Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670

    Funeral shtetëror për letërsinë

    Nga Agron Tufa
    Marrë nga Gazeta Panorama

    Për dijeni:
    Presidentit të Shqipërisë,
    Kryeministrit,
    Ministrit të Arsimit dhe Shkencës

    Njëherë, ipeshkvin e një Dioqeze e patën lajmëruar se prifti i njërës prej famullive nuk i mblidhte besimtarët
    në kishë. Ia hipi mushkës ipeshkvi dhe shkoi vetë në atë famulli. Thonë se mbërriti ndaj mesdite mbi kodrën e fshatit, poshtë së cilës qe ndërtuar kisha, mu në vaktin kur duhej të binte kambana, andaj qiti sahatin e xhepit dhe u vu në pritje të orës dymbëdhjetë. Kaloi ora dymbëdhjetë, por kambana nuk ra. Zbriti ipeshkvi tatëpjetë kodrës dhe mësyu në oborrin e shkretuar të kishës. E gjeti tempullin të braktisur prej besimtarëve dhe barinjve shpirtërorë. Ipeshkvi çoi fjalë të mblidheshin aty prifti dhe shërbëtorët e kishës; mandej, si u mblodhën, merr e i pyet:
    - Përse, o njerëz të Perëndisë, nuk e mblidhni grigjën në kishë?
    - Sepse nuk mund t'i lajmërojmë, hirësi, - iu përgjigj famullitari.
    - Përse nuk mundkeni, i bekuar?
    - Për njëmijë e një arsye, hirësi...
    - A mundeni me m'i thanë disa prej tyre?
    - Së pari, hirësi, nuk kemi kambanë... - iu gjegj famullitari.
    - Mjafton me kaq, - tha ipeshkvi. - Lërini të tjerat...
    E zgjodha këtë paravoli për të depërtuar më lehtë në thelbin e një shqetësimi të madh publik, që ka të bëjë me lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë në arsimin tonë parauniversitar. I theksova me kursiv këto dy lëndë, për shkakun e njohur se janë dy disiplina me status shkencor autonom e të dallueshëm, me repertorin e rregullave e ligjësive shkencore specifike, prej shekujsh, në të gjitha kulturat e njerëzimit. Por ka nja dy vjet që në nahijen tonë ka dalë një bidat (risi) tjetër. Instituti i Kurrikulës dhe i Trajnimit në MASH i "shkombëtarizon" identitetet e këtyre dy disiplinave duke i hibridizuar në Gjuhëletërsi. Sipas këtij parimi të analogjisë deledash, do të na duhej t'i "martonim" me dhunë të gjitha disiplinat shkencore në Matematikëfizikë, Historigjeografi, Kimibiologji, Filozofisociologji, Mjekësiveterinari, Pilaftasqebap, etj.
    Por nëse shprehemi figurativisht, logjika e çiftimit homoseksual të shkencave çon në bastardimin e natyrës së tyre, duke ua privuar aftësinë e riprodhimit dhe duke na lënë trashëgim zvetënimin, tëhuajësimin dhe shterpësinë e origjinës së çdocilit çift dyjar në këto shkenca.
    Por për Programin Mësimor të Gjuhës dhe Letërsisë akti i "martesës deledash" është bërë fakt që nga vjet dhe tani, për të dytin vit, Gjuha dhe Letërsia, të shkrira tok, duhet të ecin "jetë-e-vdekje përqafuar", si një shkencë e vetme, miratuar zyrtarisht me firmën e Ministrit, pavarësisht kundërshtimeve dhe paralajmërimeve nëpër grupe pune dhe në artikujt e shkruar në shtyp. Megjithatë, "shkesët" e kësaj martese të dhunshme deledash kanë fituar! Zyrtarisht! Aleanca banale gëzon triumfin se ia doli edhe njëherë të ngadhnjejë mbi arsyen. S'ke ç'i bën: ishin shumicë! Kështu ndodh kur vë në kuzhinë prapanicën: ajo veç një gjellë di të gatuajë!
    Ka dy vjet që kambana bie: janë bërë kritika të rrepta. Janë shkruar shkrime. Kanë gjykuar personalitete me ekspertizë të sprovuar shkencore. Po prapë, me veshët e mbyllur dhe me shumicë votash, Letërsia si lëndë është asgjësuar. Ndryshe nga paravolia e kreut, në rastin tonë kambana ra, por pehlivanët e MASH-it vendosën t'ia hiqnin gjuhën kambanës. Sepse çështja nuk shtrohet në e dëgjojnë kambanën besimtarët e tempullit të dijes. Çështja shtrohet që tingulli të mos mbërrijë në veshë të askujt, ose ata që ta dëgjojnë, t'i kenë veshët e shurdhër.
    Tani të shohim pak se në çfarë marrëdhëniesh e kanë vendosur çiftëzimin hibrid Gjuhëletërsi shkesët e Institutit të Kurrikulave dhe Standardeve. Dihet se, që një martesë të jetë e qëndrueshme, ajo duhet të respektojë si maksimum - liritë, detyrimet dhe të drejtat themelore të partnerit, ndërsa si minimum të një martese fatkeqe - të garantojë, së paku, ekzistencën fizike të partnerit. Përndryshe s'ka pikë kuptimi. E pikërisht kjo mungesë elementare kuptimi paska qenë shpikja më e vyer e specialistëve të Institutit të Kurrikulave dhe MASH-it! Sepse hibridizimi i kësaj lënde nuk i garanton "partnerit" as ekzistencën autonome.
    Programi Mësimor për Kurrikulën Bërthamë të Gjimnazit në lëndën Gjuhëletërsi 2010, firmosur nga Ministri, përcillet me një "Relacion" të shkruar stilistikisht në formë vetëmbrojtjeje (nga "armiqtë" e jashtëm!) dhe njëkohësisht në formë fletë-rrufeje.
    Në "Relacion" sqarohet "ndorja" që kanë marrë këta shkesë nga z. Kolec Topalli dhe z. Bahri Beci, duke shtjelluar përkatësisht në tre pika "mbështetjen" e tyre, siç e thashë, sipas një teknike manipulimi, gënjeshtre dhe mungese sinqeriteti.
    Citojmë pikën e parë të sqarimit, që jepet në relacion:
    "Grupi i oponencës i kryesuar nga z. Kolec Topalli. Ky grup ka pasur mendime të ndryshme: z. Topalli është pro vizionit të lëndës dhe e mbështet misionin e saj si lëndë formuese për nxënësin dhe jo vetëm informuese si pararendëset e saj. Grupi i oponencës pati dhe mendime të tjera (të përgjithshme, jo konkrete për programin), të cilat ne si grup hartues nuk arritëm t'i kishim të materializuara në një produkt të shkruar, për të parë mundësinë e reflektimit të tyre".
    Meqenëse kam qenë anëtar i grupit të oponencës, koncentratit të kësaj hipokrizie i duhet përgjigjur publikisht, pasi kemi të bëjmë me një shtrembërim të argumenteve që kemi dhënë në të vetmen mbledhje të grupit unë dhe Prof. Asoc. Dhurata Shehri. Shkurtimisht këto argumente i kemi shtruar në të parën dhe të fundit mbledhje të Grupit të Oponencës më 7 dhjetor 2009.
    - Shkrirja e Gjuhës dhe e Letërsisë në një lëndë të vetme përbën jo një gabim, jo më një faj, por një Krim Kombëtar, për këto arsye:
    - sepse zhduk autonominë shkencore të këtyre disiplinave, në rastin konkret, të Letërsisë;
    - nga kjo shkrirje del më e fituar Gjuha, por Letërsia shpërbëhet, humbet identitetin dhe statusin e saj me repertorin e rregullave dhe ligjësive që e karakterizojnë si disiplinë;
    - duke e shfytyruar Letërsinë nga statusi i saj shkencor, Letërsia katandiset në një kavie për trafikim organesh në shërbim të Gjuhës. Ajo paraqitet e gjymtuar, e masakruar, pa unitetin e saj organik;
    - Gjuha, duke e marrë Letërsinë në cilësinë e "foljes gjysmëndihmëse", shndërrohet në Gjuhë të aplikuar dhe shembujt ilustrues ajo mund t'i merrte nga të gjitha llojet e teksteve, letrare e joletrare;
    - ndërkaq Letërsia shembet si ngrehinë, pasi cënohet në parametrat teorikë, historikë, stilistikë dhe praktikë;
    - duke marrë vetëm fragmente veprash sa herë t'i hyjë në punë Gjuhës, cënohet dhe uniteti artistik i kohës, hapësirës, idesë dhe mesazhit, çka shprish përfundimisht përjetimin estetik të një vepre letrare;
    - nëse mëtojmë të forcojmë rëndësinë e gjuhës shqipe, le të diskutohet një projekt i detyrimit të saj si lëndë, deri në vitin e dytë të studimeve universitare, duke përfshirë edhe fakultetet e shkencave teknike, por jo duke shkatërruar autonominë e Letërsisë;
    - Edhe për programin e vjetshëm, që është identik me të sivjetshmin, kemi bërë një mbledhje Departamenti në Fakultetin Filologjik, ku kemi shprehur unanimisht mendimin se zhdukja e letërsisë nga shkolla e mesme dhe zëvendësimi i saj me gjuhën e aplikuar, që hiqet si Gjuhëletërsi, është i papranueshëm;
    - Programi përbëhet nga objektiva dhe në asnjë prej tyre, të vendosura në program, ASNJË nuk është i lidhur me Letërsinë! Askund nuk përmendet funksioni estetik i Letërsisë. Meqë mbrojtësit e projektit nuk lëshonin asnjë alternativë për të ndryshuar Programin, ne e dhamë një alternativë, që për arsye të kohës së shkurtër (tekstet dorëzohen në prill), të pavarësohej Letërsia, të paktën në klasën e 11-të dhe të 12-të, me qëllim që formimi letrar i nxënësve të mos ishte krejt i mangët e i çorientuar;
    - Letërsia shqipe është përbërësi më i rëndësishëm i identitetit tonë shpirtëror-kombëtar në edukimin e brezave, dhe i vetmi atribut që përfaqëson fizionominë tonë shpirtërore si popull në botën e huaj. Me zhdukjen e saj, shndërrohemi faktikisht në anonimat pa kontur, për t'u gëlltitur pa nishan në baticën globaliste;
    - brezat që vijnë, përjashto një apo dy për qind të studentëve të profilizuar filologë, nuk do të kenë më rast ta mësojnë letërsinë si shkencë më vete nëpër fakultete. Një pjesë mund të ndalen në arsimin e mesëm. Prandaj mos ua hiqni shqiptarëve të vetmin shans të edukimit estetik, etik dhe kombëtar, duke e fshirë praktikisht Letërsinë nga arsimi i mesëm;
    - nëse nuk pavarësohen këto dy disiplina të veçanta shkencore, ne japim dorëheqjen dhe parimisht nuk mund të diskutojmë më tej, pasi e konsiderojmë turp dhe një turp të tillë nuk duam ta ndajmë me ju.
    U la që pretenca jonë t'i përcillej Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Pa një përgjigje pozitive nga Ministri, do të ngelej në fuqi dorëheqja jonë. Përgjigja, ajme, nuk erdhi kurrë! Si duket, grupi i oponencës paska vazhduar të mblidhet edhe në mungesë të përgjigjes ministrore, sigurisht, pa ne. Ajo që të habit, është se në "Relacionin" e Programit, të gjitha argumentet që shtruam në mbledhje, cilësohen "të përgjithshme", "jo konkrete për programin"! Për cilin Program? Për atë që i privon nxënësit shqiptarë nga Letërsia? Për çfarë mendimi konkret dhe konkretësie mendimi mund të flitet tjetër?
    Nuk është i vërtetë as pretendimi, se gjoja mendimet tona nuk paskëshin qenë "të shkruara", që mandej grupi hartues të mund "të reflektonte". Por hartuesit e Programit dhe "Relacionit" kanë harruar një hollësi të vogël, por tejet të këndshme: gjatë gjithë kohës kur kemi argumentuar unë dhe znj. Dhurata Shehri, kishim një tjetër zonjë që mbante besnikërisht shënimet në protokollin e mbledhjes dhe, meqë ne nuk kemi kujtesë peshku, ajo ka qenë pikërisht znj. M. Parllaku. Hapeni protokollin: të gjitha janë të shkruara.
    Më tej, "Relacioni" mashtrues i grupit hartues bën me dije në pikën e dytë, se përveç z. Kolec Topalli, ka marrë dhe "ndoren" e z. Bahri Beci, i cili gjoja përligj shkrirjen e Gjuhës me Letërsinë në një tekst të vetëm. Tepër e dyshimtë të jetë citim i z. Beci! Sepse mu këto ditë z. Beci sapo ka firmosur me mua dhe tre kolegë të tjerë një Projekt-Platformë për pavarësimin e këtyre dy lëndëve. Midis dyzimit në gënjen z. Beci apo gënjen koordinatorja e grupit që ka firmosur "Relacionin", anoj nga kjo e fundit. Nga ana tjetër, del se Programi qenka miratuar vetëm me gjuhëtarë!
    Ka tash dy vjet që lënda e Letërsisë është asgjësuar. Kambana bie, por veshët janë të shtuposur. Ajo çfarë serviret dhe lihet të nënkuptohet me Letërsi, është një rrokopujë e konglomerat tekstesh pa pikë kriteri, që duke u marrë sipas parimit - këput një gojë këtej, këput një gojë andej - paraqet vetëmse karikaturën e Letërsisë. Tashmë pikëpamja mbi këtë lëndë, që jepej që nga vitet 1920, duhet t'i përshtatet sindromës së përhapur të fastfoodizimit të dijeve, ku nxënësi të mos kridhet vertikalisht e shkallë-shkallshëm në njohuri të qëndrueshme, por të dijë, sipas udhëzimeve të Programit, të përballet me analfabetizmin. Të dijë si të përgjigjet hazërxhevap, si të llomotisë, si të majmunizohet përshtat me situatat. Por kurrë në këtë Program nuk ceket funksioni parësor dhe fisnik i Letërsisë: edukimi estetik, si parakusht që i prin edukimit etik. Dhe në këtë këllirë e paçavure, siç e kanë katandisur Letërsinë obskurantët e Institutit të Kurrikulave, jep shpirt çdo gjykim origjinal, çdo mendim kreativ, përsa qëllimi final i kësaj surrogatoje letrare, është aftësimi i të rinjve për t'ia hedhur sho-shokut dorëpërdorë.
    Banalitete të tilla bëjnë vaki bash në pikun e diskursit shkencor për rishkrimin e një Historie të Letërsisë Shqipe, e cila të shterojë gjithë potencialet e krijuara të vlerave letrare nga zanafilla deri në ditët e sotme.
    Për të gjitha arsyet që përmendëm, zhdukjen e Letërsisë nga gjimnazet e konsiderojmë jo gabim, jo faj, por krim kombëtar. Kur njerëzve të tillë të papërgjegjshëm u jepet tagri të drejtojnë fatet e arsimit parauniversitar, perspektiva shkurajuese është e garantuar. Në vend të nevojës së ngutshme e ulëritëse për arsimim që kanë këta zyrtarucë, atyre u ofrohet mbrojtje shtetërore, institucionale për t'i futur tenjën gjithë sistemit arsimor, që mandej të ngrenë alibi dhe të dalin të fituar, duke bërë copy/paste ndonjë model të stërhumbur të ndonjë universiteti provincial amerikan, me drejtim të lehtë utilitar social. Këtë shprehën edhe vjet, duke përfshirë në Program mbi njëzet vepra dhe autorë të papërkthyer në shqip, madje duke shtrembëruar titujt dhe emrat e autorëve. Çfarë pune kanë këta shkesë ministrie me Letërsinë? Dhe përse Ministria e Arsimit lejon një koncentrim kaq të madh e të pushtetshëm "Halimësh, që s'dinë këndim"?
    Letërsia shqipe, në më të shumtën, është krijuar në kontekste dramatike, kur autorit mund t'i shkonte koka në satër; ajo shpesh është ndërprerë nga sëmundjet, helmi, internimi, linçimi publik, anatemimi, ndalimi, djegia e denigrimi. Fletët e Letërsisë shqipe kullojnë gjak, lotë, klithma e rënkime. Këto fletë shpesh janë ndërprerë me breshëri plumbash! Ajo është shkruar si vetëdënim, si dëshirë vetëprojektimi individual e shoqëror, për të tejkaluar vetveten, brenda qelive torturuese, në skamje, në privimim nga çdo lloj lirie! Prandaj vlerat e saj janë të rënda, kanë peshën e dheut dhe kockave, kanë shijen e hidhur të fatit përndjekës, kanë etjen për një gëllënjkë ajri lirie të vjedhur për t'i shpëtuar asfiksisë, sikurse kanë breroren përshkënditëse të shpirtit që shkapërcen angështinë e rraskapive tokësore. Ja tek e kap sot veten të mbështjellë me hijet e tyre dhe ndjehem i vogël, i pafuqishëm, më i parëndësishëm nga çdocili tek e tek! Si mund të mbërrihet deri në këtë shkallë arrogance e absurditeti brutal? Çfarë i kanë dhënë Letërsisë këto turma anonimësh që bëjnë programe të vjedhura, përveçse kanë ftohur breza të tërë të rinjsh, duke ua zvjerdhur zemre, duke i shtrënguar t'ia mbathin sa më larg kësaj lënde si prej diçkaje të bezdisshme? Çfarë janë në gjendje t'i flijojnë Letërsisë këta barbarë në kopshtin e saj? Asgjë, vendosmërisht asgjë! Këtu qëndron dhe ndryshimi ynë. Sikur çështja të shtrohej kështu! Nëse barbarët në kopsht nuk sakrifikojnë asgjë, jam unë ai që sakrifikoj gjithçka, vendosmërisht Gjithçka!
    Letërsia vdiq! Kambanat bien... Ministria shtupos veshët! Atëherë s'më mbetet tjetër, pos se të hiqem mënjanë me lahutën time dhe të këndoj në bjeshkët e mia një folklor të ri amanetesh:
    "O malet e Shqypnisë me Halimë të pasosur! / Na e lini kësoane një gjë t'papërdhosur... aniseee..."

    *Autori është Doktor i Shkencave Filologjike, Pedagog i Letërsisë në UT, Shkrimtar, Studiues, Përkthye

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    16-11-2005
    Postime
    8,691
    jemi duke edukuar nje brez injorantesh.

  3. #3
    18 scudetti Maska e Gjinokastra
    Anëtarësuar
    29-08-2009
    Postime
    1,159
    2L2R

    Ndonje shkurtim me 2 fjale ?
    [QUOTE =puroshkodran;2654864]Roma del kampion[ /QUOTE]

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •