Kukës, 23 mars - Konsorciumi amerkian”Bechtel&Enka” po bën përgatitjet logjistike për t’u transferuar në Kosovë për të ndertuar autostraden Vermicë-Prishtinë-Besi, vazhdim i autostardës Durrës-Kukës-Morinë. Ndërkohë që fjalën e fundit mbi çështjen e nënshkrimit të kontratës me konsorciumin “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë – Prishtinë-Besi do ta thotë Qeveria e Kosovës këtë të mërkurë. Një numër i madh automjetesh ku përfshihen autobetoniere, autovinça, automjete të tonazhit të rëndë, rula, eskavatorë, autobusë të tipit amerikan “Blue Bird” si dhe automjete të vogla fuoristarda të tipit “Mitsubishi” për transportimin e personelit inxhiniero-teknik, i janë nënshtruar servisit dhe janë të gatshme në pritje të urdhrit për në Kosovë. Këto automjete janë te parkuara në një shesh në hyrje të portalit verior të tunelit të Kalimashit. “Këto automjete i janë nënshtruar servisimit pasi kanë punuar për rreth katër vjet në ndërtimin e autostradës Rreshen-Kalimash dhe tunelit dhe janë në pritje për fillimin e punës në Kosovë”, thotë Asllan Braha, pronar i kompanisë së sigurisë “Braha” që ruan kantieret e kompanisë ‘Bechtel&Enka”. Të gjitha automjetet janë me regjistrim të Tiranës dhe në Shqipëri kanë hyrë me kilometër zero, ndërkohë që Shqipëria ka përfituar të ardhurat nga zhdoganimi i këtyre automjeteve. Kampingu i Fushë-Dukagjinit, rreth 10 kilometër në dalje të qytetit të Kukësit do të jetë fillimisht selia që do drejtojë projektin e rrugës Vërmicë-Besi, por edhe qendra e akomodimit, trajtimit e të gjithë personelit inxhiniero-teknik dhe punëtoreve, me përjashtim të zyrtarëve të lartë të projektit të cilët do të akomodohen nëpër shtëpi private në qytetin e Prizrenit.”Kostoja e lartë e zhvendosjes nga Fushë-Dukagjini në Kosovë si dhe çmimi i lartë i tokës janë disa nga arsyet që na detyrojnë që të mos lëvizim nga Fushë-Dukagjini, të paktën kur punimet do të vazhdojnë në rajonin e Prizrenit”, thekson një burim pranë kësaj kompanie. Kampingu “Bechtel&Enka” nuk përjashtojnë mundësinë e ndërtimit të një kampingu tjetër në Kosovë,pikërisht në Zhur dhe një tjetër në afërsi të Prishtinës, por kjo do të ndodhë kur kompania të ketë avancuar punën më në thellësi të Kosovës.
http://www.koha.net/index.php?cid=1,5,15624
Krijoni Kontakt