Nga Morina në Detroit
Pasi çështja e Marinës u përmbyll, një aferë tjetër me ngjyra religjioze plasi në Detroit të ShBA’së. Në një xhirim të para tre vjetëve prifti shqiptar Don Anton Kçira shihet duke fajësuar Milloseviçin që nuk i ka vrarë 1 milion e 900 mijë shqiptarë, siç ka vepruar edhe në Srebrenicë. I kontaktuar nga Express në Detroid të SHBA-ve ku shërben, Don Antoni i mohon ato që ka thënë tri vjet më parë.
Nga Jeton Musliu më 05.03.2010 në ora 8:05
Don Anton Kçira duket i zhveshur nga ndjenjat njerëzore që një predikues fetar duhet të ketë, bazuar në një xhirim të bërë në vitin 2007 në Detroid të SHBA-ve.
Fjalimi i Don Antonit, i mbajtur në maj të atij viti, është bërë objekt debati në Kosovë dhe në forume të ndryshme në internet.
“Ne s’kemi merituar lirinë nga Beogradi. Është dashur të na rrjepë ashtu siç i ka rrjepur Milosevici në Srebrenicë 260 mijë qenë. Edhe në Kosovë me i pas rrjepë 1 milion e 900 mijë qenë, kurrgjë nuk ishte bërë më keq”, thotë Don Antoni në këtë xhirim.
Kjo është vetëm një fjali e tij e thënë më 13 maj 2007, vetëm disa ditë pasi autoritetet amerikane kishin arrestuar tre vëllezërit Duka, shqiptarë nga Maqedonia, nën akuzën për përgatitje të sulmeve terroriste në bazën e ushtrisë amerikane në Ford Dix të Neë-Jerssyt.
Don Antoni, i cili shërben në Kishën e St. Paul’s në Detroid, fjalimin e ka mbajtur në një mbledhje të organizuar nga Shoqata Intelektuale e Shqiptarëve në Amerikë.
I kontaktuar të enjten nga Express, vetë Don Kçira ka mohuar në mënyrë kategorike se ka thënë fjalë të tilla, pavarësisht xhirimit të përhapur ku ai shihet dhe dëgjohet.
Ai pretendon se fjalimi i tij është i montuar nga spiunë të ish Jugosllavisë, se fjalitë ia kanë lidhur në mënyrë që të ndryshohet tërësisht konteksti i asaj çfarë ka thënë.
“Numër kaq të madh që s’mund t’i numëroj, por nuk keni faj se ne jemi e zeza e vetvetes”, nis fjalimin e tij në këtë tubim me shqiptarë Don Antoni .
“Besomëni se është tragjedi për popullin shqiptar. Amerika me këtë zemër të madhe...”, ndërpret prifti katolik shqiptar fjalimin, për t’iu tërhequr vërejtjen disa të pranishmëve.
“Atje poshtë..., nëse nuk mund të na dëgjoni, mund të dilni jashtë..., nuk iu ka pru kërkush me zor, bla, bla bla, si gratë e këqija”, u drejtohet me nervozizëm Don Antoni disa personave të cilët nuk shihen në xhirim.
Më tej ai vazhdon. “Këta njerëz që i thonë vetes shqiptarë, dihet se çfarë shqiptarësh janë. Shqiptarë me bisht, shqiptarë me rroska(fëlliqur)”, vazhdon kleriku katolik.
Ky fjalim është mbajtur disa ditë pas arrestimit të tre shqiptarëve nga Maqedonia, që në atë kohë dyshoheshin për përfshirje në planifikime të sulmeve terroriste.
Për këtë veprim të vëllezërve Dritan Duka (30), Zaim Duka (28) dhe Elvir Duka (25), të cilët më vonë janë dënuar me burgim të përjetshëm, popullit amerikan i kishte kërkuar falje babai i tyre.
Por, në fjalimin e tij, në këtë xhirim, Don Antoni, një veprim të tillë të babait të tre vëllezërve e quan të pavlerë, meqë, sipas tij, një gjë të tillë nuk e kanë bërë drejtuesit e fesë islame.
”Më vjen keq që në letrën që është bërë, e që i kërkohet falje Amerikës, i kërkon falje një plak që është në pension e që kërkush nuk e vet asgjë, e nuk kërkojnë falje ata që duhet të kërkojnë në emër të fesë islame”, thotë Don Antoni.
“Në emër të popullit shqiptar ishte dashur të reagojë më tepër populli e jo me qenë me do qyqe”, thotë më tej prifti shqiptar, duke shtuar “...ju faleminderit dhe dashtë Zoti që prej këtij simpoziumi ta bëjmë një kundërshtim jo vetëm ndaj atij grupi në Neë -Jerssy, që ka bërë këtë krim, por të gjithë atyre që rrinë pas kësaj pune, e kemi shumë, kemi shumë edhe në Detroid”.
Tri vjet pas këtij fjalimi, Don Antoni pretendon se ajo çfarë ka dashur të thotë nuk është ashtu siç duket në atë xhirim disa minutash.
“Mundeni me pa këtë kasetë që është e copëtuar copa-copa, nuk është dhënë në tërësi”, thotë Kçira për Express, duke akuzuar për këtë një person me emrin Luigj Gjoka.
“Kam një spiun shumë të madh këtu të ish Jugosllavisë që i ka marrë në qafë shumë studentë. Ai është Luigj Gjoka. Ai ka krijuar fondin Vendlindja thërret këtu në Detrorid”, shton ai, duke preferuar më shumë të flasë për ndihmën që ai i ka dhënë Kosovës pas masakrës së familjes Jashari, në mars të vitit 1998.
Ai thotë se ka qenë i irrituar me numrin e pakët të të pranishmëve që kishin shkuar në atë simpozium, edhe pse në xhirimin e përhapur Don Antoni dëgjohet të shprehet për numër të madh të pjesëmarrësve.
“Mirëpo, aty ka qenë edhe një grup malësorësh që kanë qenë t’u ngrënë dhe na kanë prishë qetësinë”, sqaron Don Antoni për Express pjesën ku ai në mes të fjalimit të tij u kërkon disa të pranishmëve “të mos bëjnë zhurmë bla, bla, bla si gratë e këqija, por të lëshojnë sallën nëse nuk duan të dëgjojnë”.
Në sqarimin e tij, Don Antoni pretendon se kur ka përmendur Srebrenicën, e ka krahasuar atë se si aty kanë shkuar (vrarë) “260 mijë njerëz si të ishin qenë, e se si sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për ata të shkretë”.
Don Anton Kçira më tej vazhdon. “Ashtu do të kishin shkuar edhe 1 milion e 900 mijë, por në emocionion tim që më nervozuan këta njerëz, kam thënë se edhe ata do të kishin shkuar si qenë. Por, kush na shpëtoi? Amerika. Ajo na ka pru deri tash”, thotë prifti shqiptar që jeton dhe punon në Detroid.
“Mirëpo, Amerika i ka pruar 20 mijë shqiptarë..., Bill Clintoni..., nga lloçi i Maqedonisë i ka pru në bazën amerikane në Neë Jeresy dhe shqiptarët me e çu në hava këtë bazë, është turp për ne”, shprehet prifti, fjalimi para tre vjetësh i të cilit konsiderohet si më i rëndi që është bërë deri më tash nga ndonjë klerik katolik.
“Besomëni se kjo ka qenë krahasimi i Srebrenicës, rruga e Kosovës që do të kishte qenë po të mos ishte Amerika. A do të kishim pas atë lirinë që e keni ju atje...?. Beogradi mundohet me na shkatërrue. Ai person e ka shpërnda (Luigj Gjoka), i ka çu hoxhës, hoxha ia ka çue presidentit të Kosovës, Myftiut Tërnava dhe pastaj në You-Tube”, vazhdo më tej Don Anton Kçira.
I pyetur nëse dikush i ka kërkuar sqarime për këtë fjalim të mbajtur në maj 2007, Don Antoni e pranon se disa herë ka dhënë shpjegimet përkatëse.
“Më ka pyetur Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji se si është situata dhe ia kam shpjeguar. Unë nuk kam dalë menç me i ba tana punët për Kosovën e më së mrami me dal më thënë me i vra si qenë”, thotë ai.
“Nuk muj n’ pikë shnoshi me i ba ata njerëz qenë. Jo vëlla..., por ishte një situatë e padrejtë që populli shqiptar duhej t’i dënonte ata terroristë”, thotë Don Antoni, i cili nuk pranon të kërkojë falje për diçka që ai thotë se nuk ka përse ta bëjë.
“Kujt me i kërku falje, se unë nuk kam bërë një krim siç ma kanë shpifë këta njerëz. Ata duhet me kërkua falje, që kanë bë këtë shpifje. Sa për Luigj Gjokën, sa ka qenë në Mal të Zi, gjithmonë ka bashkëpunua me ta (autoritetet), ka marrë në qafë shumë malësorë”, pretendon Don Anton Kçira për Express.
Duket se këtë xhirim të përhapur e kanë parë të gjithë. Të gjithë të cilët i ka kontaktuar gazeta, nuk ishte e nevojshme t’i shpjegohej situata. Madje as drejtuesve të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Dr. Xhabir Hamiti, kryetar i Kuvendit të BIK-ut, thotë se ajo që ka thënë Don Anton Kçira në atë xhirim është skandaloze dhe jo e tolerueshme për një lider shpirtëror.
“Mirëpo, kjo nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet ndërfetare që kanë pasur dhe kanë shqiptarët e konfesioneve të ndryshme fetare. Një fjalim i tillë nuk guxon të ndikojë në luhatjen e tolerancës ndërfetare dhe ndërshqiptare”, thotë Hamiti për Express.
“Ne do të kërkonim nga krerët fetarë që ndaj individëve të tillë të marrin masa disiplinore sepse prijësit fetarë nuk përfaqësojnë vetëm interesat e tyre të ngushta, përderisa ata kryejnë funksione publike”, thotë profesor Xhabir Hamiti.
Por, zyrtarë të Ipeshkvisë së Kosovës nuk e ndjejnë të nevojshme ta bëjnë një gjë të tillë. Ata thonë se Don Anton Kçira nuk është pjesëtar në kuadër të autoritetetit të tyre.
“Edhe pse i njëjti ka lindur në Kosovë, bazuar në rregullat e Kishës, ai i takon Kishës Katolike të Detroidit në SHBA. Ipeshkvia e Kosovës nuk ka çfarë të thotë në lidhje me deklarimet e tij sepse ai nuk është pjesë e kishës sonë”, thotë Albert Jakaj, sekretar i Ipeshkvisë së Kosovës, për Express.
Sipas tij, Ipeshkvia e Kosovës është përgjegjëse për klerikët e saj që veprojnë vetëm në territorin e Republikës së Kosovës.
Shkaku
Tre vëllezërit nga Dibra e Maqedonisë, që komplotuan për të vrarë ushtarë amerikanë në bazën ushtarake Ford Dix, janë dënuar me burgim të përjetshëm. Dritan Duka (30), Zaim Duka (28) dhe Elvir Duka (25) kanë marrë përfundimisht dënimin pa iu dhënë mundësi për ankesë. Të tre shqiptarët, pjesë e grupit prej 5 vetash, u zunë pa arritur të kryejnë sulmin.
Ata u arrestuan para se të kryejnë sulmin. 2 persona e tjerë janë njëri nga Jordania e tjetri nga Turqia. Ata kanë mohuar akuzat. Dritan Duka kishte thënë se janë viktimë e një konspiracioni të Qeverisë amerikane. Gjatë tërë këtij procesi gjyqësor janë marrë në pyetje 50 dëshmitarë. Personat janë arrestuar në maj 2007, pas një hetimi 14 mujor të FBI-së.
"…Ipeshkvia e Kosovës nuk ka çfarë të thotë në lidhje me deklarimet e tij sepse ai nuk është pjesë e kishës sonë.
Albert Jakaj, sekretar i Ipeshkvisë së Kosovës
…"
Krijoni Kontakt