Tiranë 29 mars - Sheshi “Skënderbej” i zhurmshëm nga paradat e “fitimtarëve” dikur dhe thirrjet e mitingashëve politikë të dy dekadave të demokracisë, duket se do të shkundet edhe një herë, tani në një përplasje të re inatçore të dy pushteteve. Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës dhe ata të qeverisë “kanë nxjerrë shpatat” në këmbët e Skënderbeut, si për të na kujtuar sherrin për “Zogun e Zi” dhe rruspat në mbi 500 mijë euro të çuara dëm. Bashkia e Tiranës inauguroi dje fillimin e punimeve për rivitalizimin e sheshit “Skënderbej“. Lufta e deklaratave të ditëve të fundit u finalizua me nisjen e fazës së parë të punimeve, ka raportuar gazeta Shqip. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, e vlerësoi projektin si një nga më të rëndësishmit, më kompleksët dhe njëkohësisht më të ndërlikuarit që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë. Por e konsideroi edhe si një projekt “i cili do t’i japë mundësinë sheshit “Skënderbej”, të përjetojë rilindjen e tij, me një ambicie që është ambicia për ta kthyer këtë shesh, jo vetëm si një vend ku jehon historia e këtij qyteti, por edhe si një pasqyrë të një shekulli të ri, si një hapësirë për të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, apo për të gjithë ata që do ta vizitojnë këtë qytet, të pashqetësuar nga makinat”, siç u shpreh vetë ai.
Por nuk ka qenë i të njëjtit mendim ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Ai ka kërkuar dorëzimin e projektit pranë KRRTRSH-së për miratim, pasi për këtë shesh bashkia nuk ka një projekt. “Përshëndes nxitimin e Ramës pas thirrjes së qeverisë për sheshin. Bashkia nuk ka projekt për sheshin. Ndryshimet duhet të kalojnë në KRRTRSH. Ftoj Ramën të dërgoj për miratim në MPPTT planin për rikonstruktimin e sheshit”, u shpreh dje Olldashi, menjëherë pas ceremonisë së fillimit të punimeve nga Bashkia e Tiranës. Ministri Sokol Olldashi nuk ka ngurruar që të lëshojë edhe akuza kundër Bashkisë së Tiranës si ajo që “në projektin fillestar janë bërë ndryshime për qëllime klienteliste”. Ndërkohë që bllokimi i punimeve nga ana e Ministrisë së Punëve Publike në këtë pikë të konfliktit, duket thuajse i pashmangshëm.
Deklaratat e kryebashkiakut për bllokim nga ana e qeverisë të ndërtimit të segmenteve të unazës së vogël që do të shpërndanin qarkullimin e qendrës, pas nisjes së punimeve të sheshit, morën një kundërpërgjigje të ashpër nga kreu i qeverisë Sali Berisha. Ky i fundit e quajti një turp pamjen që të ofron sheshi “Skënderbej” dhe duke e cilësuar direkt përgjegjës Edi Ramën, urdhëroi ministrin e tij, Sokol Olldashi, që të niste asfaltimin e gropave të këtij sheshi. Dy ditë më parë, specialistët e Ministrisë së Punëve Publike kryen edhe matjet në këtë shesh. Por, një ditë më pas, Bashkia e Tiranës bëri publike nisjen e punimeve, të cilat nuk dihet se çfarë fati do të kenë.
Krijoni Kontakt