tha dhe u vendos në të mirë të ruajtjes së tërësisë së trojeve shqiptare Terencio Toçi e fiksoi me një saktësi shembullore e dashuri shumë të madhe në një relacion të hollësishëm. Është një dokument i rrallë, një pasuri e vërtetë historike.
Mirëpo kishte shkuar larg. Pati botuar madje edhe një libër të titulluar “Pazotnimi Shqyptar”, pra anarkia shqiptare. I mbajtur ndërkohë nën vëzhgim të rreptë policor në nëntor 1914 nëpërmjet një dekreti të posaçëm konsullor autoritetet e Romës e urdhërojnë të rikthehet në Itali. Kësaj rradhe nuk e lejuan të jetonte në kryeqytet. E kishin vlerësuar si një “revolucionar të rrezikshëm” prandaj edhe e internuan në vendlindjen e tij, në Strighari. Këtu në vitin 1915, i maskuar pas pseudonimit Milo Shini, publikoi një analizë të shkurtër me titullin “Shqipëria dhe shqiptarët”. Frymëzimin e kishte marrë prej ideve të Pashko Vasës. Disa muaj më pas e veshën ushtar dhe e dërguan në front. Ishte në përvlim jetësh Lufta e Parë Botërore. Megjithatë doli gjallë prej saj dhe në 17 gusht 1920, pasi kishte nxjerrë në dritë një organ shtypi të ri, “Italia dhe Shqipëria”, përherë me bindjen se të dy vendet janë bërë të duhen me njëri-tjetrin, kreu për të tretën herë atë veprim që e kishte ëndërrën më të madhe të jetës së tij: erdhi në Shqipëri. Kësaj rradhe që t’i shpëtonte syrit të keq të autoriteteve ia doli të siguronte përkrahjen e një ministri në qeverinë e Romës. Kështu rierdhi në Shkodër, ku nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Ndërkohë i dëshiruar të mos mbetej jashtë çdo mundësie për të kontribuar, pra edhe jetës politike, u vendos në krahun e Ahmet Zogut. Iu duk politikan shumë interesant dhe nacionalist. Në nëntor 1921 mori përsipër detyrën e parë: u emërua prefekt në Korçë. Në shkurt 1922 u bë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt. Në verë të po këtij viti ishte drejtor i Zyrës së Shtypit Shqiptar, me detyrë të bashkërendonte të gjithë sektorin e gazetarisë së vendit. Nën kujdesin e tij nisën të funksionojnë në Tiranë Agjensia e Shtypit Stefani dhe Agjensia Telegrafike Italiane. Në vitin 1923 u zgjodh deputet i Shkodrës. Kur më 31 janar 1925 i adhuruari i tij, Ahmet Zogu, hipi në pushtet u zgjodh kryetar i Kasacionit Penal. Më 26 nëntor 1926 Terencio Toçi dha ndihmë të dukshme për firmosjen e Traktatit të Miqësisë me Italinë, ndërsa kishte shkruar dhe botuar librin “E drejta penale”, vepër bazë për drejtësinë shqiptare. Ndërkohë mori pjesë në hartimin e Kodit Civil dhe të Kodit Tregëtar. Një vit më pas qe Sekretar i Përgjithshëm i Republikës Shqiptare. Tashmë ishte larguar nga Shkodra dhe sistemuar në kryeqytet. U vendos me banesë në atë pjesë e cila quhej Tirana Re. Fëmijët e tij, katër vajza, ndiqnin shkollën shqipe, kurse e jëma e tyre, italiane, lexonte abetaren shqip.
Mirëpo në qoftë se deri tani jeta e Terencio Toçit ishte e qartë për t’u kuptuar duke filluar nga ky çast nis ndërlikimi i saj. Ai lidhet ideologjikisht me doktrinën fashiste të ish-socialistit Benito Musolini. Nisi të përkthejë dhe botojë shumë fjalime të tij. Pastaj shkruajti një libër të tërë me titullin “Fashizmi”. Atë ia vlerësoi shumë edhe Mithat Frashëri, njeriu që më vonë do të themelonte Ballin Kombëtar.
Siç dëshmohet në zgjedhjen e re politike nuk ndikonte vetëm natyra e tij idealiste, por edhe sepse besonte se një Itali e fortë do ta mbronte Shqipërinë nga lakmia e pangopur e fqinjëve dhe se asaj do t’i ktheheshin më në fund trojet e plaçkitura. Terencio Toçi pranonte çdo bashkëpunim që i dukej se zgjidhte çështjen shqiptare. Ja përse ndërsa qe bërë publik libri “Fashizmi” nuk mungonte i shkruar prej dorës së tij edhe një gramatikë shqiptare e veçanërisht një “Gramatikë Italiane pa Mësues”. Tamam këtë vit intensiv dhe me sa duket kyç në jetën e tij, 1928, kur Ansambleja Kushtetuese më 1 shtator e shpalli Shqipërinë monarki demokratike, të trashëgueshme dhe parlamentare si edhe Ahmet Zogun mbret të të gjithë shqiptarëve, Terencio Toçi dha dorëheqje të prerë nga të gjitha postet publike. Iu rikthye punës së avokatit. Me shpirtin e tij rebel ky mund të qe momenti më se i duhur ta linte Shqipërinë dhe të rikthehej në Itali, por vendosi të bënte të kundërtën. Kërkoi nënshtetësinë shqiptare dhe emri i tij tashmë u bë thjesht Terenc. Qenë çaste kur edhe Ahmet Zogu mund t’i zëmërohej dhe hakërrehej, por as kjo gjë nuk ndodhi. Madje ky në vitin 1936 e ftoi të drejtonte Ministrinë e Ekonomisë. Arbëreshi i gatshëm t’i bënte mirë vetëm Shqipërisë e pranoi detyrën e re për hir të zhvillimit dhe forcimit të saj.
Dha dorëheqje në 31 maj 1938. Sapo kishte dorëzuar tek shtëpia shumë e njohur botuese italiane Mondadori në Milano dorëshkrimin me titullin “Mbreti i shqiptarëve”.
Me pushtimin italian të vendit nuk e fshehu gëzimin për marrjen e Kosovës dhe hapjen atje të shkollave dhe të administratës shqiptare. I dëshiruar për bashkimin territorial me Çamërinë megjithatë e kundërshtoi agresionin kundër Greqisë. Ndërkohë ndihet i irrituar nga sjellja e disa funksionarëve të lartë fashistë. Nuk i duken të përputhshëm me idealet e tij. I shkroi mëkëmbësit të mbretit, Jakomonit, se “duhej të shqetësohej nga varfëria cerebrale e disa zemërngushtëve e të sëmurëve nga daltonizmi politik, të cilët duan t’i caktojnë Italisë detyrën e padrejtë e të pafalshme, atë të varrmihësit të njerëzve të gjallë”. Ishte Jakomoni që e ftoi të qe kryetar i Partisë Fashite dhe Terenc Toçi pranoi me shpresë se nëpërmjet atij posti do të ndikonte në zvoglimin e dëmeve të pushtimit kundër Shqipërisë. I zhgënjyer, idealist e mbase edhe nacionalist gjer në iluzion, dy vite më pas, kur pa se qëllimet e tij të sinqerta nuk u përfillën, dha dorëheqjen nga kreu i partisë. Më 8 shtator do të hynin gjermanët dhe pritej të qenë shumë hakmarrës ndaj italianëve, ish-aleatëve të tyre tashmë të kapitulluar. Megjithatë në shtëpinë e Terenc Toçit nuk trokiti asnjë skuadër ushtarësh apo grup oficerësh të Gestapos. I tërhequr në punën e tij dhe pranë familjes botoi veprën “ Shqipja Arbërore”, vëllim rrëfenjash të vërteta, gjithsecila një himn për çështjen kombëtare. Në 17 nëntor 1944, në ditën e parë të çlirimit të Tiranës, në vend të ikte bashkë me të gjithë ata funksionarë të akuzuar se kishin bashkëpunuar me pushtuesit, qëndroi në shtëpinë e tij. Ishte i sigurtë se kishte bashkëpunuar me të gjithë për aq sa i bëhej mirë Shqipërisë dhe kur kishte kuptuar se qëllimet e tij të sinqerta qenë mashtruar ishte ndarë me kurajë prej të gjithëve.Terenci atë 17 nëntor, deri në çastin kur tek dera i trokitën një skuadër partizanësh, ishte shumë i bindur se gjithçka ishte një keqkuptim dhe sqarimi çështje orësh. Ai nuk e dinte se bashkë me të qenë arrestuar edhe dhjetra bashkëkombës të tjerë të njohur. Edhe gjatë muajve të hetimit arbëreshi Terenc Toçi nuk e kuptoi dot se nën vendimin e tre fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore për të ndëshkuar të gjithë kolaboracionistët e fashizmit ata që kishin marrë pushtetin në Tiranë po përfitonin të hiqnin qafe edhe opozitarët e tyre të ardhshëm politikë, ata që nuk do të pajtoheshin me vendosjen e diktaturës bolshevike. Ai, rebeli i përjetshëm, arbëreshi që të afrohej menjëherë sapo i premtoje se po punoje për Shqipërinë dhe që po aq shpejt e vendosmërisht të braktiste po të kuptonte se po veproje në dëm të saj, ishte njëri prej të padëshiruarve. Në gjyqin publik në ish-kinemanë “Savoja”, ndërsa altoparlantët jashtë saj zhurrmonin kundër “kriminelëve të luftës” dhe “tradhëtarëve të kombit”, Terenc Toçi, duke qenë edhe një avokat i sprovuar, u mbrojt me sa mundi. Ishte i bindur se gjyqtarët duhej ta dinin që në studimin e tij të titulluar “Gjysmë shekulli jetë ballkanike” kishte shkruar “Unë asnjëherë nuk pata besuar se qeveria fashiste e Romës ka dashur me të vërtetë të pushtojë Shqipërinë…. Kisha përshtypjen se ushtria italiane po vinte të çlironte kombin shqiptar nga sistemet qeveritare që po e asfiksonin”. Terenc Toçi shpresonte se ata që drejtonin gjyqin, ku kishte aq shumë zell hakmarrës Koçi Xoxe dhe kërkonte shpagë Bedri Spahiu, gjenerali partizan që me familjen e tij të madhe prej dhjetë frymësh kishte zënë shumicën e dhomave të vilës së tij, duke lënë në një qoshe të saj gruan dhe fëmijët, kishin lexuar tek “Hylli i Dritës” apo “Dituria”, tek pati thënë “Fashizmi nuk ka shpikur asgjë të re…, por ka vrarë tri gjëra Gabitjen e tokave të të tjerëve, vjedhjen dhe mbytjen e lirisë së kritikës së popullit. Ka lindur mirë, por u zhvillua dhe vdiq keq. Në falimentim!” Në atë gjyq me vendime të paracaktuara politikisht Terenc Toçi nuk mund ta besonte se askush prej podiumit nuk e dinte se qe autor i kaq shumë librave dhe se biblioteka e tij prej pesë mijë vëllimesh, mes tyre edhe të botuara para vitit 1500 apo edhe me përgamene, qe një pasuri e madhe kombëtare.
Por u dënua me vdekje, bashkë me gjashtëmbëdhjetë të tjerë. I hipën në një kamion. Qe 14 prill 1945. U lanë me gjak në orën 19.00. Pastaj trupat i hodhën në një varr të fshehtë, i cili u gjet vetëm pas më shumë se një gjysmë shekulli. Madje gjetjen e eshtrave të arbëreshit Terencio Toçi e njoftoi edhe agjensia italiane e lajmeve, Ansa. E botoi po ashtu edhe e përditshmja italiane “Gazzetta del Sud” si edhe e përhapi ëebsite i njohur “ëëë.arbitalia.it” e kantautorit Pino Kokoca. Por për më shumë nuk pati jehonë mes arbëreshëve. Shumica e tyre akoma ruanin në kokë skemën politike të ardhur dikur nga Tirana e “diktaturës së proletariatit”, sipas të cilës edhe ambasada në Romë deri në vitin 1990 nuk lejonte asnjë arbëresh me mbiemrin Toçi të vizitonte vendin e të parëve.
***
Françesko Fabbrikatore më pati shkruar se nuk mund të zgjatej më shumë ky paqartësim mbi jetën e një arbëreshi shumë patriot. Para se të më dërgonte mesazhin se “Shumë nuk e dinë që Toçi para se të vdiste kishte dëshiruar që bashkë me nipin e Garibaltit, Riçotin e Ri, të përmbyste regjimin fashist, por nuk ja dolën dot për shkak të disa ngjarjeve luftarake” unë e kisha besuar në gjithçka që në librin e tij “Kontributi arbëresh në çështjen shqiptaro-ballkanase” shkruante. Ai është një studjues shumë serioz edhe kur më ka shpjeguar se arbëreshi dhe njëkohësisht nënshtetasi shqiptar Terenc Toçi “ishte shembulli klasik i “fashistit” nacionalist, pra njëlloj si Benedeto Kroçe dhe Gabriele D’Anuncio, nacionalistë rilindas të mbushur me kombëtarizëm garibaldin...”. Unë i besoj Françesko Fabrikatores edhe ku më shkruan se jetëvrari Toçi “në thelbin vet u tranformua në “fashist”, për të shpëtuar Shqipërinë nga “peshkaqenët” e tjerë”.
Mirëpo Terenc Toçi, kjo jetë e ndërlikuar dhe e lehtë për t’u keqkuptuar e falsifikuar, akoma është e mbuluar me gjak dhe me baltë. Duhen hequr e fshirë nga fytyra e tij edhe gjaku edhe balta. Dielli le të bjerë shndritshëm mbi të, si mbi mermerin e një statuje!

Romë, më 26 shkurt 2010

gsh