Para 30 nëntorit ngrihet aktakuza në “rastin Bllaca”
27 tetor 2010
Prishtinë, 27 tetor – Nazim Bllaca do të mbahet në arrest shtëpiak vetëm deri më 30 nëntor, kur mbushet fiks një vit nga nisja e hetimeve ndaj tij.
Gjykata e Qarkut në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për një muaj arrestin shtëpiak, deri më 30 nëntor, Bllacës, i cili për të paktën një vepër penale është shpallur dëshmitar bashkëpunues, njofton sot “Koha Ditorew”.
Gjykata ka vendosur për një muaj arrest shtëpiak e jo për dy, siç kishte propozuar prokurori special, Maurizio Salustro. Arsyeja pse gjykata ka vendosur kështu është se më 30 nëntor mbushet një vit nga nisja e hetimeve dhe, sipas nenit 248, paragrafi 3, nënparagrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, masa e caktuar ndaj një personi nuk mund të kalojë më shumë se një vit nga dita e nisjes së hetimeve.
Mirëpo burime nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë bërë të ditur se deri më 30 nëntor aktakuza për “rastin Bllaca” do të jetë gati, me ç’gjë do të mundësojë nisjen e proceduarve të tjera, siç është konfirmimi i aktakuzës dhe nisja e gjykimit.
Burimet kanë thënë se të gjithë ata persona që janë akuzuar nga Bllaca do të akuzohen edhe nga Prokuroria, sepse, sipas burimeve, dëshmitë dhe provat që ka ofruar ish-agjenti i SHIK-ut i vetakuzuar për “vrasje, plagosje, rrahje brutale, shantazhe” e vepra të tjera janë të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë.
Faza finale e hartimit të aktakuzës konfirmohet edhe në vendimin e gjykatës për vazhdimin e arrestit shtëpiak për Nazim Bllacën, një kopje të të cilit e ka konfirmuar “Koha Ditore”.
“Zyrat e prokurorisë tanimë janë duke konfirmuar se hetimi është duke përfunduar me intervistat e fundit të dëshmitarëve dhe mbledhja e provave është duke përfunduar”, ka thënë trupi gjykues në vendimin për vazhdimin e arrestit shtëpiak.
Në vendimin e gjykatës saktësohet se Nazim Bllaca është nën hetime për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe për pjesëmarrjen në aktivitetet e organizatës kriminale SHIK, e cila supozohet të ketë qenë e mandatar i vrasjeve dhe kërcënimeve kundër “tradhtarëve” dhe bashkëpunëtorëve të regjimit serb dhe kundërshtarëve politikë pas luftës në Kosovë.
“Hetimet janë duke zgjatur qe 11 muaj dhe gjatë kësaj periudhe janë mbledhur prova edhe kundër disa të pandehurve të tjerë, megjithëse disa elemente përfundimtare, si provat balistike, nuk janë akoma në dispozicion të prokurorit”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Në arsyetim për vazhdimin e arrestit gjykata ka konstatuar se ka elemente konkrete që tregojnë se i pandehuri do të arratisej nëse do t’i hiqej masa.
“Interesimi për deklaratat publike të të dyshuarit, numri dhe natyra serioze e veprave penale të pretenduara kundër tij, si dhe të përmendurit me emra haptas të të tjerëve si bashkëkryerës të cilët mund të hakmerren, paraqesin motivin e qartë për të dyshuarin që të ikë nga Kosova me qëllim të shmangies së ndjekjes dhe hakmarrjes personale, posaçërisht duke pasur parasysh kërcënimet e shumta drejtuar z. Bllaca që nga fillimi i hetimeve”, ka thënë gjykata.
Gjykata e Qarkut ka vërtetuar dhe verifikuar ekzistimin e dyshimit të bazuar se i dyshuari ka kryer vepër penale. Kjo gjykatë ka thënë se besueshmëria e Nazim Bllacës është forcuar gjatë këtyre 11 muajve të fundit nga mbledhja e provave të tërthorta dhe direkte që mbështesin deklaratat e tij.
Burime të “Kohës Ditore” brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë bërë të ditur së më 25 shtator ka filluar hartimi i aktakuzës bazuar në dëshmitë dhe provat materiale të ofruara nga Nazim Bllaca dhe në veprimet hetimore të gjetjes së provave shtesë pas daljes publike të Bllacës.
Sipas këtyre burimeve, të gjithë njerëzit e përmendur si të përfshirë në vepra kriminale, që nga Azem Syla, do të jenë të akuzuar kush më lehtë e kush më rëndë, varësisht nga roli që kanë pasur në krimet e kryera nga viti 1999 deri në vitin 2007.
EULEX-i ndërkaq në shumë raste nuk ka dashur të fliste për procedurat hetimore, ndërkaq avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, ka thënë të martën se nuk ka asnjë njoftim nga gjykata për procedurat hetimore deri ku kanë arritur.
“Pas dhënies së deklaratës nga Azem Syla nuk është ndërmarrë asnjë veprim juridik apo së paku ne nuk jemi njoftuar. Ndërsa kërkesa ime ka qenë që për çdo veprim juridik prokurori të na njoftojë, sepse një gjë e tillë është ligjore dhe kemi të drejtë të marrim pjesë në çdo gjë që do t’i ndihmonte edhe Prokurorisë në sqarimin e rastit”, ka thënë Gashi.
Ditë më parë gazeta ka raportuar se një panel gjyqësor i Gjykatës së Qarkut të Prishtinës i kryesuar nga gjyqtari italian, Françesko Florit, e ka aprovuar më 2 shtator të këtij viti kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës që Nazim Bllaca të shpallet dëshmitar bashkëpunues në lidhje me vrasjen e Salih Gashit në qershor të vitit 1999, dhe të mos akuzohet për këtë vrasje.
Gjykata ka urdhëruar që fillimi dhe vazhdimi i procedurave penale dhe shqiptimi i dënimit kundër Nazim Bllacës është i ndaluar për akuzat e përshkruara më lart.
Më 23 korrik të këtij viti prokurori special kishte ngritur kërkesën që të deklarojë Nazim Bllacën dëshmitar bashkëpunues vetëm sa i përket vrasjes së Salih Gashit, e cila është njëra nga disa akuzat e aktvendimit për fillimin e hetimeve.
Trupi gjykues është bindur se edhe në lidhje me vrasjen e Salih Gashit dhe të kontributit, siç cilësohet, thelbësor të Fahredin Gashit në të, nuk ka dyshim se fjalët e Bllacës janë vendimtare në procesin e ndërtimit të rastit kur ato mbështeten nga të gjitha provat.
Gjykata i beson Nazim Bllacës bazuar
në deklaratat e tij të dhëna autoriteteve hetimore dhe medieve, i cili kurrë nuk është përpjekur që ta fshehë apo ta zvogëlojë përgjegjësinë e tij për kryerjen e vrasjeve dhe sulmeve të përshkuara nga ai dhe kurrë nuk është munduar që të gjejë arsyetime për krimet e tij.
LLAP ME NJOFTO MBI EPILOGUN E HETIMEVE
Krijoni Kontakt