Ankara, 25 janar – Disa vende anëtare të BE-së i ofrojnë Turqisë “partneritet të privilegjuar”, por ky vend është dakord vetëm me anëtarësimin e plotë në Union. Procedurën e anëtarësimit, Turqia e ka filluar zyrtarisht që nga viti 1987, kurse kandidat për anëtar të BE-së është bërë në vitin 1999.
Turqia refuzon bisedimet për “partneritet të privilegjuar”, siç i ofrojnë disa vende anëtare të BE-së deklaroi negociatori kryesor i Ankarasë për anëtarësim të këtij vendi në BE, Egemen Bagis.
“Refuzojmë të bisedojmë për këtë, pasi që kjo është ofenduese. Nuk ekziston kurrfarë opsioni tjetër përveç anëtarësimit të plotë. Kur bisedimet të përfundojnë, Turqia do të jetë vend plotësisht tjetër se sa është sot”, tha Bagis.
Turqia që nga viti 1987 ka filluar procesin për anëtarësim në BE, atëherë Komuniteti Evropian.
Turqia në vitin 1949, ishte midis dhjetë vendeve themeluese të Këshillit të Evropës.
Ky vend është një prej themeluesve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik që nga viti 1961 dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian nga viti 1973.
Statusi i kandidatit i është njohur që nga viti 1999.
Bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE kanë filluar zyrtarisht në tetor të vitit 2005.