Konsiderohet si një prej vlerave më të rralla të etnografisë shqiptare. Bëhet fjalë për kostumin "lunxhe", i cili është konsideruar si shprehje e urtësisë, fisnikërisë dhe mençurisë lunxhiote në breza. është një nga perlat e krahinës së Lunxhërisë i cili,

"Lunxhe" Kostumi i rrallë i Lunxhërisë

Engjell Serjani

Një nga vlerat më të rralla të etnografisë shqiptare, që ka arritur të mbërrijë deri në ditët tona në pamjen e saj më origjinale, është pa dyshim kostumi i vajzave dhe nuseve të Lunxhërisë. Vendasit e quajnë këtë veshje të rrallë "lunxhe", që do të thotë se i përket tërësisht kësaj krahine që ndodhet në shpatet e malit të Lunxhërisë, përballë qytetit të Gjirokastrës dhe që në gjirin e saj mban si relike të lashtësisë qytetin antik të Antigonesë. Se ç‘lidhje mund të ketë kostumi i lashtë i vajzave dhe nuseve lunxhiote me Antigonën, gruan e parë të Mbretit të Epirit, Pirros, dhe vetë qytetin e lashtë të Antigonesë që ai ndërtoi si përkushtim dhe nderim të saj, kjo është një gjë që nuk na përket mua dhe mikut tim, Roland Tasho, që morëm rrugën dhe u nisëm një ditë për të kërkuar një kopje të këtij kostumi të rrallë në një nga fshatrat e Lunxhërisë. Me ndihmën e kryetarit të Komunës së Lunxhërisë, Ilia Kurros, morëm një informacion se një prej 30 apo 40 kostumeve origjinale që ende janë në qarkullim dhe përdoren ndodhej në fshatin Këllëz. Veshja lunxhiote, thoshin të parët e Lunxhit, "është cohë, kadife dhe fermele".

Te porta e Ritës në Këllëz

Në një sepete të vjetër në shtëpinë e 68-vjeçares, Margarita Leka, (Liti) në fshatin Këllëz të krahinës së Lunxhërisë, mbështjellë me një kujdes të pazakontë qëndron i fshehur një nga ato kostumet e rralla që sikurse thamë më lart vendasit e quajnë "lunxhe". Është e vështirë për Ritën e Leken që ta ekspozojë këtë kostum. "Do një sahat ta kërresh dhe di sahat ta vësh prapë në sepete", na thotë Rita në portë të shtëpisë së saj. Megjithatë ne, unë dhe fotografi Roland Tasho, të ndodhur në një kryqëzim sokakësh me kalldrëm të vjetër guri, kishim atë ditë privilegjin e madh e të rrallë që, jo vetëm ta shikonim e ta preknim veshjen "lunxhe" nga afër, por që ta shikonim atë bukuri dhe finesë lunxhiote të veshur e stolisur nga një "modele" e vërtetë, një vajzë Lunxhi si yll që ishte mbesa e Ritës. Te porta me qemer, sofate, hapëse dhe takëme të vjetra e Tase dhe Foto Liti, pozon për Landin e veshur me kostum "lunxhe" Lefteria, vajza e Liljana Peçit dhe mbesa e Ritës. Lefteria është 15 vjeçe, në vitin e parë gjimnaz. Nuk e fsheh gëzimin. Do të veshë kostumin e rrallë dhe do të pozojë për një fotograf të vërtetë. Veshja "lunxhe" në trupin e saj qe "stisur e stolisur" si rrallëherë. Tasho, i mahnitur nga pamja, nis të fotografojë kostumin e rrallë, duke i kërkuar vajzës të pozonte sa në një portë, në krua, odë e avlli sa në një fshat të Lunxhit në tjetrin.

Një rrëfim për kostumin "lunxhe"

Qysh në vështrim të parë të kostumit, më erdhën në mendje vargjet e një kënge që m‘i kishte thënë i ndjeri Mina Koçi, një nga mbledhësit e folklorit lunxhiot që ka disa muaj që është ndarë nga jeta. "Lunxhiotët goxha malldarë/florinë s‘dinë ta mbajnë/e bën cohë e kanavadhë", më thoshte Minai kur flisnim për këtë kostum të rrallë. Në të gjitha pjesët kryesore përbërëse të këtij kostumi tradicional lunxhiot, të prerë, qepur dhe qëndisur para më shumë se 100 vjetësh, në pjesët e përparme, në kësulën që vendoset në kokë më xhufka dhe pesë rrathë floriri, në gjerdanin me tri radhë floriri që vendoset në pjesën e gjoksit, në çengelet që vendosen në formë brezi përreth belit, në mëngoret dhe pjesët e tjera, të qëndisurat me ngjyra e motive të ndryshme, rrëfejnë gjurmët e një arti të mahnitshëm. Tregimi i Margaritës për kostumin e vjetër, është me të vërtetë interesat. "Kostumin e gjeta këtu në Lekaj kur u martova para 50 vjetësh. Për herë të parë e gjeta te vjehrra ime, Harikli Leka. Këtë kostum kam veshur unë kur u martova, këtë kishte veshur edhe vjehrra ime që ka 25 vjet vdekur. Kushedi kur është prerë e qepur, 50 vjet të miat dhe 50 vjet të vjehrrës, u bënë 100, por ndoshta është edhe më shumë se kaq", tregon ajo duke shtuar se "lunxhet" nuk i qepte dot do kushdo! "Ato qepeshin tek ustallarë të gjilpërës, në Gjirokastër dhe në Stamboll. Nuk bëhen dot kuturu! Duan ustallëk të madh", vijon më tej.

Kujdes i veçantë për pastrim

Nuk kishin dhe nuk kanë të gjithë të tillë kostumi. Vetëm familjet e kamura kishin. Ata i bënin dhe i mbanin. Ky ishte kostum paje dhe qëkur është qepur nga ustai, e deri më sot nuk është larë asnjëherë me ujë. Se "lunxhet" nuk lahen kurrë, kërkojnë shumë kujdes. Këto kostumet që janë të vjetra dhe origjinale i ruajmë si sitë e ballit, të fshehura e të mbështjella në sunduqe e sepete", rrëfen Rita e Leka. Janë kostume që nuk bëhen më, sepse nuk gjenden copat, as penjtë, as florinjtë e as ustallarët që dinin si t‘i realizonin ato. "Me këtë kostum, thotë Margarita, kam dalë në tri festivale në kalanë e Gjirokastrës, në 1973, në 1978 dhe kur ka ardhur në Këllëz për filmin "Dasma Lunxhiote", profesor Ramazan Bogdani. Ma kanë kërkuar ta blejnë, por nuk e kam shitur. Shite! - më tha një herë babai (vjehrri). Jo, i thashë, nuk e shes! Nuk kam për ta shitur kurrë", shprehet ajo. Më pas, nga sepetja e saj dalin ca fotografi të vjetra, bardhezi ku duken Margarita me të kunatën, Marien, që kanë dalë të veshura me këtë kostum që sot e mban të veshur mbesa e tyre, Lefteria.

Detajet, joshëse dhe të paimitueshme

Veshja tradicionale e vajzave dhe nuseve të krahinës së Lunxhërisë është nga më të larmishmet në formë, në ngjyrë, në teknikat e qepjes dhe qëndisjes dhe sidomos në mënyrën e veshjes. Monumentaliteti i saj dallon sidomos te çengelet, një brez që sot është mjaft e vështirë për ta përshkuar për punimet e rralla me fije argjendi, pulla e sumbulla. Të ngjan sikur brezat që vendosin në mes dhe përdorin sot si stoli boksierët para ringut janë një imitim i keq i çengeleve të kostumit "lunxhe". I mrekulluar nga kostumi i rrallë, fotografi Roland Tasho realizoi në Këllëz, Dhoksat e Qesorat të Lunxhërisë një mori fotografish profesionale dhe mjaft cilësore. Për të marrë një foto të vajzës së veshur me "lunxhe" në një sfond origjinal baritor, Landi shkoi larg, deri në Rigana një vend i bukur me lëndina dhe korie lisash dhe rrepash poshtë Këllëzit ku ndodheshin kopetë e dhive dhe deleve të fshatit. I favorizuar së tepërmi, nga dita e bukur e me diell e Lunxhit, nga bukuria e modeles Lefteri, nga krojet, portat, sokakët, çatitë dhe sarajet qindra mijëravjeçare të këtyre fshatrave, nga peizazhi baritor dhe natyrisht edhe nga gatishmëria e miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, kryetari i komunës, Ilia Kurro, shoferi Pirro dhe pjesëtarët e familjeve kllëziote Leka, Liti dhe Peçi, ai realizoi një set të jashtëzakonshëm fotografish, duke tejkaluar të gjitha parashikimet. "Kam realizuar sot qindra fotografi, të bukura dhe cilësore", thotë Rolandi. I rrethuar nga bukuritë e natyrës dhe mikpritja e njeriut lunxhiot, artisti e mbylli aparatin e tij duke thënë se kostumi i rrallë "lunxhe", është produkt dhe shprehje e urtësisë, fisnikërisë dhe mençurisë lunxhiote në breza.

Shqip