Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475

    Shqipëria e gatshme t’i shesë armë Kosovës

    Shqipëria e gatshme t’i shesë armë Kosovës
    Shqipëria .
    2010-01-25 - 23:30:32

    Shqipëria e gatshme t’i shesë armë Kosovës

    Zëvendësministri i Mbrojtjes, Arian Starova, thotë se në parim mund t’i ofrojë armatim Kosovës, sikurse çdokujt tjetër, por konkretisht nuk ka asnjë diskutim. Po ashtu, Starova thotë se ushtria shqiptare është në proces modernizmi dhe blerje armatimi e pajisje ushtarake.Për Arian Starovën, Shqipëria po ashtu është e gatshme, nëse do të shtrohet për diskutim, që të marrë pjesë si vend anëtar i NATO-s në trupat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

    Nga Denion Ndrenika, Tiranë


    Zëvendësministri i Mbrojtjes, Arian Starova, thotë se tregtia e armëve nuk është sekrete dhe se Shqipëria në përputhje me ligjet ndërkombëtare mund të ushtrojë këtë veprimtari. Në një intervistë për RTK-në, seksioni radiofonik, Starova ka thënë se Kosova është një ndër vendet ku Shqipëria mund të shesë armatim, sikurse mund ta bëjë edhe më të tjerë.

    Por Starova veçon se kjo është çështje në parim, pasi konkretisht nuk ka ndonjë nismë, diskutim apo veprim. Kosova ka marrë armë zyrtarisht për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 nga Shtetet e Bashkuara, me dekret të presidentit të asokohshëm amerikan Xhorxh Bush. Për Arian Starovën, Shqipëria po ashtu është e gatshme, nëse do të shtrohet për diskutim, që të marrë pjesë si vend anëtar i NATO-s në trupat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Ndërkaq, gjithashtu duke qenë vend i NATO-së, proces që nuk përfundon vetëm me anëtarësimin, Shqipëria është në procesin e modernizimit të kapaciteteve të saj ushtarake, përfshi armatimin, logjistikën apo mjete të tjera. Biseda me Starovën nisi fillimisht mbi bashkëpunimin mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, i dalluar sidomos në dittë e para të përmbytjeve të këtij viti në Qarkun e Shkodrës.

    Ndihma me armë e SHBA për Kosovën
    Ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush, gjatë kohës së qeverisjes, mori një vendim që t'i dërgohen armë Forcës së Sigurisë të Kosovës, për ta aftësuar atë që të ballafaqohet, si thuhet, me "terrorizmin". Armët nga SHBA-të për Kosovën silleshin vetëm për të forcuar institucionet. Kjo deklaratë ka ardhur nga ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey, i cili dha këto përgjigje, i pyetur të komentonte vendimin e presidentit Xhorxh Bush për të furnizuar me armatim Kosovën dhe forcat e saj të sigurisë. "Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur dhe këtë e kanë bërë edhe shumë vende të tjera në botë. Një pjesë e planit “Ahtisari” kërkon që të sigurohet aftësia e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe forcat e sigurisë, që të mund të funksionojnë të pavarura dhe të kryejnë detyrat e plota të një qeverie të pavarur. Kjo është politika që mbështesim ne", thuhej në deklaratën për shtyp. “Në këtë mënyrë, furnizimi me artikuj mbrojtës dhe shërbime mbrojtëse për Kosovën do ta forcojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të promovoje paqe botërore”-citohej Shtëpia e Bardhë në memorandumin dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit. Shtëpia e Bardhë argumentonte se hapi i Presidentit Bush do t'i forcojë raportet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara me Kosovën, do të promovojë sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin dhe do të përmirësojë kapacitetin e Kosovës për të marrë pjesë në aktivitete paqeruajtëse, do të ndihmojë në luftimin e terroristëve dhe t'i menaxhojë situatat emergjente humanitare. “Parimet aktuale të artikujve mbrojtës ose të shërbimeve mbrojtëse do të shqyrtohen prej rastit në rast, përfshirë edhe respektimin e udhëzimeve relevante dhe kritereve që i përmban politika e Transferimit të Armatimit Konvencional”-shtonte Shtëpia e Bardhë.


    -Zoti Starova, bashkëpunimi mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ushtrisë ka qenë i lëvdueshëm, sidomos gjatë periudhës së përmbytjeve të këtij viti në Shkodër. A mund të na thoni se deri ku është shtrirë ky bashkëpunim, apo mos vallë mbetet vetëm në kësi nivelesh?


    -Arian Starova: “Tani, nëse flasim për rastin e Shkodrës, sigurisht që nivelet kishin të bënin me detyrat që kanë pasur Forcat e Armatosura të Shqipërisë, pra shpërndarje ndihmash, operacione evakuimi për lëvizje njerëzish dhe gatishmëri për të shërbyer për çdo lloj situate apo nevoje që krijohej. Nëse bëhej fjalë jashtë këtyre kushteve apo rrethanave, sigurisht që ka bashkëpunim dhe mendohet që ky bashkëpunim të thellohet, sepse Shqipëria është vend i NATO-s dhe Kosova mendohet që të fillojë integrimet shumë shpejt. Dhe, natyrisht që ka shumë vend për të bashkëpunuar. Por unë mendoj që kjo nuk është kryesore në këto ditë që kanë të bëjnë me Shkodrën. Ata nëse mund të thosha diçka, janë shquar për korrektesë të madhe jo vetëm profesionale, por edhe njerëzore dhe morale, kanë shërbyer në sektorë shumë të vështirë dhe kanë qenë të gatshëm 24 orë në 24 orë përkrah këtyre forcave, tamam si forcat tona, tamam si vëllezërit tanë”.


    -Nëse ju thoni që ky bashkëpunim shtrihet edhe në drejtime të tjera, a mund ta dimë më me saktësi se cilët janë?


    “Në parim, në parim ka kontakte. Për shembull, erdhi ministri i Mbrojtjes së Kosovës këtu (Fehmi Mujota), pati takime. Edhe unë kisha një takim me të natyrisht. Ka shumë vend për të bashkëpunuar, por nuk ka, nuk mund të flas për gjëra konkrete tani, përveç faktit, gatishmërisë dhe shprehjes së vullnetit që ne të vazhdojmë të japim eksperiencë. Në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka dy ushtarakë që japin ndihmesën e tyre për çështje konkrete ushtarake. Kjo mund të zgjerohet në të ardhmen. Ka gjithashtu mbështetje logjistike apo mbështetje në drejtime të ndryshme për ristrukturimin që bëhet atje dhe këto janë dy pika konkrete. Natyrisht ka edhe të tjera dhe perspektiva është shumë më e gjerë sesa kaq”.
    -Në bisedë me ministrin Mujota, ai tha se nuk do ta shihte të pamundur realizimin në terren, pra në praktikë, të mundësisë së përfshirjes së trupave të ushtrisë së Shqipërisë në kontingjentin e KFOR-it. Përse nuk e kërkon Shqipëria një pjesëmarrje të tillë?
    “Në parim nuk ka asgjë të keqe dhe unë them që kjo është diçka shumë normale. Por nuk mund të bëjmë më shumë sesa kaq koment konkretisht dhe kjo mbetet për t’u diskutuar, për t’u parë. Dihet që është një problem që kërkon diskutime jo vetëm midis shqiptarëve, pra shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë, por një diskutim më të gjerë, sepse mendohet që ato do të jenë në kuadrin e KFOR-it. Por, në parim nuk shikoj asgjë të keqe. Ndoshta i vjen puna që të diskutohet dhe të ketë, por tani për tani nuk është shtruar për diskutim, jo se ka ndonjë pengesë”.

    Pra, mendoni se kjo mund të zgjasë në kohë?
    “E thashë, nuk është problem konkret që është shtruar për zgjidhje apo një nevojë që është paraqitur e tillë e ngutshme që, po të jenë shqiptarët atje, do të bëhet shumë më mirë sesa është bërë deri tani. Misioni i KFOR-it ka ecur shumë-shumë mirë, nuk është ndonjë çështje urgjente dhe që është një nevojë shumë e madhe që duhet të jenë shqiptarët që mund të pyetet tani se “përse nuk shtrohet” apo “do të hajë shumë kohë”. Kjo është një çështje që nuk është parë si diçka urgjente, si e ngutshme”.
    -Zoti Starova, gjatë gjithë këtyre viteve, qoftë me Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, qoftë tani që janë Forca e Sigurisë së Kosovës, ka pasur disa raporte të mira, për mundësinë e shitjes së armatimit forcës në Kosovës. Madje, kjo ka ndodhur edhe me presidencën e Xhorxh Bushit në SHBA.

    A është Shqipëria një nga ato vende që mund të ofrojë ndihmë në armatim për Kosovën?
    “Shqipëria në parim mund të ofrojë, përderisa ka municione të tepërta, të cilat nuk mendohet që të shkatërrohen të gjitha. Por, kjo është vetëm në parim si mundësi, ndërsa konkretisht nuk mund të them se është diskutuar diçka për shitje apo për dhurim materialiluftarak për Kosovën”.

    Pra, padyshim nuk mund të flas më shumë për llojin, emërtimin e armatimit…

    “Duhet të dini diçka; këtu nuk bëhet fjalë për fshehje. Tregtia e armëve nuk është sekrete. Sekrete janë tregtitë e armëve që janë të fshehta dhe që bëhen nga qarqet kriminale. Kur bëhet fjalë për tregti armësh, si shitje, mbështetje, dhurime, këto janë krejt të hapura dhe bëhen sipas rregullave ndërkombëtare. Por, në këtë rast nuk kemi diçka të tillë konkrete që mund të jetë shtruar, që është veprimtari kryesore. Por Shqipëria natyrisht që në parim është gjithmonë e gatshme që të ndihmojë, siç ndihmon shtete të tjera që kanë nevojë, në përputhje me interesat e NATO-s, kështu mund të ndihmojë edhe Kosovën nesër. Po, konkretisht unë nuk mund të flas më shumë se kaq, sepse thjesht nuk ka ndonjë aktivitet shumë të madh për këtë gjë”.
    -Qartë, e rëndësishme është që në parim mbetet gatishmëria…
    “Po, sigurisht që në parim mbetet jo vetëm për Kosovën, por për këdo”.

    Por, në parim nuk është kërkuar as nga pala e shqiptarëve të Kosovës?
    “Po, të paktën unë di gjë për të qenë i saktë, sepse gjithmonë duhet të jemi të saktë për të gjitha gjërat. Unë nuk kam dijeni që është kërkuar zyrtarisht për blerje apo për diçka. Ne jemi tre zëvendësministra dhe një ministër, kështu që”…

    Meqenëse jemi te kjo temë. A ka mundësi Shqipëria të përmirësojë arsenalin e saj ushtarak dhe a ka hyrë në bisedime konkrete me shtetet e NATO-s?
    “Shqipëria është në një proces modernizimi të Forcave të Armatosura dhe kjo është e padyshimtë. Para pak kohësh, madje u bë një hap në këtë drejtim, ndërmjet hapave të tjerë që ia vlen t’i përmendim, ka përfunduar tenderi për blerjen e pesë helikopterëve modernë, shumëfunksionalë. Natyrisht do të vazhdojë këtë vit me shumë përpjekje të tjera për modernizimin, blerje pajisjesh të ndryshme që lidhen me logjistikën, me armatimin, me mjetet e ndryshme që i shërbejnë problemeve ushtarake dhe shumë e shumë gjëra. Pra, është përfshirë në një proces modernizmi, jo thjesht sepse e kërkon vetë ushtria shqiptare, por tashmë si vend anëtar i NATO-s ne nuk mund ta përfundojmë këtë çështje vetëm me anëtarësimin “de jure”, por natyrisht që është një proces i gjatë. Reforma vazhdon, Shqipëria natyrisht ka nevojë për pajisje të reja e moderne gjithnjë e më shumë dhe kjo nuk bëhet për një ditë, as për një vit. Kështu që është një nga drejtimet themelore të ushtrisë së re profesioniste që po krijohet në Shqipëri dhe me detyrimet që kemi ndaj NATO-s dhe ndaj vetë Shqipërisë”.

    Menabo 21


    “MEICO”

    Armët, me të cilat Shqipëria bën tregti
    Veç materialeve që Shqipëria eksporton, ka edhe shumë të tilla, që më hyrjen në NATO është e detyrueshme të shkatërrohen. Kështu, kryesisht për t’u shkatërruara janë predha të topave apo mortajave që kanë dalë jashtë qarkullimit dhe nuk shiten më

    Artan CENA
    TIRANË - Armët shqiptare gjenden me shumicë në disa vende të Afrikës dhe në rajone të tjera të botës ku ka konflikte. Shqipëria duket se ka qenë dhe është një nga vendet e preferuara të shoqërive që janë të licencuara për të blerë armatime, qoftë i lehtë apo i rëndë. E autorizuar në vendin tonë, për të shitur materiale luftarake është vetëm një agjenci dhe ajo shtetërore, “MEICO” (Military Export Import Company). Viti 2006 ka qenë një vit rekord i eksportimeve, të armëve nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera. “MEICO” eksporton armë dhe municione që prej 1992, vit në të cili është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Por veç materialeve që Shqipëria eksporton, ka dhe shumë të tilla, që më hyrjen në NATO është e detyrueshme të shkatërrohen. Kështu, kryesisht për t’u shkatërruara janë predha të topave apo mortajave që kanë dalë jashtë qarkullimit dhe nuk shiten më. Gjithashtu vendi ynë, ka shkatërruar ose, i ka shitur për muze të ndryshëm, avionë Mig, 17,19,21, helikopterë, tanke, anije dhe nëndetëse.
    Aktiviteti i “MEICO”-s ka filluar që në vitin 1992. Ngarkesa e parë me granata iu shit më 5 shtator të 1992 Sllovenisë. Më pas janë eksportuar 140.000 granata dhe 450.000 municione kalibër 7.62: ato që “MEICO” sot i shet me 22 dollarë për arkë, 16 vjet më parë u shitën me 90 dollarë për arkë. Pastaj “MEICO” i shiti armë Indonezisë (22 shtator 1993) deri edhe Sudanit (12 tetor 1994). Më 26 qershor 1995 Shqipëria shiti 5 milionë municione, 5000 granata mortajash dhe 500 antitanke Rpg edhe në Afganistan, vetëm një vit para se vendi të binte në duar të talebanëve. Ishte eksporti i fundit për 5 vjet. Biznesi rifilloi në vitin 2000, kur “MEICO” veç furnizimit të koleksionistëve të armëve në Europën Perëndimore, u kap duke i shitur armë Ruandës, vend në embargo. Shteti siguroi se gjithçka ishte bërë sipas rregullave, sepse armët ishin shitur përmes një ndërmarrjeje izraelite që kishte licencë të rregullt, “Verona Commodities”. Konfirmimi që në të vërtetë kishim të bënim me një skandal erdhi në vitet e mëvonshme, kur kjo ndërmarrje u kap duke shitur municione (jo shqiptare) vendeve të botës së tretë, në luftë mes tyre.
    Por Shqipëria dhe “MEICO” nuk bëjnë vetëm eksporte dhe importe. Ndërmarrja shtetërore furnizon me armë dhe materiale të tjera të gjitha llojet e policive në vend, materiale që bëhen në fabrikat e vendit tonë, ose importohen nga vende të tjera, ku gjithçka blihet sipas kontratave të rregullta dhe zyrtare. Kushtet që duhet të plotësojë një subjekt tregtar i huaj që kërkon të importojë apo eksportojë armatime, municione dhe materiale të karakterit ushtarak nga dhe për Republikën e Shqipërisë nëpërmjet “MEICO”-s janë: a) Të jetë subjekt tregtar i regjistruar në një shtet që nuk është nën embargo nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ose konventave të ndryshme ku aderon dhe Republika e Shqipërisë, ku ndalohet import-eksporti i armatimeve, municioneve dhe mallrave të tjera. B) Të ketë licencën për importe të armatimeve, municioneve dhe mallrave të tjera të lëshuar nga autoritetet e vendit të tij. C) Të paraqesë certifikatën e përdoruesit të fundit (End User), dokument të lëshuar nga autoriteti i vendit të tij ku garanton se ky mall do të shkoje në atë vend dhe nuk do të rieksportohet ose tranzitohet.


    Çfarë është MEICO
    MEICO (Military Export Import Company) është ndërmarrje shtetërore në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Kjo ndërmarrje është krijuar në vitin 1991 me vendim të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Ndërmarrjes së Import – Eksportit në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes” dhe që nga ky vit ushtron veprimtarinë dhe aktivitetin e saj për plotësimin e nevojave të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të institucioneve të tjera me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe eksportet mallrave ushtarakë të reja dhe stoqeve të Ushtrisë Shqiptare, si dhe të prodhimeve të industrisë ushtarake. “MEICO” përbëhet nga një staf i specializuar në fushën e importeve dhe eksporteve.


    Armatime
    Ndërmarrjes “MEICO” i janë vënë në dispozicion për shitje kontingjente të ndryshme armësh trofe, stoqe e të reja. Pushkë automatike, mitraloza të lehtë e të rëndë, mortaja, mitraloza kundër ajrorë, topa, etj. “MEICO”ofron edhe armë të lehta e pjesë këmbimi të prodhimit të ri të industrisë shqiptare.


    Municione
    Ndërmarrja “MEICO” zotëron për shitje kontingjente të ndryshme municionesh të tipave dhe kalibrave të ndryshëm, prodhime të reja të industrisë vendase ushtarake dhe stoqe municionesh të vendeve te tjera si:
    Fishek 7.62 mm x 39 AK-47
    Fishek 9 mm x 18 Makarov
    Fishek 9 mm x 19 Parabelum
    Fishek 7.62 mm x 54 R
    Fishek 12.7 mm x 108
    Fishek 14,5 mm x 114
    Predha 60 mm, 82 mm, 107mm, 120mm, 160 mm Mortaje
    Predha 57 mm, 75 mm, 76 mm, 85 mm, 100 mm, 122 mm
    130 mm, 152 mm etj, të artilerisë tokësore, bregdetare dhe k/ajrore.
    Eksplozivë
    Barute, TNT, dinamit, amonite, kapsolla KD8, elektrikë, fitil zjarr përcjellës dhe detonant, fishek zjarre etj.
    Pajisje ushtarake
    Pajisje ushtarake (funksionale ose jo) dhe pjesë këmbimi për to si:
    Avionë Mig 17,19,21. Helikopterë. Tanke. Anije. Nëndetëse
    Logjistike
    Ndërmarrja “MEICO” është interesuar për importin e materialeve logjistike të standardeve të NATO-s. Ushqime. Karburante speciale. Veshje.
    Pajisje për policinë
    Jelek antiplumb
    Xhaketa antiplumb
    Kaska antiplumb
    Mburoja antiplumb për pistoletë dhe Ak-47
    Skafandra policie
    Mburoja policie
    Elektrike individual dhe kolektive policie
    Bllokues rrugësh
    Hekura lidhës metalik
    Lidhëse një përdorimesh plastike
    Shkopinj gome të policisë
    Shpërthyes hidraulik
    Bombola me gaz individuale
    Bombola me gaz për shpërndarjen e turmave
    Granata akustike verbuese
    Granata me gaz CN-CS
    Komplete zhytje
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    03-10-2009
    Vendndodhja
    larg
    Postime
    1,011
    armatim nga shqiperia?!!
    cka me mar ne shqiperi ?nuk dij se a prodhon shqiperia ndonje pushk kualitative te gjuetise,e zotriu flet per armatim?!!!
    Lereni kto "patriotizma" .nese me armatim nuk kuptohet ata kallashnikov dhe municioni i vjetruar kinez.e ne anen tjeter kosova as qe ka para per armatim

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •