Duka deportohet dhe i ndalohet hyrja në Kosovë
Policia e Kosovës të mërkurën ka arrestuar dhe ka deportuar në Shqipëri imamin e deri para disa ditësh të xhamisë së fshatit Marinë, Xhemail Kastriot Duka. Atij i është ndaluar hyrja në territorin e Republikës së Kosovës bazuar në dispozitat ligjore të ligjit për të huajt.
Sipas komunikatës për shtyp të lëshuar nga MPB-ja, Dukajt iu shqiptua kjo masë pas vërtetimit të gjendjes faktike për shkelje të vazhdueshme të legjislacionit në fuqi si dhe cenimit në disa raste të rendit publik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Elementet inkriminuese të vërtetuara edhe me paraqitjet publike të zotit Duka flasin për një ndërrim të arsyes dhe qëllimit për të cilin edhe i është dhënë leje qëndrimi në territorin e Republikës së Kosovës,” vazhdon komunikata.
Zoti Duka së fundmi me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës kompetente ka qenë i shpallur fajtor për shkelje të legjislacionit në drejtim të qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Kosovës.
Ekzistojnë arsye të besueshme dhe të vërtetuara edhe nga vet zoti Duka në paraqitjet e tij publike se qëllimi primar për të cilin ka kërkuar të qëndrojë në Republikën e Kosovë, është ndryshuar dhe ka orientim krejtësisht tjetër, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Leje qëndrimi është lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve humanitare e jo të aktiviteteve tjera të cilat zoti Duka ka ushtruar në territorin e Republikës së Kosovës, thekson komunikata.
Para disa ditësh, me vendim të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, komuna e ka mbyllur xhaminë në fshatin Marinë ku Duka kishte shërbyer si imam.
Krijoni Kontakt