Postuar më parë nga
Albo
Lufta II Botërore në Shqipëri në syrin e ushtrisë gjermane
Artan Lame
Në fund të nëntorit 1944 gjermanët u tërhoqën përfundimisht nga Shqipëria dhe vazhduan tërheqjen drejt Veriut të Ballkanit. Ashtu siç kishin vepruar dhe në vende të tjera, në të cilat pushtimi ishte mbyllur, si për shembull në rastin e Greqisë, Komanda e Trupave Gjermane përpiloi një raport drejtuar Ministrisë së Jashtme të Rajhut të Tretë rreth ecurisë së periudhës dyvjetore të pushtimit dhe konkluzioneve të tij. Ky raport, i përkthyer në shqip që në vitet ’60, ka fjetur përreth 40 vjet në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe po sheh për herë të parë dritën e botimit.
Fjala është për një analizë të hollësishme të situatës së brendshme shqiptare gjatë kohës së pushtimit, rrymat politike, marrëdhëniet e ushtrisë gjermane me faktorët relevantë të shoqërisë shqiptare, luftimet e zhvilluara gjatë vitit 1944 dhe forcat e përfshira në teatrin e luftës në vendin tonë. Sot ne po e botojmë për herë të parë, në dy numra, këtë material autentik, i cili hedh dritë mbi luftën në vendin tonë nga një këndvështrim krejt i veçantë. Ai i armikut, për të përdorur emërtimin tradicional të asaj që ishte në atë kohë fuqia më e madhe ushtarake e botës.
Zhvillimi i gjendjes ushtarake në Shqipëri në vjeshtë të vitit 1944
Ushtarakisht, Shqipëria dhe Mali i Zi u siguruan nga Korparmata e 21-të malore. Si e tillë, në fillim të tërheqjes, Korparmata u dobësua sepse mjaft njësi të forta luftimi u larguan për në fronte të tjera. Ndërsa si numër, në këtë kohë, ajo pati një rritje të madhe prej njësive që ktheheshin nga Greqia dhe pritjes në radhët e saj të reparteve të aviacionit dhe marinës që kishin mbetur në vend. Pra, krejt efektivi i trupave që ishin nën udhëheqjen e komandës së Korparmatës së 21-të malore dhe që filluan të tërhiqen nga Shqipëria, arriti një numër prej 65 mijë njerëz. Megjithatë, ky numër nuk jep një ide të qartë të efektivit të vërtetë të trupave. Mjaft reparte që ishin duke marshuar, pjesa më e madhe e të cilave përbëheshin nga njerëz të moshave të kaluara, të armatosur keq dhe pa përvojë lufte, kishin pak vlerë ushtarake. Pesha më e rëndë gjatë luftës në tërheqje iu ngarkua, thuajse krejtësisht, reparteve të infanterisë së korpusit që ishin të dobëta si numër.
Situata ushtarake në mes të tetorit 1944, kur filloi marshimi i vërtetë, ishte kjo:
Shqipëria e Jugut, deri në linjën Kavajë-Berat, ishte boshatisur. Njësitë që vinin nga Greqia marshonin në rrugën Florina-Korçë-Strugë dhe repartet e para kishin arritur në Shqipëri. Këtu u mbajt akoma Struga: rruga Strugë-Elbasan-Peqin-Kavajë-Durrës, u sigurua relativisht, për arsye të lëvizjeve të shumta që bëjnë trupat aktualisht. Po kështu edhe rruga bregdetare, – megjithëse rrethohej vazhdimisht nga bandat (kështu konsiderohen në tekst njësitë partizane) dhe bombardimet ajrore, – mund të përshkohej, duke u siguruar nga patrullimet e rregullta. Linja Elbasan-Tiranë mbeti në duar të bandave; rruga Tiranë-Vorë, rruga e tërheqjes nga Tirana në bregdet, ishte pjesërisht e okupuar nga armiku.
Shtabi i T.D 297 në Tiranë siguroi tokën (vendin). Për strukturën shtetërore shqiptare ky zhvillim kishte tradicionalisht një rëndësi të madhe, pasi mungesa e sigurisë ka pasur influencën (efekte) më shkatërruese në të shkuarën. Administrata e mbretit Zog, e cila në formë gjysmë-europiane, gjysmë-orientale, kishte garantuar në fund të fundit qetësinë, rendin dhe sigurimin në këtë vend klasik të konflikteve (armiqësive) të brendshme të përjetshme dhe të bandave vjedhëse, do të zëvendësohej nga struktura dhe persona plotësisht të paaftë, të cilët më vonë rezultuan të pazotët për asnjë punë.
Bandat nën sundimin italian
Në qoftë se politika italiane do të ishte treguar më shkatërrimtare të trajtimin e gjendjes së Shqipërisë, banditizmi do të ishte përhapur në mënyrë edhe më të rrufeshme. Pasi italianët nuk qenë në gjendje, apo nuk deshën, me gjithë potencialin e tyre ushtarak, t’u jepnin fund trazirave dhe çrregullimeve, ata dolën para botës me justifikimin se bandat ishin shndërruar në komunistë. Ky qe një gabim i madh që influencoi fillimin e luftimeve nga ana e bandave. Në fillim bandat kishin në gjirin e tyre luftëtarë të rezistencës kundër okupimit italian. Më pas në to nisën të penetrojnë frymëzimet komuniste, të cilat i shtynë (ose u bënë presione) luftëtarët e bandave që të hidhnin sytë drejt sovjetikëve.
Përjashtimi i vëzhguesve të huaj
Meqenëse italianët ditën ta maskonin nga sytë e botës një vend të panjohur si Shqipëria, politika gjermane i shikoi çështjet shqiptare shpeshherë me syzet italiane. Gjatë okupimit të vendit ajo u nis nga fakti se aty do të gjente një organizim shtetëror deri diku të fortë, si në kohën e Zogut, situatë e cila në disa pjesë të vendit kontrollohej edhe nga bandat sovjetike.
Vlerësimi i gabuar i Shqipërisë
Një gabim tjetër i politikës gjermane ishte nënvlerësimi i forcave dhe rrymave të brendshme politike që ekzistonin me të vërtetë dhe që mbështeteshin thuajse krejtësisht në kastën e çifligarëve e bejlerëve. Kjo është e kuptueshme në momentin kur kjo klasë do të paraqitej natyrshëm si armike e rrymave komuniste, që në atë kohë nuk ekzistonin, ndërkohë që të pasurit duheshin konsideruar si miq të Gjermanisë. Kjo shtresë e kishte të lehtë të komunikonte me gjermanët. Ata ishin të kulturuar dhe njihnin gjuhë të huaja. Por kjo solli që shtresa popullore dhe nënrrymat që ekzistonin brenda saj, të mbeteshin jashtë vëmendjes gjermane. Me ata ishte shumë e vështirë të komunikohej, kryesisht për arsye gjuhësore. Nuk kishte as dhjetë gjermanë në ushtrinë pushtuese që të dinin shqip.
Afiniteti me të mëdhenjtë e vendit u arrit shpejt dhe në kushtet kur ata besonin te fuqia e Gjermanisë për të mbrojtur pronat dhe pasuritë e tyre mesjetare. Në këtë marrëdhënie ndikuan me shumë marifet konspiratorët komunistë. Në kundërshtim me gjermanët, të cilët mbajtën marrëdhënie me shtresat e pasura, ata iu drejtuan shtresave të varfra, duke e rritur influencën e tyre në këtë pjesë të popullsisë.
Influenca e politikës islame
Politika islame e Rajhut të Tretë duhet të ishte më tërheqëse, duke marrë parasysh se i kishte vënë vetes si qëllim krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Këtu futet edhe qëndrimi ndaj Turqisë. Në këto kushte, me pushtimin e Shqipërisë, lidhjet duheshin vendosur sa më parë me qeverinë shqiptare, deri në njohjen definitive të shtetit shqiptar si një entitet i pavarur dhe neutral.
Qeveria e Shqipërisë, Këshilli i Regjencës, Parlamenti
Me zgjerimin e organeve shtetërore do të krijohej një ekzekutiv, në kuptimin e plotë të termit. Përballë do t’i qëndronte Këshilli i Regjencës, si bartës i funksionit presidencial, si dhe Parlamenti. Pra, do të aplikoheshin forma thjesht demokratike, gjë që në periudhën e mëvonshme nuk ndikoi në mënyrë të favorshme. U vu re për shembull përplasja dhe loja kontradiktore mes organeve kryesore. Pastaj u pa se aspiratave gjermane u mungonte një organ përgjegjës shqiptar, me autoritetin dhe kapacitetin që të plotësonte kërkesat dhe dëshirat gjermane në vend. Nëse merren në konsideratë qeveritë gjatë pushtimit gjerman, asnjëra prej tyre s’ka qenë e denjë si për vendin, ashtu edhe për Gjermaninë. Vetëm disa personalitete të veçuara përpiqeshin të jepnin ndonjë kontribut.
Politikanët shqiptarë – Frashërllinjtë
Në këtë aspekt mund të përmenden në radhë të parë kryetari i Këshillit të Regjencës, Mehdi Frashëri dhe djali i tij Vehbi Frashëri, të cilët ditën të qëndrojnë deri në fund brenda lojës politike, falë shkathtësisë dhe influencës që kishin në Shqipëri. Me gjithë qëndrimin e tyre shumë korrekt ndaj Gjermanisë, ata mbajtën kontakte të ndryshme dhe të vazhdueshme me fuqitë perëndimore përmes Ankarasë. Ndërsa me qarqet komuniste, as kërkuan dhe as gjetën ndonjë lidhje. Ky qëndrim me vlera u faktua edhe nga vendimi i tyre për të kundërshtuar deri në fund transportimin e tyre me avion drejt Gjermanisë. Kjo sepse ata besonin në një zbarkim anglez në Shqipëri, që u ishte premtuar vazhdimisht. Dhe kur kjo nuk ndodhi, ata u detyruan të tërhiqen para avancimit të komunistëve, duke marshuar më këmbë, bashkë me forcat e tjera gjermane. Në vijim u mundësua që Mehdi Frashëri, së bashku me gruan e tij, të transportohen nga Podgorica me një avion ushtarak gjerman.
Ministri Ago Agai
Përkrah këtyre personaliteteve, deri në mesin e verës 1944, qëndronin në mbështetje të politikës gjermane edhe ministrat Xhaferr Deva dhe Ago Agai, të dy kosovarë. Si ministër Ekonomie, Ago Agai u dëshmua një njeri me shumë vlera, por pak teorik dhe larg çështjeve praktike. Kurse ministri i Brendshëm, Xhaferr Deva, dispononte më tepër forcë dhe energji nga ç’ishte e nevojshme, për të qenë një element i vërtetë me vlerë i politikës gjermane në Shqipëri. Duke pasur parasysh se çdo qeveri, pa fuqi ekzekutive, është e destinuar të dështojë dhe se në Shqipëri duhet qeverisur me grusht të hekurt, Deva krijoi një gardë personale kosovarësh dhe e solli në Tiranë. Këta malësorë gjysmë të egër ushtruan një arbitraritet të dukshëm në Tiranë, sipas konceptit të njohur europian. Por, në fund të fundit, ata i dhanë qeverisë autoritetin që i mungonte. Prandaj tingëllon si një qëndrim jo pozitiv i organeve gjermane fakti që ato u ngritën kundër grupit kosovar në fillim të vitit 1944. Meqenëse shqiptarët janë shumë të ndjeshëm në problemet e përkatësisë fisnore dhe nënrrymave sociale brenda vendit, të gjithë kundërshtarët e Devës krijuan përshtypjen gradualisht se ai nuk do të mbështetej në mënyrë të pakushtëzuar nga gjermanët. Veç kësaj, si shqiptar verior (kosovar), ai nuk kishte gjetur ndonjë mbështetje kushedi çfarë në Shqipërinë e Vjetër. Sjellja e tij e ashpër nuk iu përshtat fare shqiptarit të mesëm, i cili nga natyra e urrente rregullin dhe parimet shtetërore. Prandaj, gjatë pranverës dhe verës së vitit 1944, armiqtë e hapur dhe të fshehtë të Devës morën kurajë. Kështu u zhduk figura më me vlerë e lojës gjermane të shahut në Shqipëri. Pati një përpjekje të Devës për të krijuar në vendin e tij një lëvizje popullore pro gjermane për shkak të zhvillimeve negative të momentit.
Kryeministri Biçaku
Në fund është për t’u përmendur edhe kryeministri i fundit Biçaku, personalisht mik i mirë i Gjermanisë, por krejt i paaftë politikisht dhe pa instinktet e duhura të politikanit. Me gjithë paralajmërimet e gjermanëve, ai qëndroi në Shqipëri dhe u vra prej komunistëve.
Parlamenti
Parlamenti nuk ushtroi influencë të dukshme në fatet e vendit. Ky institucion bëri vetëm disa ndërhyrje të pjesshme, duke prishur më shumë sesa duke ndrequr punë.
Partitë shqiptare
Forcat politike shqiptare ndikuan pak në zhvillimet e politikës së brendshme të vendit.
Nacionalistët
Nacionalistët shqiptarë ishin një koleksion, në të cilin përmblidheshin elemente të nuancave të ndryshme brenda qeverisjes. Pjesa më e madhe ishin miq të gjermanëve. Ata nuk mundën asnjëherë të krijonin një bashkim organizativ të qëndrueshëm. Prandaj nacionalistët, aq më tepër për shkak të moskuptimeve mes tyre, nuk u bënë një element me vlerë për politikën gjermane në Shqipëri.
Ballistët
Ballistët premtuan në fillim të bëhen një parti politike dinamike, por me një defekt kryesor: ata s’ditën të mbajnë një qëndrim të qartë ndaj gjermanëve dhe anglezëve. Në fillim, gjatë luftimeve kundër bandave, pjesa më e madhe e suitës balliste anoi nga Gjermania, ndërsa paria e tyre e ndiente veten apriori të rreshtuar më pranë Anglisë. Kur më vonë filloi të bëhej e qartë se Anglia po ia linte vendin Rusisë në Ballkan, deri në mesin e vitit 1944, ballistët e humbën pothuajse të gjithë kredibilitetin e tyre. Kështu që në fillim të vjeshtës së atij viti ata konsideroheshin praktikisht të eliminuar.
Zogistët
Pikën e fortë të kristalizimit të tyre zogistët e gjetën rreth Abaz Kupit, një përkrahës i mbretit, i cili në kohën e pushtimit të Italisë nuk mori pjesë në veprime luftarake dhe kishte ditur të mbante rreth vetes një trupë ushtarake relativisht të rregullt dhe të fortë për kushtet e vendit.
Në verën e vitit 1944 zogistët u dukën sikur përfituan nga shkatërrimi i ballistëve dhe ishin gati të krijojnë një rrymë decizive në katrahurën shqiptare. Në përforcim të tyre erdhën simpatizantët e shumtë që kishte lënë Zogu në vend pasi iku, sepse masat e gjera ishin të mendimit që me gjithë mënyrën e qeverisjes – gjysmëdespotike e gjysmëmoderne të mbretit Zog, kjo ishte e vetmja rrugëdalje për Shqipërinë. Por Abaz Kupi i humbi të gjitha parashikimet e tij për faktin se ai nuk mbajti asnjëherë një qëndrim të qartë dhe të prerë në luftën mes gjermanëve dhe komunistëve. Thjesht, sipas mënyrës shqiptare, ai u përpoq të mbajë një qëndrim ekuivok në të dyja anët dhe sipas mundësive konkrete, t’i gënjejë të dyja palët. Me këtë politikë gjysmake ai u fut në një qorrsokak si përfundim, që gjatë tërheqjes i kushtoi shumë atij, duke humbur çdo gjë dhe duke e detyruar Kupin të arratiset gjoja në Itali.
Komunistët
Përfituesi i këtyre zhvillimeve ishin komunistët (ose komunizmi). Frymëzuesit e paktë të shkollës ruse, para të gjithëve Mehmet Shehu, një udhëheqës ushtarak i një kualiteti të përsosur, por me ide thjesht sovjetike, arritën ta shkombëtarizojnë lëvizjen e bandave që në gjysmën e parë të vitit 1944 dhe ta orientojnë gjithnjë e më tepër drejt frymëzimit sovjetik. Karakteristikë për këtë zhvillim është se që në fillim të verës flamuri i kuq i Skënderbeut, i cili mbahej pranë draprit e çekanit në të ashtuquajturën Republikë Sovjetike që u krijua atëherë në Shqipërinë e Jugut, u dogj. Meqenëse ky orientim i njëanshëm drejt Rusisë sovjetike bëri zhurmë dhe solli reagime, komunistët shqiptarë ndërruan kursit dhe e vijuan luftën e tyre nën parullat “Luftë kundër okupatorëve të huaj” dhe “Reforma shoqërore sipas kohës”. Meqenëse fshatarëve ata u premtuan pronë të lirë të oborreve të tyre, proletariatit të ngritur, sidomos punonjësve të arsimit, u premtuan jetesë më të mirë, të varfërve u premtuan çifligjet e të pasurve dhe rinisë brengosur emancipim të plotë – komunistët u përkrahën gjerësisht nga masat. Duke ditur se çdo lëvizje revolucionare tërheq pas vetes aktivistët e një vendi, në fillim të vjeshtës së vitit 1944, kur lufta me Vermachtin (ushtrinë) gjerman u bë e paevitueshme, lëvizja komuniste dispononte një trupë të organizuar dhe të rrezikshme, që ishte e vendosur të ngrihej dhe të luftonte me çdo kusht.
Pranë këtyre faktorëve të brendshëm, pjesërisht miq dhe pjesërisht armiq, të cilët kishin ndjekur deri në vjeshtën e vitit 1944 secili rrugën e tij, politika gjermane gjeti dy pozicione të forta aktive.
E para, simpatia shqiptare për Gjermaninë. Qysh në kohën e paraluftës dhe më pas të fillimit të Luftës Botërore, në Shqipëri ekzistonte një simpati e hapur për Gjermaninë e Madhe. Kjo i detyrohej pjesërisht edhe influencës historike të Perandorisë Austro-Hungareze karshi këtij vendi. Me gjithë aleancën e saj me Gjermaninë, Italia, kur pushtoi Shqipërinë në vitin 1939, u përpoq ta shkëpuste këtë lidhje shpirtërore të shqiptarëve me kombin gjerman, duke e dobësuar, por duke mos e zhdukur asnjëherë atë.
E dyta, Gjermania ishte i vetmi mik e aleat i sinqertë i Shqipërisë. Gjendja e politikës së jashtme të Shqipërisë e lejoi Gjermaninë që të merrte rolin e të vetmit aleat dhe mbrojtës të mundshëm të saj. Me pushtimin gjerman të Ballkanit u bë i mundshëm krijimi i Shqipërisë së Madhe, duke futur në gjirin e saj territorin e Kosovës. Vetëm me këtë kthim të Kosovës mund të pajisej shteti shqiptar me një strukturë deri diku të mjaftueshme dhe Shqipëria të mos varej nga jashtë si shtet.
Çdo njeri që ka arsye duhej ta kishte të qartë se ky format mund të bëhej realitet për një kohë të gjatë, vetëm në qoftë se Gjermania mbetej fuqia decizive në Ballkan. Mbasi vetë populli serb nuk do ta lejonte vullnetarisht humbjen e Kosovës së pasur në burime. Tani Shqipëria me Greqinë janë të vetmet shtete në Ballkan që nuk janë sllavizuar. Pra, përballë çdo bashkimi sllav në juglindje, ajo do të ndodhet patjetër në një pozicion të pashpresë.
Që t’i bënte ballë presionit të madh nacional, mbas shpartallimit të Italisë, Shqipëria nuk mund të shpresonte kurrë për ndihmë (mbrojtje) nga përtej Adriatikut, si në fillimet e mbretërisë zogiste. Në rast konflikti me bllokun serbomadh, do të ishte një utopi të pritej ndihmë nga Anglia, Amerika dhe ca më pak nga Rusia. Si fuqi e madhe sllave, Rusia bën apriori përjashtim, mbasi politika ruse në Ballkan u ka shërbyer gjithmonë tendencave të theksuara pansllave dhe kujtimeve të historisë. Me gjithë premtimet e bukura dhe përkrahjen e bandave shqiptare me flori dhe ar, Anglia e bëri mjaft të qartë se politika e Ballkanit ka më leverdi të bëhet duke u fokusuar në shtetin e serbomëdhenjve. Për Amerikën, Shqipëria mbeti një shtet interesant operetash në Europën e largët e të vjetër, burimet e naftës të së cilës ishin aq të pakta, sa nuk vlente për të justifikuar ndërhyrjen aktive të saj (Amerikës) në historinë e vendit.
Turqia, si shtet i fundit i jashtëm që është i interesuar ndaj fatit të Shqipërisë, për shkak të së shkuarës së përbashkët, ishte e pafuqishme dhe përpiqej për vete që të mos futej në kaosin (valën) e luftës.
Tani, meqenëse shqiptari i ngritur (inteligjent) ka prirje të lindur dhe aftësi për të kuptuar e gjykuar probleme të politikës së madhe dhe të diplomacisë, ashtu sikurse është i pafrytshëm për të drejtuar çështjet e administratës dhe të ndërtimit të vendit të tij, gjendja e politikës së jashtme që u përshkrua më lart e shtynte atë (shqiptarin) drejt politikës gjermane.
Por politika gjermane ndaj Shqipërisë çalonte në zbatimin e saj praktik, në radhë të parë në faktin që ajo nuk u krye në mënyrë monolite, prandaj shpeshherë mungonte një përkufizim i qartë i kompetencës dhe me këtë, një kurs unik mbi trajtimin e çështjeve akute, jo gjithnjë sikurse dëshirohej të zbatoheshin.
Shqiptarët e ndien mungesën e një orientimi unik të politikës gjermane, prandaj ata u përpoqën thjesht sipas artit ballkanas dhe jo pa mjeshtëri, që ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre këtë dualizëm në kampin gjerman. Në qoftë se një dikaster nuk tregohej i gatshëm të zbatonte (realizonte) dëshirën e tyre, ata mundoheshin ta zgjidhnin çështjen te një tjetër. Në këtë rast vihej re një mjeshtëri karakteristike, d.m.th. ata mundoheshin të vinin në lojë me njëri-tjetrin dikasteret gjermane dhe po të ishte e mundur t’i hidhnin në grindje mes tyre. Që nga këto fenomene kishte mjaft humbje influenca gjermane, kjo ishte e qartë. Në këto kushte dhe me kalimin e kohës, DGA humbet ndikimin e saj.
Marrë nga revista “Mapo”
16 Dhjetor 2009
Krijoni Kontakt