Unë kam fenë time!

Hamdi Nuhiju



Krenaria e njerëzimit fshehet tek identiteti i tyre. Njerëzit identifikohen përmes vlerave, por shpeshherë ato dinë të identifikohen edhe përmes pseudovlerave të cilat tek to nxisin mentalitetin e urrejtjes, përçarjes, degradimit dhe thellimit të hendekut ideologjik midis jetës dhe vdekjes. Në historinë e mendimit shoqëror gjejmë sekuenca të tilla të cilat e degjenerojnë vetëdijen, bile edhe hedhin vrer mbi kodeksin etik. Gjithmonë shumica është në rrugën e sprovave, ndërsa pakica e larguar nga rruga e të Vërtetës kërkon prej kësaj shumice që të degradohet, diskriminohet e të fundoset në skajet e dalldive të djallit të mallkuar.

Kjo përballje midis shumicës dhe pakicës që në mes ka djallin e mallkuar është një shembull tipik i ndryshimit të qasjes së njerëzve të caktuar mbi principe të ndryshimit të shoqërisë nga e keqja në më të keqen. Gjithmonë është tentuar që shoqëria të kthehet ka rruga e pakicës e cila është meskine, tendencioze dhe mjaft egoistike. Pakica në ditët e sotshme është ‘elitare’ dhe ka arritur në këtë stad duke shfrytëzuar gjitha metodat dhe mënyrat për të arritur deri tek caku. Për to, nuk ka metoda ose mënyra të ndaluara, gjithçka është e lejuar kur është në pyetje arritja e qëllimit.

‘Veprat shpërblehen sipas qëllimit’- kështu u shpreh Muhammedi s.a.v.s. Shumica e librave me koleksione hadithesh fillojnë me këtë hadith të Pejgamberit s.a.v.s. Qëllimi është baza e veprimtarisë njerëzore dhe shoqërore. Është ajo që e sjell njeriun prej njërit skaj të botës e në skajin tjetër. Qëllimi e nxitë atë, e ngreh dhe në fund edhe e bën fitimtar ose humbës. Njeriu jeton në këtë botë në bazë të esencës së qëllimit të tij. Qëllimi prish ose ndërton njeriun modern. Shpeshherë ky qëllim po bën devijimin e njeriut nga rruga e të Vërtetës. Njeriu devijon nga qëllimi për arsye se nuk njeh Krijuesin e botëve, Allahun Fuqiplotë. Njeriu nuk di pse erdhi në këtë botë, nuk di pse jeton në të dhe ku do të shkoj. Në fakt, përgjigja është shumë e lehtë dhe e thjeshtë. Por, për njeriun e turbulluar dhe larguar prej rrugës së të Vërtetës këto gjëra janë shenjtëri.

Allahu thote: “Unë nuk i krijova xhinnët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Edh-Dharijat: 56)Pra, qëllimi i krijimit është adhurimi. Koncepti i adhurimit nuk ekziston në vende ose në rrethe që nuk njohin Krijues ose fe. Ka shumë njerëz që shprehen se janë gnostik, por edhe ato sillen rreth qëllimit të krijimit. Disa të tjerë nuk njohin krijimin në mënyrë natyrore, por nuk kanë mundësi as ato që të largohen prej kësaj esence. Njerëzit shprehen se nuk besojnë Krijuesin, ndërsa në fakt, ato janë krijuar për ta besuar dhe për t`iu bindur Atij. Njeriu që nuk i bindet Zotit gjendet larg rrugës së Tij. Edhe pse Mëshira e Tij përfshinë dhe tejkalon Hidhërimin e Tij, prapë se prapë njeriu duhet të tentoj që të gjendet nën hijen e Tij.

Ka njerëz që nuk i binden urdhrave të Zotit. Besimtarët obligohen që ti thërrasin këta njerëz në rrugën e të Vërtetës. Përndryshe nëse nuk i thërrasin ngarkohen edhe me mëkatet e tyre. E nëse pas gjitha tentimeve për thirrjen e njerëzve në rrugën e të Vërtetës, ai mund të mbështetet në zgjidhjen e fundit të thirrjes, e që është duaja. Edhe pse disa njerëz mendojnë se duaja nuk është fundi i thirrjes, por fillimi i saj. Prapë se prapë ne mendojmë se duaja duhet të jetë pjesë përbërëse e thirrjes.

Ka edhe njerëz të tillë që fshehen në petkun e grupit të muslimanëve ose besimtarëve me qëllim që ti përçajnë prej brenda. Qëllimet e tyre të fshehta një ditë do të zbulohen dhe kurthet e tyre do të iu kthehen mbrapsht vet atyre. Njerëzit e këtillë do të gjenden përballë realitetit si një njeri kokëfort përballë murit të dëlirësisë.

Thotë Allahu në Kur`an:” Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni! As ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni! Por edhe ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)! “( Sure Kafirun).Kjo sure përfundon me fjalët : ... e unë kam fenë timë ( që i përmbahem)... Allahu na mundësoftë të gjithëve që të i përmbahemi fesë sonë. Amin