PD kërkon që Kryqit të Kuq t'i shtohet edhe Gjysëmhëna e kuqe
Në konferencën e rregullt për media, në emër të Partisë së Drejtësisë para gazetarëve u paraqit Abdullah Klinaku, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, i cili deklaroi se Partia e Drejtësisë do të parashtrojë në Komisionin parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale amandamentin në Projektligjin për Kryqin e Kuq të Kosovës me të cilin do të kërkojë që në tërë tekstin e këtij ligji krahas sintagmës Kryqi i Kuq të shtohen edhe fjalët Gjysmëhëna e Kuqe, pra që kjo organizatë me rëndësi të madhe shoqërore të quhet: Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe e Kosovës.
PD po ashtu kërkon nga Komisioni parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale organizimin e një debati publik përkitazi me këtë projektligj ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit e organizatave të ndryshme humanitare të vendit dhe ndërkombëtare si dhe përfaqësuesit e Organizatës së Kryqit të Kuq të Kosovës.
Klinaku këto kërkesa i arsyetoi se me amandamentin e propozuar do të shtohet mundësia për ngritjen e fondeve dhe ndihmave të tjera edhe nga shtetet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike si dhe do të sigurohet respektimi i lirive, bindjeve dhe ndjenjave fetare të personelit të kësaj organizate me besim Islam.
“Duke e pasur parasysh strukturën fetare të popullatës së Kosovës duhet mundësuar punëtorëve humanitar të Kosovës të besimit islam që të bartin emblemën që krahas simbolit të Kryqit të Kuq përmban edhe Gjysmëhënën e Kuqe.
Në këtë drejtim nuk duhet pasur problem të veçantë duke pasur parasysh se Neni 4 i Projektligjit të Kryqit të Kuq të Kosovës: Zbatimi i parimeve themelore, thotë: “Kryqi i Kuq i Kosovës përmbush misionin e vet në bazë të parimeve themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe”.
Në frymë të njëjtë janë të shkruara edhe Nenet 5,7, dhe 8 të këtij Projektligji që po ashtu thirren në respektimin e parimeve themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe”. Pra nuk ka asnjë arsye që në tekstin ligjor krahas sintagmës “Kryqi i Kuq” të shtohet edhe sintagma “Gjysmëhëna e Kuqe”, deklaroi sekretari Klinaku.
Në fund të konferencës, Ahdullahu Klinaku njoftoi se Dega e Partisë së Drejtësisë në Zvicërr depozitoi 16.500 franka zvicerane për bashkëkombasit e tyre në rajonet e përmbytura të Shkodrës, në Republikën e Shqipërisë. Në të ardhmen e afërt delegacioni i PD-së do të vizitojë shtabin emergjent shtetëror të ngritur përkitazi me këtë katastrofë natyrore si dhe krerët institucional të Republikës së Shqipërisë. /drejtesia.org/
Krijoni Kontakt