A jemi ne shqiptarët, të ligj? Kur po mendoja që të shkruaja për këtë temë, në mendje m’u krijua një kaos, nga struktura e komplikuar dhe polivalenca semantike sociale e termit “i lig”. Aq më e vështirë është pastaj, të gjesh “burimet” dhe shkaqet e ligësisë...

Gëzim TUSHI


(Rreth ontologjisë së ligësisë)…

A jemi ne shqiptarët, të ligj? Kur po mendoja që të shkruaja për këtë temë, në mendje m’u krijua një kaos, nga struktura e komplikuar dhe polivalenca semantike sociale e termit “i lig”. Aq më e vështirë është pastaj, të gjesh “burimet” dhe shkaqet e ligësisë...

Sikur të donim që t’i gjejmë ato në sjelljen, mentalitetin tonë, do të duhet të bëjmë disa “prerje”, me natyrë sociale, psikologjike, historike, antropologjike, politike etj. Domethënë nuk është e lehtë të ndash atë “pjesën e ligësisë”, që është ontologjike dhe antropologjike, që lidhet me natyrën e përgjithshme të njeriut si qenie universale, nga ato arsye “specifike”, që lidhen me rajonin, të kaluarën tonë, terrenin social, të kaluarën qytetareske të kufizuar, si veçoritë e procesit natyral të tranzicionit tonë.

A jemi ne të ligj? Natyrisht nuk mund të themi se jemi “engjëj”, të mburremi dhe të fshehim negacionet tona evidente. Por edhe “djallin” nuk duhet ta bëjmë më të zi se ç’është. Këtu jetojmë. Jemi pranë njëri-tjetrit. Në këtë shoqëri shfaqim mirësinë edhe ligësinë, humanizmin edhe asocialitetin, vlerat dhe antivlerat tona. Të tërë etnopsikologjinë tonë, e cila tani në kushtet e shoqërisë liberale, moderne dhe të individualizuar është bërë vërtetë gjithnjë e më komplekse.

Nuk është vështirë të konstatosh rritjen e “nuancave dhe dozave” të ligësisë së njeriut, madje edhe të “klasifikosh” format pa fund të shfaqjes së tipologjive të saj. Por nuk është e lehtë të “ndash” se sa kjo ndjenjë është “natyrale”, (pra e kondicionuar me faktorët e përgjithshëm bio-psikologjikë, që janë në natyrën e brendshme të njeriut), dhe sa është individuale, (pra e personalizuar apo si dukuri sociale).

Në të vërtetë shoqëria jonë është e shqetësuar, nga një shpërthim kohët e fundit i zgjeruar, i ligësisë në të gjithë poret e saj, për një rritje të numrit të njerëzve që ligësinë po e bëjnë modus viventi, natyrë të dytë të sjelljes në familje, shoqëri, publik e komunitet. Kjo bën që shumë njerëz të bezdisur dhe në gjendje pesimizmi bëjnë përgjithësimin e sforcuar se “ne jemi të ligj”.

Ligësia si dukuri sociale dhe njeriu i lig si tip nuk është gjë e re, e panjohur më parë në shoqërinë tonë. Por në të kaluarën ajo ka qenë “shoqëri me maskë” dhe ligësia mbulohej me dhunë dhe “gjethet” e ideologjisë. Në eterin e gjerë të opinionit publik shqiptar të ditëve tona, qarkullon lirshëm dhe e ekzagjeruar ideja, sipas së cilës ligësia, smira, amoraliteti, antihumanizmi, sadizmi dhe nuanca të tjera akoma më të holla të ligësisë, janë përhapur në përmasa epidemike, duke u kthyer në një “alarm social” të vërtetë për shoqërinë tonë.

Sipas mendimit tim, duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë dhe ndajmë, “ligjësinë” nga “deformimi social”, duke e vlerësuar këtë dukuri me sens mase dhe emrin e vërtetë. Zgjerimi i ligësisë në format e tij banale dhe të stërholluara, si egoizëm, ambicie, zili personale, etj., është realitet, por sipas meje është brenda “ligjësive sociale” të shoqërisë bashkëkohore, e cila universalisht, sa më moderne të bëhet, aq më shumë e varfër shfaqet shpirtërisht.

Po pse po ndodh kjo gjë, pse po rriten dozat e ligësisë, ambicies patologjike, egoizmit pa cak në shoqërinë shqiptare ? Sipas meje, ligësia është një nga dukuritë e shumta, që tregon se shoqërisë tonë tashmë i ka ndryshuar radikalisht “baza morale” e saj. Nëse do të duhet të themi se përse shoqëria dhe njerëzit tanë po bëhen të ligj, do të preferoja që në mënyrë sintetike t’i përgjigjem me fjalët e filozofit gjermano-amerikan të ditëve tona, Emitai Etzioni, sipas të cilit shoqëria moderne “po bëhet gjithnjë e më egocentrike nga lakmia, interesat partikulare, pretendimet turinj-ftohta”.

Në fakt shqetësimi i përhapjes së ligësisë, nuk është më “dukuri nacionale” që ka prekur shoqërinë tonë, nga e cila të tjerët janë të “imunizuar”. Nuk ka pse të çuditemi. Ne jemi të detyruar të bashkëjetojmë në një “epokë të re shpirtërore”, që ndryshon me shpejtësi të pakrahasueshme me shoqëritë tona të së kaluarës. Këtë duhet ta vlerësojmë kur analizojmë dukurinë empirike të shfaqjes së “ligësisë njerëzore” në shoqërinë tonë. Sepse jetojmë në një shoqëri “post-moderne” apo “supermoderne, quaje si të duash, e cila ka rregulla, parametra dhe dukuri të ngjashme. Nëse disa njerëz po bëhen të ligj, apo nëse ligësia po bëhet një nga format apo mënyrat e të jetuarit, ajo është sa e lidhur me natyrën e njeriut po aq sa dhe me natyrën e shoqërisë. Ndjenjat njerëzore përgjithësisht janë në korrelacion dhe të kondicionuara nga shoqëria dhe imperativat kohorë.

Në shoqërinë tonë shumë vlera janë vjetruar apo tjetërsuar, kanë humbur kuptimin, janë relativizuar, në funksion të synimeve pragmatiste të njeriut të ditëve tona, që është bërë materialist, utilitarist, individualist, egoist dhe egocentrist... Në këtë sfond social duhet të gjykojmë veten, nëse “jemi të ligj” dhe sa të tillë jemi...

Nuk besoj dhe nuk mund të jem dakord me idenë arbitrarisht përgjithësuese se ne shqiptarët qenkemi më të ligj se të tjerët, apo se në psikologjinë tonë sociale nacionale, ka ndonjë “defekt” të lindur apo të trashëguar, që gjeneron ligësi të veçantë, sui generis.

Antropologjia, psikologjia dhe shkencat sociale tregojnë se çdo popull ka të mirat dhe “defektet” etnopsikologjike. Mirëpo është e vështirë të njihen dhe akoma më vështirë të pranohen publikisht. Në këtë kontekst, edhe ne, si çdo popull tjetër, kemi “vlerat” dhe “negacionet”, të cilat së bashku formojnë parametrat me të cilat shfaqet qytetaria moderne në shoqërinë tonë, në të cilën ka më pak vend për humanizëm, solidaritet, altruizëm dhe abnegacion. Gjithnjë e më shumë njerëzit tanë po shfaqen në jetën personale egoist, individualist, narcist, sadist, asocial, të vetëmjaftueshëm, agresiv, etj., etj.

Natyrisht ne jetojmë në këtë botë dhe i bindemi imperativave të shoqërisë moderne. Çështja që mund të shtrohet është se në ç’forma dhe me çfarë intensiteti shfaqet ligësia në shoqërinë tone, sa dominante është ajo në personalitetin dhe komportimin social?

Ontologjia e “ligësisë” sonë është adekuate me deformimet që po merr shoqëria, e cila sa më liberale dhe individualiste bëhet, sa më e ashpër dhe konkurrenciale shfaqet, aq më shumë terren krijon për njeriun egoist, materialist, utilitarist, pragmatist me synime të personalizuara. Ligësia është subjektive dhe e personalizuar.

Në këtë kontekst njerëzit e ligj po i shtohen shoqërisë sonë, nga që po hollohet humanizmi, solidariteti, miqësia dhe fqinjësia. Njeriu sa më i “ftohtë” të jetë, aq më i lig do të bëhet. Por “njeriu i lig” është “yni”, është pjesë e shoqërisë, në një farë mënyre produkt i saj. Kështu që të mos merremi vetëm me njeriun e lig të individualizuar duke anashkaluar shkaqet sociale. Nëse shoqëria bëhet e ligë, edhe njeriu është pjesë e këtij organizimi.

Njeriu tek ne po bëhet i “lig”, jo vetëm se gara për sukses, para, famë, progres po bëhet gjithnjë e më e ngushtë, por dhe për faktin se njeriu është duke u bërë “qenie e mbyllur”, e izoluar, që intrigon gjithë natën dhe ditën me veten e tij, si të gjejë rrugët për të plotësuar me makiavelizëm qëllimet personale, pavarësisht mjeteve që përdor.

Ligësia është bërë sindromë sociale masive, që ka filluar të kap nga parashkollorët e kopshteve deri tek klasa politike... Në njëfarë mënyre, për fat të keq, ajo po bëhet për shumë njerëz “limfë”, po përhapet si “ rrënjët e krisjes” në çdo grup social dhe individ. Sipas meje, sa më e vogël të bëhet “bërthama sociale” e njeriut, aq më pak human do të jetë, aq më shumë i lig do të shfaqet në jetë.

Të kuptohemi, i lig nuk është ai që ka synime personale të maksimalizuara, qoftë edhe me natyrë egoiste, por ai që pengon të tjerët, ai që ndërton “lumturinë” e tij mbi fatkeqësinë e tjetrit, që e ngre pasurinë mbi vjedhjen, korrupsionin, shfrytëzimin e punës dhe grabitjen e pasurisë së tjetrit. Unë nuk jam në gjendje që ta përcaktoj deri në fund korrelacionin e njeriut dhe të shoqërisë tonë me “ligësinë”.

Është një dilemë që më shqetëson: është njeriu ynë i lig dhe shoqëria e mirë, apo anasjelltas. Akoma më tej, është njeriu që po prish shoqërinë, apo është shoqëria që po e bën njeriun të lig?... Që në fillimin e qytetërimit modern, filozofët e mëdhenj të iluminizmit ishin pesimistë, ngaqë “diktuan” ligësitë e njeriut. Kanti e quajti njeriun “dru të shtrembër”, me të cilin nuk mund të bësh asgjë të mirë…

SONDAZHI

1. Ju ka qëlluar në dy ditët e fundit t’i thoni vetes: Nuk veprova mirë, u tregova i/ e ligë apo i/e keq(e)? (po/jo)

73 - Po

27 - Jo

2. Keni ndjerë zili apo inat kur keni parë që fqinji blen një makinë më të bukur se juaja, rikonstrukton shtëpinë, apo merrni vesh që ka blerë një shtëpi në bregdet? (po/ jo)

38 - Po

62 - Jo

3. Jeni dakord me moralin e asaj fabulës, që shqiptari më shumë dëshiron prishjen e arritjes së tjetrit se diçka për vete? (po/ jo)

Në fletën e sondazhit u shkruajt kjo anekdotë:

“Dy shqiptarë takuan një xhind dhe ky u premtoi t’u plotësonte nga një dëshirë secilit. Shqiptari i parë i tha:- Unë dua një shtëpi të madhe. Dhe dëshira u plotësua.- Po ti tjetri, çfarë dëshire ke?- pyeti xhindi të dytin.- Unë...? Po ja, prishja atë shtëpinë atij!

54 - po

46 - jo

4. Aktualisht urreni apo keni zili dikë për shkak të gjendjes së mirë ekonomike, apo pozicionit social? (po/ jo)

33 - Po

67 - Jo

Hipokritë apo thjesht konfuzë?

Elona Demollari

Në sondazhin e kësaj jave, e patëm shumë të vështirë të nxirrnim përfundime. Megjithëse, të intervistuarve tanë, kur u japim fletën e sondazhit të Fundjavës së Shekullit, u përsërisim disa herë, që nuk ka nevojë të shënojnë as emër, as mbiemër dhe se sondazhi është anonim, sërish, pyetjet e kësaj here, i vunë shumicën e të anketuarve, në pozitë të vështirë.

E patën të vështirë të pranonin (qoftë edhe përpara një njeriu të vetëm, që jam unë, anketuesja) se ndihen të ligj dhe ziliqarë? Apo, thjesht, jemi të dyzuar dhe konfuz mbi këtë pjesë të personalitetit tonë?

Rezultatet e sondazhit në fakt janë interesante për t’u analizuar. Shumica e 100 të pyeturve të kësaj jave, pyetjes nëse “u ka qëlluar në dy ditët e fundit t’i thonë vetes: Nuk veprova mirë, u tregova i/e ligë ?“, i përgjigjen pa hezitim “Po”.

Por situata ndryshon menjëherë në pyetjet e tjera. Të vënë në mënyrë shumë më të drejtpërdrejtë në provë lidhur me këtë ndjenjë të sikletshme dhe stresuese, shumë nga të anketuarit tanë, anuan nga e kundërta.

Kjo ka bërë që brenda vetë sondazhit të ketë një paradoks, mes pyetjes së parë dhe pyetjeve të mëpasme. Megjithëse shumica pranojnë që ndiejnë një lloj ligësie në formë zilie apo keqdashje (madje ndjenja ka qenë e pranishme në vijimësi, pra edhe në 48 orët e fundit), kur vjen puna tek përgjigjet lidhur me zilinë e drejtpërdrejt për blerje apo përmirësim të pozitës financiare të fqinjit, etj., “Jo”-ja mbizotëron.

Preferuam ta përcjellim në mënyrë të ndershme për lexuesit tanë këtë rezultat. Gjykoni vetë nëse jemi hipokritë apo thjesht konfuzë.

***

Një nga të pyeturit tanë, student i Inxhinierisë së Ndërtimit, i anketuar në një lokal të rinjsh, thotë se “ne shqiptarët e kemi ende të vështirë të pranojmë gjendjen në të cilën ndodhemi. Mendoj se shumë prej nesh, e kanë të vështirë të pranojnë që thjesht janë të varfër. Më keq akoma ndjehemi kur shohim një të njohurin tonë që punët i ecin shumë mirë…”.

Interesant na u duk edhe mendimi i një të intervistuare vajzë, viti i fundit në një nga kolegjet me emër të Tiranës: “Nuk e fsheh, e kam zili dikë që është mirë ekonomikisht dhe në pozicionin e tij të punës, por nuk dëshiroj t’i ndodhë diçka e keqe. Zilinë që kemi më mirë ta përdorim si armë për të arritur diçka po aq të mirë dhe për veten tonë. Këta njerëz që kanë arritur më shumë nga ne, le t’i marrim si shembuj për t’u ndjekur. Gjithmonë e kam fjalën për ata që kanë më shumë, sepse kanë punuar më shumë…”.

E megjithatë mendimet nuk janë vetëm të këtij lloji dhe të arsyetuara në këtë mënyrë. Një pjesë e madhe pranojnë se kanë zili, sepse mendojnë “Ai/ajo nuk më duket më i mirë se unë, pse duhet të ketë më shumë?”.


--------------------------------------------------------------

Si t’ia bëjmë kur zilia na merr frymën...?


Lorena Shalari*

Zilia është ndër ato emocione të cilat konsiderohen negative. Bazuar në sondazhin e mësipërm, në kontekstin e shoqërisë shqiptare do të thoja që ky sondazh, deri diku me objektivin e deduktimit të emocioneve të zilisë, mund të konsiderohet dhe tendencioz. Duhet ngritur edhe pyetja: Sa ai në fakt është sugjerues i këtyre emocioneve?

Përgjigjet e nxjerra prej tij janë vërtet ashtu si thoni ju, paradoksale. Dhe në fakt, ne sot jetojmë në një vend paradoksesh: një bashkëjetesë sy më sy e atyre që shpenzojnë shuma të mëdha ditore (lëvizin me makina shumë të shtrenjta, vishen “firmato“, hanë në restorante luksi), me të tjerë që mendojnë dhe stresohen si të kalojnë vaktin. Kontrastet e dukshme, kur bashkëjetojnë me pasigurinë sociale dhe ekonomike janë faktorë favorizues për formimin dhe nxjerrjen në pah të kompleskeve, si “ligësia“ apo “zilia“. Duke e parë në këtë aspekt, mund të pranojmë se shqiptarët nuk janë më të ligj apo më të mirë se të tjerët, por janë “më të favorizuar“ për të krijuar këto ndjenja.

Po kjo duhet përligjur deri diku? Ky emocion bëhet i pamenaxhueshëm, apo një kërcënim patologjik?

Sigurisht nëse mendon se nuk është mirë që mendon ashtu për tjetrin dhe e shtyp këtë ndjenjë, ajo nuk do të largohet, mbetet aty dhe në rastet më të këqija do të rishfaqet në formën e depresioneve, anktheve, panikut apo çrregullimeve të ushqimit. Zilia është ndjenjë dhimbjeje që kërcënon mirëqenien e individit, vetëvlerësimin e tij.

Çfarë duhet bërë? Kushtoji pak vëmendje kësaj ndjenje dhe mendo:

- Çfarë ndien? Pse? Që kur filloi kjo ndjenjë? A të ka ndodhur edhe më parë? Çfarë të tregon ky sinjal ty tani, çfarë duhet të bësh?

Ajo çka këshillohet të bëhet është TË FLASËSH rreth kësaj! Mund të flasësh me psikologun, apo qoftë edhe me atë person që ty të kupton më së miri. Mundohu që të mos konsumohesh nga kjo ndjenjë, por nxirr motivin pozitiv, nga një emocion negativ. Dikur do të ndihesh më i plotë dhe i relaksuar.

*Autorja është diplomuar për Psikologji Klinike