Kryetari i Evropës nuk merr pjesë në Bërdo
Kryetari i Evropës, sipas të gjitha gjasave, ka hequr dorë nga pjesëmarrja në Konferencën e Bërdos në Slloveni, si rezultat i komplikimeve që ndodhën ditëve të fundit, rreth mënyrës së përfaqësimit të delegacioneve shtetërore të ftuara në këtë Samit....
Postuar: 05:09:37 / 19.03.2010
Burimet e afërta me Herman Van Rompaj, kanë konfirmuar se Kryetari i parë evropian është i mendimit se organizatorët nuk i janë qasur si duhet tërë problemit të shkaktuar rreth pjesmarjes së Kosovës dhe Serbisë në këtë takim, dhe duke pasë parasysh se bëhet fjalë për konferencë rajonale, ndoshta, edhe prezenca e nivelit kaq të lartë në Konferencë, nuk është e domosodshme. Disa zyrtarë, në Bruksel, paralajmërojnë se ka mundësi që ky vendim i Van Rompaj të ketë efektin ‘domino’ dhe se si rezultat i kësaj nesër në Bërdo të mos paraqitet as shefi i diplomacisë spanjole, Mihel Angel Moratinos, i cili duhej të përfaqësonte Presidencën e Bashkimit Evropian.
Në këtë mënyrë, ideja e kryeministrave slloven dhe kroat, për organizimin e Samitit, u shndërrua në një konferencë rajonale, ku jo të gjithë liderët nga shtetet e Ballkanit Perënidmor do të jenë prezent. Kjo, për shkak se, Borid Tadiç, nga Serbia, ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në takim, ku Kosova prezantohet si shtet, e jo me parashtesën UNMIK. Duke qenë e papranueshme për Prishtinën, mënyra e prezantimit, shkaktoi kokëçarje edhe për organizatorët, pasi që të dy shtetet, edhe Sllovenia edhe Kroacia e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri slloven, Borut Pahor, i cili, deri në momentet e fundit, ka tentuar të bindë që të gjithë të ftuarit nga rajoni dhe Bruskeli të marrin pjesë në takim, deklaroi se Konferenca do të mbahet pavarësisht nga ajo se kush vendosë të marrë pjesë në të. Ai, gjithashtu, u shpreh se nuk do e gjykojë askënd, nëse vendos të mos jetë prezent gjatë ditës së nesërme në Bërdo.
(Gjeraqina Tuhina, Bruksel)
Krijoni Kontakt