Çiftelia humb një mjeshtër
Më 29 dhjetor u nda nga jeta rapsodi i njohur Sali Mani, i cili jetonte në Detroit. Ai ishte 65 vjeç. Sali Mani ishte autori dhe interpretuesi me çifteli i këngëve popullore, ai i këndoi për disa dekada Malësisë, bukurive mahnitëse të kësaj krahine, patriotizmit të shqiptarëve dhe lirisë së Kosovës. Sali Mani e filloi aktivitetin artistik në vendlindjen e tij, Reç, pastaj e vazhdoi atë në Kelmend, Dukagjin dhe Koplik, ku u bë i njohur si artist i merituar. Ai mori pjesë në shumë aktivitete artistike lokale dhe kombëtare, duke e përfaqësuar me dinjitet folklorin e krahinës së Malësisë.
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, në vitet ’90, Sali Mani emigroi me familjen; gruan, vajzën dhe dy djemtë, në Shtetet e Bashkuara. Edhe gjatë viteve që jetoi në emigracion ai mbeti një njeri shumë aktiv dhe patriot, që ia kushtoi artin e tij komunitetit të shqiptarëve të Miçiganit. Një koleg e tij kujton se "në një takim që kisha me artistin e madh e të merituar Sali Mani më tha se këto dy këngë, "Oj Kosovë hej t'u ngjat jeta" si dhe këngën "Moj e mira e bregut Cemit" i kishte krijuar për gjithë natën në hotelin “Grand”, Prishtinë, për arsye se programi ishte ndaluar, dhe atij iu ndalua të këndonte”.
Arkivoli me trupin e artistit merituar Sali Mani është menduar të sillet në atdhe, ku do të prehet në Malësi të Madhe.
05/01/2010
standart
Krijoni Kontakt